Roli i Turqisë në Ballkan vihet në dyshim pas largimit të Davutoglu



roliDorëheqja e kryeministrit Ahmet Davutoglu – arkitekt i marrëdhënieve të jashtme politike të Turqisë në Ballkan – ngre pikëpyetje rreth atij që do ta zëvendësojë atë në këtë rol në të ardhmen.

Nga Hamdi Firat Buyuk, BIRN

Kur Kryeministri turk dhe kreu i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, në pushtet, Ahmet Davutoglu, javën e kaluar thirri mbledhjen e jashtëzakonshme të bordit kryesor të partisë së tij, ai i kërkoi atyre të zgjidhnin një udhëheqës të ri partie.

Ky veprim pritej gjerësisht pas shenjave të fundit të mosmarrëveshjeve midis Davutoglu dhe presidentit të Turqisë, themeluesit të AKP-së, Recep Tayyip Erdogan.

Për muaj me radhë, partitë opozitare dhe gazetarët pro-Erdogan kanë sugjeruar se po shpërthenin telashe mes Davutoglu dhe Erdogan në lidhje me politikën e brendshme, si dhe atë të huaj.

Disa arsye për largimin:

Erdogan thuhet se ka qenë i pakënaqur me rolin e Davutoglusë në politikën e jashtme, ku është perceptuar se ka bërë përpjekje për t’u bërë më i dukshëm në publik, ilustruar kjo me marrëveshjen e profilit të lartë BE-Turqi për refugjatët.

Erdogan thuhet gjithashtu të jetë i pakënaqur me pozitën e Davutoglusë në politikën e brendshme, sidomos pasi ai kohët e fundit ka refuzuar të mbështesë ish-ministrat e AKP të akuzuar për mashtrim dhe korrupsion, kundër dëshirës së qarqeve partiake të brendshme, të afërta me Erdoganin.

Megjithatë, Erdogan mund ka ketë përgatitur këtë veprim prej kohësh. Ai tashmë ka hequr shumicën e mbështetësve të Davutoglu nga bordi kryesor i AKP dhe nga listat e deputetëve, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit dhe nëntorit 2015.

Ky dobësim i pozicionit të Davutoglusë në AKP vazhdoi pothuajse deri në momentin e fundit. Kohët e fundit, bordi i AKP i ka hequr të drejtën udhëheqësit të partisë për të emëruar liderët e partisë në provinca dhe administrata. Erdogan thuhet se fshihet pas këtij veprimi, për të cilin Davutoglu nuk kishte zgjidhje, veçse ta pranonte.

Ditë më pas, më 4 maj, Davutoglu dhe Erdogan u takuan në pallatin presidencial. Ndërsa asnjëri nuk dha deklaratë për shtyp, më vonë u njoftua se asambleja AKP do të mblidhet për të zgjedhur një udhëheqës të ri të partisë më 22 maj.

Davutoglu më pas lëshoi një deklaratë më 5 maj ku tha se ai kurrë nuk kishte qenë një kryeministër “hije” dhe kishte dhënë gjithmonë më të mirën e tij. Megjithatë, ai gjithashtu tha se ishte i pakënaqur me mënyrën se si kolegët e tij të kabinetit dhe partia e kishin marrë udhëheqjen e tij.

“Vendosa që të jap dorëheqjen për të ardhmen e AKP. Do të vazhdojë të punojë në të mirë të AKP-së dhe do të jem gjithmonë një mik i mirë i Erdoganit,” tha Davutoglu.

Sipas raporteve të medias, dhëndri i Erdoganit, Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, dhe ministri i Transportit, Binali Yildirim, janë në garë për postin e liderit të ri të partisë dhe atë të kryeministrit.

Ekspertët pajtohen se këta persona kanë më shumë gjasa për t’ju bindur Erdoganit dhe për të shmangur krijimin e politikave të tyre të brendshme dhe të jashtme, sikurse bëri Davutoglu.

Të gjithë këta kandidatë duken më e përqendruar në politikën e brendshme, ndërkohë që do të jetë e vështirë që ndonjë prej tyre të mbushë boshllëkun e Davutoglu në aspektin e politikës së jashtme.

Arkitekt i politikës së jashtme:

Davutoglu në Banja Luka në hapjen e xhamisë Ferhadija. Foto: BETA

Davutoglu në Banja Luka në hapjen e xhamisë Ferhadija. Foto: BETA

Davutoglu është konsideruar si një arkitekt i AKP-së dhe i të politikës së jashtme turke, projektuar për t’i dhënë Turqisë një rol më të madh në rajon, me një interes të veçantë në Ballkan dhe Lindjen e Mesme.

Ai u bë një ambasador në vitin 2003 me vendim të përbashkët të presidentit Ahmet Nexhdet Sezer dhe kryeministrit Abdullah Gul, dhe më pas u bë këshilltar kryesor i politikës së jashtme të Erdoganit, pasi ky i fundit u bë kryeministër.

Pasi u bë ministër i jashtëm në vitin 2009, Davutoglu filloi të zbatojë strategjinë e tij të njohur “zero probleme me fqinjët”, të cilën ai e ka përshkruar në librin e tij, “Thellësia strategjike”, e cila është përkthyer në disa gjuhë.

Sipas kësaj strategjie, Turqia do të bëhej një lojtare më aktive dhe me ndikim rajonal të përqendruar veçanërisht në Ballkan, Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Kjo qasje do të mbështetej në dijet e Turqisë në fushën e politikës së jashtme, e cila është shtuar gjithë historisë nga kohët e Perandorive Osmane dhe Selxhukëve.

Rëndësia e Ballkanit në axhendë:

Në strategjinë e politikës së jashtme së Davutoglu, Ballkani ishte një rajon i rëndësishëm për Turqinë për shkak të lidhjeve të forta, intensifikuar gjatë sundimit osman qindra vjeçar.

Edhe pas osmanët e kanë humbur kontrollin mbi rajonin, kjo lidhje është mbështetur nga migrimi masiv, kryesisht të turqve dhe grupeve të tjera myslimane, të cilët u zhvendosën nga Ballkani në Azinë e Vogël, dhe u plotësua edhe më shumë me njerëz të tjerë me origjinë ballkanase që vazhduan të jetojnë në Turqi. Disa vende të Ballkanit po ashtu kanë komunitete të mëdha etnike turke, ose bien farefis me turqit [siç e identifikoi Davutoglu], të tillë si boshnjakët, shqiptarët, torbeshët dhe pomakët.

Me këtë në mendje, Ballkani është perceptuar si një oborr natyror shtëpie për Turqinë kur bëhet fjalë për formulimin e politikës së saj të jashtme.

Duke reflektuar rëndësinë e lidhur me Ballkanin, Davutoglu zgjodhi Bosnjën për një nga vizitat e tij të fundit zyrtare të huaja si kryeministër.

Përkundër pritshmërisë që ai të anulonte udhëtimin e tij, Davutoglu më 7 maj vizitoi Banja Lukën për të marrë pjesë në rihapjen e famshme të xhamisë Ferhadije të shekullit të 16 – të cilën serbët e Bosnjës e shkatërruan gjatë luftës të viteve 1992-1995. Ajo u rindërtua falë donatorëve që përfshinë bashkëpunim turk dhe Agjencinë e koordinimit, TIKA.

Në ceremoninë e hapjes, Davutoglu shprehu retorikën e tij klasike mbi lidhjet e veçanta midis Turqisë dhe Ballkanit: “Në kundërshtim me vitet 1990, Turqia dhe populli i saj tani funksionojnë si një mal i mbështetjes për Bosnjën. Askush nuk mund të vërë në pyetje pse Turqia është këtu. Ne jemi këtu për njerëzimin dhe për një Bosnje multikulturore. Ne ishim këtu, jemi këtu dhe do të jemi këtu deri në fund.”

Nën sundimin e Davutoglu, Turqia shmangu integrimin e plotë të politikave të saj në drejtim të rajonit me ato të Perëndimit. Në vend të kësaj, ai u bë pionier i një qasjeje të re që devijoi nga mendësia e zakonshme e ndjekur nga Turqia gjatë 80 viteve të fundit.

Kjo qasje e re është mbështetur në të ashtuquajturën “fuqi e butë” , që qeveria ka vendosur në të gjithë rajonin me anë të institucioneve si Agjencia turke e ndihmës [TIKA] , qendra kulturore turke [Junus Emre Institute], universitetet turke [Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës dhe Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit në Shkup], mediat e transmetimit në gjuhët rajonale [Agjencia Anadolu në Sarajevë dhe Shkup] dhe Autoritetit Fetar i Turqisë [Diyanet].

Përveç kësaj, kompanitë turke dhe institucionet shtetërore kanë bërë përparim në tregjet e Ballkanit, duke u bërë lojtarët më të rëndësishëm në rajon dhe duke investuar në fusha strategjike si bankat, telekomunikacioni, transporti dhe infrastruktura.

Debati i Neo-otomanizmit:

Megjithatë, në të njëjtën kohë, strategjia e re e Turqisë në Ballkan ka ndezur gjithashtu një debat në lidhje me atë që është quajtur “neo-otomanizëm”.

Disa argumentojnë se Turqia po përpiqet që të angazhohet në tokat që kanë qenë më parë nën sundimin e Perandorisë Osmane, në mënyrë që të rifitojë statusin e saj të humbur hegjemonist. Një inkuadrim i tillë i qasjes së Turqisë nuk i shkon përshtat popullsisë lokale, veçanërisht në vendet e dominuara nga një shumicë e krishterë, si Serbia dhe Mali i Zi.

Kjo frikë në thelb u ngrit nga politika e jashtme e udhëhequr nga Davutoglu. Në fjalët e tij, shprehur në Strategjinë e Ministrisë së Jashtme Turke për Ballkanin, Davutoglu deklaroi se politika e jashtme turke ishte e bazuar në “thellësitë historike” të Turqisë, “pozicionin gjeografik” të saj, dhe “trashëgiminë e pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Natyrisht, ky lloj i strategjisë së politikës ka shkaktuar shqetësime në Ballkan për kthimin e një lloj “Sulltani” ose “Cari”.

Megjithatë, ndërsa Davutoglu padyshim ka prioritet myslimanët në rajon, ai gjithashtu i ka kushtuar rëndësi strategjike komuniteteve të tjera të tilla si serbët.

Në këtë drejtim, Davutoglu u përpoq të arrijë një ekuilibër gjatë mandateve të tij në ministrinë e jashtme dhe në kryeministri. Kjo ishte në kundërshtim të plotë me qasjen mospërfillëse të Erdoganit, siç ilustrohet në komentin e tij se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, që e tha në ceremoninë e hapjes së Aeroportit të Prishtinës në tetor 2013, e cila u ndërtua nga kompania turke Limak.

Kjo deklaratë tërhoqi reagime të zemëruara në Serbi, e cila ende e pretendon Kosovën si pjesë të territorit të saj. Pas këtij incidenti, presidenti serb Tomislav Nikolic e hoqi Serbinë nga mekanizmi trepalësh i drejtuar nga turqit që donte të ndërmjetësonte mes Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë.

Në atë që mund të shihet si një ushtrim kontrolli, Davutoglu udhëtoi në Beograd për të ndrequr marrëdhëniet dhe për të bindur presidentin serb t’i rikthehet bisedimeve trepalëshe.

Ndërkohë që Turqia u përball me kritika të ashpra për përqendrimin e myslimanëve në rajon, në dhjetor 2015 Serbia dhe Turqia nënshkruan një partneritet strategjik me një sy për të rritur tregtinë e tyre bilaterale nëpërmjet krijimit të mekanizmave institucionale  dhe takimeve dyvjeçare të kabinetit. Ky çast shënoi një kulm në marrëdhëniet Truqi-Serbi të cilat kanë qenë të dobëta për vite me radhë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Davutoglu citoi se paqja e vërtetë në rajon nuk mund të jetë e mundur pa marrëdhëniet e mira midis Turqisë dhe Serbisë. Deklarata ishte emblematikë e vizionit të përgjithshëm të politikës së jashtme të Davutoglut duke qenë se lidhet me Ballkanin, e cila nuk i ka refuzuar kurrë realitetet komplekse të Ballkanit dhe i ka dhënë shumë më tepër rëndësi rolit të Turqisë në rajon sesa mendojnë të tjerët.

Pas Davutoglut

Numri i dështimeve dhe sukseseve të Dvutoglut në politikën ballkanike të Turqisë u rrit me kalimin e kohës si rezultat edhe i rritjes së angazhimit.

Me dorëheqjen e tij, Turqia humb një arkitekt të politikës së jashtme, i cili i kushtoi një rëndësi shumë të madhe Ballkanit.

Politika e tij e jashtme kundrejt Ballkanit shkaktoi frikën e “neo-Otomanizmit” midis komuniteteve jo myslimane në Ballkan. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai u përpoq t’i stabilizonte këto politika.

Në mungesën e tij, aktivizmi turk në rajon nuk do të ulet në aspektin e diplomacisë, angazhimit ekonomik dhe pushtetit të butë. Megjithatë, me ikjen e Davutoglut, pyetja tani është se kush do të merre me balancimin e gjërave.

Një përgjigje e pastër për të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-Ballkan nuk mund të jepet ende. Kryeministri i ri dhe ekipi i ri i politikës së jashtme fillimisht duhen parë në praktikë.

Po, ndërsa Davutoglu largohet, ajo që është e qartë është se Erdogani është AKP dhe se pozicioni i tij do të mbetet i paprekur. Qeveria e re dhe administrata e partisë së re do të përcaktohen nga ai dhe për atë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Enterprise, ura mes universitetit dhe shoqërisë

Theodorus de Hosson, ekspert holandez me një karrierë të gjatë universitare i...
Read More