Rikthimi i vizave? Qeveria jep mesazhe qetësuese, Nishani: Alarm!

Autoritetet shqiptare kanë mohuar dje që të ekzistojë një rrezik aktual për rikthimin e vizave për shqiptarët nga Holanda. Sipas tyre, problemi i kriminalitetit duhet të zgjidhet mes dy policive dhe prokurorive të të dyja vendeve. Ish-presidenti kërkon një betejë të përgjithshme, ndërsa deklaron se në 2016 buxheti i krimit ishte më i madh se buxheti i shtetit

Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëtojnë të lirë pa viza në vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht fenomenit në rritje të kriminalitetit me autorë shqiptarë. Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë ekzistencën e shqetësimit të autoriteteve homologe holandeze për kriminalitetin me orgjinë shqiptare, por mohojnë që ai të ndikojë në rikthimin e vizave për shqiptarët.

Duke e konsideruar një problem që duhet të marrë zgjidhje në bazë të bashkëpunimit të autoriteteve përkatëse të të dyja vendeve, ato theksojnë se rreziku që ndikon në mënyrë direkte në kthimin e vizave është ai i azilkërkuesve, numri i të cilëve, sipas tyre, ka rënë ndjeshëm në 2017.

Por ndërkohë që nga ana tjetër, opozita e sheh si një problem alarmant dhe përgjegjësi direkte të qeverisë një shqetësim të tillë të policisë dhe prokurorisë holandeze, ndaj dhe kërkon një betejë frontale, e cila duhet të fillojë nga shkëputja e lidhjeve të qeveritarëve me krimin dhe drogën.

Qeveria

Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj, kërkon të ndajë çështjen e azilkërkuesve nga kriminaliteti si fenomene që mund të ndikojnë në rikthimin e vizave. Kështu ajo ka deklaruar dje se sa i përket çështjes së azilkërkueseve ka një rënie të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, përfshi këtu edhe Holandën. “Aktualisht ne mund të themi që me masat që janë marrë ne kemi një ulje të shtetasve shqiptarë nga informacionet që kemi marre nga homologët tanë në lidhje me kërkesat e tyre për azil në vendet e BE.

Për sa i përket rastit të Holandës, ne nuk kemi pasur asnjë lloj problemi ose shqetësimi nga ana e tyre në lidhje me kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil. Sidomos për këtë periudhë nga janari deri në gusht që ne po flasim”, u shpreh Hajnaj dje për mediat gjatë një inspektimi në pikën doganore të Kakavijës. Nga ana tjetër, ajo nuk ka mohuar ekzistencën e problematikës së kriminalitetit me origjinë shqiptare për të cilin flitet në raportin e Policisë dhe Prokurorisë së Amsterdamit, por ajo thotë se kjo është një çështje e bashkëpunimit të dy policive dhe prokurorive respektive të të dyja vendeve.

“Për sa i përket pjesës së kriminalitetit të shtetasve shqiptarë në Holandë, unë theksoj edhe njëherë se Policia e Shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha homologet e veta, me misionet, atashetë që janë vendosur në Shqipëri, që mbështesin policinë shqiptare dhe janë të gatshëm për të ngritur grupe pune të përbashkëta hetimi, për të hetuar dhe goditur të gjitha këto grupe kriminale duke filluar që nga transfertat financiare të tyre e deri te konfiskimi i aseteve që ato kanë në Shqipëri”,- theksoi Hajnaj.

Ndërkohë që zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, kërkon të veçojë policinë e Amsterdamit nga Qeveria holandeze, duke theksuar se kërkesat apo qëndrimet e saj jo domosdoshmërisht merren parasysh apo përbëjnë qëndrime të Qeverisë holandeze. “Shqiptari i inkriminuar nuk është Shqipëria, po aq sa holandezi i inkriminuar nuk është Holanda. Policia dhe prokuroria e Amsterdamit nuk janë Qeveria holandeze.

Policia dhe prokuroria e Amsterdamit, janë krijuar sipas ligjeve të botës demokratike, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe jo për t’i cenuar ato. Policia dhe prokuroria holandeze duhet të bashkëpunojë me homologët shqiptarë për të luftuar krimin e organizuar me lidhje në të dyja vendet”,- shkruan Isaraj në një reagim të tijin. Madje ai sjell në vëmendje se qeveria shqiptare ka qenë shumë bashkëpunuese me autoritetet holandeze kur vjen puna te një sërë çështjesh të tjera që ajo ka pasur interes.

“Shqipërisë që nuk i ka munguar bashkëpunimi institucional dhe profesional holandez, për dhunën në familje, martesat gay, si dhe spiunët që i fryjnë bilbilit të korrupsionit, nuk ka pse t’i mungojë bashkëpunimi holandez në luftën kundër krimit të organizuar”,- thekson Isaraj.

Ndërkohë që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, e sheh debatin e hapur ditët e fundit më shumë të karakterit politik sesa real. Më anë të një statusi në rrjetin e tij social “Facebook”, teksa ka reaguar mbi lajmin e publikuar në media mbi kërkesën e autoriteteve holandeze për rikthimin e vizave për shqiptarët, ai e ka konsideruar atë produkt të luftës politike të opozitës që vjen si rrjedhojë e dëshpërimit të humbjes në 25 qershor.

“Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë”,- shkruan Bushati në facebook, duke lënë të kuptohet qartë se i gjithë ky debat është i ngritur pa një bazë dhe rreziku për rikthimin e vizave nuk është real.

Opozita

Ndërkohë që pjesë e këtij debati është bërë dje edhe ish-kreu i shtetit, Bujar Nishani. Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social “Facebook” ish-presidenti i Republikës, ka komentuar propozimin e autoriteteve ligjzbatuese të Holandës për rikthimin e vizave për shqiptarët, duke theksuar se, ky është një alarm për të gjithë dhe sipas tij përgjegjëse është edhe politika shqiptare. Ai thekson se duhet pastrim i Parlamentit nga kriminelët ordinerë dhe me shumë para si dhe një goditje në front kombëtar e krimit, pasi në të kundërt nuk do ta shohim Europën live.

“Shpresa vdes e fundit. Një goditje fatale, në front kombëtar nga Dibra në Tepelen, nga Vlora në Shkodër, nga Durrësi në Elbasan e nga Fieri në Tiranë ndaj grupeve te krimit të organizuar tashmë në fashion të plotë mafioz është dhe duhet të jetë hapi i parë publik dhe institucional”,- shkruan ish-Presidenti Nishani.

Në qëndrimin e tij ai bën të ditur se në bazë të informacioneve që ai ka pasur mundësi t’i marrë në cilësinë e Presidentit të Republikës, gjatë vitit 2016 grupet kriminale kanë xhiruar më shumë lekë se sa ka qenë edhe Buxheti i Shtetit. “Vlerësimet e agjensive inteligjente vendase dhe të huaja tregonin se nga shkurt, marsi deri ne shtator, tetor të 2016 paraja e qarkulluar nga trafikimi i droges ishte më e madhe se buxheti vjetor i shtetit !!!”,- bën të ditur Nishani.

Ndaj kërkesës së autoriteteve holandeze reagoi një ditë më parë edhe ish-kryeministri Berisha, i cili gjithashtu deklaroi se rreziku i kthimit të vizave është dëshmi e degradimit të të gjitha standardeve të Shqipërisë nga ana e kryeministrit.

“Kjo kërkesë nuk vjen e papritur por e paralajmëruar disa herë pasi Shqipëria e Norieges ka shkatërruar çdo standart te arritur nga vendi 7 vite më parë, për të cilat u hoqën vizat. Kështu që mund të thuhet me siguri se Edvin Kristaq Rama iu dha shqiptarëve drogën dhe po iu kthen vizat duke ndëshkuar kështu miliona shqiptarë!”,- deklaroi Berisha./Mapo.al/

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Parashikimi astrologjik për të ardhurat më të larta sipas shenjave gjatë 2018-ës

  T’i keni nën kontroll financat tuaja është një gjë e mirë....
Read More