Roli përcaktues i Investimeve të huaja direkte në Shqipëri


Çdo rritje në përqindje në nivelin e hapjes së ekonomisë së Shqipërisë, shoqërohet me rritje mesatare të flukseve të IHD–ve me 0,99 për qind. Ky rezultat, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që synon liberalizimin e tregtisë dhe anëtarësim në BE.

Nga Ismet Voka dhe Bardhyl Dauti – Investimet e huaja direkte janë trajtuar si një nga faktorët kyçë që kanë stimuluar rritjen ekonomike të Shqipërisë. Trendi rritës i IHD–ve në Shqipëri, ka bërë të mundur liberalizimin e ekonomisë së vendit dhe transformimin e saj në një ekonomi tregu, duke patur për efekt rritjen e nivelit të hapjes së vendit dhe integrimit të ekonomisë së saj në struktura të tregjeve globale. Gjithashtu, qëndrimet e shtetit të Shqipërisë karshi integrimeve në Bashkimin Europian, kanë reflektuar në rritje të IHD–ve, të cilët mund të reflektojnë prosperitet të favorshëm të së ardhmes ekonomike të vendit, e cila ballafaqohet me sfidat e tregut Europian.

Pavarësisht rolit kyç të IHD–ve në ekonominë shqiptare, evidenca e vlefshme empirike është e varfër, duke qenë në të shumtën e rasteve dekriptive në natyrë. Qëllimi i këtij punimi është të sigurojmë evidencë më të qëndrueshme empirike që do të bazohet në testime hipotezash lidhur me alokimin përgjatë kohës të fluksit hyrës të nivelit të përgjithshëm agregat të IHD–ve në ekonominë shqiptare. Për këtë qëllim, duke përdorur të dhëna kuartale për periudhën 1994–2010 dhe metodologji ekonometrike të serive kohore, kemi aplikuar analizë të kointegrimit. Ky punim aplikon metodologji ekonometrike dinamike, me qëllim që në mënyre empirike të hulumtohen faktorët përcaktues të IHD–ve në Shqipëri. Rëndësia e investimeve të huaja direkte (IHD) qëndron në aftësinë e tyre për të rritur konkurrencën e mirëfilltë në tregun e vendit pritës të IHD-ve, e cila rezulton në korrigjim të ineficiencave të tregjeve kombëtare.

Ky efekt pozitiv në ekonomitë nacionale të vendeve pritëse të IHD-ve motivon vendin pritës për të nxitur fluksin e IHD-ve në konkurrencë me vendet e tjera pritëse që shohin fitime të njëjta potenciale. Investimet e Huaja Direkte (IHD) si një prej formave të hyrjes së kapitalit të huaj mund të ndihmojnë për të financuar nevojat në rritje për burime financiare të vendeve në zhvillim dhe për të lehtësuar transferimin e aftësive menaxheriale nga vendet origjinë të IHD-ve në vendet pritëse të IHD-ve. Punimi analizon faktorët përcaktues të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Analiza empirike e punimit mbështetet në të dhëna vjetore bilaterale për periudhën: 1994-2010. Në këtë kuptim, në punim janë studiuar faktorët kryesorë makroekonomikë dhe institucionalë që përcaktojnë flukset hyrëse të IHD-ve në Shqipëri.

Llojet e IHD-ve

Nisur nga këndvështrimet mbi IHD-të, autorë të ndryshëm kanë bërë klasifikime të ndryshme. Nga këndvështrimi i investitorit IHD-të ndahen në IHD horizontale, vertikale dhe konglomerate. (Caves; 1971). IHD-të horizontale ndodhin kur kompanitë multinacionale, prodhojnë produkte homogjene nëpër vende të ndryshme të botës apo produkte të ngjashme me ato që prodhohen në vendin e origjinës. Si rrjedhim, IHD–të horizontale konsistojnë në duplifikimin e procesit prodhues në disa vende. IHD-të vertikale, nga ana tjetër, konsistojnë në ndarjen gjeografike të fazave të ndryshme të ciklit të jetës së produktit. Kështu, nxitet tregtia përtej kufijve dhe rritet tendenca e degëve për të eksportuar. IHD-të konglomerat mund paraqesin një përzierje të investimeve horizontale e vertikale.

Nisur nga pikëpamjet e IHD-ve sipas orientimit ndaj eksportit, Kojima (1978) i klasifikon investimet e huaja në të orientuara drejt tregtisë (që gjenerojnë një kërkesë të rritur për importe e një ofertë të rritur për eksporte) ose të orientuara kundër tregtisë, që kanë një efekt negativ mbi tregtinë. Ai nënvizon se përparësitë krahasuese të industrive në vendet e origjinës e ato pritëse, janë vendimtare për të përcaktuar nëse IHD është e orientuar nga tregtia apo kundër saj. Në vendet në zhvillim, pritëse të IHD-ve, IHD–të që përdorim në mënyrë intensive faktorin punë, konsiderohen si IHD që gjenerojnë tregti, ndërsa IHD–të që përdorin në mënyrë intensive kapitalin, konsiderohen si IHD-të që zëvendësohen me tregtinë.

Kjo teori është përpunuar më tej nga Narula (1996), i cili klasifikon IHD-të në a) IHD zëvendësuese të tregtisë – që zëvendësojnë importet me furnizimin e tregjeve të brendshme; b) IHD promovuese të tregtisë – që kanë për qëllim furnizimin e tregjeve të tjera; c) IHD plotësuese të tregtisë – kur IHD – të drejtohen në prodhimin e racionalizuar të pajisjeve ndihmëse në tregjet e eksportit; dhe d) IHD, shmangëse të tregtisë – nëse synojnë të përdorin pjesë të papërdorura të tregut, me marrëveshje tregtare. Në vitin 1998, Meyer bën dallimin mes investitorëve të huaj, të drejtuar nga tregjet që synojnë tregje vendase ose rajonale, të drejtuar nga çmimi i faktorëve që synojnë shitjet ndër-rajonale; dhe investitorë të huaj që janë një kombinim i dy llojeve të mësipërme, domethënë të drejtuar nga tregjet dhe çmimi i faktorëve.

Dunning (1993) identifikoi katër kategori kryesore të investitorëve të huaj, të cilat janë përdorur më pas nga shumë studiues të tjerë në analizat e tyre: IHD – kërkues të rendimentit; IHD – kërkues të tregjeve; IHD – kërkues të burimeve; dhe IHD – kërkues të aseteve strategjike. IHD–të kërkues të rendimentit motivohen nga përparësitë e thjeshta të drejtimit të aktiviteteve të shpërndara gjeografikisht (ekonomitë e shkallës dhe diversifikimi i rrezikut).

Qëllimi është përfitimi nga përparësitë që mund të ofrojnë ndryshime në koston e faktorëve të prodhimit, kultura, marrëveshjet institucionale, sistemet ekonomike e politike dhe strukturat e tregut. IHD– të, të udhëhequr nga faktorët kërkues të tregjeve motivohen nga dëshira e tyre për të hyrë në tregjet e vendit pritës ose tregjet rajonale. IHD–të kërkues të burimeve ndërmarrin një investim të huaj direkt për të përftuar burime/pasuri specifike që janë të disponueshme në vendin pritës me një kosto më të ulët.

Këto lloje të pasurive mund të jenë në formë të: burimeve fizike që mund të sigurohen me kosto më të ulët; forcës punëtore të motivuar të aftë ose gjysmë të aftë për punë që mund të sigurohet me kosto të ulët; teknologjike, personelit me eksperiencë administrimi e menaxhimi. IHD–të kërkues të aseteve strategjike hyn në kategorinë e investimeve të huaja direkte që realizohen me qëllim përfitimin të një aseti të rëndësishëm, që i përmirëson firmës pozicionin konkurrues në treg.

Në praktikë ka një ndërthurje midis këtyre kategorive të IHD–ve. Në vitin 1998, Meyer bën dallimin mes investitorëve të huaj, të drejtuar nga tregjet që synojnë tregje vendase ose rajonale, investitorëve të huaj të drejtuar nga çmimi i faktorëve që synojnë shitjet rajonale; dhe investitorëve të huaj që janë një kombinim i dy llojeve të mësipërme, domethënë të drejtuar nga tregjet dhe çmimi i faktorëve.

Një tjetër lloj i investimeve të huaja është edhe Investimi i Portofolit të Jashtëm (IPF). Ky lloj i investimeve zhvillohet në tregjet financiare ndërkombëtare, dhe konsiderohet nga të gjithë agjentët ekonomikë si individët, firmat dhe qeveritë lokale apo kombëtare. Investimet e huaja të portofolit i referohen transaksioneve të tilla që përfshijnë blerjen dhe shitjen e letrave me vlerë të kapitalit neto, me vlerë të borxhit në formën e bonove, shënime, instrumentet e tregut të parasë dhe derivatet financiare me përjashtim të letrave me vlerë të klasifikuara si investime direkte dhe rezervat e fondit. (BOT, 2005)

IHD dhe treguesit ekonomikë në Shqipëri

Duke shpjeguar shenjat e pritshme të variablave, shkurtimisht kemi diskutuar disa nga variablat e prezantuara në model. Në përputhje me qasjen e përdorur në literaturën e IHD-ve, variabël e varur në këtë studim janë, Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte . Zgjedhja e variablave të pavarura kufizohet nga disponueshmëria e të dhënave, siç është rasti kryesisht me të dhëna të serive kohore në vendet në zhvillim. Ky studim përdor variablat vijuese që përdoren shpesh në studimet e IHD-ve. Prodhimi i Brendshëm Bruto.

Ky variabël është përdorur në model për të trajtuar hipotezën se përmasa e tregut të vendit pritës është faktor i rëndësishëm përcaktues flukseve hyrëse të IHD-ve në vendin pritës. Koeficienti për PBB-në që paraqitet në model është tregues përafrues i madhësisë së ekonomisë së vendit pritës. Madhësia e tregut dhe potenciali i saj pritet të jetë i rëndësishëm për fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, pra PPB-ja pritet të jetë në relacion pozitiv me fluksin e Investimeve Huaja Direkte në Shqipëri.

Hapja e tregut. Hapja e ekonomisë së vendit pritës mund të inkurajojë IHD-të në vendin pritës, dhe ekonomitë relativisht të mbyllura mund të dekurajojnë fluksin e IHD-ve. Si rezultat, ndryshorja e hapjes, e matur me shumën e eksporteve dhe importeve në raport me PBB-në, pritet të ketë efekte pozitive në fluksin hyrës të IHD-ve në Shqipëri.

Niveli i punëzënies: Pritet të tregojë shkallën potenciale të forcës së punës. Kështu, punësimi më i lartë do të thotë se punëtorët aktualë posedojnë aftësi dhe njohuri të përshtatshme për të kënaqur kërkesat e ndërmarrjeve të huaja, të cilët shndërrohen në përfitime për ndërmarrjet e huaja për të nxitur produktivitetin e punës përmes procesit të të mësuarit.

Në këtë kuptim, hipoteza që trajtohet lidhur me këtë ndryshore është se punësimi pritet të ketë një efekt pozitiv mbi IHD-të. Shkollimi, është përdorur në model për të marrë në konsideratë efikasitetin e fuqisë punëtore, dhe faktorët kërkues të eficiencës qe lidhen me fluksin hyrës të IHD–ve (Bellak dhe Damijan, 2008). Ky variabël matet me regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në shkollë të lartë. Pritet që koeficienti i kësaj variable të jenë pozitivisht i lidhur me fluksin hyrës të IHD–ve në Shqipëri.

Roli i IHD-ve në Shqipëri

Nga rezultatet e mësipërme, shohim që të gjithë variablat shpjegues që përcaktojnë flukset hyrëse të IHD–ve në Shqipëri për periudhën 1994-2008 janë statistikisht të rëndësishëm. Koeficienti i RES2, tregon se sa të shpejta janë ndryshimet në variablat shpjegues për njësi ndryshimi të variablës varëse. Intercepti (Parametri fiks) është statistikisht i parëndësishëm, përderisa mekanizmi i korrigjimit të gabimit që implikon relacion afatgjatë ndërmjet variablës varëse dhe variablave shpjegues është statistikisht i rëndësishëm në nivelin 1% të rëndësisë statistikore.

Variablat kërkues të tregjeve të paraqitur përmes PPB–së, në kundërshtim me pritjen teorike është vërtetuar si faktor kritik në akumulimin e kapitalit të huaj në Shqipëri, në formë të IHD–ve. Kjo për arsye se norma e rritjes së PPB–së në Shqipëri është më e lartë se sa norma e pranimit të flukseve të IHD–ve në Shqipëri. Në model, duke mbajtur faktorët e tjerë konstant, për çdo rritje në përqindje të normës rritëse të PPB–së, flukset neto të IHD–ve në raport me PPB–në, ulen për 0,76 për qind. Ky relacion është si rezultat i faktit se Shqipëria, gjatë periudhës 1994–2008, ka qenë në proces të instalimit të demokracisë parlamentare, dhe ky rezultat, i atribuohet kryesisht financimit të deficiteve të shkaktuara nga financimi i proceseve demokratike. (Frimpong J.M, Abaye Oteng, 2006), që do të thotë se norma e rritjes së PPB–së, reflektohet në mënyrë të ndjeshme në financim të deficitit qeveritar. Rezultate të njëjta janë konfirmuar edhe në studimet e realizuara nga Joseph Mangus Fripong dhe Oteng Abayie (2006),

Punëzënia është vërtetuar të jetë faktor i rëndësishëm për flukset hyrëse të IHD–ve në Shqipëri, duke qëndruar në relacion negativ me variablën varëse (IHD). Ky rezultat do të thotë që, një për qind rritje në nivelin e punëzënies do të ndikojë në, mesatarisht 7.35 ulje të flukseve të IHD-ve. Ky rezultat jo i pritur, i atribuohet paaftësisë së fuqisë punëtore dhe stafit për të aplikuar performancë adekuate të ushtrimit të aktivitetit të punës, duke lënë të pakënaqur kërkesën e Investitorëve të Huaj, për të investuar në Shqipëri.

Niveli i hapjes matur përmes shumës së eksporteve dhe importeve në raport me PPB–në, është vërtetuar të jetë në relacion pozitiv me flukset. Duke mbajtur faktorët e tjerë konstantë, çdo rritje në përqindje në nivelin e hapjes së ekonomisë së Shqipërisë, shoqërohet me rritje mesatare të flukseve të IHD–ve në Shqipëri, me 0,99 për qind. Ky rezultat, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, nëse merren për baza aspiratat e vendit për liberalizim të tregtisë dhe anëtarësim në Bashkimin Europian.

Niveli i shkollimit, duke trajtuar faktorët kërkues të eficiencës, është vërtetuar të jetë statistikisht i rëndësishëm, dhe në relacion negativ me IHD–të në Shqipëri, duke lënë për të kuptuar që kualiteti i arsimit të lartë në Shqipëri nuk korrespondon me perceptimet e Investitorëve të Huaj lidhur me tregun e punës në vend dhe kërkesën e tyre për fuqi punëtore në Shqipëri. Prandaj, cilësia e fuqisë punëtore në Shqipëri nuk është sinjal i mirë për Investitorët e Huaj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Kasapi i Bosnjes”, komunisti që u kthye në nacionalist kriminel

Vit pas viti, dëshmitë e tmerreve të luftës së Bosnjes kanë pasuar...
Read More