Rritja Ekonomike: Dështim i paralajmëruar i të bërit shtet

Agjenda liberale/ 8

Nga Besart Kadia

We aren’t all in this together

Parashikimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2018 është ulur nga 4.1% në 3.7% nga raporti i fundit i FMN. Kjo shifër me ulje nuk është gjë tjetër veçse një lajm teknik në pamje të parë. Me të drejtë kushdo që merr mundimin të lexojë këto radhë mendon se ç’bën 4.1% ç’bën 3.7% për jetën e tyre? Në pamje të parë ndoshta asgjë? Por rritja ekonomike me 3.7% shpreh disa shqetësime thelbësore për politikat ekonomike në vendin tonë. Pasojat e së cilës ndihen nga pak në taksat për pronën, në tatimfitimin, në taksën e qarkullimit, tatimin mbi të ardhurat personale etj. Sepse rritje ekonomike e lartë nënkupton, gjithashtu, dhe të ardhura më të larta për qeverinë…

Së pari, gjatë krizës ekonomike shtetet e zhvilluara i kërkuan durim e bashkëpunim popullatës për të kaluar një ndër krizat më të mëdha ekonomike të 100 viteve të fundit. “We are all in this together”!, ishte mesazhi i kryeministrit Britanik David Cameron kur synonte të ulte shpenzimet qeveritare për shumë shërbime sociale. Duhet sakrificë për të garantuar rritje ekonomike e për të balancuar buxhetin. Edhe ministrat do kenë më pak privilegje, edhe bashkitë do shpenzojnë më pak edhe pensionet nuk do të rriten etj., sepse sakrifica është e përbashkët, thoshte Kryeministri britanik. Dhe pas fillimit të uljes së borxhit e të shpenzimeve Britania sot shënon ritmet e rritjes ekonomike ndër më të lartat ndër vendet e zhvilluara.

Po ashtu, në opozitë dhe në muajt e parë të qeverisë Kryeministri Rama tha se modeli i tij ekonomik do të shënonte barazi sociale, luftë korrupsionit, frymëmarrje për biznesin etj., dhe gjithçka për të garantuar rritje ekonomike. Në emër të “krizës e cila ishte më e thellë nga ç’ kishte parashikuar”, qeveria shqiptare mori borxh të paprecedentë në historinë e tranzicionit shqiptar dhe në të njëjtën kohë rriti taksat në mënyrë konstante. Pesë vite më vonë, Kryeministri Rama ka në dorë akoma dhe sot borxhin më të lartë që nga rënia e sistemit komunist në 72% të PBB-së apo 1065 miliardë lekë apo afërsisht 7.9 miliard euro. Por teksa borxhi publik u mor në argumentimin se do të çonte në rritje ekonomike të lartë është e habitshme përse ishte e nevojshme që njëkohësisht të rriteshin edhe taksat. Sot me borxhin publik më të lartë në ekonominë e tranzicionit shqiptarët paguajnë edhe më shumë taksa se çdo vit tjetër në periudhën postkomuniste. Në vitin e shkuar totali i të ardhurave nga tatimet ishte sa 27.1% e PBB-së dhe kjo nuk ka ardhur si pasojë e performancës së mirë në mbledhjen e taksave apo të “luftës anti-informalitet”. Jo, kjo ka ardhur vetëm si pasojë e rritjes së taksave! Pra, në bilancin ekonomik të tij kryeministri Rama ka 1 miliard euro borxh të shtuar në emër të rritjes ekonomike, ka rritur taksat për drejtësi sociale e për rritje investimesh, ka burgosur me mijëra qytetarë për mospagim të energjisë elektrike etj., me argumentin se do të bëjë shtet. Por shtet me këtë bilanc nuk na duhet!

U premtua se taksa progresive ishte një hap i domosdoshëm për të ulur diferencën mes të pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. Mos harrojmë se vetëm 12 mijë persona paguhen mbi 1000 euro në muaj në gjithë Republikën e Shqipërisë. Kjo shifër mjafton për të theksuar faktin e absurditetit të taksës progresive dhe pretendimit se nëpërmjet saj ne do të mund të kryejmë rishpërndarje të pasurisë. Kjo ka qenë politikë e gabuar dhe përveçse ka goditur krahun e kualifikuar të punës nuk ka arritur asgjë për sa i përket varfërisë dhe pabarazisë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Forumi Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018 pabarazia neto e të ardhurave i cilësuar ndryshe si treguesi GINI ka pësuar rritje me 7.7 për qind, në pesë vitet e fundit. Pra, ky koeficient që mat se ku është përqendruar pasuria në një ekonomi tregon se Shqipëria ka rritur pabarazinë në pesë vitet e fundit dhe nuk ka mundur ta ulë atë. Përveç pabarazisë të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se varfëria në vend është rritur ku 180 mijë jetojnë me 5 dollarë në ditë. Pra, argumentimi se taksa progresive do të sillte ulje të pabarazisë dhe varfërisë po vërtetohet, siç u paralajmërua, se do të dështonte.

Nga ana tjetër, në Strategjinë për Menaxhimin e Financave publike 2014-2020 sheh se thuajse për çdo indikator ekonomik nuk janë arritur asnjë prej parametrave. Në të për shembull thuhet se synohet që prokurimet publike të drejtpërdrejta të ulen nga 30% në rreth 10% në 2 vitet e ardhshme. Por në raportin e fundit të vetë Agjencisë së Prokurimeve Publike, në vitin 2016, mbi 30 për qind e tenderëve publikë në Shqipëri ishin pa garë, përmes procedurës me negocim pa shpallje paraprake të kontratës. Nga ana tjetër, studime tregojnë se 60% e tenderëve publikë në Shqipëri nuk janë konkurrues, që do të thotë se ose lidhen kontrata pa shpallje publike ose kur ka tender ka vetëm një ofertë. E thënë me fjalë më të thjeshta teksa ne paguajmë më shumë taksa qeveria ul transparencën dhe konkurrencën për mënyrën se si do të shpenzohen këto para. Në 2013 përqindja e tenderëve me vetëm një ofertues ishte 31.5% ndërkohë që në 2015 kjo shifër u rrit në 40.5%. Ky është një tjetër bilanc negativ për argumentin se neve na duhet më shumë shtet.

Së treti, strategjia e miratuar nga qeveria Rama për financat publike pretendon se nga 2017 shteti do të ketë 0 detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta. Në fakt në vitin 2014 qeveria Rama artikuloi se ishin 280 milionë dollarë detyrime të prapambetura, duke e quajtur “kriminale dhe papërgjegjshme, e cila nuk do të përsëritej kurrë më”. Por FMN shfaq shqetësim pikërisht rikthimin e kësaj praktike “të papërgjegjshme” nga ana e shtetit shqiptar. Sipas deklaratës së fundit të FMN, deri në fund të qershorit të vitit 2017 qeveria lokale dhe qendrore ka akumuluar detyrime të prapambetura që arrijnë në 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që përfshin 0.3% të PBB-së si TVSH e parimbursuar. Pra, rreth 120 milionë euro detyrime të prapambetura të krijuara rishtas në kushtet kur borxh i ri nuk mundet të merret më dhe kur taksat janë gjithsesi shumë të larta e ka pak hapësirë për t’i rritur sërish ato pa dëmtuar rritjen ekonomike. Për më tepër është vënë re se 63 bashki dhe ndërmarrje të tjera publike nuk kanë paguar as sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre, duke ekspozuar akoma më tej “papërgjegjshmërinë” e shtetit. Për më tepër në këtë Strategji synimi ka qenë që viti 2017 të gjente Shqipërinë me një borxh publik 65.5% ndërkohë që realisht ai është 71.5% e PBB-së.

Së fundmi, kjo qeveri nuk i do reformat. Kjo qeveri përdor argumentin e reformave, por në të vërtetë iu largohet atyre. Reforma në sektorin energjetik është vetëm një shembull i fortë i deformimit të panevojshëm që solli përdorimi në mënyrë të anshme të fuqisë së shtetit për të detyruar qytetarët që të paguajnë për energjinë e konsumuar, por nga ana tjetër, duke mos ndërmarrë asnjë hap për të siguruar zbutjen e humbjeve teknike që ka qenë dhe problemi kryesor i sistemit tonë energjetik. Sipas Bankës Botërore, niveli i humbjeve teknike në rrjetin e shpërndarjes nuk ka ndryshuar pothuajse fare që nga fillimi i programit, kur kompania e shpërndarjes kaloi në administrim shtetëror. Nga 15.3 % që ka qenë baza kur ka nisur monitorimi dhe tri vite më pas ky nivel është 15 %. Qeveria shqiptare ka shpenzuar mbi 150 milionë euro për të siguruar përmirësim të këtij indikatori! Nga ana tjetër, Sekretariati i Energjisë në Vjenë ka paditur Shqipërinë në Këshillin e Ministrave të Europës për dështim në liberalizimin e tregut të energjisë. Sekretariati e akuzon Shqipërinë se ka thyer, jo një, por tri detyrime që i rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë për procesin e liberalizimit të tregut, i cili duhet të ishte realizuar që në vitin 2015. Pra, nuk kemi asnjë hap përpara në reformën energjetike, por kemi patur vetëm detyrim policor për të paguar energjinë nga ana e popullatës ndaj “We are not all in this together”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Skëndërbeu në etnokulturë

Franz Nopça shkruan: “Për çdo gërmadhë midis Oroshit dhe zinxhirit të madh...
Read More