Rikthim te pika zero e Reformës në Drejtësi?



Basha Halimi dhe BylykbashiKrejt papritur, grupi parlamentar i Partisë Demokratike doli dje me një draft të sajin për Reformën në Drejtësi. Projekti ishte propozim i ekspertëve dhe anëtarëve demokratë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën.

Pas më shumë se dy orë diskutimesh, demokratët i dhanë viston draftit të tyre alternativ, që ndryshon jo pak nga përmbajtja e draftit të propozuar nga ekspertët e huaj OPDAT dhe EURALIUS, mbi të cilën prej disa kohësh po punon edhe komisioni i posaçëm.

“…Për pjesën e sistemit ku ‘Venecia’ ka thënë qartë që palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’iu ofruar shqiptarëve zgjidhje të standardit europian, Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që iu është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme, pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi…”, -tha dje Basha, pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Sipas Bashës, ky nuk është një draft paralel.

“…Vetë ekspertët kanë shkruajtur të kuqe mbi të bardhë që këtu ka një sërë çështjesh politike që kërkojnë rakordim politik. Dhe për ta bërë procesin transparent dhe për të mos e lënë pre të keqinformimit të publikut, sa me dashje nga ata që e kanë vonuar me të vërtetë reformën për dy vite me radhë e sa pa dashje nga ata që nuk e dinë se çfarë është reforma. Opozita për këtë pjesë të kuqe mbi të bardhë, për zgjidhjet politike, po ofron vizionin e saj në përputhje me rekomandimet e ‘Venecias’”, -tha Basha.

Kryetari i opozitës shtoi se arkitektura e sistemit të drejtësisë nuk bie me këtë draft por ajo thjeshtohet.

“…Shqiptarët e dinë që ne vuajmë për kapacitete të tilla. Kush janë këta 12 fatosa dhe 7 pionierë që do marrin përsipër?! Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’iu shërbyer qytetarëve. Ne ecim me propozime të cilat iu shërbejnë qytetarëve. Në qoftë se duam t’i gjejmë vend pune Sokol Sadushit, Genti Ibrahimit, Ardian Dvoranit, Kristaq Trajës, Fatmir Xhafës, në qoftë se e ka ndërmend për nesër, Enkelejd Alibeaj në qoftë se ka aspiratë të hyjë, atëherë hajde të bëjmë një reformë që t’i gjejmë punë 17 vetave me rrogë 6 milionë lekë në muaj. Por kjo nuk është Reformë në Drejtësi. Gjërat janë shumë të thjeshta dhe nuk duhet të fshihemi pas paragjykimeve. Partia Demokratike është futur me vullnet të pastër për t’iu dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon. Jo një sistem drejtësie që punëson me rroga të majme njerëz politikë. Jo një sistem bipartizan, një sistem jopartizan”, -tha ai.

Basha saktësoi se zgjidhjet që ofron PD-ja janë në përputhje me ato që ka thënë Komisioni i Venecias.

Propozimet

Përmes një drafti alternativ, demokratët synojnë që të japin zgjidhje për çështjet politike që kanë mbajtur larg palët me qëllim finalizimin e kësaj reforme.

Nga 11 institucione që parashikohen në draftin aktual të propozuar nga ekspertët ndërkombëtarë, demokratët kërkojnë të heqin 4 prej tyre. Konkretisht, opozita propozon që të fshihet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, dhe kompetencat e këtij institucioni ia ngarkon Gjykatës Kushtetuese, propozohet gjithashtu shkrirja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit, dhe Tribunalit Disiplinor.

Demokratët propozojnë gjithashtu që Inspektorati i Lartë i Drejtësisë të marrë kompetenca e ILDKP për gjyqtarët dhe prokurorët.

Për sa i përket procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, opozita kërkon që të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi anëtarët e këtyre dy institucioneve të vlerësohen nga ndërkombëtarët.

Sa i përket skemës së zgjedhjeve të anëtarëve të institucioneve të reja kushtetuese, PD shprehet se për Këshillin e Lartë Gjyqësorë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të caktohet modeli i vendeve të rezervuara, anëtarët jo gjyqtarë do të zgjidhen nga një listë e hapur ku 2 mbështeten nga opozita, dy nga mazhoranca dhe një nga shoqëria civile.

Sipas demokratëve, Prokurori i Përgjithshëm, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e inspektoratit të lartë të drejtësisë, emërohen me 3/5 e deputetëve në Kuvend, por deri më 1 shtator të 2017-s, ata kërkojnë një dispozitë tranzitore që emërimet të bëhen me 2/3 e deputetëve në Kuvend, për të siguruar pjesëmarrjen substanciale të opozitës në votimet në parlament.

Drafti i ri, Xhafaj: PD po e kthen në pikën zero reformën

Kryetari i komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, tha dje se lëvizja e PD-së me një draft të ri është tentativë e saj për të devijuar debatin kushtetues.

“Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë negocim jashtë kornizës së Komisionit të Venecias. Nëse opozita ka sot një projekt tjetër, kjo do të shqipërohej një përpjekje e re e opozitës për ta shtyrë në kalendat greke debatin mbi projektin kushtetues për ta vonuar atë, për të mos thënë devijuar. Do ta kthente procesin në pikën zero gjë që nuk do të kishte mbështetjen tonë…”, – tha dje Xhafaj.

Por, nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi u shfaq optimist në gjetjen e konsensusit mbi propozimet e tyre.

“Ajo që ka rëndësi është se me pozicionimin tonë dhe me propozimet konkrete për një zgjidhje shumë efikase sesa ajo që ka mazhoranca, besoj se do të vijmë në arsyen e përbashkët dhe miratimin e amendamenteve të përbashkëta”, -tha Bylykbashi.

Qëndrimet e tyre erdhën pas mbledhjes së komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi, ku mazhoranca dhe opozita u dakordësuan për çështjet teknike në kapitullin për prokurorinë, ndërsa çështjet me natyrë politike mbeten pezull.

Fleckenstein: Ka individë të veçantë, që nuk duan ta miratojnë reformën

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, deklaroi dje se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet brenda 6 javëve.

Dje, ai ishte në Shkodër në një takim me studentë të universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku foli për rrugën integruese të vendit dhe sfidat që e presin.

“…Unë kam diskutuar me të gjithë përfaqësuesit e partive politike, Partisë Socialiste, LSI-së dhe Partisë Demokratike dhe ato më kanë thënë që javën e ardhshme do të miratojnë Reformën në Drejtësi dhe është shumë e rëndësishme që brenda 6 javëve të miratohet kjo reformë, sepse vetëm atëherë mund të fillojnë marrëveshjet për futjen e Shqipërisë në BE. Natyrisht ka interesa të individëve të veçantë që nuk duan ta miratojnë këtë reformë. E thënë me fjalë më të thjeshta, ju do ta merrni vesh pas 6 javëve në qoftë se ky vend drejtohet nga politikanë të vërtetë apo nga individë të tjerë që ju nuk i keni përzgjedhur. Ne besojmë se me anë të kësaj reforme, mund të jetë e mundur lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë jam pro hyrjes së Shqipërisë në BE dhe Parlamenti Evropian punon plot energji për anëtarësimin e vendit tuaj, por ne të gjithë e dimë që për t’u anëtarësuar është një punë e gjatë. Megjithatë, puna e Komisionit dhe parlamentit Evropian ka treguar që ne e duam Shqipërinë në BE dhe kjo u bë e qartë me liberalizimin e vizave në Kosovë që do të thotë që ne e duam Ballkanin Perëndimor, pjesë të BE- së”, – tha Fleckenstein, gjatë takimit me studentët.

Reforma në Drejtësi, Meta: E finalizojmë brenda pak javëve

Në përfundim të vizitës së tij, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit në Uashington nga përfaqësues të Kolegjit Zgjedhor Demokrat dhe Kolegjit Zgjedhor Republikan dhe zhvilloi një bashkëbisedim në Institutin e Politikave Progresive. Aty, ai përcolli edhe një qëndrim për Reformën në Drejtësi.

“Ne jemi duke ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Një nga më kritiket për të ardhmen është Reforma në Drejtësi. Ne jemi me fat që jemi mbështetur në këtë proces nga ekspertiza juaj amerikane dhe nga asistenca e partnerëve tanë në Bashkimin Evropian. Ne i njohim mangësitë tona dhe të funksionimit të institucioneve tona dhe sistemi i drejtësisë është një prej tyre. Kjo është arsyeja përse ne jemi kaq të vendosur për ta miratuar këtë reformë sa më parë që të jetë e mundur dhe në të njëjtën kohë jam i bindur si Kryetar i Kuvendit që ne do ta finalizojmë atë brenda pak javëve. Ne jemi shumë pranë përmbylljes, për të ndërmarrë një reformë të gjerë dhe të sigurt të sistemit publik, e cila do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të shtojë parametrat e sigurisë për investitorët e huaj”, -u shpreh Meta.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Lançohet Instituti Pashko: Anëtarët e pangjashëm të bordit

Bordi këshillimor i IEP-së, i përbërë nga personalitete nga bota e politikës,...
Read More