Ringritja e PD, dilemat strategjike të Bashës

Nëntë muaj pas zgjedhjeve, për Lulzim Bashën ka ende punë për ringritjen e PD. Nga vendimet strategjike për lidershipin, bashkimin e partisë e deri tek ekipi dhe ideologjia. Çfarë do ndodhë në Kuvendin e prillit dhe rreziku i një skizme të re në spektrin e djathtë. Flasin analistët Roland Lami, Alfred Lela dhe Fitim Zekthi

Nga Sebi Alla

Në orët e para të mëngjesit të 26 qershorit, kryedemokrati Lulzim Basha shihte nga zyra e tij trendin gjithnjë në rënie të PD-së në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kritikët nuk pritën gjatë dhe nisën fushatën e sulmeve për rezultatin negativ, por pa u mbushur muaji, Basha, po nga zyra e tij, shihte kurbën në ngjitje të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar partie. Më 22 korrik u rikonfirmua në fronin më të lartë të PD-së, duke mbytur zërat kundra, që në rastin e tij përbënin “korin e të larguarve”… Nëntë muaj pas zgjedhjeve, për Lulzim Bashën ka ende punë për ringritjen e partisë, ndaj parashikimet brenda radhëve të opozitës kryesore të vendit nuk janë të lehta për t’u bërë. Të mënjanuarit që janë emra të njohur të 20 viteve të fundit të politikës, ende shpresojnë që të gjejnë oazin e tyre brenda PD-së, me synimin jo vetëm për të “bashkuar” demokratët e tërhequr, (të paktën 200 mijë prej tyre), por të heqin “tullat” në karrigen e Bashës. Këshilli Kombëtar pritet që të mblidhet për agjendën e kuvendit për ndryshimet staturore dhe me gjasë, krijimin e strukturave të reja të partisë që janë këshilli i ri kombëtar dhe më pas kryesia e partisë. “Diskutimi ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm. Pa dyshim që ka mendime kritike. Pa i rrahur mendimet nuk mund të shkohet në mendime që përfaqësojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë. Falënderoj gjithë kryesinë e PD-së që ka përmbyllur një proces analize, konsultimi dhe propozimesh. Shqiptarët e shohin këtë jo thjesht një proces brenda PD-së, por një rrugë e re për çdo shqiptar”, deklaroi Basha, pas një mbledhje të gjatë të kryesisë. Në dukje ngjajnë si detaje teknike të organizimit të një partie, por për liderin Basha ndryshimi i emrave në strukturat drejtuese do të ishte lehtësi, por mund të fuste PD-në në një ekuacion me disa të panjohura. Kundërshtarët e Bashës menjëherë “zaptuan” televizionet për të deklaruar qartë se nëse kryedemokrati nuk bënte një analizë të thellë të humbjes dhe nuk mbante përgjegjësitë që i takon, atëherë do shihen mundësi të tjera. Në çdo rast parashikimet e deritanishme janë se të bashkuarit kundër Bashës do e kenë të vështirë të depërtojnë sërish brenda PD-së, ndaj mund të kalojnë në opsionin tjetër, atë të krijimit të një force të re politike. Analisti dhe drejtuesi i “Politiko.al” mendon se Basha po kërkon riorganizimin e partisë, duke mos lënë pas kurrsesi opozitarizmin ndaj qeverisë. Ndërsa gjykon se partia është e hapur për çdo zë kundra që mund të qarkullojë, duke e dëshmuar këtë edhe në “grupin e punës” të atyre që mund të konsiderohen si disidentë. Pedagogu i UET Roland Lami mendon se aktualisht PD është në kuotat e saj më të ulëta dhe një ndarje e partisë që mund të krijohet brenda kësaj force do ta dobësonte akoma më shumë peshën elektorale. Analisti dhe pedagogu Fitim Zekthi gjykon se opozita po e bën detyrën e saj, pasi në këto momente të rëndësishme është denoncimi i aferave korruptive, kriminalitetit dhe implikimin e qeverisë në këto dy të këqija të mëdha të vendit. Për fraksionet brenda PD-së, është i mendimit se askush nuk pengon kritikët që të thonë mendimin e tyre brenda strukturave.

 

“Askush më shumë se Basha nuk e do suksesin e PD-së”

Alfred Lela, Drejtor i Politiko.al

A ka një strategji kreu i PD-së Lulzim Basha për ta sjellë opozitën në pushtet me transformimin e forcës që drejton, si po e menaxhon deri më tani dhe me çfarë agjende mund të realizojë qëllimin e marrjes së pushtetit?

Nuk e di a ka z. Basha një strategji, duke qenë se unë jam gazetar dhe jo strateg apo këshilltar i opozitës dhe Bashës, por teorikisht ai duhet ta ketë. Megjithatë, unë mendoj se pyetja që vlen është, a ka një strategji mazhoranca për ta qeverisur Shqipërinë? Më duket se ka një yshtje të tepërt drejt pyetjeve, hamendjeve, kritikave, llogarive që i kërkohen opozitës, a thua se është ajo që na qeveris. Është kthyer në thuajse modë kjo, sa duket sikur nën të fle fshikullima e fletërrufesë me titull: Sa keq po na qeveris Opozita! Megjithatë, nuk ka pyetje të këqija, apo jo? Basha ka nisur atë që ai quan ristrukturim të Opozitës dhe ne duhet ta besojmë në shpalljen e qëllimin e tij. Ta pranojmë se, askush më fort se ai nuk është i interesuar në atë Ristrukturim apo Transformim të Opozitës. Askush më shumë se ai nuk e don suksesin e forcës që drejton. Agjenda e të ardhurit në pushtet përcaktohet sa nga aksioni opozitar, sa nga fryma që krijohet në publik. I dëgjon të gjithë tek flasin për ‘opozitën që nuk krijon frymë’, por pa shtuar se ‘fryma’ e opozitës krijohet në ndërveprim me popullin shqiptar. Ajo nuk është ‘frymë e shenjtë’. Frymën pra e krijojnë qytetarët dhe opozita e shpreh, e kap, e interpreton, e përkthen atë në trupë elektorale mazhoritare.

Çfarë mendoni për procesin e hapur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në lidhje me statutin e PD-së, ndërkohë duket se Basha ka kundërshti nga të disa figura brenda partisë?

Kemi dëgjuar prej muajsh artikulimin e kërkesës ‘hapje, hapje, hapje’ dhe, me sa duket, ajo erdhi. Z. Basha i thirri strukturat, përcaktoi një proces, ngriti një grup pune dhe, ç’është më e befasishmja dhe më e rëndësishmja, futi në këtë grup pune një dyshe që përfaqëson korrentet e ‘të larguarve’ apo të kritikëve të lidershipit të tij. Në një grup pune të përbërë nga 7 vetë 2 ishin “disidentë”. Ky është një hap për t’u vlerësuar në pikëpamje të profilit demokratik të z. Basha, por edhe të raporteve të brendshme në PD. Për vete jam paksa skeptik, sepse z. Basha ka pësuar një fiasko me ‘overreaching of democracy’. E kam fjalën te fryrja e strukturave drejtuese të PD me një zhgan të paaftësh të cilët, të kurorëzuar me poste partiake, nxorën dhëmbët e prishur të lakmisë së madhe kur nuk e panë veten edhe në ‘kryesi’ të tjera, si për shembull lista e deputetëve. Kundërshtia nga të larguarit, siç i quani ju, nuk është gjë e re për PD, apo për asnjë parti në botë. Ka kundërshtarë, kundërshti, inatçorë dhe mërzi. Sfida e të gjithëve është të formulojnë qëndrime politike dhe jo sentimente personale. Këto të fundit nuk vlejnë politikisht, vetëm sa u japin acid gastrik të zotëve.

Është lënë i hapur opsioni që kundërshtarët e Bashës të krijojnë një forcë tjetër politike. Nëse kjo ndodh do e dëmtonte opozitën apo çdo tentativë jashtë “siglës PD” mund të rezultojë e dështuar, pavarësisht emrave të njohur që mund ta përfaqësojnë?

Opsionet në demokraci janë të hapura dhe të shumta. Krijimi i një force të re politike është një prej tyre. Unë nuk e shoh të frytshëm, as për ata që mund ta përdorin këtë opsion dhe as për PD. Te të dy palët unë shoh demokratë, pavarësisht ceneve dhe meritave të secilit, që kanë kurbat e tyre të natyrshme. Grupi që mund të krijojë parti është në njëfarë ngërçi. I gjen duke kritikuar Bashën, por jo Ramën. I gjen si anti-opozitarë, por jo antiqeveritarë. A është, me gjithë cenet, Opozita e Bashës e keqja më e madhe në këtë vend? Sa i takon mundësisë së një force të re, historia politike e ka provuar se exitet nga partitë e mëdha nuk prodhojnë fate të lumtura.

 

“Formimi i një partie të re brenda PD-së është i pashmangshëm”

Dr. Roland Lami, shef i departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës.

A ka një strategji kreu i PD-së Lulzim Basha për ta sjellë opozitën në pushtet me transformimin e forcës që drejton, si po e menaxhon deri më tani dhe me çfarë agjende mund të realizojë qëllimin e marrjes së pushtetit?

Çdo lider politik ndërton një strategji të tij për të drejtuar partinë, koalicionin dhe qeverisjen nesër. Çështja shtrohet nëse strategjia e lidershipit është kolegjiale apo e personalizuar, është strategji që ndërton kohezion mes rrymave, interesave dhe përfaqësimeve të ndryshme brenda partisë apo është përjashtuese për çdo individ apo grup që nuk beson te drejtimi i partisë nga ana e liderit, është strategji që sjell shpresë dhe besim te simpatizantët dhe anëtarësia e partisë apo thjeshtë kemi të bëjmë me një strategji që duhet ndjekur meqë e beson lideri dhe ne pa të s’kemi të ardhme në PD, është strategji që bazohet në disa parime të djathta pavarësisht përpjekjeve për të mbuluar disa çështje edhe të majta apo është strategji e mirëfilltë populiste, është strategji që krijon frymë opozitarizmi me të gjitha partitë brenda të djathtës dhe jo vetëm apo është një strategji bashkimi mekanik me LSI? Nisur nga sjellja e liderit Basha pas zgjedhjeve të 2017 vëren që më shumti konstatohet një strategji e variantit të dytë sesa ajo e variantit të parë.

Çfarë mendoni për procesin e hapur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në lidhje me statutin e PD-së, ndërkohë duket se Basha ka kundërshti nga disa figura brenda partisë?

Çështja mund të shtrohet formalisht dhe politikisht. Ka një prirje nga Z. Basha që pretendimet dhe kundërshtitë e një fluksi brenda Partisë Demokratike t’i trajtojë referuar procedurave burokratike dhe në fund të jenë votat e anëtarësisë që të vendosin mbi vlefshmërinë ose jo të propozimeve të bëra. Pra, mazhoranca me votë do të përcaktojë fatin e propozimeve të një grupi minorance që ndryshe njihen si kundërshtarët e liderit Basha. Nga pikëpamja formale kjo zgjidhje nuk ka të kritikuar pasi mbyll hapësirat për negocime të personalizuara ndërmjet liderit dhe individëve të përjashtuar nga lista e kandidimit në zgjedhjet e 2017 si dhe vendimin nëse janë të drejta apo jo propozimet e një fluksi të caktuar i lihet kuvendit ta vendosë nëpërmjet votës. Mekanizëm më të drejtë se ky nuk ka. Mirëpo, çështja në këtë rast nuk shtrohet thjesht dhe vetëm ligjërisht por politikisht pasi konteksti është i tillë. Së pari, PD është sot me kuotat më të ulëta të saj referuar zgjedhjeve të fundit të 2017, por dhe sondazheve të bëra në këto periudha. Së dyti, formimi i një partie të re brenda PD bëhet i pashmangshëm në kushtet kur individët që përbëjnë grupin e kritikeve të Z. Basha janë njerëz politikë me eksperiencë, rrjet social dhe me histori brenda PD dhe nuk janë njerëz anonim. Secili prej tyre beson se mund të bëjë më shumë për karrierën e tij/saj politike dhe të ardhmen e PD sesa po bën Z. Basha. Kjo frakturë e mundshme që mund të krijohet brenda PD do ta dobësonte akoma më shume peshën elektorale të PD sesa e ka sot. Së treti, rrudhja e partive të vogla të djathta në këto vitet e fundit është kthyer në shqetësim për PD. Kështu që çdo fragmentarizimi brenda PD ul akoma më shume shanset për të siguruar shumicën fituese në zgjedhjet e radhës. Çdo përllogaritje mekanike votash vetëm me LSI nuk mjafton për të përballuar peshën elektorale të së majtës sot. Është ky kontekst që e detyron Z Basha që çështjen me kritiket e tij te mos e zgjidh formalisht por politikisht.

Është lënë i hapur opsioni që kundërshtarët e Bashës të krijojnë një forcë tjetër politike. Nëse kjo ndodh do e dëmtonte opozitën apo çdo tentativë jashtë “siglës PD” mund të rezultojë e dështuar, pavarësisht emrave të njohur që mund ta përfaqësojnë?

Eksperienca 27 vjeçare e formimit të partive të reja përjashtuar LSI, ka dëshmuar dështim të tyre. Strukturat social ekonomike, mediatike, politike dhe zgjedhore te ne nuk janë shumë inkurajuese që të shpresosh në suksesin e një force të re politike. Meqë jemi tek Partia Demokratike ka pasur raste të shkëputjes së një fluksi brenda PD në parti me sigël tjetër. Kam parasysh Aleanca Demokratike, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokratike Reformatore të cilat dolën nga PD po nuk arritën ta rivalizojnë atë, përkundrazi sot që po flasim dy prej tyre nuk ekzistojnë më dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka një peshë elektorale simbolike. Pra, çështja nuk shtrohet nëse një parti e sapo krijuar brenda PD mund të rivalizojë PD por çështja shtrohet nëse arrin një forcë e re politike brenda PD të vështirësoj ardhjen e PD në pushtet. Nisur nga çfarë argumentova më sipër mendoj se një ndarje e PD në dy parti ndikon ndjeshëm në uljen e mundësive për të ardhur PD nesër në pushtet. Nisur nga kjo bindje mendoj që Z. Basha nëse ka si te vetmi projekt të tij të qëndroj në drejtimin e partisë pavarësisht se në këto kushte i vështirësohet ardhja në pushtet mund t’i qëndrojë variantit formal dhe burokratik me kritikët e tij. Por nëse synon të ndërtojë kohezion, mirëpërfaqësim dhe një imazh tjetër për demokracinë e brendshme brenda PD i nevojitet ta zgjidhë çështjen politikisht brenda PD.

 

“Opozita ia ka dalë të thotë të vërteta të mëdha mbi qeverinë”

Fitim Zekthi, analist, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës

A ka një strategji kreu i PD-së Lulzim Basha për ta sjellë opozitën në pushtet me transformimin e forcës që drejton, si po e menaxhon deri më tani dhe me çfarë agjende mund të realizojë qëllimin e marrjes së pushtetit?

Unë nuk e di nëse ka një strategji të shkruar e cila ndiqet përpikërish në mënyrë që ajo të çojë në ardhjen në pushtete të PD-së. Ajo që unë shoh është se PD po përpiqet të bëjë dy gjëra themelore që duhet të bëjë një opozitë pa të cilat nuk mund të vihet në pushtet: përkufizimi i shumicës qeverisë dhe përkufizimi i vetes. Opozita ia ka dalë të thotë të vërteta të mëdha mbi qeverinë, mbi lidhjet e saj me krimin dhe trafiqet, mbi rrënimin ekonomik, mbi korrupsionin, mbi pamundëisne e qeverisë për të dalë nga kjo gjendje e mjerë etj. Pra përkufizimi i qeverisë është i qartë dhe njerëzit janë të vetëdijshëm se qeveria është vërtet siç thotë opozita. Sa i takon përkufizimit të vetes, opozita po përpiqet vazhdimisht të shfaqet një forcë e palidhur me krimin dhe drogën, një forcë që ka fuqinë të sjellë shpresë, që ka fuqinë të krijojë një klimë të re biznesi, që ka fuqinë të përmbysë këtë kulturë të neveritshme të lidhjes së krimit me politikën etj. Mendoj se shumë shqiptarë janë ende shumë skeptikë mbi këto angazhime të opozitës dhe kjo jo thjesht për shkak të opozitës por edhe të një atmosfere të tmerrshme mbytëse, të krijuar nga qeveria dhe propaganda e cila nuk i lejon njerëzit të shohin çfarë po ndodh, por përpiqet tua tregojë ajo se çfarë ndodh. Opozita ka bindur në angazhimin e saj për të mos u mbështetur dhe për të mos iu dhënë akses asnjë personi që vjen nga bota e krimit dhe e trafiqeve. Të gjithë e dinë që Lulzim Basha nuk do të kërkojë kurrë të vendosë kandidatë për bashki apo deputetë njerëz të kësaj bote krimi. Ky është një dallim i madh. Ajo që nuk ka bërë opozita ka të bëjë me shndërrimin në një alternative ku njerëzit e opozitës dhe jo thjesht Basha të shihen si një ekip të cilit i besohet, tek i cili mund ta varet shpresa, një ekip njerëzish që inspirojnë. Kjo është e vështirë, por jo pamundur. Kjo është edhe detyrë, ose duhet të jetë strategjia për të cilën ju pyetët. 

Çfarë mendoni për procesin e hapur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në lidhje me statutin e PD-së, ndërkohë duket se Basha ka kundërshti nga disa figura në parti?

Mbledhja e kuvendit është e nevojshme. Ai është organi më i lartë dhe tërë përpjekja për të rivitalizuar veprimin opozitar dhe idetë e djathta, për të koaguluar tërë elementët që janë vërtet të opozitës dhe që e duan opozitën, për të ndërtuar një shtrat institucional në të cilin do të plazmohen këto ide, veprime, individë dhe grupe duhet të mbërrijë në kongres, duhet të shkoqitet aty. Sa për kundërshtimet, (padyshim jo të gjitha) ato ndonëse në dukje shfaqen si substanciale duke kundërshtuar veprimet procedurale si ndërhyrje të sipërfaqshme dhe jo substanciale, në të vërtetë janë të sipërfaqshme pasi ato nuk synojnë të rregullojnë qasjen ideologjike, veprimin politik, rrashtin institucional të opozitës në mënyrë që ajo të përballë më mirë qeverinë. Ato synojnë gjetjen e formave për të ruajtur koordinata dhe gjendje të pandryshueshme, për të pasur mundësinë e fajësimit apo të përdorimit të këtyre koordinatave në funksion të fajësimit. 

Është lënë i hapur opsioni që kundërshtarët e Bashës të krijojnë një forcë tjetër politike. Nëse kjo ndodh do e dëmtonte opozitën, apo çdo tentativë jashtë “siglës PD” mund të rezultojë e dështuar, pavarësisht emrave të njohur që mund ta përfaqësojnë?

Në qoftë se njerëz të PD-së apo ish funksionarë të kësaj partie do të formonin një parti të re që do të rrinte përballë PD-së kjo do ta dëmtonte opozitën pasi minimumi ata vetë dhe familjarët e tyre nuk do të votonin opozitën. Nëse kjo parti e re do të fitonte mbështetës apo jo mbetet të shihet. Shqipëria ka një traditë të gjatë të largimit të njerëzve nga një parti dhe krijimit të një partie të re. Është shumë e vështirë për ne që të pranojmë asgjë nuk është e përhershme. Nga një parti njerëzit mund të largohen dhe duhet të largohen kur ajo thyen rregullat që e mbajnë atë në këmbë ose del plotësisht nga binarët ideologjikë. Askush në partinë demokratike nuk ka hequr votimin, askush nuk ka dhunuar të drejtën për tu votuar ose zgjedhur, askush nuk është përzënë dhe askujt nuk i është mohuar e drejta të flasë apo kritikojë. Sigurisht që zgjedhjet në PD nuk janë të përsosura, ato nuk janë askund të tilla dhe nuk kanë kurrë as në PD të tilla. Sa iu takon binarëve ideologjikë, PD e sotme nuk është bërë e majtë as në lidhje me qëndrimin ndaj komunizmit, as në lidhje me taksat, as në lidhje rolin e shtetit, as në lidhje me liritë fetare, as në lidhje me liritë ekonomike. Është minimumi po aq e djathtë. Unë besoj se ata që ishin kritikë me Bashën dhe PD kanë të gjitha arsyet ta shohin PD-në si strehën e vetme të të djathtës dhe të “popullit” opozitar. Është një lloj detyre kombëtare sot, përballë një qeverisjeje kaq të keqe, të përkrahësh PD edhe po të mos i djathtë e jo më të jesh i djathtë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse mungojnë korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Nga Ervis Iljazaj Sipas një raporti të publikuar dje nga Agjencia Qendrore...
Read More