Rikonceptimi i qeverisjeve është një domosdoshmëri!

Nga Gentian Kaprata 

Shqipëria ka domosdoshmëri një ‘Republikë të re’, por nuk mund të ketë një të tillë pa rikonceptuar qeverisjet.

Si asnjëherë tjetër në këto vite, që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve u kuptua se kush ishte fituesi e kush humbësi i tyre. U deshën pak ditë më shumë që ky rezultat i pritshëm të merrte formë të plotë zyrtare. Lista Basha humbi drastikisht zgjedhjet, dhe bashkë me të ra edhe ‘Republika e Re’ e tij.

E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ të premtimeve populiste e socialiste që z. Basha dhe ‘ekipi i tij fitues’ i shfaqi në premierën e 13 majit dhe i përsëriti shumë herë përgjatë fushatës elektorale. E kam fjalën, gjithashtu, për atë ‘Republikë të Re’ ku ‘e vjetra shembet, kohët ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash’ e huazuar nga një hartim i komunistit 15-vjeçar Qemal Stafa, që më vonë u kthye në himnin e shkatërrimit komunist të çdo gjëje tradicionale dhe patriotike. Por kurrsesi, nuk e kam fjalën për tonën ‘Republikë të Re’, që as premton e as shkatërron, por rikoncepton e rikontrukton shtyllat më të vjetruara të Republikës që kemi.

E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ që si zgjidhje të vetme për këtë katrahurë ekonomike në të cilën vegjeton vendi ka ‘uljen e taksave’; por jo për atë që kërkon ndërtimin e një modeli të ri ekonomik me bazë prodhimin dhe me mbështetje burimet natyrore e territoriale të vendit. E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ që vragën më të shëmtuar të demokracisë dhe kapitalizmit shqiptar, çështjen e pronave të shtetëzuara nga sistemi komunist e të mbajtura peng prej 27 vjetësh e “zgjidh” nëpërmjet ‘kompensimit me çmim europian’; por jo për atë që kërkon një qasje ku pronari i vjetër dhe pronari i ri përfitojnë të dy në proporcion me kontributin nga proceset rizhvilluese, ndërsa taksapaguesit shqiptar lihen jashtë këtyre transaksioneve private. E kam fjalën për ‘Republikën e Re’ të partive si pronë e kryetarëve; por jo për atë të partive moderne me diskurs dhe veprim politik qartësisht të dallueshëm, ideologjike dhe me programe zhvillimi.

Sepse ky është ndryshimi mes ‘Republikës së Re’ Basha dhe ‘Republikë së Re’ të qytetarëve të lirë. Ndryshimi që origjinalizon te morali individual, dhe që mund ta huazojmë nga Imanuel Kanti kur argumentonte se një ‘individ i moralshëm është pikësëpari një individ i lirë, pra një individ i lirë që vepron jo në bazë të dëshirave dhe instinkteve të tij parësore apo nën trysninë e presionit dhe forcës, por sipas vullnetit të tij të lirë, duke ndjekur atë rrugë që i ka caktuar vetes.’ Nëse opozita zyrtare do kishte operuar me këtë moral, do kishte përthithur elektoratin e gjerë shqiptar që nuk kishte si ti pëlqente një qeverisje fasadiste, demagogjike dhe populiste. Sikurse qeverisja Rama, që për shtyllë kurrizore kishte centralizimin, në duart e saj, të funksioneve vendore të qeverisjes dhe braktisjen e punëve kombëtare, duke trajtuar Shqipërinë si një Republikë fasadash të drejtuar nga kryebashkiaku kombëtar dhe 61 drejtorët e tij lokal.

Është ky deformim që shtron, edhe një herë, domosdoshmërinë e rikonceptimit të qeverisjeve. Shoqëria shqiptare pas 27 vjetë ecejakesh me shumë kthesa, shpesh të pakuptimta dhe të pajustifikuara, ka nevojë për një qasje tjetër ndaj organizimit të saj institucional. Çka nënkupton një përcaktim të ri se çfarë shoqëria i ngarkon qeverisjeve, si fushë të veprimtarisë së tyre. Duket se qeverisjet shqiptare nuk i njohin kufizimet tyre, ku spikat qeveria Rama, dhe në 27 vjet janë vetëngarkuar me pushtete të reja ndërsa nuk kanë kryer as ato më baziket. Duhet kuptuar sa më parë se pushteti i takon qytetarit dhe është ky që i kalon pjesë të pushtetit të tij qeverisjeve. Kurse qeverisjet janë të detyruara të ushtrojnë vetëm atë pushtet që i është deleguar, sepse e kundërta do të ishte pushtim i hapësirave të lirisë së qytetarit. Prandaj, duhet të jetë detyra e parë e ‘Republikës së Re’ dimensionimi sa më i qartë dhe më i ngushtë i fushëveprimit të qeverisjeve.

Detyra e dytë është ndarja proporcionale e pushtetit (fushëveprimit qeverisës) midis dy nivele të qeverisjes. Përderisa qytetari i kalon pushtet qeverisjeve, është më demokratike që ky pushtet të ushtrohet sa më afër tij dhe mundësisht me përfshirjen sa më të gjerë dhe më të thellë të tij. Fuqizimi i pushtetit vendor duhet të jetë një përparësi në procesin e ndarjes së funksioneve qeverisëse midis niveleve të ndryshme të saj. Janë këto dy detyra bazike të ‘Republikës së Re’ që kërkojnë ndërhyrje, për së pari, në ‘Pjesën e Pestë’ dhe ‘Pjesën e Gjashtë’ të Kushtetutës së Republikës. Dhe më tej, në dy ligjet specifike për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe Qeverisjes Vendore. Në të kundërt, ëndrra për një ‘Republikë të Re’ të qytetarit do mbetet në sirtarët e politikanëve me mendësi bolshevike të partive populiste që na kanë drejtuar në këto 27 vite të tranzicionit të tej lodhshëm që nuk na çoi kurrë në demokraci.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Thaçi uron Ramën për fitoren e zgjedhjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar kryeministrinRama për fitoren e zgjedhjeve...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *