Rreziku i djegies së mandateve, opozitën e shpëton vettingu i politikës

Bojkoti parlamentar i opozitës mund të çonte në djegien e mandateve të deputetëve më 19 janar të vitit të ardhshëm. Ngërçi që u zgjidh nga propozimi për vettingun në politikë. Opozita lajmëroi se do marrë pjesë në Parlament për të diskutuar mbi propozimet e Komisionit të Venecias, por pavarësisht se do shpëtojë nga djegia e mandateve paralajmëron se nëse nuk miratohet me ligj “vettingu në politikë” atëherë do i rikthehet bojkotit.  

Për herë të parë idenë e djegieve të mandatave në shenjë proteste kundër qeverisë, e hodhi ish-kryeministri Sali Berisha, por kjo masë “ekstreme” nuk gjeti përkrahjen nga pjesa tjetër e opozitës, përfshi dy liderët Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Situata po shkon drejt djegies së mandatave jo me dëshirë, por si pasojë e rregullores së Parlamentit. Në udhëzimin e Parlamentit përcakton se nëse një deputet nuk merr pjesë për gjashtë muaj në seancat parlamentare, ose në komisionet parlamentare, atëherë mandati u digjet. Në një situatë të tillë me bojkotin e opozitës, në mesin e muajit janar të vitit të ardhshëm rrezikohet t’iu digjet mandati pjesës së madhe të deputetëve, përfaqësues të PD-së dhe LSI-së. Për shkak se Kushtetuta dhe rregullorja e Parlamentit e përcakton qartësisht kur një deputeti i digjet mandati, opozita ka menduar të shpëtojë nga kjo masë duke përdorur çështjen e “vettingut në politikë” dhe diskutimit në Parlament të draftit pas mbërritjes së raportit nga Komisioni i Venecias. Kjo është bërë e ditur dje nga kryetari i grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho. “Ne do të jemi në Parlament, pasi është iniciativa jonë dhe do duhet të bisedojnë për modalitetet e implementimit. S’jemi të shqetësuar për mandatet tona, por të miratohet vettingu i politikanëve, që të mos ketë më politikanë që flenë me krimin, as në institucione qendrore, as në pushtetin vendor”, -deklaroi Spaho. Nëse nisma rrëzohet nga mazhoranca, numri dy i Partisë Demokratike lë të kuptohet se opozita do të vijojë të bojkotojë Parlamentin, duke paralajmëruar radikalizim të qëndrimit: “Nëse vullneti ekziston për ta miratuar, duhet t’i kthehemi normalitetit; nëse do e rrëzojë, do të vendosim për hapat e tjerë të cilët do të jenë më radikalë”. Dy ditë më parë Komisioni i Venecias paraqiti raportin ku pranoi problemin e lidhjes së politikës me krimin, i dha të drejtën opozitës për ta ngritur si shqetësim, por konstatoi mangësi në draftin e PD-së si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë teknik, për sa i përket institucionit që do kryejë vettingun në politikë. Gjithsesi një të “mirë” kjo çështje e pati, pasi opozita paralajmëroi se do marrë pjesë në Parlament, çka e shpëton nga djegia e mandateve, ndonëse nuk parashikohet zbutje e klimës politike dhe konfliktualiteti dhe bojkoti parlamentar i opozitës mund të vijojë.

Janari, “fundi” i mandateve opozitare?!

Duke u llogaritur ditët që janë jashtë institucionit të Parlamentit të zgjedhurit e opozitës mund të rrezikojnë mandatet. Ky variant ishte i mundshëm nëse kryeparlamentari Gramoz Ruçi, që deri më tani i përmbahet rregullores me përpikëri, mund të merrte “makinën llogaritëse” dhe në fund të dalë në përfundimin se opozita do pushojë së funksionuari në Parlament, pasi mandatet do u digjen. Kjo “aritmetikë” mund të mos funksionojë vetëm në rast se opozita shkon në Parlament, qoftë edhe për pak kohë siç është rasti i diskutimit për “vettingun në politikë”. Nëse nuk do ishte ky variant i propozuar nga Komisioni i Venecias, atëherë më 19 janar të vitit të ardhshëm iu digjeshin mandatet shumicës së deputetëve të opozitës për shkak të bojkotit parlamentar. Më i rrezikuari ishte nënkryetari i PD-së Edi Paloka, i cili pjesëmarrjen e fundit në Kuvend e ka patur më 5 Korrik. Ndër shumë deputetë, në rrezik për djegie mandatesh mbetnin edhe drejtuesit dhe figurat kryesore të PD-së dhe LSI-së. Lulzim Basha, kryetari demokrat, ish-kryeministri Sali Berisha dhe drejtuesja e LSI-së Monika Kryemadhi, kanë shkelur për herë të fundit në Parlament më 19 Korrik. Por mes deputetëve, ka disa që nuk u cenohej mandati, pasi kanë qenë pjesë e komisioneve parlamentare apo të Këshillit të Legjislacionit, siç ishte rasti i kësaj të mërkure, të deputetëve Oerd Bylykbashi, Enkeljed Alibeaj, Gent Strazimiri, Nasip Naço, Edmond Haxhinasto dhe Silva Caka. Sipas përllogaritjeve të bëra për pjesëmarrjen e deputetëve në Seancat Plenare dhe Komisionet Parlamentare, sipas procesverbaleve të tyre, deputeti që rrezikon i pari të humbasë mandatin është nënkryetari demokrat, Edi Paloka. Ai ka qenë për herë të fundit në Kuvend në seancën e 5 korrikut, dhe e humbet mandatin në 5 janar. 28 deputetë të tjerë, përfshirë dhe tre njerëzit më të rëndësishëm, Bashën, Berishën e Kryemadhin, kanë qenë për herë të fundit në seancën e 19 korrikut, dhe mandati iu digjet në 19 janar.

Precedenti Topalli që do ndiqej nga Ruçi

Kushtetuta flet për mbarim të mandatit pas 6 muajsh mungesë pa arsye në Parlament. Nga opozita pretendohet se 30 ditët pushim të muajit gusht nuk mund të konsiderohen. Por, ekziston një precedent kur Parlamenti drejtohej nga nënkryetarja demokrate Jozefina Topalli. Në vjeshtën e vitit 2009, Partia Socialiste në atë kohë në opozitë, bojkotoi Parlamentin me argumentin se zgjedhjet ishin manipuluar, madje u fut edhe në grevë urie në një çadër të vendosur para Kryeministrisë. Pavarësisht përpjekjeve të saj për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar, por edhe mazhorancën, pozita e drejtuar nga PD dhe LSI në atë kohë ia “numëroi” opozitës ditët një më një. Në marsin e 2010-ës ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi prerazi se mandati i socialistëve do të digjej nëse nuk ktheheshin në Parlament, duke përfshirë në 6-mujorin e përcaktuar në Kushtetutë edhe javët e pushimit në muajin janar. Të ndodhur para një kushti ligjor, socialistët u rikthyen në Parlament më datë 19 Mars, rreth një javë para se t’u digjej mandati dhe në këtë mënyrë u shpëtuan masave. Historia përsëritet dhe kësaj radhe ata që bojkotonin sot janë në pushtet dhe të pushtetshmit janë në opozitë, në të njëjta kushte. Ditët e fundit edhe brenda kampit opozitar ka patur zëra që kundërshtojnë bojkotin parlamentar. Një prej tyre është kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu që është shprehur se nevojitet rikthimi në Kuvend, pasi atje është vendi ku politika duhet të mbrojë interesat e popullit. Nga ana e saj kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka deklaruar se nuk ka shanse që mazhoranca të djegë mandatet e opozitës. Konfliktualiteti politik në vend kapi majat që në verën e këtij viti pas disa skandaleve që shpërthyen me dy ish-ministrat e Brendshëm dhe akuzave të opozitës për përfshirjen e eksponentëve të lartë të qeverisë me elementë të botës së krimit. Zanafilla e konfliktit politik erdhi kur vetëm me votat e mazhorancës si kryeprokurore e re e Përkohshme u zgjodh Arta Marku. Pas pushimit veror, opozita kaloi në një tjetër strategji, ku paraqiti në Parlament draftin për “vettingun në politikë” dhe e kushtëzoi pjesëmarrjen e saj në institucionin e parlamentit me pranimin e draftit të opozitës. Kjo nismë e hedhur në muajin shtator i ka ardhur si “dhuratë” edhe si mënyrë për të shkuar në Parlament dhe për rrjedhojë të shpëtojë djegien e mandateve.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

MAPO ROZE/ Bujar Qamili: Kur nuk kam koncert, këndoj nëpër shtëpi

E kush ka mbetur ndonjëherë i zhgënjyer nga shkodranët? Në fakt për...
Read More