Rreshtimi gjeopolitik i Shqipërisë duhet të jetë i qartë dhe i vendosur

Nga Ervis Iljazaj – Dje, shteti rus ka dëbuar dy diplomatë të Shqipërisë nga territori i saj, si kundërpërgjigje ndaj aktit të shtetit shqiptar në kuadër të fushatës diplomatike që ndërmorën shtetet anëtare të NATO-s kundër diplomacisë ruse, si shenjë proteste për akuzat që erdhën nga Britania e Madhe për helmimin e një agjenti sekret.

Asnjëherë më parë nuk ka patur një reagim të tillë masiv kundër Rusisë nga ana e Perëndimit. Në këtë kuptim ky aksion përbën një fitore diplomatike për të gjitha vendet anëtare të NATO-s, që pa asnjë hezitim, në pjesën më të madhe të tyre iu bashkëngjitën thirrjes së Britanisë së Madhe.

Reagimi i Rusisë ishte i pritshëm, edhe për diplomatët shqiptarë që iu komunikua nga organet ruse largimi nga territori i saj. Megjithatë asnjë pendesë nuk duhet të ketë Shqipëria për këtë veprim, përkundrazi duhet përshëndetur, pasi tregoi qartësisht se në betejat dhe aleancat gjeopolitike , është plotësisht përkrah vendeve perëndimore dhe NATO-s.

Pati shumë zëra në opinion publik, që e konsideruan këtë veprim të diplomacisë shqiptare si të nxituar, ose më saktë, si një hap që nuk duhet ta ndërmerrte për të mos acaruar marrëdhëniet me një fuqi botërore si Rusia.

Në radhë të parë dëbimi i diplomatëve rusë nuk do të thotë që Rusia është shtet armik i Shqipërisë, por është larg të qenit aleat strategjik. Kështu që, gjithmonë në politikën ndërkombëtare nuk ka vend për paqartësi gjeopolitikë. Dhe, në këtë rast, shteti shqiptar tregoi qartësinë e detyruar gjeopolitike.

Ndoshta nuk kanë shumë rëndësi aktet që ndërmarrim ne në këtë drejtim, duke qenë se jemi një fuqi fare e papërfillshme në lojën gjeopolitike, por veprimi tregoi qartë rreshtimin properëndimor të politikës shqiptare, dhe pa asnjë hezitim.

Tashmë, debatet me ndikimet ruse në Ballkan dhe në Shqipëri, nuk janë një tabu apo një fantashkencë, por një politikë e prekshme dhe një betejë që zhvillohet me të gjitha mjetet, dhe çdo ditë e më shumë verifikohet një gjë e tillë. Në këtë kuptim, politika shqiptare duhet të ketë një rreshtim të qartë gjeopolitik.

Në fakt, asnjëherë politika shqiptare nuk ka patur hezitim për t’u rreshtuar në mënyrë të qartë pro aleatëve amerikanë dhe perëndimit, edhe pse debatet apo teoritë konspirative nuk kanë munguar. Sa herë që kanë qenë momente vendimtare, për zgjedhje të tilla, vendimet e politikës shqiptare, si në këtë rast, nuk kanë qenë aspak hezituese.

E megjithatë, duhet patur kujdes në raporte me shtetin rus. Rusia nuk është aleat strategjik i Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë që është shtet armik i saj. Në këtë kuptim, marrëdhëniet me të, janë po aq të qarta sa dhe delikate.

Shqipëria, edhe pse roli i ndërkombëtarëve, sidomos i Shteteve të Bashkuara, shpeshherë anatemohet apo edhe më keq, kritikohet, nuk mund të bëjë pa ndikimin e tyre. Nëse ka një gjë që duhet të vlerësojë dhe duhet t’i jetë mirënjohës, është pikërisht misioni ndërkombëtar këtu te ne, pa të cilin nuk mund të imagjinohet se në çfarë gjendjeje mund të ishim sot.

Kështu që për të gjitha këto arsye, jo vetëm që roli i ndërkombëtarëve nuk do të ulet në politikën e brendshme shqiptare, por përkundrazi, gjithmonë e më shumë do të jetë prezent, dhe, sa mirë që është kështu!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Çfarë thuhet në vlerësimin e CIA-s për Shqipërinë?

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur për mediat këtë të...
Read More