Rruga e Ramës drejt fitores

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin zyrtar për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Në unanimitet me 7 vota pro dhe asnjë kundër u miratua sot tabela përmbledhëse dhe shpërndarja e mandateve në bazë të qarqeve. Kështu PS mori 764 mijë vota në këto zgjedhje, PD 456 mijë. Por si arriti Edi Rama tek kjo fitore? Më poshtë një shkrim i gazetares Luljeta Progni në revistën Mapo

-74 mandatet si triumfi i Edi Ramës ndaj kundërshtarëve e rivalëve politikë në 20 vjet. Rruga plot pengesa e artistit rebel drejt karriges së kryetarit të Partisë Socialiste e më pas kryeministrit të Shqipërisë. Nga betejat me Fatos Nanon, Ilir Metën, Sali Berishën e Lulzim Bashën. Në një ambient politik plot intriga e kulisa, Edi Rama ia ka dalë dhe sot është në pikën më të lartë të politikës, atje ku kundërshtarët e tij nuk janë ngjitur.

Katër a pesë gra të moshuara në një shesh të vogël në Bathore, u shkëputën nxitimthi kur panë se makina e kryetarit mbërriti para tyre. U drejtuan natyrshëm për ta përqafuar, shoqëruar me thirrjet në raste të tilla: “Edi të keqën nëna…”, por ai mori qëndrim, me duart kryqëzuar i pa ato me përbuzje dhe iu bëri shenjë të mbanin distancë. Ky ishte Edi Rama i vjeshtës së vitit 2005 kur zuri vend në karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste.

Ishte një ditë e zakonshme e fundit të atij viti, kur nisi të dalë në terren për të njohur partinë që do të drejtonte. Shoqërohej në atë takim nga disa deputetë të PS-së dhe pjesëtarë të stafit të tij të Bashkisë së Tiranës. Dita e parë ishte zhgënjyese për të gjitha palët. Rama u bezdis, nënat militante u mërzitën, deputetët e tij mbështetës u dëshpëruan kur panë se “ Rama as që merrte vesh nga politika” sepse i mungonte një komponent me rëndësi, “shkrirja me masat”. Njëri prej tyre iu afrua dhe i tha, “Edi! Duhet ta takosh popullin! Nuk mund të sillesh kështu”. Por ishte Edi Rama, “artisti rebel” që i ishte qasur kryeqytetasve siç ishte dhe ata e kishin pranuar. Ende nuk e dinte se baza e PS-së ishte një terren krejt i ndryshëm. Do t’i duhej një tjetër profil për t’u pranuar nga “katunarët” militantë socialiste dhe gjithashtu një beteje e fortë me vetveten për të zbritur deri tek ata.

As që mendohej se do të vinte një ditë si kjo kur ai do shfaqej nëpër sofrat e “katunarëve”, larg sloganeve të kohëve moderne, pa asnjë program, pa premtime, i veshur si ai e kurrkush me një palë tuta të zeza, larg kostumit të liderit por me flamurin kuqezi, pa nuancë partiake. Bash “gju më gju me popullin”.

Janë 12 vjet ndërmjet. Rama i asaj kohe nuk i ngjet këtij të tanishmit. Rama dhe PS e 2005 kanë ndryshuar rrënjësisht, duke u përafruar mes tyre për të sjellë këtë kombinim që na shfaqet sot me 74 numra të një mandati historik.

Kjo kohë e ndërmjetme është e mbushur plot me ngjarje.

Kur erdhi në krye të PS-së, Edi Ramës do t’i duhej të harronte ato kohët kur si kryebashkiak i Tiranës shihej si “perëndi” për t’u përballur me beteja nga të cilat, shpesh dukej se fundosej politikisht e kurrë nuk do të ringrihej.

Vrapi i Edi Ramës drejt politikanit, ka ndalur shpesh. Në rrugën e tij është ndeshur me më të fortët e politikës, padyshim që një ndër pengesat e forta për të, ka qenë Sali Berisha. Është ndeshur me Fatos Nanon, e më pas me Ilir Metën. Në një ambient politik ku ka dominuar klientelizmi, kulisat, larja e hesapeve me kundërshtarë e aleatë, Edi Rama ia ka dalë dhe sot është në pikën më të lartë të politikës, atje ku kundërshtarët e tij nuk janë ngjitur. As Fatos Nano e as Sali Berisha, e aq më pak Ilir Meta nuk kanë mundur që në garën për mandatin e dytë qeverisës të fitojnë kaq shumë deputetë sa Edi Rama më 25 qershor. Pa aleatë, pa program, por me strategji të qartë dhe shumë i sigurt në objektivin e tij numrin 71, e tejkaloi me tri mandate pas një qeverisjeje plot probleme në katër vjet.

Drejtësi

Nëse do të duhet të kërkojmë origjinën e fitores së këtij mandati dhe nëse ajo duhet kërkuar te sukseset në drejtimin e vendit, është padyshim Reforma në Drejtësi. Është togfjalëshi më i përdorur nga Edi Rama këta katër vjet. Ishte betuar qysh në nisje të mandatit se përmes kësaj reforme do të tronditë themelet e drejtësisë e më pas të politikës. Ka kërcënuar hapur kundërshtarë e aleatë me këtë kartë, duke shkaktuar shpesh tronditje të mazhorancës që ai drejtoi, në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Lufta për drejtësinë u duk se ishte një rrugë pa kompromis e tij. Ishte mbështetja e fortë e ndërkombëtarëve që u pa në këmbënguljen e ambasadorëve të tyre në Shqipëri, që i dhanë Ramës fuqinë për t’u ndeshur me të gjithë e për t’i mundur, tamam me këtë betejë për drejtësinë. I gjithë ligjërimi i tij politik mbështetej te Reforma në Drejtësi sepse të gjitha reformat e tjera që ai drejtoi në mandatin që shkoi, i lidhi me këtë reformë. Me drejtësinë e munguar ai ia doli të justifikohet për të gjitha dështimet e tij. Por në këtë betejë kishte me vete ndërkombëtarët. Me sa duket ata e kishin piketuar si njeriun me të cilin do të duhej patjetër të merreshin vesh për të mundësuar pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Tani më shiko në sy dhe më të njëjtin sinqeritet që kritikove Bashkimin Europian më thuaj a ka shans sipas teje që Shqipëria të bëhet një vend i BE me sistemin e korruptuar të drejtësisë që ka, me ata prokurorë dhe gjykatës që janë një nam i zi për Shqipërinë në sy të Europës?!

I thashë, natyrisht që jo. Kjo është arsyeja pse na duhet procesi i integrimit, dhe kjo e statusit të kandidatit do ishte një rritje e përgjegjësisë në këtë proces, përgjegjësisë së vendit ndaj vetvetes dhe BE-së”, ishte një rrëfenjë e vogël e Ramës, për takimin e tij me kancelaren Angela Merkel. Me të tilla rrëfenja, që i ka përdorur shpesh katër vitet që shkuan, ai kërcënonte gjyqtarë, prokurorë e politikanë të lidhur me ta, a thua se vetë ai kishte jetuar krejt i ndarë nga këta njerëz që do t’ju duhet shpejt të përballen me pasojat e kësaj reforme.

Në betejën për Reformën në Drejtësi, Rama do të ndeshej me rezistencë, jo vetëm nga pjesëtarët e sistemit të drejtësisë por edhe nga opozita e aleatët e tij në koalicion. Jo se ishte vetëm frika nga reforma por aty ndërthurej edhe zilia se Rama po merrte meritën për merakun më të madh të ndërkombëtarëve, drejtësinë.

Pasi e hartoi draftin e Reformës në Drejtësi, Rama u ndesh me rezistencën e opozitës dhe LSI, të cilët hartuan draftet alternative për të mbërritur në korrik të një viti më parë në ditën e miratimit në parlament. U desh të vihej në një provë serioze edhe mazhoranca pasi gjatë pranverës së vjetshme në prag të miratimit të reformës, u duk se koalicioni PS-LSI do të bindte nga momenti në moment. E ka pohuar edhe vetë Rama se ishte pikërisht debati për Reformën në Drejtësi që shkaktoi krisjen e parë të koalicionit.

Manovrat e 2015-ës për të shpëtuar qeverinë

Gjatë korrikut të 2015-ës, kur nëpër dyert e parlamentit endej drafti i Reformës në Drejtësi, LSI dhe Ilir Meta po përpiqeshin të kryenin rolin e sforcuar për një “reformë me konsensus”. Ata deklaruan disa herë se do të miratonin vetëm një reformë me konsensusin e opozitës. Ndërsa Rama ishte i vendosur për ta miratuar vetë këtë reformë pa patur numrat e opozitës dhe këtu duket se koalicioni vihej në provë. Ndoshta nuk ishte meraku i konsensusit se të tjera llogari po çonin qeverinë Rama-Meta në zgrip.

Ndërsa Meta dukej i lodhur për të arritur “konsensusin”, Rama shfaqej krejt i qetë sepse qeveria i kishte numrat edhe nëse Meta largohej, për shkak të “konsensusit”. Ishte partia e Shpëtim Idrizit që i shpëtonte qeverinë me 6 mandatet që kishte. Idrizi dhe PDIU shërbeu si presion i Ramës ndaj Metës për të miratuar Reformën në Drejtësi. Më 21 korrik 2015 u miratua Reforma në Drejtësi me këmbënguljen e ndërkombëtarëve dhe qeveria Rama-Meta e kaloi përkohësisht krizën.

Kanabisi dhe Çadra

Pas rreth një viti debat për Reformën në Drejtësi, Kanabisi do të ishte beteja tjetër me të cilën përballej Rama. Pati një fluks raportimesh për mbledhje kanabisi në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pati gjithashtu një angazhim të policive të vendeve fqinje, ku konstatohej se kanabisi në Shqipëri ishte kthyer në problem serioz. U faktua kjo panoramë e zymtë me disa raste të transportit të kanabisit me avionë, dhe kapja e tyre pasi ata binin për shkaqe teknike. Kanabisi u kthye në betejë të opozitës, së cilës do t’i bashkohej shpejt edhe LSI.

Opozita e Lulzim Bashës u përqendrua tek akuzat për kanabizimin e Shqipërisë dhe nisi ngujimin në çadër duke deklaruar se nuk hynte në zgjedhje pa dhënë dorëheqje Edi Rama. Qeveria teknike ishte kushti i panegociueshëm për Bashën. Për tre muaj, kreu i opozitës vazhdoi betejën antikanabis shoqëruar me kërkesat për rrëzimin e Ramës. Gjatë kësaj kohe, LSI dukej më afër çadrës se sa qeverisë së Ramës. Ministra e zyrtarë të rëndësishëm të LSI folën me të njëjtën gjuhë me opozitën për problemin e kanabizimit. Pati prej tyre që e ngritën aq shumë problematikën sa propozuan edhe ndërhyrjen e ushtrisë për të pastruar vendin nga kanabisi. Si PD edhe LSI kishin shënjestruar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Nga çadra dilnin akuza edhe për pjesë të tjera të qeverisjes që kryesisht lidheshin me ministrat e Ramës. Diku nga mesi i kohës së Çadrës, Rama bëri lëshimin e parë, largoi Saimir Tahirin si ministër i Brendshëm shoqëruar edhe me disa ndryshime të tjera si ai i shëndetësisë Ilir Beqaj, gjithashtu i shënjestruar nga opozita dhe dy ministri të tjera.

Dorëheqja si lojë nervash

Por këto ndryshime nuk e kënaqën opozitën sepse Basha kërkonte dorëheqjen e Ramës dhe qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet. Rama nuk ishte gati për asnjë lëshim tjetër dhe tha prerë se do të hynte në zgjedhje pa opozitën, më 18 qershor. Në këtë situatë, Meta nisi të thoshte shpesh e më shpesh se LSI nuk mund të hynte në një proces zgjedhor pa opozitën. Kjo luftë nervash mes palëve vazhdoi për gati një muaj. Gjatë kësaj kohe, në Tiranë erdhën përfaqësues të niveleve të larta të politikës së Brukselit, si zv.presidenti i KE-së, McAllister, për të gjetur një konsensus. McAllister dështoi në përpjekjet e tij dhe u largua duke lënë në konflikt palët. Rama refuzonte kategorikisht dorëheqjen, Basha e kërkonte medoemos ndërsa Meta propozonte “qeverinë e besimit”.

Me dështimin e paketës McAllister, Brukseli u tërhoq dhe deklaroi njëzëri se do t’i njihte zgjedhjet e 18 qershorit edhe nëse opozita nuk bëhej pjesë. Ishte një goditje e fortë për Lulzim Bashën që për çudi, nuk u duk se i shkaktoi shumë frikë. Ndërkohë po afrohej koha për t’u regjistruar partitë në zgjedhje dhe për të konfiguruar koalicionet. Prej ditësh, Rama e Meta takoheshin nëpër darka të shpeshta ku mendohej se po rinegocionin marrëveshjen e koalicionit. Dilnin nga darkat e peshkut me gjysma fjalësh se koalicioni ishte duke funksionuar e do të rikonfirmohej në zgjedhjet e 18 qershorit. Dukej një presion që Rama po i bënte opozitës më shumë se sa dëshirë për të nënshkruar edhe katër vjet telashe me LSI-në. Në pritje të opozitës, përfunduan afatet ligjore për regjistrimin e koalicioneve dhe PS-LSI nuk nënshkruan bashkëpunimin. Pritej një moment i dytë, gjithnjë në pritje të opozitës për të hyrë në zgjedhje.

Kurthi i Metës për Ramën, që iu kthye në bumerang

Por opozita nuk po jepte shenja ndërsa Meta dhe aleati tjetër i Ramës, Idrizi i PDIU-së po rrisnin presionin ndaj Ramës që të mundësojë garantimin e votës për shqiptarët dhe një proces normal bashkë me opozitën. Kjo situatë zgjati për disa ditë me deklarata në llogore ku dukej se askush nuk do të lëshonte e se Shqipëria po hynte në një krizë që do të prodhonte një të ngjashme me atë të ’97-ës.

Në mesin e majit, erdhi në Tiranë i dërguari i Departamentit Amerikan të Shtetit, nënsekretari për Europën dhe Azinë, Hoyt Brayn Yee, i cili si “me magji” e zgjidhi krizën. Zyrtari i lartë amerikan u takua me përfaqësues të të gjitha palëve, u largua duke mos e lënë të konkretizuar marrëveshjen. Pas negociatash të gjata mes mazhorancës dhe opozitës dukej se ende nuk ishte tejkaluar konflikti. Darkën e 17 majit, partitë e vogla të nxitura nga Ilir Meta i LSI-së, propozuan një tryezë të partive parlamentare ku ishin thirrur edhe Basha e Rama. E pranuan ftesën menjëherë dhe u shfaqën në atë tryezë ashtu të tensionuar me gjuhë që nuk dukej se do të çonte drejt zgjidhjes. Pas bisedimesh mes përfaqësuesve të partive parlamentare rrethanat e sollën që Rama e Basha të gjenden vetëm për vetëm në një takim, pa praninë e askujt. Prej atij takimi do të vinte edhe zgjidhja, e bashkë me të edhe ndarja përfundimtare e Ramës me Ilir Metën.

Ishte një takim i sajuar nga Meta për të futur në grackë dy liderët por kryesisht Ramën, që përfundoi si një kurth për vetë Ilir Metën.

Rama e Basha u ulën në takim dhe atje firmosën marrëveshjen për zgjedhjet e 25 qershorit. Basha pranoi më pak se ç’i ofronte paketa McAllister, por për çudi u duk i kënaqur. Mori gjashtë ministri e disa drejtori për të cilat mori shumë kritika. Ishte fjala për drejtori si CEZ, Hipotekat etj., ku gjenerohen shumë para publike e ku korrupsioni ka qenë gjithnjë problem.

Pasojat e marrëveshjes

Katër orë bisedime pa praninë e asnjë faktori tjetër, Rama e Basha nënshkruan orët midis 17 dhe 18 majit, një marrëveshje që u duk se kishte në dorë fate liderësh. Pati shumë prej atyre që e lexuan si rënie e Ilir Metës, madje pati edhe nga ata që e lexuan edhe si fundi i Sali Berishës. Ndërkohë Ilir Meta ishte zgjedhur president me votat e Edi Ramës ndërsa Sali Berisha ishte në zyrën e tij i “painteresuar” për çfarë po ndodhte. Tamam në këtë situatë, Meta shkoi në zyrën e Sali Berishës si për t’iu qasur Ramës e Bashës si kërcënim, pasi e kishte ndjerë se në atë marrëveshje Meta ishte i përjashtuar. Do t’i shihte shpejt pasojat sepse marrëveshja diktoi daljen në zgjedhje pa koalicione dhe LSI-së do t’i duhej të përballej vetëm në betejën e 25 qershorit. Ishte një marrëveshje PS-PD për të asgjësuar të vegjlit. Reagimet e tyre nuk zunë vend, dhe situata do të shpërthente gjatë fushatës kur të gjitha akuzat e Ramës e Bashës do t’i drejtoheshin Ilir Metës.

“Zhdukja” e kanabizimit

Ndërkohë që Basha ishte përqendruar në akuzat ndaj “shushunjave” si LSI, kishte “harruar” kanabizimin si “faj” të Edi Ramës. Ndoshta ishte i shtrënguar ta shmangte përdorimin e kauzës për të cilën kishte qëndruar tre muaj në çadër, ndoshta nuk po e kuptonte se Edi Rama e kishte tërhequr Bashën në një terren të fushatës që nuk i shërbente PD-së, por vetëm Edi Ramës dhe maksimizimit të votave të tij më 25 qershor. Ndoshta ishte i detyruar ta bënte këtë zgjedhje. Ne dimë çfarë kanë deklaruar Rama e Basha, por nuk dimë më siguri se çfarë u bisedua në jo vetëm 4 orët e 17 majit, por edhe në 5 të tjera paraditen e 18 majit. Pavarësisht se çfarë u nënshkrua e u tha në ato takime, ne dimë me siguri se ndikoi në humbjen dramatike të Lulzim Bashës dhe fitoren e madhe të Edi Ramës.

Kjo fitore e kryeministrit për mandatin e dytë do të mbahet mënd si një ndër rastet tipike në historinë politike të Shqipërisë. Një kryeministër që ka qeverisur vendin mes zhurmës së madhe të akuzave për kriminalizimin e politikës, e faktuar në shumë raste, mes akuzave për korrupsion, faktuar gjithashtu në shumë raste, mes dështimesh në shumicën e premtimeve për këtë mandat, ia del të fitojë 74 mandate.

Është me rëndësi të evidentohet se rruga e Edi Ramës drejt fitores ishte pastruar herët nga dy pengesa shumë të rëndësishme, që janë media apo shoqëria civile. Janë dy faktorë pa të cilët demokracia në një vend është jofunksionale. Roli i munguar i medias në katër vitet që shkuan e ka origjinën shumë më herët dhe lidhet me Edi Ramën. Është një ndër politikanët që ka një kontribut të çmuar në rrënimin e pavarësisë së mediave në Shqipëri, qysh kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Tani me arrogancë, i quan mediat “kazan” dhe tallet me shoqërinë civile kur thotë se po i kërkon “varrin t’i vendosë një tufë lule”.

Megjithatë, Rama ka marrë maksimumin e mundshëm të besimit të shqiptarëve. Janë 74 vota në kuvend për një mandat historik, siç e quan ai. Do të jetë mandati i zbatimit të Reformës në Drejtësi e në këtë kuptim, me të vërtetë ky është një mandat historik. Ndaj dhe Edi Rama është në provën e madhe të jetës së tij politike. Vettingu është hapi i parë e aty do të duket shpejt e ardhmja e Shqipërisë, nëse do ta pastrojë drejtësinë e më pas politikën nga kalbëzimi i korrupsionit për t’i dhënë Shqipërisë shtetin ligjor. Ndërkombëtarët e mbështetën maksimalisht e nuk do të tolerojnë për asnjë standard që ata kërkojnë për anëtarësimin Shqipërisë në BE. Nëse dështon në këtë mision, do të hyjë në histori jo si misionari që pati premtuar, por si kryeministri që fundosi përjetë shpresat e shqiptarëve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Moldavja që nxiti Kutelin: Me ‘Këngë e britma nga qyteti i djegur’

Nadia, gruaja baloshe  moldave e frymëzoi për të mbledhur këngët popullore, edhe pse qyteti...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *