Rikthimi nga Partia Demokritike (në gjendje kritike) në atë Demokratike

Nga Ndriçim Kulla

Emri i PD-së, Partia Demokratike, do të thotë një parti që shpreh dhe mbron parimin e sundimit të popullit (demosit). Por në gjendjen që është sot kjo parti, është më saktë që sigla e saj të lexohej Partia Demokritike. Kjo jo për arsye se kjo parti është bërë e hapur për kritikën e demosit, ndonëse kjo gjë u premtua pas humbjes së 25 qershorit kur u tha se do të behej një analizë e thellë dhe e gjerë e humbjes gjë që nuk u bë fare.

PD sot meriton që të quhet Partia Demokritike për arsye se kjo parti është sot në gjendje kritike, si kurrë ndonjëherë në historinë e saj, madje është shumë herë në gjendje më kritike se pas daljes në opozitë në vitin 1997. Kjo gjë po bëhet çdo ditë e më e qartë. Qëndrimi i disa deputetëve të PD-së në Kuvend, ditën e shtunë në votimin për kreun e Kuvendit, tregoi se kjo parti nuk ka realisht as 43 deputetët që ka fituar në zgjedhjet e qershorit.

Si një nga njerëzit e çadrës, që kam qenë i ftuar në rolin e protagonistit bashkë me të tjerë (e kam fjalën që iu përgjigja ftesës publike të asaj lëvizjeje që intelektualët me profil publik të vinin në çadër si në një agorë të rrahjes së mendimeve), i jap vetes të drejtë të them që gjendja kritike e kësaj partie është e tillë që nuk ka mbetur edhe shumë kohë gjatë së cilës mund të bëhet e mundur nxjerrja e saj nga gjendja kritike se po afron prova tjetër e zgjedhjeve të pushtetit lokal.

Nuk e di se sa është i vetëdijshëm kryetari i PD-së, z. Lulzim Basha që, për shkak të gjendjes në të cilën është partia që drejton ai, sot sigla e saj duhet lexuar Partia Demokritike, jo Partia Demokratike. Kam pritur që gjatë verës z. Basha si reflektim i asaj që ka ndodhur natyrshëm të kishte menduar dhe përpiluar ndonjë plan për të bërë ndonjë lëvizje për nxjerrjen e partisë nga gjendja kritike, por tani po duket se nuk ka për t’ u ndërmarrë diçka e tillë. Thjesht do të vazhdojë për inerci gjendja ekzistuese duke pritur konsumimin e mazhorancës së sotme në atë mënyrë që ti mbetet pushteti në dorë. Nuk mund  të gjendet një arsyetim tjetër.

Dikush mund të thotë se është e lehtë të bësh oponencë, por është e vështirë të japësh zgjidhje. Kjo është e vërtetë. Unë nuk kam ndonjë zgjidhje me shkop magjik për gjendjen kritike në të cilën gjendet PD-ja sot, por kam diçka si filli mitologjik që përdorej për të gjetur rrugën në një labirint dhe që është vërtetuar si i suksesshëm me parti europiane që janë ndodhur në gjendjen e PD-së.

Shkaku kryesor i gjendjes kritike të PD-së sot është se në këtë parti është krijuar një elitë e rreme politike. Grupi parlamentar i një partie është elita politike e saj. Dhe grupi parlamentar i PD-së është në 70% të tij elitë e rreme politike që nuk përfaqëson potencialet intelektuale të partisë. Kjo elitë e rreme politike e paralizoi partinë në zgjedhje, dhe vazhdon ta mbajë të paralizuar atë.

Z.Basha duhet të krijojë urgjentisht një elitë paralele politike të partisë, një lloj forumi që do të kompensojë elitën e rreme politike që përbën grupi parlamentar i kësaj partie. Ky forum duhet të mblidhet në mënyrë të rregullt nën drejtimin e Bashës dhe të ketë si çështje kryesore në axhendën e tij nxjerrjen e partisë nga gjendja kritike. Kështu së paku do të krijohet besimi se në zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare PD do të dalë me kandidatura të besueshme për elektoratin.

Nëse z. Basha nuk e bën këtë gjë, atëherë na lind e drejta ne që t’i drejtohemi partisë dhe elektoratit të saj me një apel ku të denoncohen me emër përgjegjësit për gjendjen kritike të partisë. Unë si intelektual me profil publik që u jam drejtuar anëtarëve, mbështetësve të PD-së dhe gjithë qytetarëve të vendit në shumë momente, e ndjej detyrim që të them fjalën time në këtë situatë. Nëse do të vazhdohet që të mos merret asnjë masë për kapërcimin e gjendjes kritike në PD, atëherë faji i atyre që kanë përgjegjësinë dhe kompetencat për ta bërë këtë, bëhet shumë më i rëndë se i  çdo humbje tjetër që ka përjetuar PD-ja deri tashti dhe do jetë fundi shkatërrimtar i saj.

PD kështu nuk mund të mbijetojë gjatë si Parti Demokritike. Ajo duhet të rikthehet që të jetë Partia Demokratike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Agolli: Heqja e imunitetit të Hajdarit është heqja e një cope nderi të Kuvendit

Fjalimi i ndjerë i patriarkut të socialistëve në seancën për heqjen e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.