Rreziku i frymës bolshevike kundër biznesit dhe ekonomisë së tregut

Nga Ervis Iljazaj

Protesta dhe klima e tensionuar që është krijuar si pasojë e rebelimit të qytetarëve të Kukësit, kundër pagesës në “rrugën e kombit”, rrezikon të sjellë në opinionin publik, një frymë urrejtjeje kundër biznesit privat, dhe ekonomisë së tregut.

Përtej rastit konkret të pagesës për të kaluar në “rrugën e kombit”, i cili për nga mënyra se si është zhvilluar kontrata, aspak transparente dhe pothuajse në mënyrë arrogante nga ana e qeverisë, po nxitet me qëllim apo pa qëllim një klimë agresive kundër sektorit privat dhe biznesit në përgjithësi.

Me një zell të patolerueshëm dhe absurd ka nisur një fushatë në rrjetet sociale apo në mediume të ndryshme, një përpjekje për të sabotuar prodhimet nga firma të ndryshme private të cilat janë dhe pjesëmarrëse ne koncesionarin e “rrugës së kombit”. Dhe, kjo frymë ka ithtarët e vet, edhe në zërat publikë, të cilët me një mendjelehtësi apo dashakeqësi për zhvillimin ekonomik të vendit, janë duke u bërë promotorë të kësaj fryme, me thirrje deri në absurdin e zjarrvënieve kundër investimeve të caktuara të zhvilluara nga “oligarkët”.

Të kuptohemi, pagesa e “rrugës së kombit” mund të jetë e papranueshme për shumë arsye, por, fatkeqësisht thirrje të tilla kundër biznesit dhe ekonomisë së tregut, janë në nivelin e një çmendurie kolektive.

Po të shihje konferencën për shtyp të përfaqësuesve të biznesit ditën e djeshme, të cilët mbajtën një qëndrim për protestën, me gjithë rezervat për qëndrimet e tyre, dukej sikur shoqëria shqiptare ishte pothuajse në një luftë klasash. Lufta e njerëzve kundër biznesit, ku secila nga palët ishte në armiqësi me tjetrën. Një skenar i cili të kujton as më shumë e as më pak revolucionet si ato jakobine apo bolshevike, ku populli me anë të revolucionit do të marrë në dorë mjetet e prodhimit dhe kapitalin në emër të pronës publike dhe në interes të të gjithëve. Se si përfundon ky revolucion, e kemi provuar për më shumë se 50 vite në Shqipëri.

Në radhë të parë, akuzat ndaj një biznesi mund të bëhen vetëm nëse ato kanë shkelur ligjet dhe jo sepse kërkojnë të fitojnë para. Qëllimi i vetëm i një biznesi është pikërisht ky, të zgjerojë aktivitetin ekonomik të tij. Prandaj, llogari duhet të kërkojmë ndaj atyre që kemi zgjedhur, për ato që votojmë. I vetmi raport që bazohet të llogaridhënia është raporti midis politikës dhe qytetarëve. Kështu që, nëse ka një subjekt të cilit duhet t’i kërkojmë llogari ajo është politika.

Në radhë të dytë, me këtë klimë që po krijohet, për shkak të keqqeverisjes apo korrupsionit, rrezikohet që biznesi privat apo ekonomia e tregut të shihet si armik i shoqërisë, ndërkohë që, ekonomia e tregut është e vetmja mënyrë që shoqëria shqiptare të zhvillohet. Mënyra tjetër është ekonomia shtetërore, më taksa të larta, me paratë tona që i menaxhojnë një administratë e paaftë dhe një klasë politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, e cila nuk do të mundë asnjëherë të ofrojë shërbime cilësore dhe për të gjithë.

Sepse, ajo që po ndodh në këto momente, është ngatërresa midis privatizimeve dhe koncesioneve korruptive, dhe privatizimeve si instrument ekonomik zhvillimi. Janë dy gjëra totalisht të kundërta, dhe nëse nuk arrijmë të kuptojmë këtë gjë, rrezikojmë seriozisht të futemi në një fazë regresive të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS dhe LSI bëhen sërish bashkë: Miratojnë ligjin për vetingun në polici

Parlamenti e përfundoi seancën maratonë pak para mesnatës, ku edhe u votuan...
Read More