Rrëfehet transgjinorja nga Durrësi: Ja si u bëra prostitutë…


Lola është 22 vjeçe dhe është nga qyteti i Durrësit. Kur flasim për histori të tilla, ndoshta ka dhe prej atyre persona që mendojnë çfarë janë këto që shkruani, por ajo që më bëri përshtypje është historia e dhimbshme e këtij “personi”.

Lola ndihej e mbyllur brenda trupit të një mashkulli sepse veten e saj nuk e ndiente se një të tillë!

Për më shumë shikoni historinë e jetës së saj:

Sa e vështirë është të jesh gej, apo tranvestit në Shqipëri?

Nuk është edhe aq e vështirë. Por gjëja më e vështirë për mua është kur nuk ka asnjë fije shprese për gjëra të tjera, jo për faktin që je gej ose trans.

E di familja orientimin tënd seksual?

Po, familja ime e ka kuptuar, që kur unë isha 14 vjeç.

Si e kuptoi familja jote që je gej, e më pas tranvestit?

Familja ime gjithmonë ka dyshuar tek unë, kjo për arsye se unë kam qenë tip femëror. Hapi i parë ka qenë me mamin, kur ne të dy ishim në dyqan dhe unë doja të blija bojë për të lyer flokët. Ndërkohë që ne po vendosnim për bojën, mami më pyet, nëse kam ndonjë të dashur. Duke u gjendur përballë një pyetjeje të tillë, unë i përgjigjem se jam gej.

Mami, duke u përballur për herë të parë me këtë fakt, që tanimë unë e kisha pranuar, sigurisht që u ndje mjaft keq. Përtej të gjithave unë e pashë në sytë e mamit, që ajo do më kuptonte dhe do më pranonte kështu siç isha.

Në fillim, sigurisht që nuk mund ta pranonte, ajo filloi duke ftohur komunikimin me mua dhe mund të them që lindi një mur mes nesh. Por, me kalimin e kohës, duke qëndruar së bashku, duke jetuar në një shtëpi, ajo e kuptoi që unë nuk kisha ndryshuar, isha po ai, i njëjti, shkruan dritare.net.

Nga ana tjetër, me babin, ka qenë më e vështirë sepse edhe mënyra se si ai e kuptoi orientimin tim seksual, ishte mjaft e papritur për të. Meqenëse unë i kam prindërit e divorcuar, kisha shkuar një ditë tek ai për të ngrënë drekë. Babi filloi duke më treguar një histori me një kamerier, që nuk e pëlqente sepse ishte tip shumë femëror, dhe unë i thashë që edhe unë jam gej. Por gjithsesi, edhe pse babai e kishte shumë të vështirë të më pranonte, unë kisha në krah mamin dhe motrat, dhe kjo më mjaftonte.

Familja ime ka qenë konservatore, kanë pasur edhe prirje fetare, parime të cilat binin në kundërshtim me orientimin tim seksual, por ata ndryshuan, ndryshuan sepse e panë që nuk kishin rrugë tjetër, unë isha ky dhe nuk ndryshoja dot.

Sa për pjesën e të kuptuarit, që jam trans, nuk ka pasur ndonjë problem, sepse meqenëse e kuptuan që jam ndryshe, pranuan edhe çdo fakt tjetër.

Pasi familja jote e kuptoi, çfarë bëre, ndjeheshe më i lirë, jetoje më i qetë?

Po sigurisht, isha shumë e lumtur, saqë fillova duke mos ia mbajtur askujt sekret orientimin tim seksual. Por atëherë kur mendoja se çdo gjë ishte në rregull, aty filluan të lindnin problemet më të mëdha.

Pse?

Sepse nëse familja më kishte pranuar për atë çfarë isha, shoqëria ime nuk mund ta pranonte një gjë të tillë, në shkollë nuk më pranonin si të tillë. I gjendur përballë gjithë këtij presioni, unë u izolova dhe fillova të kaloj një periudhë mjaft të vështirë, aq sa zgjidhjen e gjeta tek lëndët narkotike dhe alkooli.

Më përjashtuan nga shkolla sepse një ditë shkova atje e veshur me geta. Gjatë kësaj periudhe unë u tjetërsova, ndryshova komplet. Dilja dhe vishesha ashtu unë doja, pra fillova të jetoja ashtu siç unë doja, edhe nëse do të humbisja gjithçka, vendosa të jetoj ashtu siç desha unë.

Çfarë bëre pastaj, si shkoi jeta jote?

Jeta që bëja ishte shumë e shthurur, nga njëra anë ishte përdorimi i drogës dhe alkoolit, nga ana tjetër fillova të vishesha edhe si femër dhe të punoja si prostitutë.

Fillove të punoje si punonjëse seksi? Pse ky vendim?

Nuk di ta them konkretisht përse, por kur je një moshë jo fort të pjekur, nuk kupton shumë gjëra. Ishte periudha kur lekun e merrje më shpejt se çdo gjë tjetër, droga, alkooli, shoqëria e shthurur, më shtynë drejt kësaj rruge. Edhe pse kurrë nuk e doja një gjë të tillë, e dija se nuk do të bëhesha asnjëherë siç ishin shoqet e mia.

Dua të di, si hyre në këtë rreth, pra si munde të kishe akses me persona të tjerë të ngjashëm?

Këtu në Shqipëri ka shumë persona të tillë, nuk është e vështirë, mjafton që ta duash dhe e gjen atë që kërkon.

Çfarë bëje ti konkretisht në këtë punë?

Unë kam qenë punonjëse seksi, kam punuar edhe në terren, edhe në privat.

Çfarë do të thotë, në privat?

Në privat do të thotë, duke punuar nga shtëpia. Duke gjetur klientë nga rrjetet sociale dhe chat-et e ndryshme që janë për këtë kategori.

Ka chat-e për këtë kategori edhe në Shqipëri dhe sa përdoren ato?

Sigurisht që ka. Janë krijuar nga të huajt, por përdoren gjerësisht edhe në vendin tonë. Pothuaj të gjithë personat gej kanë profile false në Facebook dhe aty ata kontaktohen vazhdimisht me njëri-tjetrin.

Mund të na tregosh një histori nga puna jote, me një klient? Ishte gej, apo jo dhe si sillej me një tranvestit?

Po, një histori interesante, është me një djalë. Teksa punoja në rrugë, vjen njëri dhe më flet, bëjmë pazarin dhe shkojmë tek shtëpia e tij. Mbarojmë punë, më jep lekët, ishte i kënaqur dhe gjithçka përfundoi aty. Por, ditën e nesërme, atë djalë e takoj në lagje, unë tanimë i veshur si djalë, dhe ai fillon duke më ofenduar dhe sharë. Pra, mua po më shante personi me të cilin një natë më parë kisha kryer marrëdhënie seksuale.

Si arrite të dalësh nga e gjithë kjo “lojë” ku ishe futur?

Ishte mjaft e vështirë, por me ndihmën e “Strehës”, e cila ndihmon në të gjitha mënyrat personat LGBTI, unë ia dola t’i jap fund kësaj loje. Por ishte dhe vullneti im, unë isha lodhur dhe më duhej dikush të më jepte një shtytje për tu kthyer përsëri në realitetin e bukur.

Sot që ke hequr dorë nga gjithçka, si ndjehesh. Çfarë mendon tani për jetën?

Unë bëra jetën time lëmsh. Duke u rritur dhe pjekur dita ditës, kuptova që njerëzve nuk u intereson shumë orientimi seksual i tjetrit, mjafton të jesh një nxënës i mirë, një komshi i mirë, një shok i mirë, një fëmijë i mirë, dhe njerëzit nuk kanë nevojë ta dinë orientimin tënd seksual. Unë gabova, por e kuptova se cila ishte rruga e duhur për të dalë.

Dua të kalojmë pak tek jeta jote personale. Sa e vështirë është të dalësh me të dashurin në qytetin tënd, Durrës, apo në Tiranë?

Unë kam bashkëjetuar për një kohë të gjatë me një djalë. Ne nuk e kishim aspak problem të dilnim së bashku, pasi edhe shoqëria shqiptare ka filluar të kuptojë se çdonjëri mund të bëjë gjithçka me jetën e tij. I vetmi problem në këtë marrëdhënie ishte familja e tij, e cila e kishte të vështirë ta pranonte. Pas një periudhe u ndamë, sepse familja e tij nuk mund ta pranonte dhe ai u lidh me një vajzë, me të cilën vazhdoi jetën e tij.

A jemi shoqëri homofobike, a e ndjen veten të diskriminuar?

Të them të drejtën dikur, kur isha më i vogël, duke kërkuar për të qenë në qendër të vëmendjes, mendoja se po më diskriminonin, por duke qenë se tani kam një marrëdhënie të shkëlqyer me familjen time, nuk më intereson më pjesa tjetër e shoqërisë, gjithkush ka të drejtë të mendojë sipas këndvështrimit të tij, unë kam jetën time. Diskriminim sigurisht që mund të ketë, është prezent, por dua të them që e zgjedh ti nëse dëshiron ta shohësh ose jo.

Lola, si është një ditë e zakonshme e jotja këto kohë, pas gjithë këtyre gjërave që ke kaluar?

Për momentin jetoj në një qendër rezidenciale, e cila është vetëm për rehabilitimin e personave LGBTI. Unë tani po ndjek një kurs të gjuhës së huaj. Shumicën e kohës e kaloj në qendër bashkë me persona të tjerë LGBTI, këtu kemi gjithçka që na duhet për të jetuar. Sot po mendoj për të ardhmen, për shkollën dhe një profesion që unë të bëhem i dobishëm, larg të gjitha gjërave që kam kaluar./dritare.net/

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Perla e re e turizmit mesdhetar’/ Rama publikon artikullin e medias italiane për ‘Syrin e Kaltër’

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e tij në...
Read More