Rreziku nga metoda ‘Trump’ për aleatët dhe aleancat

Nga Jan Bremmer – Donald Trumpit nuk i pëlqen të dëgjojë se çfarë duhet apo nuk duhet të bëjë, por prirja tregtuese në marrëdhëniet politike – të jap atë që do ti, nëse ti më jep atë që dua unë – zbulon jo aq pjerrjet e tij drejt demokracisë apo diktaturës si formë qeverisjeje, se sa një impuls të lindur për të mënjanuar çdo lloj freni apo kujdesi. Por kjo nuk mjafton për ta bërë atë një tiran dhe sistemi politik i Shteteve të Bashkuara parashikon një mekanizëm kompleks kontrolli mbi njerëzit e fortë të mundshëm. Politika e tij e jashtme në përgjithësi dhe mënyra e tij e marrëdhënieve me aleatët historikë të Shteteve të Bashkuara, në veçanti, rrezikojnë rendin ndërkombëtar në tërësinë e tij.

 

Ky rrezik është më shumë i dukshëm në marrëdhëniet me Europën. Shumë presidentë amerikanë druheshin në të shkuarën se kërkesat europiane mund të përbënin barrë të bezdisshme për Washingtonin, e që një Europë e fortë mund të përfaqësonte një pengesë në lirinë e veprimit të Shteteve të Bashkuara. Para më shumë se një shekulli presidenti Theodore Roosevelt miratoi një “Përfundim të Rooseveltit mbi doktrinën Monroe”, me qëllim që të zgjeronte mëtimet për hegjemoni amerikane të shekullit të 19-të në hemisferën perëndimore, pikërisht për të lënë jashtë europianët. Gjatë Luftës së Ftohtë, një sërë presidentësh amerikanë janë ndeshur haptas me kryetarë shtetesh europiane mbi mënyrën si do të trajtoheshin marrëdhëniet me Kremlinin. Një nga presidentët e fundit, republikani George W. Bush, ka adoptuar një prirje të njëanshme në lidhje me “luftën terrorizmit” të shpallur nga Shtetet e Bashkuara, pikërisht për të shmangur pengesat europiane në rrezen e veprimit amerikan.

Megjithatë Trumpi është i pari president që sillet sikur Washingtoni do të kishte për të fituar gjithçka nga shpërbërja e Europës. E pamë kur e këshilloi presidentin francez, Emmanuel Macron, në qershor, ta nxirrte Francën nga Bashkimi, duke i premtuar si nxitje një marrëveshje tregtare të dyanshme. E pamë kur qortoi kryeministren britanike, Theresa May, se një Brexit i “butë”, i aftë të ruante lidhje të forta tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, do të kishte groposur mundësinë e një marrëveshjeje të re mes Vendit të saj dhe Shteteve të Bashkuara.

E shohim ende sot, në përpjekjet e Trumpit të ndërthurë marrëdhënie me një qeveri italiane që përfaqëson kërcënimin më të madh për t’ardhmen e eurozonës, pavarësisht se çfarë thotë ajo për synimet në kohë të shkurtra. “Bashkimi Europian, e dinë të gjithë, është themeluar për të shfrytëzuar Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Trumpi duke iu drejtuar një turme mbështetësish duartrokitës në qershorin e shkuar. E shohim në përpjekjen e Trumpit për të risjellë Rusinë në tryezën e G7 dhe për të minuar bashkëngjitjen e aleancës atlantike.

“NATO është një punë shumë e keqe, ashtu si marrëveshja Nafta”, iu ka deklaruar të tjerëve kryetarë shtetesh gjatë G7-s. Gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në korrik, Trumpi ka vënë në diskutim themelet e aleancës, duke pyetur se përse Shtetet e Bashkuara duhej të nderonin zotimet e marra kundrejt sigurisë së përbashkët që përmbajnë traktatet.. Përse vallë duhej të mbronin Malin e Zi një Vend që është treguar “skajshmërisht agresiv”?. Vladimir Putin nuk do të kishte gjetur fjalë më të volitshme.

Trumpi nuk e fsheh adhurimin e personazheve si Putin, Xi Jingping, apo princi trashëgimtar saudit Mohammad Bin Salman, pjesërisht sepse ka zili për mungesën e çfarëdo freni në punën e atyre autoriteteve. Është e lehtë të ngresh zërin kur askujt nuk i njihet e drejta për të folur. Veç asaj Trump-i parapëlqen të bisedojë me udhëheqës që kanë fuqinë të nënshkruajnë marrëveshje në vetë të parë, të shkëputur nga përgjegjësitë, disa herë edhe kundërshtuese kundrejt zgjedhësve dhe mbështetësve.

Presidenti amerikan parapëlqen gjithashtu të endë marrëdhënie mbi baza individuale e të një natyre lartësisht vetësore, kundrejt aleancave shumëpalëshe që kërkojnë, nga një anë kompromise dhe nga tjetra respekt për interesat e pikëpamjet e palës tjetër. Aleancat kufizojnë zgjedhjet e janë të themeluara mbi vlera të përbashkëta veç interesave të përbashkët. Ndoshta Trump-i është i bindur se në një botë të drejtuar nga kryetarë Shtetesh kombëtare, krejtësisht të lirë nga lidhje e kontrolle nga ana e qeverive të tyre, mbizotërimi amerikan do ta bënte atë njeriun më të fuqishëm të tokës.

Në frontin e brendshëm, çdo kufizim i detyruar për pushtetin e tij, do të vazhdojë ta bezdisë Trump-in e do të bëjë gjithçka për të gjetur ndonjërin që të jetë në gjendje t’i heqë qafe qejfprishësin Robert Mueller. Gjykatat, megjithatë, do të vazhdojnë të ushtrojnë autoritetin e tyre. Gazetarët do të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre. Banka qendrore amerikane do të hedhë poshtë trysnitë e ushtruara nga Trump-i për të pranuar vijën e tij politike. Partia në opozitë do ta pengojë në çdo hap dhe zgjedhësit mund të vendosin në nëntor t’i heqin republikanëve shumicën në Kongres.

Megjithatë kërcënimi i Trump-it sistemit ndërkombëtar, që mbështetet mbi një rrjetë aleancash të kryqëzuara dhe organizatash të themeluara mbi miratimin e të mbarështuara nga ligje e rregulla, është shumë më i rëndë. Në një kohë kur Kina, gjithnjë e më e pasur e më me ndikim, është e aftë t’i paraqesë botës një alternativë të besueshme demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe ndërsa trysnitë e populistëve dhe zhvillimet teknologjike lehtësojnë gjithnjë e më tepër futjen e censurave dhe kontrolleve autoritare, sulmet e Trump-it kundër aleatëve dhe aleancave kanë vënë në lëvizje një sërë pasojash ogurzeza.

“Corriere della Sera”/Përktheu nga italishtja: Eugjen Merlika/Mapo.al/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Fitim Zekthi: Demokracia pa “ligjin natyror” ka me vete ilaçin e vetëvrasjes

   Aq shumë e kanë pushtuar diskursin e politikës klishetë dhe format...
Read More