Rruga e vetme

“Anulimi” i zgjedhjeve në Kavajë përtej tymnajës dhe paqartësive të krijuara, iu lë palëve shteg për negociata dhe shmang konfrontimin e mundshëm. Palët vijuan të shkëmbejnë ultimatume dhe retorikë, por mundësitë për dialog mbeten të hapura. Rama akuzoi PD për skenar destabiliteti, ndërsa Basha e shpall fitore tërheqjen dhe këmbënguli te qeveria teknike

Nga Vladimir Karaj

Tërheqja e kryeministrit Edi Rama nga zgjedhjet në Kavajë të dielën e ka bërë edhe më të paqartë situatë për 18 qershorin, por ka shmangur një përplasje të mundshme dhe lë hapur mundësinë për dialog. Rama e shpalli lëvizjes si të nevojshme për të “ruajtur stabilitetin” që sipas tij kërcënohej nga një plan i PD-së, ndërsa kjo e fundit e cilësoi fitore të parë tërheqjen e kryeministrit. Përfaqësitë e huaja përshëndetën vendimin si mundësi për të vijuar dialogun, por retorika e palëve tregon se ato janë ende shumë larg një zgjidhjeje dhe se ndërmjetësimi do të vijojë të jetë i vështirë. Palët të dyja paraqitën ultimatume. Rama tha se i jepte kohë Lulzim Bashës deri të hënën. “Zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor dhe më 8 maj unë nuk jam më në dispozicion të Bashës për bisedime, nëse ata nuk bien dakord për marrëveshjen për të modifikuar Kodin Zgjedhor dhe për të votuar vettingun”, ka thënë Rama.

Basha u përgjigj disa orë më vonë duke festuar si fitore tërheqjen e qeverisë dhe duke përsëritur se zgjedhje më 18 qershor nuk do të ketë. “Ultimatumet i refuzojmë, bëhuni pjesë e zgjidhjes për republikën e re, zgjedhjeve të lira ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh kombëtar javën e ardhshme në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti dhe fshati ku vullneti për demokraci nuk zmbrapset më”, -tha Basha duke deklaruar se 18 qershori kishte rënë politikisht dhe moralisht.

Skenarët e destabilitetit

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes tërhoqi PS nga zgjedhjet e të dielës në Kavajë. “I kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë të tërhiqet nga gara të dielën”, ka thënë Rama. Kjo lëvizje e Ramës vjen pasi sipas tij, PD ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë. “Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakt, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë”, ka thënë Rama. Lulzim Basha i cili replikoi nga çadra, ku vendimi u kremtua si fitore, pranoi skenarin e destabilitetit, por fajësoi qeverinë për këtë. “E vërteta do të ishte e paplotë, pa konstatuar se Edi Rama kishte të drejtë ku, përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarinë kavajase dhe me mbarë shqiptarët ditën e diel, shprehu edhe frikën e destabilizimit”, -tha Basha. Por ai menjëherë ia hodhi fajin shumicës, duke thënë se “bandat që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë i përkasin një dhe vetëm një krahu politik, rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur”.

Kryeministri pati përmendur edhe më herët skenarët e destabilitetit, madje ai pati përfshirë në të edhe vende që kishin interesa për probleme në Shqipëri. Rama e ritheksoi këtë.  Ai është shprehur se, “provokimi antikushtetues i të tmerruarve nga drejtësia qeveria nuk do t’i përgjigjet “flakë për flakë”. “Kavaja nuk do të bëhet shesh i një përsheshi të neveritshëm që po e gatuan PD-ja e që do të dështojë me turp”, është shprehur Rama. Kandidati i PS në Kavajë që shkonte drejt një fitoreje të sigurt, pavarësisht pjesëmarrjes e pranoi vendimin e kryeministrit, duke përmendur “interesin kombëtar”. Por në darkë duke iu përgjigjur reagimit të Bashës për fitore, Rama ironizoi: “Lulëzim fitore të tilla paç ngaherë po a më thua dot si ka mundësi që anëtarët e tu në KQZ po zihen kundër tërheqjes së kandidatit tonë?”. Disa orë më vonë dorëheqja u zyrtarizua. PD ndërkohë tërhoqi mitingun që kishte lajmëruar, por Basha nga çadra njoftoi një tjetër “marshim paqësor”, javën tjetër në kryeqytet. Ai i tha shumicës se nëse nuk do të pranonte “qeverinë teknike si zgjedhje për situatën” do të përballej me marshimin popullor dhe protestën në çdo qytet.

Ambasadat, të kënaqura

Shtyrja e përplasjes, nëse të tillë do të kishte, i ka kënaqur ambasadat në Tiranë. Pas Presidentit të Republikës që e përshëndeti, me gjasë për herë të parë gjatë këtij katërvjeçari veprimin e kryeministrit, përfaqësitë e SHBA, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, BE dhe OSBE përshëndetën vendimin dhe bënë thirrje për vijim të dialogut. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës te procesi i dialogut. Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar”, thuhej në njoftimin e ambasadës së SHBA në kryeqytet. Ambasada po ashtu bëri thirrje që palët të qëndrojnë larg dhunës dhe të angazhohen në dialog. “Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanërisht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, thuhet në njoftim. Një të ngjashëm lëshoi edhe ambasada e Gjermanisë, që po ashtu u bëri thirrje palëve të qëndrojnë larg retorikës së dhunës. Edhe ambasadori britanik në vendin tonë, Duncan Norman ka përshëndetur vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve. “Apel militantëve për shmangien e dhunës në periudhat para dhe gjatë zgjedhjeve”, ka deklaruar Norman në një reagim për shtyp. Ndërsa OSBE e cilësoi veprimin e kryeministrit si “mundësi e vazhdimit të negociatave për zbatimin e rekomandimeve”. Ndërkohë KQZ ishte e paqartë se si do duhej të vepronte në një situatë që njerëz pranë institucionit e cilësuan të paprecedentë dhe të paparashikuar në ligj. KQZ pritet të shqyrtojë situatën dhe të marrë një vendim që do justifikonte ligjërisht mosmbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë reagimet postfakt ishin të ndryshme. Andi Bushati, kritik i ashpër ndaj Ramës e quajti veprimin e tij “për t’u falënderuar” edhe pse vuri në dyshim motivet, ndërsa theksoi se Rama po mbronte vetëm karrigen e tij. Ndërkohë Mero Baze edhe pse e quajti normal anulimin e zgjedhjeve, e kritikoi Ramën për retorikën. Baze këmbëngul se rrezik për përplasje nuk kishte. “Por Edi Rama po e përdor ‘lojën e luftës’ në Kavajë, si një përpjekje për t’u viktimizuar në procesin e bisedimeve dhe për t’i dhënë një shans më shumë bisedimeve deri të dielën në mbrëmje”, shkruan ai. Nuk është e qartë se si është pritur vendimi i Ramës në Kavajë dhe as mes mbështetësve të tij. Andi Bushati thotë se ai mund të sulmohet si burracak. Ndërkohë PD e shpalli fitore tërheqjen. Ndërkohë me gjithë “armiqësinë” e kultivuar këta muaj mes simpatizantëve të saj dhe funksionarëve të lartë të BE apo deri dhe ministrave të Jashtëm të vendeve si Gjermania, fjala e Bashës u shoqërua edhe me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ndërsa vija melodike ishte ajo e filmit Skënderbeu, e adaptuar si himni i KRAH (Korpusi Rinor Azem Hajdari) një grup të rinjsh pranë PD, e shkruar për ironi nga kompozitori sovjetik Georgy Sviridov dhe Çesk Zadeja. Përtej kësaj dhe ultimatumeve duket se palët i kanë lënë të hapura rrugët për bisedime të tjera, fati i të cilave mbetet i paqartë ashtu si ai i zgjedhjeve të 18 qershorit. Diçka si do qoftë është vendosur, përplasje për shkak të zgjedhjeve nuk do të ketë, të paktën jo këtë të diel në Kavajë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja ushqimet që ju mbrojnë nga rrezet e dëmshme të diellit

Në listë bën pjesë peshku dhe salmoni, pasi janë të pasur me...
Read More