Rifillimi i ri në PD

Tre grupimet në PD që akuzojnë Bashën për garë të rreme, të përbashkëtat dhe dallimet e tyre dhe pse nuk ka ende një kandidat të propozuar prej tyre. Argumentet pro dhe kundër zgjedhjeve më 22 korrik, rreziku i nxitimit dhe paralajmërimi për çarjen e PD 

Nga Luljeta Progni

Prej mbrëmjes së 26 qershorit, Lulzim Basha ka ngrirë funksionet e tij në drejtimin e Partisë Demokratike. Kështu i ka marrë përgjegjësitë për humbjen e partisë në zgjedhjet e 25 qershorit. Ajo që pritej menjëherë ishte padyshim nisja e betejës së sfidantëve të tij në parti. Ata patën paralajmëruar qysh në fushatë një luftë të ashpër ndaj kryetarit që i la jashtë listës së kandidimit për zgjedhjet e 25 qershorit. Pothuaj, një javë nga dita e humbjes, PD duket në një kohë “lufte” me deklarata të forta të tipit: “Hyj në garë e shpartalloj Bashën”, “të ngrihemi për të mbrojtur PD-në, e ka kapur Lulzim Basha”, “Përzini Bashën bashkë me gruan e kunatin si Krishti tregtarët në tempull…”, “Basha je katastrofë” “Ti Nuk je Sali Berisha!” etj…

Këto deklarata të ashpra me stil revolucionar vijnë nga kundërshtarët e Lulzim Bashës, të vjetër e të rinj, sepse në krye të PD-së për katër vjet, ka prodhuar me vendimmarrjen e tij disa kategori kundërshtarësh.

Vala e parë e kundërshtarëve

Padyshim të parët janë mbështetësit e Olldashit. Grupi u krijua menjëherë pas zgjedhjeve të 22 korrikut të katër viteve më pare, kur Basha fitoi postin e kryetarit të PD-së, pasi Berisha kishte dhënë dorëheqje. Procesi u vlerësua jo i rregullt nga ky grupim ndërkohë që mbështetja e Berishës për Bashën dukej se ishte vendimtare përtej manipulimeve që pretenduan kundërshtarët. Ky grupim është shfaqur herë pas here me qëndrime kundërshtuese sidomos pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, por pa ndonjë organizim mes tyre. Sot ata janë në vijë të parë të betejës për të ndalur Lulzim Bashës të hyjë në një garë që ata e besojnë jo të drejtë dhe të barabartë nëse Basha nuk jep dorëheqjen.

Por Basha e ka thënë fjalën e tij dhe ai vendosur vetëm të vetëngrihet dhe të hyjë në garë si kandidat për kryetar i PD-së më 22 korrik. Në këto kushte ky grupim nuk duket se do të ketë një sfidant në këtë garë përballë Lulzim Bashës. Më i mundshmi për ta sfiduar Bashën shihej Astrit Patozi. Dy ditë më parë në një debat në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, Patozi tha se nuk do të kandidojë.

Por gjatë debatit i ngacmuar nga pjesëtarët e tjerë të panelit, ai u betua se nëse nuk do të kishte tjetër kandidat: “hyj në garë dhe e shpartalloj Lulzim Bashën!”.

Themeluesit dhe qëndrestarët

Një grupim i dytë përballë Bashës, që bashkohen në qëndrime me grupin e parë, janë ata që quhen themelues dhe qëndrestarë. Ish-drejtues të rëndësishëm të Partisë Demokratike në 27 vjet, si Arben Imami, Jozefina Topalli, Genc Ruli, Majlinda Bregu e të tjerë, janë të parët në vijën e betejës kundër Bashës. Disa prej tyre kërkojnë largimin e tij dhe e shohin të pavend kandidimin e tij në garën e 22 korrikut. Janë shfaqur më të ashpër në deklaratat e tyre duke bërë thirrje për ta zbuar Lulzim Bashën nga selia. Ata e shohin autorësinë e humbjes dramatike të PD-së, vetëm tek Lulzim Basha. Në atë grupim janë akumuluar inate të hershme e të tashme, qysh nga koha e qeverisjes e deri te hartimi i listës së kandidatëve për deputetë.

Midis republikës së re dhe të vjetrës

Ka një grupim që anëtarët e të cilit deri pak javë më pare i përkisnin “Republikës së Re” të shpallur si slogan nga Lulzim Basha. Por sot ata janë pjesë e “Republikës së vjetër”. Ata qëndruan në çadër si askush tjetër për ta mbështetur kryetarin e tyre dhe “Republikën e Re”. Ishin zgjedhur nëpër strukturat e Partisë Demokratike gjatë ristrukturimit të kësaj partie në katër vjet opozitë. Janë kryesisht krerë të departamenteve si Tomor Alizoti apo kreu i FRPD-së Belind Këlliçi. Ata pretendojnë se aspirata e “Republikës së Re” vdiq në atë takim të 18 majit, ku u vendos marrëveshja Rama-Basha për të hyrë në zgjedhje. Këta të rinj që njiheshin deri pak javë më parë si mbështetës të Bashës, mbetën jashtë listës së kandidatëve për deputet të PD-së. Të ngjashmit e tyre që janë pjesë e listës fituese të Bashës, nuk e kanë këtë problem me “tradhtinë” ndaj “Republikës së re”. Ata janë sot deputetë, në krahun e kundërt me Alizotin dhe vazhdojnë të besojnë se “Republika e re” do të realizohet.

Fituesit e “Republikës së re”

Të zgjedhurit e Bashës në listën fituese të kandidatëve për deputetë, po qëndrojnë disi në heshtje. Shumica nuk kanë folur. Ka prej tyre që janë shfaqur nëpër ekrane për të argumentuar se zgjedhjet u blenë dhe misioni i “Republikës së Re” ishte krejt i pamundur në këtë terren të vështirë. Një ditë më parë, deputeti i Korçës, Ervin Salianji tha se kishte prova se pazari i votës shkoi deri në 200 euro dhe se ministrat teknikë nuk e patën mundësinë ta ndalin shitblerjen e votës. Ata kanë edhe argumentin se të mërziturit me Bashën që nuk u përfshinë në listë, nuk u angazhuan në fushatë apo më keq akoma punuan kundër PD-së.

Deputeti i zgjedhur në Durrës, Oerd Bylykbashi, ka gjithashtu të njëjtin qëndrim. Përmes një mesazhi falënderues për demokratët e Durrësit, që u angazhuan në fushatë pavarësisht se sa ishin vlerësuar nga PD, Bylykbashi ka shigjetuar kështu kundërshtarët: Për të gjithë ju miq demokratë me eksperiencë të gjatë që nuk e braktisët PD-në në këtë fushatë për asnjë lloj qejfmbetjeje dhe treguat fisnikërinë tuaj pavarësisht se PD në të shkuarën ju ka patur edhe borxhe, apo që edhe pse patë se si ata që u trashën me pushtet e para me mbështetjen tuaj, ju lanë në baltë në këtë ditë të vështirë.”

Sidoqoftë, ka pak emra në listën e grupit të ri parlamentar të PD-së, që kanë pranuar të përballen me akuzat e kundërshtarëve. Me sa duket ata po presin valën e dytë të betejës gjatë fushatës elektorale brenda Partisë Demokratike.

Reagimi i bazës

Elektorati i zhgënjyer i PD-së po përballet me dy palët, kryetarin e ngrirë dhe mbështetësit e tij përballë sfidantëve shumë agresivë për ta rrëzuar. Duket se ka një çorientim në radhët e elektoratit të djathtë. Përveç dëshpërimit për humbjen tani do t’i duhet të zgjedhë mes dy kategorive të drejtuesve të tyre. Nëse besojmë për fakt shitblerjen e votës, ata që kanë votuar PD-në, kanë kaluar nëpër një betejë të fortë tundimi përballë ofertave që kanë mbërritur gjatë fushatës dhe kanë zgjedhur t’i qëndrojnë besnikë PD-së. Janë kryesisht ata më fanatikët sepse bazuar në statistika në këto zgjedhje PD ka humbur elektorat dhe këtë e theksoi edhe ish-kryetari, Berisha. Ka një zemërim të ligjshëm tek demokratët sepse drejtuesit në Tiranë po i vënë në një tjetër provë, të zgjedhin mes dy palëve. Do të ishte krejt e natyrshme nëse do të ishte fjala për një garë të qetë dhe normale brenda një partie, ku ka kandidatë nga të dyja grupimet, e ku secili kandidat shpalos platformën e tij për drejtimin e partisë. Ka një palë që i kërkon elektoratit të braktisë procesin, pa nxjerr një kandidat dhe pala tjetër ka nisur procedurat. Edhe në strukturat drejtuese ka dy palë. Në njërën anë është Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, argumenton se është shkelur statuti me hapjen e procesit zgjedhor në PD, pasi atë e ka ekskluzivitet Sekretari i përgjithshëm edhe kur ngrin Kryetari. Ndërsa pala tjetër janë dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka e Edmond Spaho që duke iu referuar po statutit të partisë, argumentojnë se janë ata që kanë të drejtën legjitime për të hapur garën.

Në këtë panoramë të zymtë të PD-së, duket se zgjidhja kërkohet sërish nga Berisha. Ka pasur thirrje që ai të kthehet për ta drejtuar procesin e zgjedhjeve në parti. Sfidantët e Bashës, pretendojnë se e kanë mbështetjen e tij. Gjithashtu pala tjetër, kreu i ngrirë dhe mbështetësit e tij flenë të qetë se e kanë mbështetjen e Berishës. Lideri i tyre historik e ka dhënë qëndrimin tri ditë më parë kur u shpreh se kryetari aktual mund të rikandidojë. E dinë ndikimin e tij, qoftë edhe të pavullnetshëm në mbarëvajtjen ose jo të punëve të PD-së, por askush nuk ka ndërmend të kërkojë shpjegime.

Topalli: Revolta e demokratëve përballë garës së rreme

Jozefina Topalli nuk firmosi asnjë prej deklaratave të drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të Partisë Demokratike për dorëheqjen e Lulzim Bashës. Por tani, ish-nënkryetarja demokrate është edhe publikisht bashkë me ata që mendojnë se në PD nuk po zhvillohet një garë e barabartë. “Ringritja e PD dhe revanshi i saj politik fillon vetëm me largimin e zotit Basha. Basha nuk pranon garë, nuk pranon proces të hapur dhe transparent, nuk pranon konkurrentë të vërtetë as idesh dhe as personalitetesh. Ai nuk pranon as ballafaqim dhe as debat”, tha Topalli në një deklaratë për mediat.
Në deklaratën e Jozefina Topallit kishte nota të qarta që akuzonin Bashën për vënien e opozitës në shërbim të fitores së Edi Ramës. “Zoti Basha është katastrofa e PD. Falë strategjisë së gabuar, opozitës së përciptë, ‘fake opposition’ ndoshta, ai rrëzoi në gjunjë PD dhe i dha ndihmë zotit Rama, bashkudhëtarit dhe mikut të orëve të vona të kësaj vere, për fitoren e tij. Rama i kërkoi marrëveshje që të bëhej timonier dhe Basha e deshi aq shumë sa e bëri kondotier”, -tha Topalli.
Për herë të parë pas 4 vitesh kritike individuale ndaj Bashës, Jozefina Topalli foli edhe në emër të kritikëve të tjerë, duke kërkuar rregulla për garë të barabartë.
“Ne kërkojmë në fakt respektimin e forumeve drejtuese sipas statutit. Të gjitha këto janë kushte të panegociueshme të procesit. Pa to në PD nuk mund të ketë garë. Nga ‘fake opposition’ nuk mund të shkojmë në ‘fake race’. Sa më shpejt të kuptojë Basha këtë, aq më shpejt do të vijë ngritja e PD”, nënvizoi Topalli.
Por ish-nënkryetarja e PD, e cila u bëri thirrje demokratëve të bashkohen për të ndaluar atë që e quan pengmarrje të Partisë Demokratike, kishte edhe një kërkesë për Bashën.
“I kërkoj zotit Basha të ndërpresë menjëherë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e partisë përpara se të përballet me zemërimin dhe revoltën e demokratëve. Të kuptojë sa më shpejt se demokratët do të dinë të mbrojnë partinë e tyre dhe historinë e tyre”, shtoi Topalli.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria “Rama 2”: Shkrihen disa ministri, ja emrat që rikthehen

Socialistët do të kenë në fund të gushtit një panoramë të qartë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *