Rreshtimi pro amerikan i elitës politike shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Kush kishte dyshime se politika amerikane do të ndryshonte në Ballkan pas ardhjes në pushtet të Donald Trump, tashmë është i bindur se asgjë nuk ka ndryshuar. Rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për politikën e jashtme amerikane, ajo e ka shprehur së fundmi me takimet intensive dhe qëndrimet që ka mbajtur gjatë zhvillimeve të fundit politike në këtë rajon, duke filluar që nga Maqedonia e deri te Mali i Zi.

Këtë e tregoi dhe takimi që po zhvillohet në Malin e Zi nga zv.Presidenti amerikan me liderët e Ballkanit Perëndimor. Edhe njëherë Mike Pence theksoi politikën amerikane në këtë rajon.

Në muajt e fundit Ballkani Perëndimor kaloi trazira politike të cilat rrezikonin të ktheheshin të rrezikshme për gjeopolitikën ballkanike për shkak të influencës ruse në këto vende. Edhe njëherë ndërhyrja amerikane tregoi se vështirësisht ajo mund të tërhiqet nga ky rajon.

Në këtë mënyrë është treguar qartazi se Ballkani do të vazhdojë të jetë nën influencën amerikane dhe për asnjë arsye nuk mund të rrezikohen marrëdhëniet e këtyre vendeve me të.

Dihet që Ballkani perëndimor, sidomos kohët e fundit ka qenë një luftë e ftohtë midis Rusisë dhe Amerikës, dhe në të gjithë këtë betejë, ka patur politikanë të rëndësishëm të këtij rajoni që shpeshherë për interesa të mirëfilltë politikë i kanë shkelur syrin Rusisë.

Një gjë e tillë mund të mendohej se ekziston edhe në Shqipëri. Sigurisht që dhe këtu te ne mund të ketë politikanë apo shtresa të caktuara të shoqërisë që preferojnë ndikimin rus kundrejt atij amerikan. Por, më së paku, elita politike shqiptare duket se është rreshtuar plotësisht pro politikës amerikane. Këtë e kanë treguar me qëndrimet e tyre si lideri i opozitës, po ashtu dhe kreu i qeverisë.

Në këto 25 vite tranzicion, Shqipëria dhe klasa politike e saj, qoftë për interesa apo për vlera në të cilat beson nuk ka patur asnjëherë mëdyshje për sa i përket aleancës së saj me Amerikën.

Që nga koha e vizitës së parë në Shqipëri pas rënies së komunizmit, të Beker, e deri te takimi që po zhvillohet këto ditë në Malin e Zi, të majtë apo të djathtë qofshin, janë rreshtuar plotësisht pro aleatëve amerikanë.

Shqipëria, për faktin se është një vend i rëndësishëm dhe faktor stabiliteti në këtë rajon, për shkak se numri i shqipfolësve që jetojnë aty është i madh, ka qenë gjithmonë një korsi preferenciale në marrëdhëniet gjeopolitike. Mjafton të përmendim pavarësinë e Kosovës, për të kuptuar se jemi një vend me fat që kemi një aleat tradicional si Amerika.

Nuk është e sigurt se si do të vinte fati i Shqipërisë politike gjatë tranzicionit nëse do të mungonte mbështetja amerikane, por e sigurt është se pa mbështetjen e saj faktori shqiptar në Ballkan nuk do të ishte i mirëpritur nga fqinjët pa insistimin e fortë të amerikanëve.

Pra, marrëdhëniet bilaterale midis Amerikës dhe Shqipërisë kanë qenë të anasjella.

Megjithatë, rreziku nga ndikimi rus në Shqipëri vazhdon të ekzistojë. Forca të ndryshme politike dhe shoqërore janë aty, gati sa herë që i lipset për të patur akses në majat e pushtetit të bëjnë aleancë me djallin. Andaj, meritë të padiskutueshme ka vendosmëria e elitës politike ekzistuese që vazhdon të përkrahë politikën amerikane në Ballkan. Këtë gjë e vërtetuan si Reforma në Drejtësi, po ashtu dhe marrëveshjet midis opozitës dhe mazhorancës gjatë periudhës së krizës politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka motor ekonomik programi i “Rama 2”?

Premtimi më ambicioz i qeverisë është rritja ekonomike në nivelin 5,5-6 %...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.