Rrëfimi nga kampi i Tepelenës: Na përdorën si kavie sprovash për të parë se sa qëndronte organizmi njerëzor

Ish-banor i kampit të dëbimit të Tepelenës dhe kampit të burgut të Spaçit, Eugjen Merlika sjell dëshminë e tij të vuajtjeve dhe gjendjes në kampin famëkeq duke iu përgjigjur debatit që shkaktoi deklarata e historianit Pëllumb Xhufi, referuar një dokumenti të CIA-s

Nga Eugjen Merlika

Si një ish-banor i kampit të dëbimit të Tepelenës dhe i kampit burg të Spaçit, u shtanga kur lexova intervistën e prof. Pëllumb Xhufit në “Panorama”. Që në fillim ai bën një pohim tepër të guximshëm, kur shprehet: Unë kam vënë re që ka pasur një tentativë mistifikimi të historisë së kampit të Tepelenës. Nëse do t’i vinim termit “mistifikim” fjalën përkatëse shqip “mashtrim”, do të arrinim në përfundimin se të gjithë ata që kanë folur e dëshmuar në këta 27 vite pas komunizmi për përvojën e tyre të jetës në kampin e Tepelenës në vitet 1949 – 1953, duhet të kenë patur një strategji të parafabrikuar, për të nxirë sa më shumë një faqe “të lavdishme” të periudhës komuniste, siç ishte ajo e pesë viteve të ekzistencës së atij kampi.

Sinqerisht, më duket jashtë çdo lloj arsyeje një pohim i tillë. Jo vetëm që nuk ka asgjë të shtuar në rrëfimet e ish-banorëve fatkeqë të kampit të Tepelenës, por ajo që është treguar e shkruar mbetet maja e ajsbergut e atij tmerri që ka qenë ajo përvojë e lemerishme. Aq është e vërtetë saqë oficerë, edhe madhorë, të Ministrisë së Brendshme, në kohët e fundit para prishjes së kampit, iu thoshin të internuarve se “është faji i juaj që nuk jeni ankuar, mbasi ne nuk i kemi ditur këto gjëra”. Sigurisht, kishte një prirje të theksuar, në ato raste, për të larë duart si Ponc Pilati nga katrahura njerëzore e atij kampi, bëmat e brendshme e të cilit ata i njihnin shumë mirë, sepse i urdhëronin vetë.

Por nëse mund të kuptohet prirja për të mos marrë mbi shpinë krimet e Tepelenës më 1953, më duket krejtësisht e papranueshme që, mbas 65 vitesh, një profesor historie të padisë për mashtrues të gjithë dëshmitarët që kanë folur për jetën në kampin e Tepelenës. Akoma më cinike e djallëzore është përpjekja për të mbështetur tezën e tij mashtruese në një apo disa dokumenta të CIA-s, që shërbehen sikur të ishin fletë të Ungjillit. Për më tepër, kjo strategji nuk ka qëllim tjetër, veçse të mashtrojë nga katedra e historisë zyrtare ata shqiptarë, që janë shumica, e që nuk e njohin atë përvojë. Shpjegimi i tij, mbi arsyet e krijimit të kampit të Tepelenës, është lehtësisht i kundërshtueshëm edhe me logjikën e një fëmije.

Qëllimi i krijimit të tij ishte për të zhvendosur familjet e të arratisurve politikë dhe që futeshin nga Jugosllavia vazhdimisht të armatosur, në mënyrë që të mos shërbenin si bazë për këto banda, të cilat do të përdornin këto familje si baza, si strehë për të vazhduar më tej misionin e tyre”.

Sa është i pavërtetë ky pohim, mjafton të kujtojmë se në Shqipërinë komuniste ekzistonin 23 burgje dhe 48 kampe internimi, të cilët kanë filluar nga funksionimi që në ditët e para të vendosjes së regjimit. Madje në dokumentat e arkivit të Ministrisë së Brendshme gjendet edhe një shkresë urgjente e vitit 1944, gjatë ditëve të luftës së Tiranës, me anën e së cilës Enver Hoxha urdhëronte : Të organizohen burgjet dhe fushat e përqëndrimit. Dhe të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhëti të naltë dhe bashkëpunim të haptë me okupatorin dhe gjithashtu me kriminelët e dorës së parë. Të gjithë robërit të mblidhen në kampin e përqëndrimit…

Kampet e përqendrimit dhe burgjet ishin synimi i parë për të cilin duhej të kujdesej regjimi i “çlirimtarëve”. Megjithatë profesori kërkon të bindë me logjikën e “historisë së historianëve”, se ai kamp ishte një gjë e rastësishme e krijimi i tij ishte i kushtëzuar nga veprimtaria e të arratisurve. Madje ai nuk mban parasysh se po të ishte ashtu, familjet në vend që të çoheshin në Tepelenën e veçuar do të liheshin në vendin e tyre e do të shërbenin si karrema për të kapur të ashtuquajturit diversantë. Në të vërtetë ai kamp u krijua në kushtet më të papërfytyrueshme të jetesës, jo thjesht për të strehuar aty familjet e të arratisurve, të cilat si praktikë liroheshin sapo këta të fundit arrestoheshin apo vriteshin, por për të mbyllur aty familjet e të gjithë atyre, nga veriu e jugu i Shqipërisë, që nuk u pajtuan me komunizmin, duke i kthyer në kavie sprovash për të parë se deri ku mund të qëndronte organizmi njerëzor. Pra, shpjegimi i profesorit nuk ka asnjë bazë vërtetësie, por shërben për të përligjur tezën e tij se ai kamp ishte një domosdoshmëri e rrethanave të kohës, e jo një shprehje e mizorisë së pashembullt të enverizmit shqiptar.

Profesori “human” është i shqetësuar se pohimet e së vërtetës së kampit të Tepelenës dhe krahasimi i tij me Aushvicin fyeka kujtesën e hebrenjve. Asgjë më hipokrite nuk mund të përfytyrohet, mbasi asnjë i përndjekur nuk mund të fyhet se dikush tjetër ka provuar përvoja të ngjashme me të tijat. Qëllimi i profesorit është i qartë: të mos flitet për Tepelenën që ka qenë emblema e terrorit komunist shqiptar, të minimizohet Tepelena që, me kohë, të fillojë rehabilitimi i gjithë sistemit shtypës, së paku të mos quhet më i keq se gjithë sivëllezërit e tij të Lindjes komuniste. Jam plotësisht i një mëndje me profesoreshën e nderuar të historisë, zonjë Enriketa Pandelejmoni, kur ajo shprehet: Sot, në 27 vjet post-komunizmi, në Shqipëri vihet re një revansh ndaj ish të përndjekurvet dhe viktimave të komunizmit, për të mohuar e lënë në harresë krimet dhe dhunën e ushtruar gjatë 1944 – 1990.

Zëdhënës e madje teoricien i këtij revanshi bëhet edhe Xhufi, nëpërmjet intervistës së tij. Kaq bajat është roli që ka marrë mbi vete, sa që nuk kursehet të huazojë shprehjen e famshme të romakëve të lashtë “divida et impera”: Për të bërë një pasqyrë dhe një rishikim të historisë së diktaturës, të restauroheshin burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, për mua, ata janë dy simbolet e represionit komunist. Në këtë kuptim më duket se ka një shpërpjesëtim, por edhe një dhunë dhe padrejtësi që u bëhet të gjithë atyre të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve edhe kanë vdekur në këto dy burgje.

Është neveritëse kjo përpjekje e profesorit komunist për të futur një pykë në mes të viktimave të sistemit të tij, duke u shtirur sikur i vjen keq se po i cenohet “e drejta” e një pjese në dobi të një pjese tjetër. Është një përpjekje cinike dhe trashamane për të vënë kundër njëri-tjetrit njerëz që kanë vuajtur njësoj nga një diktaturë për të cilën të gjithë ata ishin vetëm numra. Nuk ka asnjë dhembshuri në shpirtin e profesorit për një pjesë të tyre, ka vetëm një qëllim të fshehtë për të shkatërruar kujtesën e Tepelenës e për të “ngritur” ato të Burrelit e Spaçit. Kjo vjen jo se atij i vjen keq për ata që vdiqën në Spaç e Burrel, por duke i dhënë përparësi këtyre burgjeve si dëshmi e dhunës komuniste, të vijë pastaj në përfundimin se ata ishin e vetmja fytyrë e vërtetë e asaj dhune, për të shkuar më tej në përpjekjen e rehabilitimit, duke i quajtur të njëjtë me të gjithë burgjet e Vendeve të tjera.

Harron, apo shtiret se harron se ka një ndryshim të madh ndërmjet objekteve të krahasimit të tij. Tepelena ka qenë kampi simbol me tela me gjemba, në të cilin ishin mbyllur mijëra gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, mbi të cilët nuk rëndonte asnjë vendim gjyqësor, për pasojë dhuna e ushtruar mbi ta nuk kishte as minimumin e ligjshmërisë. Si e tillë ajo bëhet objekt për t’u asgjësuar në kujtesë, mbasi në atë rast nuk ka asnjë argument që të përligjë, sado pak, paligjshmërinë e plotë të vetë ekzistencës së kampit.

Për t’i ardhur në ndihmë vetes, në projektin e tij djallëzor, autori i intervistës huazon, nuk dihet se nga, ndofta nga arkiva e CIA-s, një gënjeshtër të madhe sa një mal, i beson edhe vetë asaj e ua servir lexuesve të Panoramës apo teleshikuesve të Ora News, si një të vërtetë që i vihet përballë kujtesës së Tepelenës: “Po ka patur edhe një kamp në Maliq, por kushtet aty ishin shumë më të këqija se kampi i Tepelenës, gjithmonë sipas raportit të CIA-s”. Do të mjaftonte vetëm ky pohim që nuk i përgjigjet së vërtetës, mbasi ai kamp nuk ka ekzistuar asnjëherë, për të shumëzuar me zero të gjithë impiantin mashtrues dhe djallëzor të intervistës së profesorit. Nëse ai zotëri do të kishte me të vërtetë qëllimin e të shkruarit të historisë së vërtetë, do t’u ish drejtuar arkivave e të sigurohej nëpërmjet dokumentave mbi argumentet e tij. Madje ai mëton se ka qenë vetë në ish-kampin e Tepelenës dhe atje ka gjetur dy kazerma me tulla, ndërsa e vërteta është se aty kanë qenë pesë kazerma, në secilën prej tyre banonin 500 vetë, me vetëm 60 cm gjerësi për secilin. Nuk e di a i ka shkuar ndër mënd profesorit të pyeste se si bënin 2000 apo 2500 njerëz për të kryer nevojat e tyre me vetëm dhjetë banjo…..

Por atij dëshmitë e dokumentat e vërteta që boton Kastriot Dervishi nuk i interesojnë, sepse i duken “më të plotfuqishme” e më “të padiskutueshme ata” të CIA-s. Pa dashur të vë në diskutim saktësinë e veprimtarisë së CIA-s, mendoj se ata dokumenta, në lidhje me kampin e Tepelenës, për të cilët Xhufi thotë se “vinin nga dorë e parë ”, e cila mund të ketë qenë ajo e oficerëve të sigurimit shqiptar, mbasi të tjerët e kishin absolutisht të pamundur komunikimin me shërbimin amerikan, janë tepër të diskutueshme, për të mos thënë se janë pallavra. Përforcohet ky mendim kur, sipas profesorit, aty bëhej fjalë dhe për “orare të zbavitjes, apo çlodhjes”. Është një tallje mizore me vuajtjet e ish-banorëve të kampit, si i nënshkruari, fakti që të tilla gënjeshtra gjejnë vend në faqet e mediave të sistemit demokratik shqiptar edhe mbas më shumë se një çerek shekulli të tjetërsimit të regjimit.

Duke u kthyer te pohimi i Xhufit për kampin e përfytyruar të Maliqit, më duhet të përcaktoj se kampet e Maliqit si Vloçishti, Orman Pojani dhe Maliqi kanë qenë kampe të punës së detyruar për të burgosurit, e kanë funksionuar në periudhat mars – nëntor 1948, prill – nëntor 1949, maj – nëntor 1950. Në mars 1951 u krijua kampi n° 1 në Podgorie, i cili u largua në shtator të atij viti në Gosë të Kavajës, më pas në Rinas e në vitin 1954 u vendos në Bulqizë me numrin 301.

Nga kjo katedër mashtrimi të provuar profesor Xhufi qorton dhe i bën vërejtjet e tij Autoritetit për Informimin, ish-të përndjekurve politikë, kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, madje edhe ndonjë studiuesi të njohur, që mbart “mëkatin” e “botimit të dokumenteve”. Nga po ajo katedër ai jep vendimet e tij të paapelueshme se “Çdo krahasim i realiteteve të tjera represive, siç është edhe kampi i Tepelenës, me kampet e tjera të shfarosjes në masë, është antihistorike e spekulative”!!!

Prirja e tij për të zvogëluar apo asgjësuar të vërtetën historike për kampin e Tepelenës, nuk është vetëm një fyerje e përbindshme për viktimat e pafajshme të asaj mynxyre, por edhe një dhunim i papranueshëm i së vërtetës historike të shqiptarëve. Në një farë mase është vazhdim i ushtrimit të dhunës me mjete të tjera, kësaj radhe “akademike”, nga po ata njerëz që e ideuan dhe vunë në zbatim gjatë gjysmë shekulli turpin shqiptar të kampit të dëbimit të Tepelenës.

*Titulli është redaksional, titulli origjinal është: Dhunimi i kujtesës historike

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse bashkimi kombëtar i shqiptarëve i frikëson të gjithë?

Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është zgjidhje për stabilitet dhe prosperitet në...
Read More