Romani i ri: Flutura Açka, saga shqiptare në Europën e sotme

Mes të ftuarve të shumtë, miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda, u bë paraqita e romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, romani i gjashtë i autores.

Mes të ftuarve të shumtë, miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda, u bë paraqita e romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, romani i gjashtë i autores. Botuesi Richard van den Brink kopjen e parë të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, shkrimtarit Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj. Sipas Ahmetajt, çdo autor shqiptar pasi ta lexonte këtë libër do të dëshironte ta zëvendësonte emrin e tij me të autores.

Aktorja Tinka Kurti, recitoi dy poezi të miat nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt”.

Për të ftuarit vetë autorja Flutura Açka bëri një lexim publik të një pjese nga romani i saj më i ri. Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme, mbi raportin me besimin, politikën shqiptare, raportin me të shkuarën komuniste dhe panorama e Shqipërisë sot, emigrimin e mijëra shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e fundit dhe identitetin shqiptar përballë atij europian.

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit.

“Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit.

Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës. “Romani ka në qendër tre personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh, për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur “rrathë, si reminishencë e rrathëve të Ferrit të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me jetët e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit nga vijnë dhe atdheut të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë hyjnë në shtjellë duke sjellë mikrodramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë europian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pakkush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman. Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes. Po ashtu si dhe bota e tyre e brendshme, psikologjia, shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre”, është shprehur shkrimtari Arbër Ahmetaj.

Romani

Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-ës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Europën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E djathta nuk është çështje arnimesh kaotike, por ide koherente nga fillimi në fund

Nga Fitim Zekthi Pas një zbehjeje të dallimeve ideologjike mes partive politike...
Read More