Rrëfim 360 gradë i De Biasit/ Kombëtarja, Duka, Serbia, Xhaka dhe ‘Francë 2016’

Ish-trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi ka qenë i ftuar në emisionin “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, ku ka bërë një rrëfim “360 gradë” në lidhje me aventurën në stolin kuqezi.

INTERVISTA E PLOTE:

Sokol Balla: Kam dashur gjithmonë që t’ua marr intervistën si trajner, tashmë po ua marr si ish-trajner. Megjithatë, besoj që të gjithë shqiptarët do të respektojnë dhe nderojnë për një periudhë shumë të gjatë. Mister, shumë vetë mendonin se do të ishit trajner i Kombëtares përgjithmonë, por mesa duket çdo fillim e ka edhe një fund, apo jo?

De Biazi, ish-trajner i Kombëtares: Ka ardhur një moment ku unë besoja se kisha dhënë gjithçka dhe nuk kisha më se çfarë t’u jepja lojtarëve. Çdo gjë e ka një fillim, por ky ishte momenti.

Sokol Balla: Cili është bilanci juaj si trajner në sasi dhe cilësi sa i përket futbollit tonë kombëtar?

De Biazi: Besoj që në këto 52 ndeshje që kam bërë, besoj që ishte një bilanc shumë i mirë. U nisëm nga një situatë e vështirë, edhe sa i përket skuadrës. Kishim shumë pak lojtarë dhe shumë pak lojtarë me përvojë. Na u desh që të bënim një hap dhe të provonim kualifikimin për në Botërorin e Brazilit. Problemi më i madh ishte që të krijonim grupin dhe më pas rezultatet.

 Sokol Balla: Çfarë kujtoni nga kontakti i parë për të marrë drejtimin e Kombëtares?

De Biazi: Kontakti i parë ishte informativ për të mësuar se cili ishte realiteti shqiptarë, nga këndvështrimi sesi jetohej dhe shikohej futbolli, cili ishte zhvillimi i futbollit, sepse flasim për mentalitete të ndryshme nga pikëpamja e punës. Ishte dëshira për të mos hyrë direkt, por me një gradualitet.

Sokol Balla: Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja se përse turneu i parë, ai i kualifikueseve për në Brazil 2014 kaloi dhe shumë pa u vënë re. Pati rezultate të mira, por mbajtët një profil të ulët edhe për vetë skuadrën.

De Biazi: Kemi bërë një pjesë të parë të kualifikimit shumë të bukur. Kemi kaluar një në vend të dytë në grup. Bëmë një fitore shumë të bukur në Norvegji, një ndeshje të bukur këtu me Slloveninë. Më pas erdhën tre humbjet e menjëhershme dhe në barazimin me Norvegjinë këtu ëndrra jonë u venit. Megjithatë, nuk ishin kushtet për të shkuar aq larg.

Sokol Balla: Dhe më pas erdhën kualifikueset për në Francë 2016. Çfarë vendosët të ndryshonit? Çfarë shkonte gabim në skuadrën Kombëtare, apo këtu trokitët nëpër dyert e talenteve shqiptare nëpër Europë?

De Biazi: Ishte një rritje graduale e grupit. U përmirësua cilësia e lojtarëve dhe skuadrës dhe sipas meje edhe fakti që gjetëm dhe miksuan përvojën me lojtarët e rinj, por edhe për të gjetur talente nëpër kampionate të ndryshme nëpër Europë.

Kjo ishte pjesa thelbësore dhe nisja shumë e bukur, më 7 shtator me fitoren në Portugali. Ishte një fitore që do të mbetet gjatë në kujtesë, fitore me skuadrën që më pas u shpall kampione Europe. Që pas fitores tonë, Portugalia nuk u mund më deri në fitoren e kupës. Më pas filluam të mendonim se mund të shkonim në finalet e Europianit.

Sokol Balla: Në Europian deri në sekondat e fundit ishte dilema do të kualifikohej apo jo, pas fitores me Rumaninë diskutohej do të kualifikohej Shqipëria apo Portugalia dhe më pas Portugalia përfundoi kampione e Europës.

De Biazi: Fatkeqësisht për ne, ne kemi luajtur ndeshjet të parët dhe skuadrat që luanin pas nesh e dinin rezultatin që duhet të kërkonin për t’u kualifikuar. E kemi nisur shumë keq kundër Zvicrës. Ishim me 10 lojtarë, por kemi rrezikuar shumë për ta barazuar ndeshjen, kundër Francës deri në ekstrem të ndeshjes ishim 0-0. Kemi dalë me kokën lartë nga ky Europian.

 Sokol Balla: Në librin tim “Loja që ndryshoi Shqipërinë” unë ju quaj një nga faktorët që sollën ndryshimin, por çfarë gjetët, çfarë zbuluat ju në futbollin dhe lojtarët shqiptarë që trajnerët para jush nuk e kishin zbuluar apo gjetur?

De Biazi: Unë besoj që ishte nevoja t’u përcillje lojtarëve një organizim ndryshe ku skuadra vendos dhe vlerëson karakteristikat direkte të lojtarëve. Ky nuk është sekret i madh, por nuk është e thjeshtë për t’ia transmetuar skuadrës dhe jo gjithmonë në aspektin teknik dhe taktik ekuilibri dhe kompaktësia mes lojtarëve.

Sokol Balla: Cila është risia që ju sollët, taktika, mentaliteti, hapja ndaj talenteve, apo të treja bashkë?

De Biazi: Kam ngulmuar për një përgatitje të madhe në aspektin taktik të ndeshjes, por edhe parapërgatitje. Puna me mentalitetin e skuadrës për të menduar se mund t’ia dalësh në këtë ndeshje.

Sokol Balla: Më kujtohet mesazhi juaj pas barazimit me Danimarkën në Elbasan, ku të gjithë u mërzitën përse barazuam. Më kujtohet mesazhi juaj: “Sokol, këtu askush nuk e kupton se një skuadër si Shqipëria, nuk ka rëndësi të fitojë, ka rëndësi të mos humbasë”.

De Biazi: Ajo ndeshje ishte thelbësore. Kaluam në avantazh, por ata kishin më shumë cilësi se ne dhe na barazuan. Gjithsesi i lamë pas në rezultat dhe ishte një rezultat shumë i rëndësishëm. E rëndësishme ishte që duhet të luftonim për rezultat dhe për të kërkuar kualifikimin.

Sokol Balla: Këtu, të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe unë, të gjithë jemi kryeministra më të mirë, presidentë më të mirë, trajnerë më të mirë. Nëse do më pyesnin mua për meritën e De Biazit, unë do të thoja që merita më e madhe është që e vuri Shqipërinë me këmbë në tokë.

De Biazi: E rëndësishme është që të dish gjithmonë që të ruash gjërat në normalitet tek skuadra. Kjo është një nga aftësitë e Murinjos, që merr të gjitha kritikat vetë dhe e lë skuadrën të qetë dhe të lirë nga kritikat. Ky ishte edhe debati që unë bëja. Trajneri duhet të dijë se çfarë i ngarkohet, duhet të mbajë presionin dhe problematikat dhe duhet t’u transmetojë lojtarëve cilësitë që kanë për të mundur këdo.

Sokol Balla: Një nga gjërat na ka bërë përshtypje, është fakti që gjatë fazës eliminatore, Kombëtarja pothuajse nuk po humbiste më dhe befas mbërrijnë dy humbje rresht, ajo me Serbinë dhe ajo me Portugalinë. Dramatike!

De Biazi: Ishte periudha më e vështirë për mua. Të kesh një kualifikim të pastër, pa humbje dhe të vish tek dy ndeshjet më të rëndësishme në fushën tende dhe të humbasësh, me Portugalinë në kohën shtesë dhe me Serbinë, që në vend që të mendonim të mos pësonim gol, menduam fitoren.

Edhe unë e doja fitoren, por mes fitores dhe humbjes duhet të mendojmë se kë kundërshtar kemi përballë. Barazimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. U hodhëm të gjithë në sulm dhe pësuam golin e parë, të gjithë në sulm dhe pësuam golin e dytë. Kështu shkuam në ndeshjen e fundit në Armeni, që nuk ishte aspak e lehtë.

Sokol Balla: Para se të shkojmë tek ndeshja me Armeninë, i rikthehemi ndeshjes me Serbinë në Beograd. Besoj se në atë ndeshje duhet të jeni ndeshur me realitetin e Ballkanit dhe skuadrës që drejtonit, apo jo?

De Biazi: Kur kemi mbërritur në aeroport ishte diçka e çmendur. Kemi mbërritur në një vend ku ishte një klimë dhe tension i çmendur. Ishte diçka e tepruar, por e kuptova një ditë më vonë se përse ishin marrë këto masa.

Sokol Balla: Cili ishte motivi sipas jush? Terror psikologjik ndaj skuadrës?

De Biazi: Ishte përpjekja e tyre për të mbajtur gjendjen nën kontroll sepse ishte frika për sulme nga grupe të ndryshme. Nga ajo pikë jemi mbrojtur shumë mirë.

Ajo që ishte jashtë kontrollit, ishte ajo që ndodhi brenda fushës. Ishte diçka absurde. Kemi luajtur në një klimë tërësisht të vështirë. Ishe aty dhe e kupton shumë mirë se çfarë kemi kaluar. Edhe pas shumë vitesh do ta kujtojmë se çfarë kemi kaluar. UEFA nuk duhet të vendoste dy skuadrat në të njëjtin grup.

Sokol Balla: Si një ish-lojtar i njohur i Serisë A, që keni drejtuar klube në kushte të vështira, patët në ato orë të tmerrshme në Beograd një pendesë që ndoshta nuk do të donit të kishit qenë trajner i Shqipërisë në ato momente?

De Biazi: Absolutisht jo! Unë besoj që përshtatem shumë mirë sepse kam përjetuar situata të tilla në fushë në Itali, por atë natë e vetmja gjë që më bezdisi ishte që kisha frikën se mund të futeshin tifozët në fushë. Ishte diçka shumë e frikshme. Në çdo moment mund të pritej çdo gjë. Gjëja që më shqetësonte ishte se ishim të mbrojtur në çdo moment në mënyrë të ekzagjeruar nga policia, por që ndoshta e kuptova më vonë që ishte shumë e mirë.

 Sokol Balla: Vazhdojmë me atë fitoren kundër Armenisë. E shkëlqyer, por deri diku edhe e papritur, e pabesueshme. Kujt ja kushtoni fitoren, vetes, ekipit, federatës? Ishte një rezultat i shumëpritur, por i papritur për ne.

De Biazi: Jam shumë bujar! Ua kushtoj të gjithëve atë sukses! Bijës time, bashkëshortes time, tifozëve dhe të gjithëve që më duan të mirën. Tifozëve që kanë vuajtur dhe kanë qenë në rrugëtimin e kualifikimit tonë. Ishte fitorja e gjithë Shqipërisë, e gjithë Shqipërisë, e gjithë shqiptarisë, në Kosovë, Maqedoni dhe më tej. Ishte një fitore e dyluftuar që jep shembull që nëse impenjohesh mund të arrihen objektiva të tilla.

Sokol Balla: Përse ishit kaq i sigurt që ne do të kualifikoheshim nga fillimi? Keni qenë optimist që nga fillimi.

De Biazi: Kujtoj shumë mirë datën. 29 shkurt 2012, ndeshja e parë miqësore në Gjeorgji. U kisha drejtuar lojtarëve një letër, ku u thashë që nëse kishin forcën për të besuar dhe për të më ndjekur natyrisht që do të ishin të parët që do të shkruanin faqet e historisë së futbollit shqiptar. Besoj që është shumë e rëndësishme të punosh me anën psikologjike të lojtarëve, sepse brenda vetes, nëse mendon që e ke të pamundur për t’ia arritur, atëherë nuk ja arrin. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme të punosh me pjesën psikologjike të lojtarëve.

Sokol Balla: Cili është pengu më i madh që keni nga Europiani i Francës?

De Biazi: Më vjen shumë keq që humba ndaj Zvicrës në ndeshjen debutuese. Ndeshje shumë e ndjerë nga ne. Një ndeshje shumë e veçantë, shumë e çuditshme. Ishin në fushë dy vëllezërit Xhaka dhe me shumë lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare kundërshtarë.

Megjithatë, me atë që u pa në fushë, fakti që kemi luajtur thuajse një orë me 10 lojtarë, si dhe rasti i Sadikut dhe i Gashit mund të kishim administruar më mirë lojën, sidomos rasti i Gashit, që ishte një rast i pabesueshëm. Ishte ajo pjesë që na ktheu në shtëpi. Por, skuadra filloi të ndjente dhe duhet të rrinte në atë turne. Ishte pjesa e parë shumë produktive e skuadrës tonë.

Sokol Balla: Ajo ka qenë ndeshja kur filloi edhe çarja e madhe me Taulant Xhakën?

De Biazi: Absolutisht jo! Unë them shpesh diçka, që unë nuk kam pasur asnjëherë problem me asnjë lojtar. Problemi është që trajneri bën një detyrë të tillë, jo fort komode dhe kërkon të përcjellë dhe të mbajë në gjendje të mirë 23 lojtarë. 11 vetë luajnë, të tjerët duhet të ulen në pankinë. Nëse dikush mendon se e kam personale, atëherë ka probleme me veten e tij.

Duhet një skuadër e bashkuar, duhet të jetë e tillë. Nëse dikush mendon se është më i mirë se të tjerët, këtë duhet ta tregojë në fushë. Unë edhe mund të gaboj tek zgjedhjet e mia, por zgjedhjet e mia duhet të respektohen dhe të pranohen.

Natyrisht, edhe ata që hyjnë si zëvendësues janë të kënaqur dhe ai që del nuk është i kënaqur. Nuk mund të kemi dy sjellje, tjetër ku luajmë dhe tjetër kur nuk luajmë. Të gjithë janë lojtarë që duan të ndihmojnë skuadër.

Sokol Balla: Nga ajo ndeshje, në mos gaboj në dy ndeshjet e tjera Xhaka ka hyrë si zëvendësues, edhe me Francën edhe me Rumaninë dhe më pas minutat e tij me Kombëtaren ranë derisa erdhi ajo çarja e madhe. Duket se aty e pati origjinën ftohja e madhe me të. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe kjo nuk mund të diskutohet, apo jo?

De Biazi: Lojtar i mirë! Si shumë lojtarë të tjerë që bëjnë pjesë në Kombëtaren tonë. Pas ndeshjes me Zvicrën ai luajti pak me Francën dhe nuk luajti kundër Rumanisë si titullar. Më pas, nuk luajti titullar me Maqedoninë, Lihtenshtejnin.

Me këtë të fundit ishte zgjedhje teknike se pas tre ditësh kishim ndeshje me Spanjën dhe e lashë jashtë që të luante titullar me Spanjën.

Në ndeshjen kundër Italisë, kundër Izraelit në Elbasan, kundër Italisë nuk mendova ta hidhja si titullar sepse kemi disa instrumente që quhen GPS dhe sa i përket çështjes fizike, kishte një kondicion fizik më inferior se të tjerët. Kjo ka qenë arsyeja.

Sokol Balla: Si e pritet deklarimin e tij publik për të refuzuar për të luajtur me Kombëtaren për sa kohë ju ishit trajner?

De Biazi: Mua nuk më intereson fare. Është problem për atë. Tani i ka shkuar mirë që unë u largova, sepse edhe në katër ndeshjet e mbetura ai nuk do të luante. Sipas meje, nëse ai nuk do t’u kërkonte falje të gjithë lojtarëve dhe të gjithë tifozëve, ai nuk do të kthehej.

Ai është një lojtar si gjithë të tjerët. Shqipëria do të vazhdojë të luajë dhe të fitojë edhe për Xhakën. Futbolli ecën përpara. Futbolli mbahet mbi ekuilibrat e grupit dhe nuk besoj se ai për zgjedhjen që bëri ka lënë shije të mirë tek lojtarët e tjerë.

 Sokol Balla: Mënyra sesi flisni tregon që keni qenë autoritar në dhomat e zhveshjes dhe dikush mund të pyesë a ka sakrifikuar ndonjëherë De Biazi cilësinë në emër të grupit, të kompaktitetit?

De Biazi: Unë e adhuroj cilësinë. Adhuroj lojtarë si Mesi, Ronaldo, Modriç, por nuk i kemi sepse do t’i hidhja në fushë që të gjithë. Përpiqem t’u them lojtarëve që nuk i kanë cilësi të tilla dhe nëse nuk vrapojnë, të jenë pjesë e një grupi, loje të organizuar nuk mund të shkojnë në asnjë vend. Duhet të mendojmë dhe kërkojmë të jemi të organizuar në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme për skuadrën.

Sokol Balla: Flitet gjithmonë që trajnerët kanë një lojtar të tyre. Cili ka qenë lojtari i trajnerit Xhani De Biazi? Sa herë që pyesja gazetarët e mi, mua më thoshin Kukeli.

De Biazi: Është e vërtetë! Kukeli është një nga ata. Bulku ishte më përpara. Ishte një trajner në fushë kur ishte lojtarë. Ka edhe shumë të tjerë, Memushaj është një tjetër. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të japin më të mirën për të ndihmuar shokët.

Unë mendoj që na ka munguar diçka nga pjesa e personalitetit në fushë, ashtu siç ishte pjesa e Lorikut, karizmatik në fushë. Kemi humbur shumë me mungesën e tij nga kjo pikëpamje. Personalitetin nuk mund të blesh, një e ka një jo.

 Sokol Balla: Keni qenë një gjahtar i vërtetë i talenteve shqiptare dhe keni bërë akrobaci nga më të mëdhatë për të tërhequr lojtarë që kishin origjinë shqiptare. Ka ndonjë lojtarë me origjinë shqiptare që ju ka mbetur peng që nuk arriti të vishte fanellën kuqezi, si Januzaj?

Xhani De Biazi: Ky rast ka qenë rasti më i bujshëm dhe i çuditshëm. Ka edhe një rast tjetër. Lojtari që ka luajtur tek Vilareali, Musakio që tani kaloi tek Milani me origjinë arbëreshe. E kam kontaktuar për eliminatoret për Europian, më pas e rikontaktova para ndeshjes me Spanjën duke qenë se ka luajtur me Vilarealin, nëse do të luash kundër Spanjës dhe ai më tha që kam vendosur të luaj për Argjentinën.

Ishte një zgjedhje e tij, zgjedhje e lirë. Unë provova, sepse do të ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren tonë. Nuk erdhi dhe në vazhdojmë përpara.

Sokol Balla: Fakti që Kosova ka përfaqësuesen e saj, u pa fillimisht si magnet që mund të tërhiqte lojtarë dhe ikën lojtarë cilësorë si Rashica dhe Berisha që veshën fanellën e Kosovës. Mendoni që ka kaluar ky “rrezik” për Kombëtaren kuqezi?

De Biazi: Unë mendoj që lojtarët që ishin në Europian nuk do të ndryshojnë me fanellë. Probleme do të ketë për të ardhmen për ata që duhet të zgjedhin, sepse më përpara ishte më thjeshtë duke qenë se Kosova nuk ishte anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.

Ishte më e thjeshtë edhe për ne për t’i marrë. Besoj se kemi mundësinë për të punuar në të njëjtën mënyrë sepse ka shumë futbollistë shqiptarë që janë duke u rritur. Sa u takon lojtarëve këtu brenda, duhet vazhduar të punohet me akademitë.

Sokol Balla: Ju e keni bërë më së miri rolin tuaj si përzgjedhës. Ju keni zgjedhur lojtarët më të mirë dhe lojtarët që u përshtaten më mirë skemave të futbollit shqiptar, që është modest. Por, sa mund të ecë ky futboll kombëtar nëse nuk bazohet tek kampionati vendas, që vazhdon të ketë kontribute modeste për Kombëtaren?

De Biazi: Që nga koha që kam ardhur në Shqipëri, pesë vite e gjysmë më parë, mund të them që kampionati shqiptar është rritur në nivelin e tij. Skënderbeu shkoi deri tek grupet e Europa League.

Mendoj se Kombëtarja duhet të gjejë hapësirat e saj për kampionatin shqiptar, por edhe kampionati duhet të prodhojë diçka më shumë. Është një proces që kërkon kohën e vet. Unë besoj që nëse vazhdohet të punohet me seriozitet, mendoj se gjehet rruga drejt Kombëtares.

Sokol Balla: Ju përmendet Skënderbeun, por edhe ai sukses i Skënderbeut u njollos nga dënimi që iu dha, qoftë nga UEFA, ashtu edhe nga Komisioni i Disiplinës duke i hequr titullin kampion vitin që akuzohet se ka shitur ndeshjet. Sa i kërcënuar është futbolli nga bastet dhe a është kërcënim real për futbollin kombëtar shqiptar?

De Biazi: Unë mendoj që për sa kohë legalizohen bastet dhe bëhen pjesë sponsorizuese, unë mendoj që ka tendecë për një rrezikshmëri shumë të madhe me një diferencë të ngushtë mes të bërit gjërat mirë dhe jo shumë të qarta. Unë mendoj që Skënderbeu është një shoqëri shumë serioze që ka bërë një gjë shumë të mirë në futbollin shqiptar dhe që gjeti hapësira të konsiderueshme në futbollin ndërkombëtar, por që më pas u shpall me faj për situata aspak të pëlqyeshme dhe që hapin rrugë për hamendësime të ndryshme.

 Sokol Balla: Keni pasur presioni apo oferta për të marketuar lojtarë që nuk ja vlejnë?

De Biazi: Absolutisht jo! E kam thënë në më shumë se një intervistë. Kam pasur hapësirë të lirë për të bërë punën time në gjithçka. Skuadra jonë nuk është deklaruar dhe nuk është përmendur asnjëherë në debate të tilla.

Sokol Balla: T’i rikthehemi situatës aktuale. Përse në këto kualifikuese për botërorin rus, skuadra jonë nuk shkëlqeu? Ishte sindroma e europianit, ishte njëfarë lodhje, ngopje? Çfarë ndodhi?

De Biazi: Unë besoj mbi të gjitha që europiani ishte maksimalja për ne. Në fund të europianit isha në një dilemë për të vazhduar apo për t’u kthyer në shtëpinë time. Por, mendova që kjo skuadër kishte akoma mundësi që të rritej dhe pavarësisht vështirësive.

Është e vërtetë që në ndeshjen kundër Maqedonisë, nëse gjërat nuk do të shkonin ashtu siç shkuan, rrezikonim të humbisnim ose të dilte barazim, sepse shkuam në avantazh dhe nuk mbyllëm ndeshjen. Për fatin e mirë u pezullua ndeshja dhe e fituam ditën tjetër. Mund të fitonim më me lehtësi kundër Maqedonisë.

Me Italinë dhe Spanjën, gabimet tona thelluan avantazhin e tyre. Problemi ishte humbja me Izraelin në shtëpi. Një humbje e çuditshme dhe me shumë episode. Jam shumë i kënaqur që fitova po 0-3 në Izrael sepse e kisha lakun në fyt dhe ua kisha thënë lojtarëve këtë.

Shpresoja të fitonim 4-0. Por jam shumë i kënaqur që për momentin jemi në vendin e tretë pas Italisë dhe Spanjës. Më shumë kjo skuadër nuk mund të bënte. Është e vërtetë që në momente të veçanta nuk kemi qenë të vendosur si skuadër./TCH/

Shkruar Nga
More from Redaksia

DioGuardi: Thuhet se Berisha ka bërë miliarda dollarë

  Ish-kongresmeni Joe DioGuardi ka komentuar fitoren e thellë të Edi Ramës...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *