Rreziku i kthesës populiste të Edi Ramës

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama, pasi fitoi zgjedhjet i vetëm, ka zhvilluar një konsultë publike me popullin shqiptar për prioritetet e qeverisjes së ardhshme. Konsultë e cila, sipas tij do të shërbejë edhe si programi ekonomik në vitet që vijojnë me mandatin e tij të dytë. Kjo mënyrë e planifikimit të prioriteteve është tërësisht një mënyrë populiste e të bërit politikë, që vjen si pasojë e “aleancës” së tij të vetme në këto katër vite me popullin, ashtu siç e ka deklaruar sa herë që i është bërë pyetja nëse do të ketë një aleancë qeverisëse me ndonjë forcë tjetër politike.

Pas kësaj konsulte janë bërë publike dhe shqetësimet kryesore nga ana e qytetarëve. Ndër të tjera, bie në sy që në renditjen e tyre ekonomia dhe turizmi për shembull ishin në vendet e fundit. E para është kusht thelbësor për mbarëvajtjen e çdo shqetësimi tjetër, ndërsa e dyta një aset kombëtar për të cilin janë thënë dhe janë bërë shumë projekte dhe analiza për të nxitur investimet si një nga kolonat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Si ka mundësi që këto dy prioritete nuk ishin në vendet e para të shqetësimeve të publikut?

E vërteta është se kur pyetemi se cilat problematika na shqetësojnë më shumë, mendja shkojnë te hallet e përditshme dhe që prekin në mënyrë direkte jetët tona. Sigurisht që shëndetësia, arsimi që ishin ndër prioritet të përcaktuara nga publiku si më të rëndësishme, janë probleme që duhet të marrin të gjithë vëmendjen e duhur. Por, problemi qëndron te fakti se, përgjigjet e publikut nuk janë opinione që ndërtojnë strategjitë makro, të cilat i duhen vendit. Ato janë detyra e qeverisë, e cila duhet të mendojë dhe ka në dorë të gjithë informacionin që nevojitet për të planifikuar prioritete dhe politika që do të zgjidhnin vërtet problemet e shqiptarëve brenda mundësive ekonomike që ka vendi ynë. Informacion të cilin populli nuk e ka. Andaj, nëse ndiqet rruga sipas mendimeve të tyre rrezikohet një populizëm, i cili bazohet në emocionet popullore dhe aspak në logjikën politike dhe ekonomike që duhet të ndjekë një qeveri e caktuar. Mendimi i popullit është i rëndësishëm, por vendimmarrja nga ana e tij është një demokraci direkte, e cila për shumë çështje, jo vetëm që është e pamundur në një shoqëri komplekse si kjo e sotmja, por është e panevojshme. Sot, kudo, kemi të bëjmë me një regjim politik të demokracisë përfaqësuese, pikërisht për këtë arsye. Politikanët që zgjedhim në krye të punëve të shtetit, kanë detyrë të na gjejnë zgjidhjen e problemeve shoqërore dhe ekonomike dhe jo t’ia kërkojnë popullit ato. Kjo është një mënyrë false për të përballuar sfidat që ka vendi ynë.

Çfarë ndodhi që Edi Rama të ndërmarrë një aksion të tillë politik populist dhe të vendosë bashkë me popullin se në çfarë problematikash të fokusohet dhe të ndryshojë tërësisht kursin e tij politik në krahasim me katër vitet e kaluara?

Reformat e ndërmarra nga qeveria Rama në katër vitet e kaluara ishin tërësisht në drejtimin e kundërt. Për shumë aspekte, ato mund të përbënin dhe një kosto elektorale për të. Mjafton këtu të përmendin formalizimin e ekonomisë, tregun e sektorit të energjisë apo ndalimin e ndërtimeve pa leje, të cilat ishin për shumë arsye jo të mbështetura nga një pjesë e madhe e shoqërisë për shkak të mungesës të humanizmit, por që ishin të domosdoshme dhe efektin e tyre pozitiv e kanë dhënë që tani.

Ndoshta, Rama i fortë me mandatin popullor po bie në grackën e aleancës me të, duke bërë çdo politikë bashkërisht. Por, shumë shpejt do kuptojë se politika dhe ekonomia nuk janë profesione për çdokënd, edhe për një shtëpiake çfarëdo në një provincë të Shqipërisë.

Ndaj, kthesa që ai po merr drejt një populizmi të pafre duhet të braktiset dhe të ndiqet rruga e reformave edhe më e vendosur se më parë në të mirë të vendit, duke marrë çdo përgjegjësi për politikat e ndërmarra. Përgjegjësi që tashmë është e plotë duke qenë se e ka timonin i vetëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Diploma 2016-2017 në UET me ‘vulën’ e akreditimit anglez të QAA

Universiteti Europian i Tiranës organizoi dje ceremoninë e diplomimit të brezit të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.