Rrahman Parllaku: Pse kërkova t’i hiqej titulli “Hero i Popullit” Enver Hoxhës!

 

Gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku vlerëson Liri Belishovën për guximin për të thënë të vërtetën, por dhe si luftëtare të lirisë. Duke kujtuar nisjen e aktivitetit të saj patriotik, Parllaku kujton nisjen e lëvizjes antifashiste kur Liri Belishova gjatë një demonstrate u plagos duke humbur njërin sy, por kjo sipas tij, nuk e bëri të kthehej nga rruga që kishte nisur.

Parllaku shprehet se Liri Belishova falë këtij guximi shumë shpejt u bë drejtuese e rinisë antifashiste, ndërsa do të ishte ky guxim dhe kjo trimëri që do bëhej fatale për të. Pas humbjes së bashkëshortit të saj, Nako Spiro, diktatori Enver Hoxha do ta internonte atë si agjente të sovjetikëve, ndërsa gjeneral Parllaku tregon se ajo në asnjë moment nuk do të dorëzohej. Urrejtja ndaj saj e Enver Hoxhës do të kalonte çdo kufi. deklaroi Parllaku në News 24.

Ai nuk do ta lejonte atë që t’i qëndronte vajzës së saj pranë në momentet e fundit në spital, kur vdiq në moshë fare të re. Por ky persekutim i saj do të sillte dhe humbje të tjera në familje. Ajo përballoi me shumë trimëri edhe humbjen e dy vëllezërve të saj, edhe ata të përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës. Parllaku kujton takimin e fundit me Liri Belishovën, 5 ditë më parë, kur ajo e ka përcjellë duke e përshëndetur tek ashensori.

RRAHMAN PARLLAKU

Liri Belishova që në moshën e rinisë së saj u përfshi në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo që në demonstratat e para kundër pushtimit fashist u plagos dhe humbi syrin e saj. Por ajo nuk u ligështua, përkundrazi urrejtja për armikun iu shtua. Falë inteligjencës së saj, këmbënguljes, guximit ajo arriti të bëhet lidere dhe udhëheqëse e rinisë antifashiste nacionalçlirimtare, fillimisht në qytetin e Tiranës dhe më vonë në të gjithë Shqipërinë.

Pra, Liri Belishova ishte një nga luftëtaret e para në moshë të re dhe luftoi me guxim, përballoi sakrifica të luftës, por pati dhe fatkeqësi pas luftës. Edhe pse arriti në sferat më të larta të udhëheqjes së rinisë, ajo pati një goditje të parë në vitin 1947 me vrasjen e bashkëshortit, Nako Spiro. Edhe më vonë, kur ajo e rimori veten nga kjo dhimbje, diktatori kërkoi që ta shfrytëzojë Lirinë për kapacitetet dhe njohjet që kishte. Por Liria nuk iu nënshtruar diktatorit, pasi nuk lëvizi nga mendimet dhe qëndrimet e saj falë guximit dhe aftësive për t’i dhënë përgjigje diktatorit.

Enver Hoxha, personat që ishin të aftë, të guximshëm për mendimet e tyre, i godiste. Ai gjeti rastin për ta goditur Liri Belishovën, siç dihet tashmë pas kthimit nga Moska në vitin 1960. Ka persekutim më të madh se ky dhe nuk ka ndodhur tek askush tjetër, që për një njeri të dënohen 5 vëllezër të tjerë. Cila diktaturë tjetër e ka bërë këtë?! Hitleri vrau të gjithë botën, por nuk vrau gjermanët, Millosheviçi vrau kombësitë e tjera, por jo serbët. Vetëm Enver Hoxha ka vrarë të vetët.

Liria ishte nga të parat që u përball me këtë diktaturë e ne të tjerët e pësuam më mbrapa. Liria e përballoi me shumë forcë atë diktaturë. Liri Belishova kaloi një persekutim të jashtëzakonshëm duke e internuar në fshatrat e Kurveleshit dhe duke e përndjekur, duke mos i dhënë asnjë mundësi të jetojë si një njeri në familje.

Fatkeqësia e saj ishte më e madhe kur i vdiq vajza e saj në moshën e saj të rinisë, e talentuar dhe më pas e sëmurë. Diktatori nuk e lejoi që Liria t’i ndodhej pranë në minutat e fundit të jetës kur ajo ishte në spital. Urrejtja e diktatorit ishte në nivele të tilla çnjerëzore ndaj Lirisë, për një nga bashkëpunëtoret më të spikatura gjatë luftës dhe pas saj. Megjithatë, ajo i kaloi të gjitha. Me ndryshimet demokratike ajo u angazhua në përpjekjet për demokraci. Ajo pati edhe fatkeqësinë që përcolli vëllezërit e saj për shkak të vuajtjeve nga ndëshkimi që regjimi i bëri familjes së tyre.

Liri Belishova ka qenë një aktiviste që ne ia kemi pasur dhe ia kemi nevojën në organizatën e Bashkuar të Veteranëve. Unë kam bashkëpunuar me të për afro 25 vjet. E kam pasur bashkëluftëtare në luftë, por dhe bashkëpunëtore në këto vite për Organizatën e Veteranëve. Tre vitet e fundit që ajo qëndroi e mbyllur në shtëpi, unë ia kisha nevojën. Shkoja dhe konsultohesha me të sepse ajo ka pasur gjithmonë një mendim të kthjellët dhe të pavarur. Ajo ishte gjithnjë e gatshme dhe e interesuar për mbarëvajtjen e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve.

Fatmirësisht, 5 ditë para se t’i ndodhte vdekja, unë i bëra vizitën e fundit. Ajo më përcolli deri tek ashensori dhe sikur ta ndjente se ishte takimi i fundit me të, ma bëri me dorë duke më përshëndetur. Ne ndiejmë një dhimbje për humbjen që pësuam, por mosha do të bëjë të vetën, brezat do zëvendësojnë njëri-tjetrin. Unë do të ruaj kujtimet më të mira për Liri Belishovën të një njeriu të guximshëm, të mençur, të talentuar që bëri gjithçka për të mirën e vendit dhe të popullit të saj. Të tillë do ta kujtojmë gjithnjë Liri Belishovën. Ajo pati guximin, inteligjencën, por dhe vendosmërinë për t’i shkuar jetës dhe për ta përballuar me trimëri atë.

Ushtaraku i vjetër tregon lidhjen me Enverin, por edhe pse eshte i vendosur që ai të mos kishte dekorata. Gjenerali 99-vjeçar Rrahman Parllaku duke folur në “Studio e Hapur” në News24 edhe për pasardhësit e ish-drejtuesve komunist, disa prej të cilëve janë sot në pushtet. Ai tha se nuk do të përziejë njerëzit që i shërbyen diktaturës me pasardhësit e tyre dhe as nuk i dënon. Ndërsa shtron pyetjen se çfarë bënë ata që nuk janë pasardhës të komunizmit?!

Çfarë mund të thoni për pasardhësit e atyre që dikur ishin në regjimin diktatorial që po qeverisin sot?

Eni unë po jetoj 100 vjetët dhe nuk dua të përziej njerëzit që i shërbyen diktaturës me pasardhësit e tyre. Nuk është e njëjta gjë. Nuk hyj t’i dënoj pasardhësit e tyre. Unë nuk dënoj ata që nuk kanë bërë faje ndaj popullit. Ka pasur edhe fëmijë që kanë dalë kundër prindërve të tyre. Ata që kanë përfituar nga prindërit e tyre do ruajnë kujtimet e prindërve të tyre, ata që kanë vuajtur nga regjimi do ruajnë kujtimet e tyre.

Mendoni që janë aty për shkak të prindërve, trashëgimisë?

Nuk mund të thuash…Ata ruajnë kujtimet për njerëzit e tyre dhe patjetër erdhën në pushtet kur kishin një moshë të pjekurisë. Duhet të kishin një analizë më të plotë për fajësinë e prindërve të tyre dhe jo gjithnjë kjo ndodh dhe veçanërisht tek ne që kemi pasur një trashëgim të patriarkalizmit. Këta fëmijë ndoshta mund ta ruajnë këtë patriarkalizëm por unë nuk mund t’i fajësoj. Edhe ata që nuk janë pasardhës të këtyre familjeve çfarë po bëjnë? Pse kur erdhën nuk i ruajtën dokumentet e komunizmit por i lanë të shpërdoroheshin.

Për Rrahmanin mund të kenë shkruar 30 gazeta por nuk kanë dalë çfarë ishin ata që i shërbyen diktaturës, çfarë krimesh bënë.

Kush i shpërdoroi dokumentet, kush i posedonte?

Ka edhe prej atyre që janë më prejardhje të personave të diktaturës që i përdorin për interesa të tyre në publikimin e shtypit dhe në emisione që janë marrë në dokumente që nuk duhet të shpërdoreshin por duhet të ruheshin për të bërë drejtësi.

Ju keni kërkuar që t’i hiqen të gjitha dekoratat Enver Hoxha?

Unë kam qenë drejtor i personelit në vitet 47-48 dhe atëherë janë dhënë në masë dekoratat. Dekoratat e Enver Hoxhës kam kërkuar publikisht. Nuk mund të kem dhe unë viktima dhe xhelatit i popullit ‘hero i popullit’. Unë po marr veten time nuk po marr ata që shkuan në plumb. Të njëjtat dekorata mban xhelati dhe viktima. Presidenti nuk ka të drejtë të heqë dekoratat por gjyqi ka të drejtë t’i heqë. Gjyqi nuk ua heq të vdekurit. I vetmi organ që kishte fuqi t’i hiqte dekoratat Enver Hoxhës dhe t’ia heqë është parlamenti.

Çfarë përgjigje morët?

Përgjigje mora nga kryetari i Kuvendit që më tha se asnjë nga krerët e grupeve parlamentare nuk ka kërkuar që të prononcohet.

Si u ndjetë për këtë përgjigje?

Si mund të ndihesh kur kërkon një të drejtë dhe nuk të jepet, dhe nuk të plotësohet. Nuk plotësohet në kushtet kur nuk ekziston diktatura. Po jetojmë në një vend që quhet demokratik. Akoma po ruhen nuancat e një pushteti diktatorial. Nuk them që në Shqipëri nuk është bërë gjë, është bërë boll. Edhe në kohën e diktaturës u bënë shumë, u bënë HEC-e, u thanë kënetat, u zhdukën sëmundjet. Edhe pas kësaj ata që u arratisën dhe vuajtën në dyert e botës e kanë ndërtuar e kanë bërë. Puna është sa ne e vlerësojmë këtë dhe sa shteti vetë përpiqet që t’i ndihmojë këtij zhvillimi.

Gjatë intervistës me gazetaren Eni Vasili, në emisionin ‘Studio e Hapur’, gjenerali 99-vjeçar Rrahman Parllaku theksoi se diktatori Enver Hoxha nuk ka luajtur asnjë rol konkret në luftën NAÇL, duke cilësuar se Hoxha ishte një udhëheqës politik i luftës, jo komandant.

Vasili: “Ju keni shprehur kritika për figurën e Enver Hoxhës dhe thoni se nuk pati rol konkret në luftën NAÇL. Pse ia doli t’i marrë të gjitha meritat dhe ia doli t’iu vrasë dhe burgosi të gjithëve?”

Parllaku: “Enver Hoxha është udhëheqës politik i luftës jo komandant. Si doli? Prapë është dora e jugosllavëve, manipulimi që ai pati aftësi. Arriti të fitojë besimin e tyre dhe doli në krye. Bashkë me Miladin Popoviç fitoi besimin e tyre dhe ai e nxori në krye të partisë sonë.

Vasili: “Gjatë kohës së diktaturës janë vrarë e burgosur të gjithë gjeneralët. Si ju mundi Enver Hoxha të gjithëve?”

Parllaku: “Duhet të keni parasysh se proceset nuk janë të një dite. Po ta merrni historikisht deri në gjyqin tonë asnjë nga ata që është dënuar nuk ka shkuar nga plenumi në burg. U përjashtua Sejfulla Malishova, e çoi ministër të arsimit, sa t’i binte nami si udhëheqës. U dënua Tuk Jakova, e bëri zv.ministër të financave pastaj e çoi në burg. Kjo ka shkuar brenda një rrethi të ngushtë që ishte byroja politike.”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tre shenja universale, që tregojnë se keni gjetur partnerin e jetës

Unë jam me fat që kam gjetur dikë që më bën të...
Read More
CLOSE
CLOSE