Ritvan Zyka, ose paaftësia për të jetuar në polis

Nga Klementin Mile

Ritvan Zyka, pasi kreu masakrën që iu mori jetën 8 personave në fshatin Resulaj, u tall me referencat tona morale. Ai na tregoi se sa e pavend dhe naive ishte kërkesa jonë për virtyt ndaj një njeriu që sapo kishte ekzekutuar 8 njerëz të tjerë. Asnjë shenjë pendimi nuk vihej re në fytyrën gjakftohtë të Ritvanit.

Po pse ndodhi një masakër e tillë? Specialistët, si për shembull psikologët dhe sociologët, priren të japin përgjigje duke ia vënë fajin ekskluzivisht ose individit ose shoqërisë. Kur fajësojnë individin, ata e eliminojnë tërësisht situatën sociale, duke krijuar idenë se ky individ do e kishte kryer krimin në çdo situatë. Por, siç e dimë, Ritvan Zyka nuk kishte kryer ndonjë krim të tillë më parë. Nga ana tjetër, kur fajësojnë shoqërinë, specialistët e eliminojnë tërësisht qenien e individit specifik. Ata hedhin idenë se në të tilla kushte sociale secili prej nesh do të vepronte si Ritvani. Por as kjo nuk qëndron. Banorët e tjerë të fshatit Resulaj vazhdojnë të jetojnë paqësisht dhe relativisht në harmoni me njëri-tjetrin.

Specialistët nuk na ndihmojnë dot për ta kuptuar masakrën e fshatit Resulaj. Aq më pak janë në gjendje t’iu japin kuptim gjesteve tallëse të Ritvan Zykës ndaj nesh që i kërkuam të shfaqte virtytin e pendimit. Kjo ngjarje ka nevojë të interpretohet në mënyrë më esenciale, duke dalë përtej fakteve tek ajo çka i mundësoi ato në radhë të parë.

Filozofi grek Aristoteli është përfaqësuesi më i shquar i etikës së virtytit. Virtyti kuptohet si një gjë e mesme, e cila qëndron ndërmjet ekstremeve të teprisë dhe defektit. Veprimet e virtytshme janë ato që i përshtaten natyrës njerëzore, duke qenë se kryhen në përputhje me sundimin e arsyes. Këndvështrimi aristotelian dallon ontologjikisht zotat, njerëzit dhe kafshët. Te libri Politika Aristoteli tregoi se vendi i natyrshëm i njeriut në kozmos ishte polisi (qytet-shteti). Kushdo që është i paaftë të jetojë në polis, ose nuk ka nevojë të jetojë në polis duke qenë i vetëmjaftueshëm, duhet të jetë ose kafshë ose zot.

Në kohën e Aristotelit ishte e lehtë ta identifikoje njeriun dhe ta dalloje nga zotat dhe kafshët. Njeriu ishte kafshë politike, i vetmi që kishte aftësinë dhe nevojën për të jetuar në polis, çka nënkuptonte respektimin e ligjeve të shtetit. Në dallim nga zotat njeriu ishte i vdekshëm; dhe në dallim nga kafshët njeriu ishte me arsye dhe gjuhë. Njeriu, pra, ishte më pak se zotat dhe më shumë se kafshët. Ai zinte pozicionin e mesëm në kozmos dhe kjo ontologji ishte baza mbi të cilën ngrihej etika e virtytit – si e mesmja ndërmjet dy ekstremeve.

Sot e kemi të vështirë ta identifikojmë njeriun me një numër cilësish që i gjejmë te të gjithë njerëzit. Ontologjia e njeriut modern ka rënë në një krizë të thellë. Postmodernizmi, me relativizmin e tij absolut, vetëm sa e nënvizon këtë krizë. Nga ana tjetër, krizës ontologjike i korrespondon një kokëfortësi e çuditshme për t’u kapur fort pas etikës së virtytit. Ne pretendojmë që gjithkush të tregohet i virtytshëm sot, edhe Ritvani, pavarësisht faktit që nuk kemi asnjë të dhënë ontologjike të sigurt që dëshmon humanitetin e personit.

Ritvan Zyka që u tall me ne, pasi ekzekutoi gjakftohtësisht 8 persona, mund të jetë produkt i teprisë ose defektit. Si në kohën e Aristotelit edhe në kohën tonë, ka rëndësi vendimtare mendimi ynë për veten dhe për pozicionin tonë në kozmos. Ritvani u tall me ne sepse i bëmë moral njerëzor, i kujtuam virtytin dhe forcën e ligjit, ndërkohë që ai kishte ikur prej kohësh në dimensionet jashtënjerëzore të kafshës ose zotit.

*Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pragmatizmi Europian dhe një mundësi që nuk duhet humbur

Nga Viktor Mërkuri Europa duket se ka një vendim për të marrë....
Read More