Rrëfimi unik i Lukakut: Uria më ka dhënë forcë, mos u tallni kurrë me atë që vuan nga varfëria!

Nga Anversa, në banesat e të varfërve, te prozhektorët e Botërorit, ku ka magjepsur me dy golat e shënuar dje ndaj Panamasë. Romelu Lukaku ia ka dalë vetëm falë vullnetit të fortë të lërë pas një fëmijëri të tmerrshme.

E ka treguar historinë e jetës së tij në çdo detaj lojtari i Belgjikës, duke folur për “Players Tribune”. Nga rrëfimi i tij mund të mësosh kuptimin e plotë të fjalës “rilindje” dhe se çfarë do të thotë të kesh forcë dhe dëshirë për të realizuar ëndrrat.

“Mbaj mend momentin ekzakt, kur kuptova se ishim të varfër, por jo thjesht të varfër. Isha 6 vjeç dhe kur u ktheva nga shkolla në shtëpi, pashë nënën time duke qarë. Menuja e drekë ishte si e ditëve të mëparshme: bukë dhe qumësht, i shtuar me ujë. Ishte gjithçka që kishim. Foton e nënës time pranë frigoriferit e kujtoj çdo ditë.

Në atë moment u betova se do të bëja gjithçka që të mos e shihja më nënën time në ato kushte. Babai im ishte lojtar profesionist, po nuk luante më. Nuk kishim më lekë. U zhduk televizori dhe nuk shihja më futboll, më pas na hoqën korrentin për javë të tëra. Edhe uji më pas. Dushin e bëja në pellgjet rrugës. I thashë nënës se do të ndryshonte çdo gjë.

I kërkova babait se kur mund të luaja si profesionist. ‘16 vjeç’ – më tha dhe me vete mendova se atë ditë bota do të ndryshonte për ne. Kur isha 11 vjeç, nisa të luaj me Liezhin dhe dëgjoja prindërit e lojtarëve të tjerë, të cilët ankoheshin se isha më i madh në moshë. Dyshonin dhe më thoshin se nuk isha belg. U përgjigjesha: ‘jam belg, i lindur në Anversë’.

Kjo gjë më dha më shumë forcë. E vetmja gjë që doja ishte që t’i çoja kundërshtarët në shtëpi duke qarë. Nga ajo kohë, objektivi im ishte një: të bëja histori në futbollin belg. Nuk mendoja thjesht të isha mes më të fortëve, por të isha më i miri. Kujtoja që nuk mund të shikoja Championsin në tv, kujtoja si më shikonin prindërit e lojtarëve të tjerë.

Kur isha 12 vjeç, kisha shënuar 76 gola në 34 ndeshje. Vura një bast me trajnerin e ekipit U-19 të Anderlehtit: më lër të luaj dhe do të shënoj mbi 25 gola deri në dhjetor. Nëse nuk e bëj, do të rri në stol. Ai qeshi, sepse, nëse do ta bëja, duhej të pastronte gjithë autobusët që klubi përdorte për të sjellë fëmijët në stërvitje, do të gatuante për gjithë skuadrën çdo ditë. Më 25 nëntor po hanim të gjithë gatimet e tij.

Trajneri i ekipit të parë më telefonoi dhe më tha të ngrihesha nga divani, sepse më kishte grumbulluar. Nuk e besoja. Më aktivizoi në minutën e 63-të dhe po më dukej vetja në parajsë. Humbëm finalen, por kuptova se kisha fituar bastin tim”.

Më pas historia dihet, e ardhmja në Premier League, aktualisht me Mançesterin Junajtid, që e bleu për 85 milionë euro. “Leksioni është një dhe vetëm një: nuk duhet kurrë të tallesh me një të varfër, me një që ka luftuar varfërinë dhe ka vuajtur për të ngrënë”, – ka përfunduar Lukaku. / Vipsport.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama: A ka budalla që beson se SHBA/BE duan të mbyllin dosjet??!!

Pas deklaratës së kryetarit demokrat, Lulzim Basha për Kryeprokurorin e përkohshëm, ka...
Read More