Rrëfimi ekskluziv: Off-Side me Armando Dukën

4Kreu i FSHF-së tregon 14 vjetët në krye të federatës së futbollit. Prej kombëtares dhe kualifikimit historik në Europian, te përplasjet politike, akuzat dhe pakënaqësitë… Çfarë gjeti në zyrë dhe cila do të jetë trashëgimia. A ka vendosur Duka të kërkojë një mandat të ri apo “mbretërimi” i tij mbyllet në 2018…

Armando Duka është i qetë dhe me humor të mirë. 14 vjet pasi filloi një punë për të cilën thotë se nuk dinte asgjë, madje as nëse ekzistonte një e tillë, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit i ka tani përgjigjet në majë të gjuhës. Ai ka marrë një federatë me 200 mijë dollarë buxhet dhe sot drejton një organizëm që arrin 10-12 milion euro në vit, ndërsa arrin për herë të parë në finalet e një gare të rëndësishme.

I shpenguar, edhe prej kësaj,  më shumë se sa pritet prej një zyrtari përballë gazetarëve, Duka lë të kuptohet në një bisedë të gjatë për Revistën Mapo se megjithëkëtë është mësuar të mos jetë i pëlqyeri, edhe pse e ka të vështirë të përmbahet kur përmendet kombëtarja. “Ne i injorojmë me neveri këto lloje idiotësish”, thotë ai për akuzat mbi lojtarët e kombëtares apo ekipin.

Në fakt në futboll njerëzit që punojnë jashtë fushës dhe që nuk u qëllon të driblojnë me topin, pavarësisht nëse kanë ndihmuar apo kanë pjesë në sukses janë larg të qenit të adhuruar prej tifozëve. Duka e di këtë. Ashtu siç di që për shkak të 14 viteve në të njëjtin post dhe përshkak të një dashurie për konspiracionin është në qendër të akuzave, pothuajse për çdo gjë që ka lidhje me futbollin që prej ndeshjeve në seksionet e Kategorisë së Dytë e deri te ato ndërkombëtare. “Të qenit…, një lloj drejtuesi le të themi autoritar dhe që ok, në një mënyrë ai kontrollon organizimin e kësaj organizate, atëherë duket se nuk bëhet asgjë pa i thënë ai arbitrit, nuk ndodh gjë nëse nuk jep urdhër ai…të them të drejtën unë nuk njoh asnjë nga gjyqtarët”, thotë ai.

Tifozët e kanë fërshëllyer. Në kampionatin shqiptar parullat kundër federatës dhe atij personalisht janë të zakonshme. Por përtej kësaj dukje prej “të keqi” Armando Duka është në historinë  e futbollit shqiptar drejtuesi më i suksesshëm i tij. Në 2002, siç tregon ai ka gjetur një federatë me një grusht njerëzish që paguheshin me 20 mijë lekë në muaj prej qeverisë dhe sot ka një institucion që paguan paga më të mira se ato të ministrave. Ka pasur vetëm një garë e sot vetëm në nivelin profesionist numërohen katër kampionate të rriturish, kampionate moshash në disa nivele, një kampionat për femra. Shqipëria ka përfaqësim kombëtar në të gjitha moshat dhe ty përfaqësuese në futbollin e femrave.  Por asgjë nuk do të vlente pa kualifikimin. Presidenti e di këtë. Në zyrën e tij bien në sy në korniza të mëdha bluzat  e kombëtares të firmosura në çdo cep dhe në të vetmin rast që Duka përgjigjet në telefon duke ndërprerë bisedën, bëhet fjalë për kombëtaren dhe grumbullimin.

“Në kuptimin e perceptimit publik është e njëjta gjë gjithmonë, sepse  është institucioni i tillë, kështu momenti më i mirë është patjetër që është ai që të gëzon më shumë. Momenti më i mirë realisht ka ardh tani me ekipin kombëtar. Bashkohen shumë gjëra bashkë që të bëjnë të ndihesh mirë  jo vetëm si president federate edhe si tifoz edhe si shqiptar…

Momente të këqija… po ta ndajmë fatkeqësisht është kështu: Diskutimet e garave apo jeta  futbollistike brenda Shqipërie me në aktivitetin jashtë Shqipërie si përfaqësues i Shqipërisë janë dy gjëra të ndryshme. Njëra (e para) të jep dhimbje koke, tjetra të jep kënaqësi”.

Megjithatë nga spekulimet nuk ka shpëtuar as Kombëtarja?

Unë nuk besoj, që e para absolutisht nuk asnjë dyshim nga asnjë rast dhe asnjë provë  për ekipin kombëtar, po edhe nuk besoj që asnjë njeri që ka më shumë se tre gram mend e ka menduar ndonjëherë këtë gjë në Shqipëri. Në çdo rast bastexhiu që i ka 2000 lek do i lërë në çdo rast dhe më pas do fajësojë lojtarët.

Për Kombëtaren Shqiptare nuk ka gojë të flas njeri. Ai që shet, shet edhe nderin ai nuk beson që t’i nuk e ke shit. Ne i injorojmë me neveri këto lloje idiotësish nuk mund të merremi me këto lloj idiotësish ne shohim punën tonë dhe rezultatin. Tani ku është ai që bën atë lajm dhe ku jemi neve. Neve jemi në Francë ai nuk e di se ku është…

Ky kualifikimi a i ka shtuar njerzit në futboll a keni ju a ka ndjerë federata një frymë ekstra. A ka më shumë fëmijë?

Shumë, shumë. Do të them diçka, numri i futbollistëve është rrit, nuk di të ta them saktësisht sa, por është rrit me mijëra këtë vit. Njerëzit janë të interesuar shumë më shumë për futbollin. Kjo ndjehet dhe shihet edhe te numri i spektatorëve që është duke u rritur. Një gjë që po të them unë për shembull bluza e kombëtares shqiptare ka qenë  shitur në të gjithë historinë  e vet maksimumi 1500 deri në 2000 bluza në vit ndërsa tani si i bie është njëqindfishuar shitja. Janë mijëra bluza të shitura vetëm në një muaj, nga 1500 në vit.

Tani këtu sigurisht duke folur si tifoz në këtë rast, ne sigurisht shkojmë për të fituar titullin atje çështja është a kemi vendosu një objektiv racional?

Jo, jo, asnjë objektiv. Ne nuk do t’i vemë në këtë lloj presioni lojtarët ajo që ne kemi thënë dhe do t’iu themi prapë është që i falënderojmë që na kanë çuar deri atje të luajnë me qejf dhe të kënaqen edhe vet atje, për atë që kanë arritur dhe nëse arrijnë më shumë… Nuk i vëmë nën presionin që ju duhet të fitoni një ndeshje apo duhet të kaloni grupin, por kuptohet që në asnjë ndeshje, në asnjë minutë, në asnjë garë jo vetëm në futboll njeriu nuk mund të hyjë për të mos fituar. Por ka mënyra sesi do ta kërkosh fitoren, kështu që do të kërkojmë të marrim maksimalen pa presion dhe pa objektiva  të cilat mund ta vënë një skuadër nën presion.

Domethënë nuk ka diçka tjetër të parashikuar përpos rezultatit për fitoret?

Patjetër që ka, ne i kemi premtuar premio për çdo lloj rezultati, qoftë për një pikë, qoftë për tre pikë qoftë për një kualifikim të mundshëm madje edhe për fitoren e kampionatit.

Ju keni gjithë këto vite që merreni me futboll, jeni pjesë e kësaj edhe e skenës botërore, i jep shpresa Shqipërisë për shembull rasti i Leiçester një ekip i vogël që arrin të fitojë kampionatin?

Një gjë shumë e vështirë është. Ne nuk mund, nuk kemi pse të shohim aq larg. Domethënë ne jemi shumë të kënaqur që jemi atje, të gjithë duhet të jemi shumë të  kënaqur dhe nëse kalojmë grupin është tamam bonus për ne, por të shkosh akoma më shumë në futboll është e mundur por e vështirë.

Çfarë funksionoi në këtë eliminatore? Shqipëria ka shkuar shumë herë me faza shumë të mira dhe pastaj me faza të këqija. Shumë herë ka ngjallur goxha shpresa që mund të bëhej dhe asnjëherë nuk është realizuar, çfarë  ndodhi, cili ishte kombinimi?

Ndoshta janë bashkuar shumë gjëra bashkë; fati, puna, realizimi. Padyshim që janë bashkuar shumë gjëra bashkë. Në një grup të paktën si ky që kishim (shorti i eliminatoreve) ishte grupi që mund të kishim më pak shpresë për tu kualifikuar për kupën, por herët e tjera kemi pas më shumë shpresa se ç’kemi arritur. Janë shumë pak ndeshje në eliminatoret dhe me një gabim del jashtë. Kështu që duhet të jesh stabël në një periudhë gati 2 vjeçare dhe është e vështirë, duhet të kesh shumë futbollistë. Danimarka doli jashtë se i mungoi Eriksen,  një gjë e vogël mund t’i duket gjithkujt,  por me Eriksen në fushë mund të ndryshonin gjërat.

Gjithkujt që e sheh nga ekrani nga stadiumi, i duket sikur bëhet fjalë për  pak centimetra apo një gjysmë metri. Ta zëmë rasti i golit që pati Roshi në Danimarkë, por nga ana tjetër pas kësaj ka më shumë sesa thjesht ai moment?!

Përgatitjet e stafeve jo vetëm teknikisht janë aq shumë ekzakte, aq shumë preçize dhe aq shumë me milimetra, saqë besoj jo më shumë se 4 %-5% e tifozave e dinë. Domethënë për të përgatit një ndeshje futbolli, jo vetëm përgatitjen apo stërvitjen e ekipit, por përgatitja e një ndeshje futbolli merr shumë kohë dhe për 95% të njerëzve mund të duket e pabesueshme. Përgatiten me milimetra lëvizjet e njerëzve në fushë. Studiohen kundërshtarët, si lëviz kundërshtari, si mund të lëvizin, sot futbolli është si në shah dhe në qoftë se nuk e ke përgatit një ndeshje futbolli në këtë mënyrë mund të ndodhi që të fitosh një herë në 100 vjet.

Çfarë dallimi kemi nga kombëtaret e mëparshme sa i përket këtyre përgatitjeve?

Më parë nuk është menduar. Sot kemi dy kompani që na përgatisin ndeshjen, kompani që i paguajmë që të na japin të gatshme analizën e kundërshtarit. Ka 6-7 vjet që e bëjmë këtë. Tani De Biasi kur të jetë në Europian sapo të mbaroj ndeshja e Francës do të marr në tavolinë analizën e të gjithë lojtarëve francezë çfarë kanë bërë në fushë, sa herë kanë godit topin, sa herë kanë bërë gabim, si kanë lëvizur në fushë dhe sa herë ka shkuar majtas. I bëhet një lloj skaneri gjithë ndeshje dhe kur shikon trajnerët që bëjnë këto lloj analizash të duket sikur ke hyr te dhoma që bëjnë grafi të trupit.

Cila ishte ndeshja e Kombëtares që ju dha besimin që këtë herë ndryshojnë gjërat, që këtë herë e hodhëm?!

Unë gjithmonë kam thënë që këtë herë do e hedhim (qesh) por…, Danimarka. Domethënë barazimi në Danimarkë. Kur mbaroi ndeshja në Danimarkë, u thashë, që jemi kualifikuar.

Imagjino të ishte shënuar goli i Roshit?!

Më kujtohet që i bërtiste De Biasi. I thashë: “Lerë çunin.”

***

Kur ka marrë të drejtojë FSHF-në Armando Duka mendonte se po merrte një post honorifik. Madje ai as nuk u interesua që të fitonte garën, por katër vjet pas kësaj kur për arsye politike ish-kryeministri Sali Berisha e vuri në shënjestër dhe përdori gjithçka kundër tij Duka nuk mund të lëvizej. Drejtues i një institucioni pa varësi ndaj shtetit ai kishte krijuar lidhjet e duhura ndërkombëtare dhe ishin FIFA dhe UEFA që e morën në mbrojtje FSHF. Qeveria u tërhoq e humbur duke lënë pas vetëm barcaleta si ajo e “gozhdës” dhe “një alarm për bombë” në kohën kur FSHF bënte zgjedhjet.

Pse e morët këtë pse e filluat ? Çfarë ju solli këtu çfarë ju solli te FSHF-ja?

Realisht fillimisht nuk është se kam pasur ndonjë ambicie për të qenë president i FSHF-së, por thjesht ma kanë ofruar. As nuk kam pasur ndonjë ambicie, as nuk e kam ditur që ekzistonte Federata e Futbollit Shqiptar. Ma kanë ofruar dhe më kanë lutur shumë që të pranoja…

Në zyrat që kishte federata s’kam hyrë kurrë, menjëherë sapo shkova morëm zyra me qira.

Buxheti  i federatës së futbollit në atë kohë ishte diku… 200 mijë dollar në vit, sot është diku nga 10-12  milionë euro në vit.

Kur më kanë ofruar këtë punë të bëhesha president më thanë: “Është asgjë, është honorifike nuk do humbësh shumë kohë, hajde se aty ka njerëz, ka administratë etj etj”. Po ta kisha ditur që është kështu nuk do kisha pranuar.  Por kur  shkova pastaj pashë që aty kishte shumë punë dhe kam menduar se jam në vendin e gabuar.

Ndonjë moment kështu për të thënë që  duhet të iki, çfarë bëj unë këtu sidomos në fillime?

Shpesh kam pasur, dhe futbolli është i vështirë sepse është garë që prodhon emocion, sepse edhe shqiptarët kanë pritshmëri të mëdha. Shpeshherë njerëzit që vijnë nga jashtë, nga biznesi, që marrin klube që fillojnë i financojnë dhe mendojnë ngaqë janë marrë më biznes ku fitojnë, do fitojnë me doemos  edhe në sport. Në futboll mund të vësh 5 lekë dhe merr 0 dhe nuk do të thotë se ke vënë 10  dhe do të fitosh ti. Mund të futësh shumë lek, por nuk je më i miri. Por  pritshmëritë janë të mëdha dhe krijojnë probleme të dukshme për publikun dhe të padukshme. Pastaj gjatë periudhës që unë jam aty ka pas një periudhë të tmerrshme konflikti me qeverinë për tre-katër vjet dhe Shqipëria është përjashtuar nga FIFA për pak kohë për arsye  të konfliktit. Kur kemi bër zgjedhjet ne në 2006 e panë që nuk do të humbja me vota dhe atëherë erdhi policia dhe tha lironi sallën se ka alarm për bombë. Ne nuk dolëm vazhduam, por u zbras gjithë 15-katëshi përveç nesh. Bombë nuk kishte faktikisht.

Këtu janë vrarë presidentë klubesh, janë kërcënuar me armë edhe ka edhe një përfshirje të dhunshme të politikës ndonjëherë…

Fatkeqësisht, fatkeqësisht… më shumë ata që janë jashtë futbollit edhe këta të politikës dhe e shpesh e humbin arsyen. Ka njerëz që për arsye të garës të rezultatit ose të pritshmërisë ose pse nuk e arrijnë këtë rezultat përfshihen e tentojnë të ndikojnë në garë.  Janë të dukshëm, e të padukshëm, por ne domethënë nuk arrijmë të dënojmë as të dukshmit jo më të padukshmit.

Këtu duket sikur dënohen faktikisht, por dënimet shpesh vijnë në zbutje…

Shiko…nuk vuan kjo punë nga dënimet sportive.  Dënimet sportive në Shqipëri janë më të larta sesa në të gjithë Evropën edhe më të rrepta se në të gjithë Evropën, por problemi është se këtu ka ngjarje kriminale penale dhe nuk ka dënim. Kjo është e keqja sepse, po të kujtoj ngjarjet e dy tre javëve të fundit. U zunë dhe bënë akte vandale individë të identifikuar mbas lojës në fushën e lojës, më thuaj një që u dënua me 1000 lekë, mjafton të shpallen fajtorët. Kjo nuk funksionon kështu nuk kanë për ta rregulluar futbollin kurrë dënimet sportive, ja ka dënuar tifozët e Tiranës 8 javë ose ku di unë zyrtarë të lartë të  mos hyjnë në stadium dy vjet kështu, por kjo nuk e parandalon atë që  ndodhi në Peshkopi hyn njerëz  në fushë u rrahën mbas lojës etj etj, më thuaj një që u dënua?!

Nuk je lodhur domethënë nuk je mërzitur? Meqë thatë se kur u morën ju lutën?!

Ai është fillimi, por po të ishte domethënë për këto që të thashë këtu, idiotësitë që ndodhin brenda vendit do të kisha ik me kohë dhe duhet të iki nesër, po të jetë për kënaqësitë që më jep përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, qoftë edhe vetëm përfaqësimi, jo vetëm futbollistik nuk do të ikja kurrë.

Atëherë ky nuk  mund të jetë fundi ku duhet të jetë një fillim i ri pas Evropianit?!

Nuk dua  ta them…Fillim i ri jo…Ky është fillimi i ri për futbollin.

Po për Dukën?

Për Dukën të shohim se nuk mund të them asgjë tani se unë jam në detyrë deri në 2018 që do të thotë çfarëdo të them tani dëmtoj punën në vazhdimësi  edhe sikur të them do vazhdoj edhe sikur të them nuk do vazhdoj.

Ju jeni një nga njerëzit më të sulmuar në Shqipëri. Pothuajse në çdo ndeshje futbolli… Duke u nis që nga kategoria e tretë deri te ndeshjet kryesore… Po ashtu duket se ka një armiqësi mes FSHF-së dhe tifozerive?!

Nuk është personale. Shoqëria shqiptare është ndërtuar në mënyrë të tillë. Të gjithë kërkojnë rezultatin në momentin që nuk arrihet rezultati fillojnë këto…Fatkeqësisht edhe fëmijët 12 vjeç shkojnë e vënë një skedinë atje Barcelonën 1000 lekë. E humbin atë 1000 lekshin dhe thonë Mesi e shiti, kështu që e njëjta gjë me të gjitha ekipet në momentin që nuk arrijnë gjë, nuk fitojnë gjë, atëherë kërkojnë të gjejnë shkaktarin dhe shkaktari është organizatori Federata e Futbollit…

Jam shumë i sigurt që gara në Shqipëri është në kufi të normales së futbollit është mbi mesataren  në gjykimin dhe drejtimin e gjithkush merr atë që meriton. Jam shumë i sigurt për këtë realisht.

Megjithatë ka ndeshje të fiksuara?! Unë nuk besoj te konspiracioni, te teoritë që çdo ndeshje është e pisët, por ka ndeshje të lëna, të fiksuara?!

Ndeshjet e fiksuara janë një problem real i futbollit. Është një problem në tërë botën dhe është një nga gjërat më të dëmshme. Në Shqipëri ka ardhur vonë si fenomen, edhe pse paragjykimi i rezultatit ose lënia e ndeshjeve ka ekzistuar për sa ka ekzistuar futbolli, por nuk ka qenë për lekë.  Në momentin që është për lek domethënë  që ndeshjet mund të fiksohen dhe kjo në Shqipëri ka ardhur vonë, kur ndeshjet filluan të kuotohen. Tani edhe kjo ka dy anë medaljesh sepse kuotohesh se je i besueshëm, kur je i pabesueshëm nuk të kuoton njeri. Megjithatë ka ardhur në përmirësim, numri i ndeshjeve të dyshuara para 3-4 vjetësh në krahasim me sot.  Sot është 100 herë më i vogël numri i ndeshjeve të dyshuara në Shqipëri, le të themi në kampionatin aktual nuk janë më shumë se 3-4. E vetmja gjë që mund të bësh për këtë është të përpiqesh ta ndalosh përmes rregullave. Një kampionat si ky me pak ekipe të lë shumë pak mundësi për të lënë ndeshjet, pasi të gjitha ekipet janë në garë për diçka.

***

Numri i fëmijëve që luajnë futboll është rritur me mijëra pasi kombëtarja u kualifikua në Europian. Një ndryshim që vështirë të kuptohet nëse nuk je duke e ndjekur, por Duka e di që kushtet për këtë janë të pakta. Një sipërmarrës vete kreu i FSHF-së beson se sipërmarrja është një zgjidhje e mirë për sportin edhe për biznesin.

Ka mungesa, realisht ka mungesa terreni, por aq sa fëmijët duan të luajnë futboll kemi shumë mungesa inventari fizik. Domethënë është një gjë që nuk mund ta zgjidhë realisht një federatë futbolli, një federatë nuk mund të merret me investime në terrene. Dhe që të mendojmë për një të ardhme të mirë për futbollin Tirana duhet të ketë 50 fusha futbolli… Në qoftë se ky popull do të jetoj shëndetshëm.

Si e shikoni projektin për stadiumin e ri?!

Shiko unë po ta shihja, jo si president i federatës por thjesht si sportdashës ajo gjëja që do të më interesonte më shumë do të ishte që të jetë një stadium i mirë dhe komod për mua dhe për skuadrën, por në të njëjtën kohë të jetë një stadium një objekt që t’i rrijë mirë vendit… Unë mendoj që ai objekt i plotëson këto dy kritere që do të më interesonin mua si pjesë e qytetit apo si pjesë e kësaj shoqërie, por nuk besoj se e kanë parë me këtë këndvështrim (ata që e kundërshtojnë) më vjen shumë keq, ka shumë njerëz që e shohin sa biznes ka prodhuar dhe nëse ai biznesi do fitojë apo jo… Po le të fitojë. Për mua, brenda koncepteve të mia, çdo organizatë dhe çdo individ duhet të fitojë sa më shumë aq më shumë zhvillim ka.

Jam shumë i sigurt që çdo fitues që të prodhohet  do të kishte këtë përballje, për mua projekti është shumë i mirë. E rëndësishme është siç thashë, sportivisht është shumë i mirë dhe si objekt është shumë e mirë. Nëse investitori do të fitojë unë do të kënaqem më shumë.

Emri i stadiumit do të ruhet, apo do kemi një ripagëzim si ai i Elbasanit?

Nuk është në dorën time, por nëse do mendimin tim, nuk kemi luksin dhe nuk jemi aq shumë të pasur saqë mos ta komercializojmë një gjë e kemi në dorë.  Megjithëse edhe ekipe të pasura  si Bajerni, prapë e kanë komercializuar.

A ju ka ndihmuar të qenit në biznes në një pavarësi nga shteti nga politika?!

….Tani të them të drejtën unë  në ditën e parë që kam shkuar në federatë, ajo ishte pothuajse 100% e varur, rrogat i merrte nga shteti dhe gjëja e parë që kam bërë kur kam ndërruar zyrat kam ndërprerë dhe marrjen e rrogave nga shteti.

Po si është rregulluar kjo?

Vet me të ardhurat tona domethënë të ardhurat në buxhetin total. Kemi gjetur një sponsor në 2002. Unë kam gjetur në 2002 të ardhurat nga biletat e sportit 0 sot marrim shumë të ardhura nga biletat. Kur kam ardhur në 2002 federata shqiptare e futbollit paguante televizionin shqiptar për të transmetuar ndeshjet përkundrazi unë vendosa që nuk jap ndeshje po nuk më paguan. Po dhe kam pasur luftë në atë kohë dhe për këtë kam qenë person shumë i sulmuar. Kështu ne tani marrim 0 lekë nga shteti ne vetëm i japim lekë shtetit. Ça do të them tjetër, në fillim ne e kemi pas blerë edhe bluzën e kemi pas blerë me lekë, kurse sot unë jo vetëm që nuk e blej bluzën po nga kontrata që kam sot me kompaninë  fitoj afërsisht për një periudhë 6 vjeçare  6-7 milionë euro ose rreth 1 milionë e gjysmë euro në vit.

De Biasi mund të transferohet?! A keni ju një listë trajnerësh për zëvendësimin?!

Realisht jo tani. Fare, fare. Për mua janë hamendje kam dëgjuar shumë hamendje mediatike, nuk më shërbejnë për ato objektivat që kam unë dhe futbollit shqiptar sot. Te ne është arma kryesore dhe më e rëndësishme përqendrimi, kështu që një njeri që nuk përqendrohet, ose një ekip që nuk përqendrohet humb. Ne nuk do shkojmë me humbur, atje do shkojmë për të fituar dhe duhet që të përqendrohemi dhe kjo do të thotë që të mos mendojmë gjëra të tjera, duke filluar nga unë i pari trajneri dhe futbollistët. Jam mjaftuar me një fjalë të trajnerit kur e kam dëgjuar mediatikisht: “Jo do iki në Itali” etj, e kam pyetur dhe më ka thënë: “Nuk kam kontaktuar me asnjë dhe kështu që jam i përqendruar 100% madje 150% në Evropian”. Janë hamendje, të mbarojë njëherë Europiani. Gjithmonë në futboll duhet menduar për ndeshjen e radhës, në aktivitetin e radhës. Tani tamam- tamam duhet menduar për Zvicrën dhe pas Zvicrës Francën. Sepse po të rrimë të mendojmë se ku do të shkoj Loriku apo ku do shkoj De Biasi më mirë të mos shkojmë fare.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mamaja e një nxënëseje kritikon mësuesin e notit: Mbuloje gjoksin

Mamaja e një nxënëseje kritikoi mësuesin e saj të notit pasi kishte...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.