Rruga e integrimit për Ballkanin Perëndimor është me korsi të ndryshme

Nga Ervis Iljazaj

U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore.

Megjithatë, këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe u mbyll me atë të Triestes pak ditë më parë.

Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë brenda BE-së. Edhe pse duhet theksuar që sforcot ekonomike të vendeve europiane të drejtuara nga Gjermania nuk janë një impuls ekonomik thelbësor dhe real për këtë rajon. Bëhet fjalë për disa projekte në sektorë të ndryshëm, nga të cilat Shqipëria nuk fitoi ndonjë të tillë, të cilat janë një përpjekje për të zhvilluar ekonomikisht rajonin si kusht për integrimin e BE. Kjo strategji është pothuajse e sforcuar nëse do të kemi parasysh krizën ekonomike që kanë kaluar vendet e Bashkimit Europian.

Në këtë kuptim BE, si pasojë e kësaj krizë po tregohet e kujdesshme duke qenë se nëse vendet e Ballkanit perëndimor nuk arrijnë standardet ekonomike do të përbënte një kosto ekonomike, por edhe shoqërore për të, duke parë dhe frymën euroskeptike që ekziston në shoqëritë europiane për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm.

Sepse gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit perceptimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor rreth benefiteve ekonomike nëpërmjet afrimit me Bashkimin Europian ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme për të përballuar tranzicioni postkomunist dhe, në disa raste postluftë. Që nga kriza ekonomike dhe financiare e vitit 2008 nga e cila Europa nuk e ka marrë veten plotësisht, ky perceptim ka ndryshuar. Edhe në popujt e Ballkanik është rritur ndjeshëm euroskepticizmi, edhe pse pjesa më e madhe është ende proeuropiane.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.

Edhe për faktin se, integrimi në Bashkimin Europian nuk mund të ndodhë në bllok siç mundohen ta paraqesin drejtuesit e EU nëpërmjet konferencave të tilla, duke bërë bashkë liderët e të gjitha vendeve në tryezat e rrumbullakëta.

Kriteret e Kopenhagënit flasin qartë. Kushtet për integrimin janë kushte individuale për çdo shtet dhe nuk mund të aplikohet për një grup shtetesh që kërkojnë dhe shohin si të vetmen shpresë bashkëngjitjen me Europën. Andaj vendi i Ballkanit Perëndimor sigurisht është në Europë, por rruga drejt saj është individuale për secilin prej shteteve. Ideja se Europa në një moment të caktuar, për arsye gjeopolitike do të integrojë në bllok Ballkanin Perëndimor, është një ide që krijon vetëm iluzion dhe iu bën dëm shteteve të Ballkanit Perëndimor duke i ngadalësuar reformat e nevojshme që të çojnë drejt saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lufta populiste e Ramës kundër korrupsionit sjell pak rezultate

Fushata post-zgjedhore e kryeministrit Edi Rama në nxitje të denoncimeve të qytetarëve...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *