Rishpërndarje të popullsisë në territor nga qasja vendore!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Jo shumë kohë më parë u gjenda në një debat televiziv mbi Kullat e Tiranës me numrin dy të Bashkisë, z. Mazniku. Dy ishin bindjet që m’u ngulitën: përballë tij ishte e pamundur të shtjelloje ndonjë tezë apo argument; dhe se administrata e bashkisë nuk kishte njohuritë bazike mbi çfarë është, dhe për çfarë shërben planifikimi territorial. E ngatërronin me legalizimin e trendit rastësor të lëvizjes demografike. Edhe lejimin e ndërtimit të Kullave e justifikonin si përgjigje ndaj ardhjes së banorëve të rinj (rritjes mekanike të popullsisë). Totalisht në të kundërt, detyra e parë e kësaj shkence të aplikuar është të përcaktojë kapacitetin (popullsinë) mbajtës të territorit vendor në studim, dhe të gjejë mënyrat (politikat publike) që ky kapacitet të respektohet. Mbajtja e një balance në shpërndarjen e popullsisë nëpër territorin kombëtar, në fakt, është një detyrë primare e qeverisë qendrore, porse edhe qeverisja vendore mund të bëjë shumë për këtë synim kombëtar.

Gjë për të cilën modestisht do të flasim në këtë shkrim të opinionit, nisur nga qëndrimi i domosdoshëm politik që, asnjë njësi vendore qeverisëse të mos i lejojë vetes të vendimmarrë për zhvillim (të japë leje ndërtimi) pa miratuar më parë një set hierarkik instrumentesh planifikimi. Si për shumëçka në çështjet urbane, edhe për këtë synim është bazik pasja e këtij seti dokumentesh politike dhe teknike që mundësojnë njohjen e gjendjes ekzistuese urbane, synimin se si duam ta bëjmë qytetin dhe rrugët që duhet të ndjekim për të shkuar atje ku duam të mbërrijmë. Në të kundërt, edhe në civilizimet shumë më të avancuara, qyteti kthehet në arenë kaosi ku gjithmonë fitojnë gladiatorët më të përgatitur. Interesat specialë të individëve të fuqishëm dhe vendimmarrja qeverisëse e korruptuar për t’i preferuar ato, përveç dëmeve të tjera urbane, shërbejnë për t’i evoluar qytetet shqiptare në dy tipologji diametrikisht të kundërta, hiperqytete dhe miniqytete!

Armatosja e qeverisjes vendore me politika, plane dhe rregullore të zhvillimit territorial shërben jo vetëm për të triumfuar mbi këtë dukuri shumë të dëmshme kombëtare, por edhe për të fituar betejën ekonomike. Sepse planifikimi i zhvillimit territorial shërben edhe për të orientuar (tërhequr) paratë private drejt ekonomive të duhura dhe që punësojnë. Të shoqëruar me politika të taksimit vendor të ndërmarra nga administrata lokale sipas specifikës së njësisë vendore, planifikimi orientues shërben për ta bërë qytetin e vogël më të lakmueshëm. Është e kuptueshme se investimi në një qytet të vogël: ku burimet natyrore janë të pazhvilluara; planet territoriale të orientojnë drejt mundësive; dhe sistemi i taksimit të favorizon, është shumë më i preferuar për investitorët, por edhe hap vende të reja pune. Janë vendet e reja të punës, më tej, që tërheqin banorë të rinj, dhe janë banorët e rinj dhe kontributi i tyre që e fusin qytetin në një cikël ribërjeje.

Nga ana tjetër, planifikimi territorial i mbështetur mbi kapacitete tavane mbajtëse urbane dhe i shoqëruar nga politika të rrepta taksimi vendor e bëjnë qytetin e madh më të papëlqyer nga qytetarët për të jetuar. Nëse i shtojmë këtu shumë dukuri dhe veçori negative urbane dhe sociale që karakterizojnë qytetet e mëdha, si; mbitrafiku dhe ndotja që e shoqëron atë; kostot dhe çmimet e larta të banesave, arsimit, shëndetësisë dhe mallrave e shërbimeve; vështirësi arritje dhe konkurrencë e lartë në punësim, qytetet e mëdha kthehen shpejt në të keqjetueshme për banorët ekzistues dhe synime fatale për banorët aspirant. Si rrjedhim, liria dhe racionaliteti njerëzor i pandikuar nga spekulimi i elitës (politike dhe ekonomike) prodhon individë dhe familje të përgjegjshme, të cilat largohen nga qytetet e mëdha në kërkim të jetës më të mirë në qytetet e vogla, atje ku cilësia e jetës urbane është më e shëndetshme dhe punësimi arrihet më lehtë.

Administratat lokale mund të kontribuojnë shumë në rishpërndarjen e popullsisë edhe në aspektet e menaxhimit urban. Procedura lokale të diferencuara midis njësive vendore, për aktivitetin e pajisjes me një leje ndërtimi mund të shërbejnë për inkurajimin apo disinkurajimin e investimeve në ndërtimin e banesave të reja. Më tej, vet dëmet urbane që kanë pësuar qytetet nga koncentrimi i popullsisë nëpër qendrat e mëdha urbane mund të përdoren për të kundërtën. Shumë banesa në qytetet e vogla sot gjenden të braktisura nga pronarët që kanë imigruar dhe me incentivat e duhura mund të rifuten në treg me çmime shumë të ulëta, duke u kthyer në tërheqëse për banorë të rinj në qytetet e vogla. Shumë potenciale lokale ekzistojnë, por si fillim na duhen administrata lokale që kuptojnë çfarë armësh të fuqishme kanë në dorë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të vet! Sepse që të bien kambanat për së pari duhet që qyteti të ketë kambana, nëse jo, nuk bien!

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ka dështuar BE apo Ballkani me integrimin?

Nga Ervis Iljazaj Me gjithë vullnetin e mirë dhe vendosmërinë që tregoi...
Read More