Roli i Presidentit në çështjen e detit është për t’u përshëndetur, nëse nuk kthehet në pengesë

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë për sa i përket përcaktimit të kufirit detar, është kthyer në çështjen më të debatuar në opinionin publik. Jo vetëm për faktin se ka të bëjë me territorin dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe në raste të tilla ndjeshmëria është shumë e lartë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një marrëveshje me shtetin fqinj Greqinë, por edhe nga fakti se u bën publike rezervat që ka Presidenti i Republikës në të gjithë këtë histori.

Po të shtosh këtu edhe çështjen e spiunit që u përfol se ndodhet në grupin e negociatorëve, atëherë kuadri bëhet i plotë për të ngjallur një kuriozitet maksimal tek opinioni publik.

Ajo që ra në sy nga çështja e detit, ishte fakti se institucionet shqiptare nuk arritën të gjenin një gjuhë përbashkët për të zhvilluar një marrëveshje që do të kishte konsensusin e të gjitha palëve, ashtu sikurse duhet të ishte normalisht. Por edhe kësaj here aktorët politikë shqiptarë nuk arritën dot të dilnin përtej politikës së brendshme, dhe të siguronin një komunikim ndërinstitucional që nuk do të rrezikonte një marrëveshje që është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

Përkundrazi, kjo çështje u kthye menjëherë në një konflikt të brendshëm midis presidencës dhe qeverisë, edhe pse të dyja palët përpiqen ta evitojnë këtë fjalë.

Megjithatë, roli i Presidentit të Republikës në këtë histori, përtej çdo debati juridik apo kompetencash, është një rol i cili i vuri fre vullnetit të njëanshëm të mazhorancës për të kryer një marrëveshje që kërkon një vullnet shtetëror , dhe jo të një pale politike.

Deri në momentin që Ilir Meta, doli në deklaratë publike dhe bëri të qartë se deri në atë moment nuk kishte asnjë informacion për marrëveshjen dhe negociatat, opinioni publik dinte pak ose aspak se çfarë po ndodhte me sovranitetin e tyre.

Sigurisht që Presidenti mund ta kishte evituar përplasjen publike me qeverinë, sepse jo vetëm që dëmton marrëveshjen, por e nxjerr dhe në sy të fqinjëve tanë, si një vend i cili nuk arrin dot të gjejë gjuhën e përbashkët edhe për një çështje kaq të rëndësishme si kjo.

Mirëpo, ajo deklaratë, luajti rolin e një sensibilizimi të mëtejshëm për marrëveshjen dhe në këtë kuptim pati një rol të rëndësishëm.

Marrëveshje të tilla, kërkojnë një vullnet shtetëror dhe kjo është e qartë nga Kushtetuta e Shqipërisë, dhe plotfuqishmëria e Presidentit është e domosdoshme. Por, Presidenti i Republikës nuk duhet të bjerë dhe të futet në teknikalitete dhe të marrë një rol më shumë seç i takon në këtë çështje. Është e vërtetë që Kushtetuta ia jep këtë të drejtë, por po aq e vërtetë është se këtë të drejtë Presidenti duhet ta ushtrojë nëpërmjet qeverisë. Sepse është qeveria ajo që ka kapacitetet dhe burimet e nevojshme për të zhvilluar këto negociata.

Ideja është se, duke qenë se marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk janë marrëdhënie që janë më të mirat e mundshme, ekziston rreziku që, Presidenti në këtë rast, ta ushtrojë të drejtën e tij më shumë se sa i takon, duke u bërë pengesë për mbarëvajtjen e marrëveshjes. Mosbesimi i thellë që ekziston midis qeverisë dhe mazhorancës, nuk duhet të përkthehet në një konflikt për koniunkturat politike të brendshme, dhe të dëmtojë këtë proces që Shqipëria duhet ta kryejë me sukses dhe në interes të saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Detajet: Treni e shtyu makinën me 6 anëtarë të një familjeje për 100 metra

Një familje e tërë, prindërit dhe 4 fëmijë kanë shpëtuar mrekullisht ndërsa...
Read More