Ringritja e opozitës: A do t’ia dalë Lulzim Basha?

Pasi ka grumbulluar katër vjet përvojë në krye të opozitës së djathtë, pas lëvizjeve të suksesshme dhe të dështuara, pas humbjes së thellë të 25 qershorit dhe rikonfirmimit me shumicë dërrmuese në krye të PD, Lulzim Basha ka edhe një përvojë të dytë. Vështirësitë, mundësitë dhe skemat që mund të përdorë lideri 44-vjeçar i opozitës pasi ka parë dhe ka testuar miqtë dhe armiqtë, servilët dhe rivalët, mediokrit dhe të talentuarit, mbështetësit rastësorë dhe ata të përhershmit. Çfarë shansesh ka Basha për t’ia dalë mbanë. Prognoza e Baton Haxhiut dhe Mustafa Nanos

Lulzim Basha u rikonfirmua një javë më parë në krye të Partisë Demokratike. Përmes një procesi të zhurmshëm e të kontestuar nga kundërshtarët, fitoi mbi 90% të votave të demokratëve përballë rivalit të tij në këtë garë, Eduard Selami.

Ndërkohë Partia Demokratike ka pësuar tronditjen e thellë pas humbjes së 25 qershorit, besimi te Basha si lider është lëkundur dhe gjithçka duket kaq e zymtë në kampin blu. Por për Bashën personalisht, ndoshta nuk vlen kjo panoramë e zymtë sepse ai është rikonfirmuar si kryetar i PD-së, njëra prej dy partive më të mëdha në Shqipëri dhe padyshim që ringritja e kësaj partie është më e mundshme se e kundërta. Rruga drejt ringritjes është sfida personale e Lulzim Bashës.

Kush është ai që e ndjek Lulzim Bashën? Është një pyetje që vjen nga analisti Mustafa Nano, i cili parashikon shumë pengesa dhe pesimizëm në rrugën e Lulzim Bashës drejt liderit të fortë, që mund të çojë PD-në në pushtet.

Përballja me problemin është rruga e Partisë Demokratike drejt ringritjes dhe problemi është Sali Berisha. Është ky një tjetër konstatim i Nanos, i cili nuk sheh shumë mundësi për ringritjen e kësaj partie.

Të njëjtin konstatim nuk e ka analisti Baton Haxhiu kur thotë se në rrugën e Lulzim Bashës nuk ka pengesa pas ikjes së gardës së vjetër dhe të Berishës, por e lë me dyshim nëse Berisha dhe influenca e tij po i largohet PD-së. Për analistin Baton Haxhiu, Basha është në rrugë të mbarë për t’u imponuar me ekipin e tij pas katër vitesh, natyrisht duke u ngritur përmes gabimeve të Edi Ramës dhe tkurrjes në vazhdimësi të LSI-së. E konsideron strategjikisht të gabuar mundësinë e bashkëpunimit me LSI-në. Të kundërtën beson Mustafa Nano, i cili e sheh bashkëpunimin me LSI-në, si rrugën e vetme të Bashës për t’u rikonfirmuar si lider me premisë për të marrë pushtetin.

Për sfidat e reja të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, flasin analistët Mustafa Nano e Baton Haxhiu.

Baton Haxhiu: Lulzim Basha po krijon partinë e tij demokratike

Lulzim Basha është konfirmuar në krye të Partisë Demokratike, mes debatesh e dyshimesh të shumta që vijnë kryesisht nga krahu kundërshtar i tij në PD. Me gjithë kontestimet ai nis një betejë të re për ringritje të Partisë Demokratike. Besoni ju se hapat e tij drejt ringritjes së PD-së do të jenë të shpejtë dhe cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugë?

Lulzim Basha është duke e krijuar partinë e tij. Është në rrugë të mbarë afatgjatë, nëse ia del që me siglën e PD-së, duke shfrytëzuar edhe panikun e së djathtës të imponohet me partinë e tij. Lista që ai imponoi me deputetët, nuk është PD-ja, është partia e tij e re që ai shpreson që ta fusë në lojë pas katër vitesh.

Me ikjen e Berishës (nëse ikën) dhe gardës së vjetër të PD-së, Lulzim Basha ka mbetur i vetmi lider që motivon PD-në, si në aspektin ideologjik ashtu edhe koniunktural.

Basha po motivon koniunkturën bazuar në një bashkëpunim me LSI-në. Gabim. Më shumë se sa beteja e Bashës për ringritjen e PD-së, është një betejë tjetër e Edi Ramës për ta kërkuar votën përtej së majtës. Pra, duke bërë betejën me LSI. Prandaj beteja e Bashës për ta ringritur partinë, me shpresën se do bashkëpunojë me LSI-në do të jetë e vështirë dhe staretegjikisht e gabuar. Ai duhet ta ringrejë vetë PD-në.

Në vitin 2013, kur Basha fitoi në garën përballë Olldashit, e nisi detyrën e tij si kryetar i PD-së me thirrjen për bashkim. E ka përsëritur thirrjen edhe pas rizgjedhjes më 22 korrik. Duket sikur s’ka ndryshuar asgjë në gjuhën e tij politike, por partia është më e përçarë se më parë.

Kujt i drejtohet kjo thirrje sepse pjesa kryesore e elitës së PD-së është tashmë jashtë partisë, në pozicione “luftarake” me Lulzim Bashën, pa gjasa për t’iu bashkuar në ringritjen e PD-së?

Rivali me natyral si politikan i Bashës, është Astrit Patozi. Rivali i Bashës me ndërkombëtarë është Majlinda Bregu. Nuk ka rival të tjerë politikë brenda partisë. Beteja më e rëndë e Bashës do të jenë zgjedhjet lokale. Por projektimi kryesor i tij janë zgjedhjet pas katër vitesh. Nuk shoh ndonjë problem në rivalitetin e tij brenda PD-së. Nuk do t’ia dalin ta mundin dhe Basha do t’i mbajë jashtë betejës dhe do t’i margjinalizojë plotësisht. Patozi, Majlinda dhe Jozefina kishin shansin të garonin si të pavarur dhe të përdornin bojkotin e PD-së. Nuk e bënë, prandaj shoh pak mundësi të krijohet një rivalitet serioz brenda PD.

Çfarë duhet të bëjë Lulzim Basha për të mbërritur te lideri i fortë e karizmatik, i gatshëm të çojë PD-në drejt pushtetit?… A do të ishte zgjidhje për Bashën një riorganizim i strukturave të larta drejtuese të partisë ku mund të bëheshin pjesë personalitete të rëndësishme të shoqërisë, përmes një procesi të hapjes së PD-së.. pra një elitë e re politike, e ndryshme nga kjo e sotmja që na shfaqet përmes grupit të ri parlamentar të PD-së?

Beteja e Edi Ramës me LSI-në i ka dhënë një kohë Bashës që të konsolidohet. Fakti që Edi Rama ka hyrë në betejë për të eliminuar një krah të së majtës, i jep Bashës mundësi që të ndërtojë një elitë të re politike brenda PD-së. E vetmja kohë që nuk i fle Bashës në këtë periudhë janë zgjedhjet lokale. Rama i ka dhënë mjaftueshëm kohë Bashës për ta pastruar partinë. I dha shansin të hyjë në zgjedhje duke e dobësuar politikisht PD-në dhe duke e forcuar lidershipin e Bashës. Basha e ka rrugën e hapur të bëjë lidership nga fillimi. S’ka asnjë rrezik nga askush. Gabimet e Ramës e bëjnë atë udhëheqës që mund të qeverisë në një të ardhme, ndryshe në Shqipëri mund të lindë një forcë e re politike e tipit të Macron të Francës që do ta bëjë Shqipërinë interesante. Të gjithë këta politikanë, nëse kjo ndodh, do të jenë të vjetruar dhe të papërdorshëm.

Çfarë ndikimi besoni se do të ketë LSI, tashmë e drejtuar nga Monika Kryemadhi në opozitarizmin e PD-së? A i intereson Bashës të bashkëpunojë me LSI-në në opozitë që do të diktonte më pas aleancë me të?

LSI ka përfunduar misionin e saj politik në Shqipëri. E ka bërë Shqipërinë të jetë më klienteliste në njërën anë dhe të ndryshohet pushteti në një proces ku e majta ka qenë e pafituar. LSI ka luajtur rolin e saj të shtendosjes politike dhe largimin e Shqipërisë nga përplasja e madhe politike dhe konfliktuale.

Monika është dinamike por nuk mjafton që në këtë periudhë të jesh e mveshur vetëm me këtë epitet. Nuk mjafton as ideja që një mandat i Ilir Metës si president, dhe shpresa që do të kthehet një ditë si udhëheqës, ta mbajë LSI-në si parti me peshën e saj. LSI ka humbur shumë kohë në ndërtimin e saj si parti, duke mos ndërtuar vizion. LSI s’ka kohë për t’u përmirësuar. Brenda dy përplasjeve, duke u gjendur në mes dhëmbëve të PD dhe PS dhe duke mos pas ekip që ka vizion për këtë shekull, do humbë në peshën e saj. Më vjen keq që do i ndodhë kështu. Monika është organizatore e shkëlqyer, por përtej kësaj, një parti do edhe mendje. Edhe debat, don edhe shije, don edhe substancë intelektuale. LSI s’ka kohë për të ndërtuar të gjitha këto. Arritja më e madhe e LSI është ngritja e figurës së ILIR Metës në postin e presidentit. Këtu përfundon mandati i saj politik i rëndësisë së veçantë.

Mustafa Nano: Bashkëpunimi me LSI-në, e vetmja rrugë për Bashën

Lulzim Basha është konfirmuar në krye të Partisë Demokratike, mes debatesh e dyshimesh të shumta që vijnë kryesisht nga krahu kundërshtar i tij në PD. Me gjithë kontestimet ai nis një betejë të re për ringritje të Partisë Demokratike. Besoni ju se hapat e tij drejt ringritjes së PD-së do të jenë të shpejtë dhe cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugë?

Unë nuk besoj se Partia Demokratike mund të ringrihet. Do të ishte një mrekulli nëse kjo parti do të ringrihej. Por unë nuk besoj te mrekullitë. Ka vetëm një mënyrë për ta ringritur atë parti (por edhe kjo nuk është e sigurt): I duhet hequr nga duart Berishës e më tej duhet synuar deberishizimi i plotë i saj. Mirëpo nuk kam parë asnjë njeri brenda PD-së që ta çojë në mendje këtë gjë. Kjo është tabuja e madhe e paprekshme mes demokratëve. Kundërshtarët e Bashës janë po aq berishianë sa edhe Basha vetë. E vutë re gjatë zgjedhjeve në parti? Të gjithë, Basha, Selami, Patozi etj., e kishin mendjen të mos e prishnin punën me Berishën.

Në vitin 2013, kur Basha fitoi në garën përballë Olldashit, e nisi detyrën e tij si kryetar i PD-së me thirrjen për bashkim. E ka përsëritur thirrjen edhe pas rizgjedhjes më 22 korrik. Duket sikur s’ka ndryshuar asgjë në gjuhën e tij politike, por partia është më e përçarë se më parë. Kujt i drejtohet kjo thirrje sepse pjesa kryesore e elitës së PD-së është tashmë jashtë partisë, në pozicione “luftarake” me Lulzim Bashën, pa gjasa për t’iu bashkuar në ringritjen e PD-së?

Unë nuk shoh si problem përçarjen. Kundërshtarët e Bashës nuk kanë zgjedhës pas vetes, nuk kanë fuqi të krijojnë ndonjë fraksion, aq më pak ndonjë parti. Unë shoh si problem demotivimin e votuesve të PD-së. Votuesit e PD-së janë të gjithë berishianë, asgjë tjetër. Mirëpo, tani që kanë kuptuar se Berisha nuk është më një faktor apo që Berisha nuk ka plan tjetër, veçse të kërkojë garanci se nuk do t’i vënë prangat, ata e kanë humbur toruan. Nuk ka burrë nëne që mund t’i çojë te kutitë e votimit.

Çfarë duhet të bëjë Lulzim Basha për të mbërritur te lideri i fortë e karizmatik, i gatshëm të çojë PD-në drejt pushtetit?… A do të ishte zgjidhje për Bashën një riorganizim i strukturave të larta drejtuese të partisë ku mund të bëheshin pjesë personalitete të rëndësishme të shoqërisë, përmes një procesi të hapjes së PD-së.. pra një elitë e re politike, e ndryshme nga kjo e sotmja që na shfaqet përmes grupit të ri parlamentar të PD-së?

Pyetja ime është: Kush mund t’i shkojë Bashës nga pas? Ai pati një grup njerëzish pas vetes për gjashtë muaj me radhë, dhe sot nuk i ka mbetur askush. Përveç deputetëve.

Çfarë ndikimi besoni se do të ketë LSI, tashmë e drejtuar nga Monika Kryemadhi në opozitarizmin e PD-së? A i intereson Bashës të bashkëpunojë me LSI-në në opozitë që do të diktonte më pas aleancë me të?

Në terma konkretë, bashkëpunimi me LSI-në është e vetmja gjë që i ka mbetur Bashës. Mirëpo, ky bashkëpunim nuk është i thjeshtë. Këto dy parti do jenë në garë për t’i marrë votues njëra-tjetrës. Dhe të dyja kanë një elektorat të shastisur. PD-ja për arsyet që thamë, e LSI-ja për arsye se në opozitë nuk di të funksionojë. Unë shoh ditë të këqija edhe për LSI-në. Do t’i ikin të vetët një e nga një. Shenjat janë dhënë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Basha: Rama ka vdekur politikisht, Tahiri u kap në flagrancë

Në pritje të vendimit të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, Kryetari i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.