Rrjeti Alumni drejt 10 –vjetorit: Nis kthimi i studentëve në UET

Në një ceremoni që mbyllte aktivitetet e një jave kushtuar filantropisë, Universiteti Europian i Tiranës mblodhi ish-studentët ndër vite, tashmë pjesë e rrjetit “UET Alumni”, të cilët iu përgjigjën ftesës për t’u bërë pjesë me donacionet e tyre në mbështetjen e studentëve në nevojë. Falë kontributeve, në fund të kësaj pritjeje u krijua një fond për një bursë të parë mbështetëse, e cila merr emrin “Bursa UET Alumni”. E njohur si traditë në botë, është hera e parë që një universitet shqiptar jep një të tillë. Të diplomuarit nga ky universitet, kanë nisur të kthehen edhe njëherë në auditorë, por tashmë si lektorë të ftuar për të ndarë përvojën profesionale. Presidentja e “UET Alumni”, Adela Danaj, zbulon projektet që i bën bashkë dhe aktivë në mjediset e universitetit studentët e dikurshëm

Janë më shumë se 25 mijë studentët që kanë hyrë në Universitetin Europian të Tiranës, prej vitit 2006, vit që përkon edhe me themelimin e tij. Shumë janë diplomuar, disa kanë kryer studime Master, të tjerë janë në proces doktorate, por të gjithë janë pjesë e rrjetit të ish-studentëve “UET Alumni”, duke e përfaqësuar diplomën dhe universitetin tashmë në tregun e punës dhe karrierat profesionale. “Janë një komunitet i tërë njerëzish që qarkullon në qytet, por edhe përtej tij”, –tha administratori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Arbi Agalliu gjatë fjalës përshëndetëse në pritjen e organizuar në hollin e universitetit për alumni-t e UET-it.

Një ceremoni e ngrohtë, miqësore mblodhi ish-studentët e Universitetit Europian të Tiranës ndër vite, tashmë pjesë e rrjetit “UET Alumni”, të cilët iu përgjigjën ftesës për t’u bërë pjesë me donacionet e tyre në mbështetjen e studentëve në nevojë.

Kjo ceremoni ishte edhe aktiviteti përmbyllës i Javës Filantropike, një nismë e ideuar dhe e organizuar nga zyra “UET Alumni”, që synoi mbledhjen e fondeve në mbështetje të studentëve në nevojë.

Edhe rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj e vlerësoi nismën për ngritjen e fondeve, ndërsa i ftoi ish-studentët ta bënin thirrje të brendshme ndjenjën e ndihmës ndaj tjetrit.

“Të them të drejtën, nuk kemi kulturë të njohur të filantropisë në këtë vend. Është diçka e re, gjërat janë edhe kulturore, por nëse kjo do vijojë me iniciativa apo fushata, mund të përkthehet në një praktikë. Filantropia duhet të jetë e brendshme. Duhet ta kemi si shoqëri, për më tepër universitetet”, –tha rektori Gjuraj, ndërsa theksoi rëndësinë që kanë alumni-t në jetën e universitetit. “Ne, si institucion, kemi qenë pionierë të shumë iniciativave brenda arsimit të lartë. Le të jemi pionierë edhe në një nismë të tillë dhe ta kthejmë në një praktikë të mirë! Ta pasurojmë dhe nëpërmjet këtyre programeve të kontribuojmë sadopak në këtë institucion. Nëse ky dimension forcohet, në çdo lloj akreditimi ndërkombëtar vlerësohet jashtëzakonisht” – përfundoi rektori Gjuraj.

I pranishëm në këtë pritje ishte edhe zv.ministri i Arsimit, Shpat Kolgega, i cili kësaj here kishte ardhur në rolin e alumni-t, si një student i diplomuar në UET.

“Jam shumë krenar kur iu them gjithmonë të rinjve që takoj në punë, sepse ka një farë paragjykimi për ne qe kemi dalë nga universitetet private krahasuar me atë të shtetit apo jashtë vendit, por e vërteta është krejt ndryshe. Jam shumë krenar që vij nga UET dhe më pëlqen fryma që ka me Alumni dhe me aq sa shoh edhe nga Ministria e Arsimit është nga të paktët që ruan kontaktet me ish-studentët dhe ne me ish-shoqet dhe shoqet e klasës i mbajmë ende kontaktet”, – tha Kolgega.

Duke falënderuar të pranishmit, presidentja e UET Alumni, Adela Danaj shpjegoi për të pranishmit filozofinë e re të zyrës dhe shtyllat ku është e fokusuar si ngritjen dhe forcimin e rrjetit e ish-studentëve me institucionin si edhe me njëri-tjetrin, ndërkombëtarizimin si edhe ngritjen e fondeve.

E pranishme në ceremoni ishte edhe ish-presidentja e UET Alumni, këngëtarja e njohur Eneda Tarifa, e cila përgëzoi punën e pasardhëses së saj dhe u shpreh e gatshme të bëhet pjesë e nismës.

Administratori i UET, Arbi Agalliu, tha se Universiteti Europian i Tiranës i ka tashmë përfaqësuesit e tij, ish-studentët në institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.

Sot çdo zyrë, – unë vij nga sektori bankar dhe të paktën nuk ka bankë në Shqipëri që nuk ka studentë të UET. Para pak ditësh isha në kompaninë Deloitte, një nga më të mirat në botë sa i përket auditimit dhe aty gjeta rreth 25 të diplomuar në UET. Ne synojmë krijimin e një rrjeti real dhe në kontakt të vazhdueshëm me ju. Kemi një ndryshim filozofie në UET dhe ju ftoj të jeni pjesë aktive. Të jemi krenarë për njëri-tjetrin dhe diplomën që kemi” – përfundoi administratori.

Falë kontributeve nga ish-studentët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës, në fund të kësaj pritjeje u krijua një fond për një bursë të parë mbështetëse, e cila merr emrin “Bursa UET Alumni”.

 

Java filantropike dhe krijimi i bursës “UET Alumni”

Zyra UET Alumni organizoi ‘Javën Filantropike’ në kuadër të një prej programeve kryesore të UET Alumni siç është ‘Ngritja e Fondeve UET Alumni’. Në datat 3 dhe 4 Prill UET Alumni në bashkëpunim me klubet studentore dhe qeverinë studentore të UET mblodhën fondet e para. Më datë 5 Prill, u zhvillua ceremonia e mbylljes së ‘Javës Filantropike’. Presidentja e UET Alumni, Adela Danaj, prezantoi pranë të gjithë të pranishmëve programet e nisur nga zyra UET Alumni. Ajo prezantoi strategjinë e re të komunikimit si dhe platformën e re të UET Alumni.

Danaj gjithashtu prezantoi edhe angazhimin e UET Alumni në projektin, GRADUA, ku për herë të parë ky rrjet do të nisë praktikat e para për ndërkombëtarizimin e shoqatës. Ky projekt vjen në bashkëpunim me Zyrën e Projekteve në Universitetin Europian të Tiranës.

“Zyra UET Alumni po përpiqet të ndjekë programe dhe praktika të njohura në botë. Sfida që kemi ndërmarrë është e madhe dhe si rezultat i mungesës së kulturës dhe mosnjohjes së kësaj filozofie bashkëpunimi. Megjithatë, Java Filantropike dëshmoi më së miri, se ne e njohim ndjenjën e përkatësisë dhe në eventin e UET Alumni Reception ne shpallëm bursën e parë Alumni. Në Shqipëri kjo është nisma e parë e këtij formati, ku ish-studentët ndihmojnë studentët aktualë të universitetit ku kanë studiuar më parë. Fillimisht kur prezantova idenë dhe strategjinë për të arritur qëllimin dhe objektivin e nismës së Javës Filantropike, për të cilën pata mbështetjen maksimale të UET, u përballa me skepticizëm dhe dyshime. Dhe kjo ishte krejt e kuptueshme për vetë natyrën e nismës. Na mungon kultura filantropike dhe Rektori i Universitetit prof. dr. Tonin Gjuraj me të drejtë e theksoi këtë fakt në pritjen që zhvilluam me UET Alumni”- rrëfen Danaj, ndërsa zbulon se prej donacioneve nga komuniteti UET Alumni dhe të ardhurat e mbledhura nga java filantropike është bërë i mundur krijimi i bursës mbështetëse UET Alumni. “Unë shpresoj që kjo nismë të kthehet në traditë dhe të ketë impakt më të gjerë se sa kaq. Shpresoj që kjo nismë të shërbejë dhe për ndërgjegjësim të kauzave të tjera të cilat shkojnë në shërbim dhe mbështetje të studentëve të shkëlqyer në vështirësi” –thekson Danaj.

 

UET Alumni Talk: Ish-studentët kthehen në auditorë

Në kuadër të programit “Rrjetëzimi” UET Alumni ka nisur forumet UET Alumni Talk. Qëllimi i kësaj nisme është integrimi i studentëve aktualë të UET në tregun e punës duke i njohur ata me praktikat që ndiqen për të garantuar një rrugë të sigurt drejt suksesit profesional.

Forumet “UET Alumni Talk”, janë forma më e mirë jo vetëm për t’u ritakuar me ish-studentët tanë, por dhe për të prezantuar rastet e tyre te studentët aktualë si forma më e mirë e këshillimit të karrierës” – ka shpjeguar presidentja e UET Alumni, Adela Danaj.

Ish-studentët vijnë dhe zhvillojnë një orë leksioni të hapur për studentët, të cilët studiojnë në disiplina në të cilat UET Alumni janë të suksesshëm profesionalisht. Shoqatat Alumni, janë një nga shtyllat qendrore të çdo institucioni të arsimit të lartë në botë. “Ata janë ambasadorët e universitetit, janë ata të cilët çojnë lart emrin e tij dhe janë ata të cilët ngrenë dhe krijojnë ide të reja në tregun e punës, falë edukimit dhe profesionalizmit të tyre. Ky është dhe qëllimi i kësaj nisme” -përfundon Danaj.

Bashkëbisedimeve me studentë iu bashkua Iva Çoku, një alumni në karrierë, e cila ndau eksperiencat e saj me studentët e Menaxhim Biznesit dhe Financës. Iva Çoku aktualisht është drejtuese e Sekretariatit Teknik për Programin IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë. Një tjetër UET Alumni, ishte Kristi Progri, përfaqësuesja e vetme e licencuar nga Mozilla për Shqipërinë. Kristi ndau eksperiencën e saj me studentët e Informatikës Ekonomike ku ndër të tjera informoi studentët për mundësi punësimi apo praktika pune pranë institucioneve lider në botë në fushën e zhvillimit të teknologjisë. UET Alumni Talk do të vijojë më tej duke u kthyer në një praktikë bashkëpunimi midis ish-studentëve, studentëve dhe institucionit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Memo e Kuvendit, si zgjidhet Prokurori i ri

Një memo e Drejtorisë së Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, ka rihapur...
Read More