Rrethi Liberal i Dardhës vë alarmin për taksat e larta dhe të shumta

Takimi i Rrethit Liberal të Dardhës për 2017–ën i ka rënë vetëm një kambane: efektit shkatërrimtar të vazhdimit të politikës së taksës progresive, taksat e shumta dhe në përgjithësi rritja e pandalshme e listës dhe e përqindjes së taksave në raport me biznesin shqiptar, tashmë për të pestin vit të qeverisjes së socialistëve

Siç është bërë tashmë traditë prej vitit 2013, në fundjavën që shkoi të tetorit, në hotel “Dardha” në fshatin Dardhë të Korçës, u zhvillua edicioni i katërt i Rrethit Liberal të Dardhës, në një grup aktivitetesh si prezantime, takime, biseda, diskutime dhe një sesion shkencor –në bashkëpunim me departamentin e Financës dhe të Menaxhimit në Universitetit Europian të Tiranës –që kësaj here kishte si temë “Të rimendojmë taksat”. Aktiviteti kishte si çdo vit figura ndërkombëtare, ku kësaj here ishte i ftuar Mark Crawford nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, sipërmarrësi Olsi Çukaj i grupit “Bolv Oil”, pedagogë, lektorë dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit.

Në konferencën e ditës së shtunë, më shumë se 10 punime të profesorëve dhe asistentëve, nga Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Tiranës dhe nga shoqatat e biznesit, trajtuan dhe analizuan gjerësisht situatën e taksave në Shqipëri, ecurinë 20 e ca vjeçare , ndryshimet e shpeshta në politikën e taksave në tarifa, por mbi të gjitha kontekstualizuan rritjen e pandalshme të taksave, prej vitit 2012, me futjen e kulturës së taksës progresive. Po ashtu, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, një listë e madhe taksash i shtohet vazhdimisht ngarkesës së biznesit dhe konsumatorit shqiptar dhe tashmë mund të nxirren rezultatet se rritja apo efektet e këtyre taksave jo vetëm që nuk kanë qenë pozitive në shoqëri, por janë tashmë negative.

Shumë lektorë i panë taksat nga këndvështrime të ndryshme dhe në fund, Rrethi Liberal i Dardhës doli me një “Position Paper” apo me një qëndrim, ku kërkohet urgjentisht një rikonceptim i sistemit të taksave në Shqipëri, i nivelit, i qëllimit dhe i mirëpërdorimit të tyre.

Ditën e diel, në forumit e Rrethit Liberal të Dardhës, prof. Luljeta Minxhozi, ish-kolege e Gramoz Pashkos -qysh prej vitit 1983 në Departamentin e Ekonomisë Politike të Kapitalizmit, në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës “Enver Hoxha” –evokoi momente nga puna me kolegun Pashko brenda departamentit, natyrën, kapacitetin e tij shkencor, karakterin e veçantë, të cilin e quajti me një fjalë të përbashkët “atipik”. Po ashtu, Minxhozi përmendi momentet novatore të profesor Pashkos brenda departamentit dhe në përgjithësi në shkencën ekonomike në fillimvitet ’90, kur po ngjizej mendimi i ri ekonomik i tranzicionit apo i periudhës postkomuniste. Profesoreshë Minxhozi rrëfeu me detaje se si në fund të viteve ’80 dhe fillimviteve ’90 , ekonomistët dhe profesorët e Universitetit të Tiranës u ndanë më së shumti në gradualistë dhe liberalë, duke përqafuar dy shkolla dhe dy rryma ekonomike, të cilat u bënë konkurruese dhe janë debatuese në një debat që vazhdon edhe sot.

Po ashtu, anëtari i bordit të Institutit Europian Pashko, Mustafa Nano, në atë kohë një prej aktivistëve politikë të opozitës, përfaqësuar nga Partia Demokratike, kujtoi taksimin e parë me të ndjerin Gramoz Pashko, vizitën në bodrumin e tij, në fillimvitet ’90 dhe momente të tjera që folën dhe rreth karakterit të veçantë të Pashkos, që sipas Nanos, nuk ishte pjesë e “kallaballëkut” shqiptar.

Forumi i Dardhës, i cili ka një pjesëmarrje mikse me pedagogë, studentë, aktivistë të shoqërisë civile, aplikantë të lirë, të rinj, përfaqësues nga bota e biznesit, shoqata të biznesit si edhe të ftuar ndërkombëtarë, mblidhet çdo vit si një formë e aktivizimit të lëvizjes liberale në Shqipëri, duke promovuar vlerat e lirisë, konkurrencës, tregut të lirë, kundër etatizmit, kundër populizmit dhe kundër pranisë së shtetit në ekonomi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ta pranojmë misionin shqiptar të Donald Lu deri në fund

Nga Ervis Iljazaj Sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.