Rruga e gabuar e kundërshtarëve të Bashës për të qëndruar në PD

Nga Ervis Iljazaj

Një grupim brenda Partisë Demokratike, të cilët njihen si kritikët e Lulzim Bashës, kanë formalizuar qëndrimet e tyre politike në “Lëvizjen për Ringritjen e PD”.

Kjo lëvizje ka përpiluar dhe një lloj platforme me disa kërkesa apo pika për diskutim, si një kusht i domosdoshëm për të qëndruar aktivë brenda PD-së.

Mirëpo a janë në një situatë të favorshme për t’i vendosur kushte lidershipit aktual?

Është e qartë tashmë, që ky grupim po kërkon një mënyrë për t’u afruar apo për të bashkëpunuar përsëri me lidershipin e Partisë Demokratike, pasi është e pothuajse e pamundur mbijetesa e tyre politike në një formë tjetër.

Është në interes të Partisë Demokratike, që shumë nga këta emra të rëndësishëm të vazhdojnë të japin kontributin e tyre brenda saj, por rruga me anë të së cilës kërkojnë ta bëjnë atë, është tërësisht paradoksale dhe e gabuar.

Çdo tentativë për t’u bërë pjesë formale dhe aktive brenda Partisë Demokratike fillon me njohjen e Lulzim Bashës si Kryetar legjitim i asaj partie, gjë të cilën deri më tani nuk e kanë bërë. Përkundrazi, në çdo rast nuk rreshtin duke përmendur manipulimin e zgjedhjeve për rikonfirmimin e Bashës.

Të dyja këto palë janë haptazi në një “konflikt”, dhe në çdo teori konflikti, pasi manifestohet ai, njëra palë nënshtrohet dhe tjetra imponohet.

Ky konflikt manifestimin e tij të plotë e konsumoi në momentin e rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Pa hyrë në detaje, se si shkoi ai votim, apo nëse ishte legjitim, zyrtarisht Basha me rizgjedhjen e fitoi këtë konflikt.

Në këtë kuptim, është ai tashmë që vendos kushtet dhe jo anasjelltas. Aq me tepër kur kundërshtarët e tij ishin pa një kandidat zyrtar në këto zgjedhje.

Ideja se kishte shumë pak kohë për të zhvilluar fushatën për një garë elektorale legjitime, është një argument që nuk qëndron. Nëse mjafton një muaj për të zhvilluar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare, përse nuk është e mjaftueshme për të zhvilluar një të tillë brenda një partie?

Për hir të së vërtetës, alternativat për të drejtuar një parti nuk krijohen brenda një muaji. Të gjithë ata që kanë synim marrjen e drejtimit të partisë, grupim apo individ qoftë, e ndërtojnë vizionin e tyre dhe e kanë gati sa herë që mund të rihapet gara brenda partisë. Kjo nuk ndodhi në rastin e kundërshtarëve të Bashës.

Prandaj, e gjithë Lëvizja për ringritjen e PD-së, është sfazimi kohor dhe nuk ka logjikë politike në këto momente.

Justifikimet se zgjedhjet ishin të vendosura paraprakisht, nuk shërbejnë në këtë rast. Sepse, edhe nëse është e vërtetë një gjë e tillë, në betejë duhet të futesh. Mund ta humbësh atë, por më së paku ke luftuar me dinjitet për idealet e tua.

Kështu që, pretendimet e tyre mund të jenë të vërteta, por beteja nga ana e tyre nuk u zhvillua. Në këtë kuptim, “Lëvizja për Ringritjen e PD-së”, nuk ka të drejtën morale për të pretenduar vendosjen e kushteve në raport me lidershipin aktual.

Për këto arsye, nëse duan vërtet që të jenë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike dhe të kenë një të ardhme brenda saj, duhet me patjetër ta rifillojnë me njohjen e Bashës si kryetar legjitim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Antropologjia etnike e shqiptarëve”, sfida multidisiplinore e Aleksandër Dhimës

Leximi, studimi serioz i kësaj monografie mbush një hapësirë të lënë pa...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.