Rrugëtimi që nuk resht

“Armëpushimi” është një rrëfim plot lirizëm dhe humor për ringirtjen e njeriut edhe pasi  ka qenë nën pushtetin e marrëzisë, nën hijen e një të keqeje që qëndron si një re e madhe mbi kokë e ta bën të vështirë të shohësh dritën. Rrëfimi i Levit të kujton ato çaste kur shqiptarët shembën murin e diktaturës në vitin ’90 dhe besuan se me të mbërritur në derën e lirisë, gjithçka do të ishte e lehtë…

Nga Agim Baçi

Gjithmonë do të ketë vend në botë për “Odisenë”. Gjithnjë do të ketë udhëtarë për rrugët e kthimit, për të gjetur atë që kanë lënë, për të rinisur rrugëtimin që për dhjetra apo qindra arsye mori një tjetër drejtim. Primo Levi, shkrimtari që fati e bëri pjesë të marrëzisë dhe ligësisë ekstreme, si banor i kampit të Lagerit, në Aushvic, është një Odise që kërkon të fitojë vetveten përmes rikthimit – një rikthim i vështirë, por i domodoshëm. Një rikthim që nuk mbështetet në bujën e fituesit, që nuk akuzon, por që ka bujën e njeriut që kërkon të lexojë gjithçka që i ka ndodhur, me notat e njeriut që nuk fsheh asgjë dhe nuk ka pse të shohë veten apo të tjerët jashtë mëkatit. “Armëpushimi” është një rrëfim plot lirizëm dhe humor për ringirtjen e njeriut edhe pasi  ka qenë nën pushtetin e marrëzisë, nën hijen e një të keqeje që qëndron si një re e madhe mbi kokë e ta bën të vështirë të shohësh dritën. Rrëfimi i Levit të kujton ato çaste kur shqiptarët shembën murin e diktaturës në vitin ’90 dhe besuan se me të mbërritur në derën e lirisë, gjithçka do të ishte e lehtë. Por, në fakt, gjithçka ka nevojë për një dorë – së pari një dorë të brendshme nga gjithsecili për të besuar se realiteti ka nevojë të lexohet, se duhet të ringrihesh e të ecësh vetë për të rindërtuar jetën tënde. Dhe Levi me “Armëpushimin” e tij na vjen si një ftesë për ta zbuluar këtë odise të rëndësishme udhëtimi e kthimi që i ndodh njeriut në jetë.

Përshkrimet e Levit janë një pasqyrë e së pathënës, janë një pikturë e katrahurës që kish mbërthyer shumë vende evropiane pas një lufte shkatërruese. Ngadhnjimi dhe marrëzia shpesh janë përballë dhe Levi nuk ka nguruar të zbukurojë asgjë e aq më pak të moralizojë. Me një autoironi therëse ai e jep vetveten si një përshkrues i asaj që ishte rrëzuar shpirtërisht, e njëkohësisht edhe i asaj që po kërkonte të ringrihej. Çezari, Leonardo, Kapiteni Egorov, greku praktik Mordo Nahum, doktor Gotliebi apo edhe Hurbineku i vockël – një pjellë e vetë vdekjes – janë të gjithë personazhe të një lumi njerëzor e njëkohësisht lumi meditimi mbi njohjen njerëzore, mbi natyrën që shfaq njeriu në situata të pamenduara mbijetese.

“Hurbineku ishte një hiç, bir i vdekjes, bir i Aushvicit. Tregonte rreth nja tre vjeç, askush s’dinte gjë për të, nuk dinte të fliste dhe s’kishte as emër: atë emër të çuditshëm, Hurbinek, ia kishim vënë ne, ndoshta ndonjëra prej grave, që me ato rrokje kishte interpretuar ata tinguj të panyjëtuar që lëshonte i vogli herë e tek. Ishte i paralizuar nga mesi e poshtë, këmbët i kishte të atrofizuara, të holla si purteka; por sytë e tij, të zhytur në fytyrën trekëndëshe e të tretur, bridhnin si shigjeta, tmerrësisht të gjallë, kërkonin pareshtur, si për të pohuar vullnetin për të shkallmuar, për të thyer varrin e memecërisë”. (Primo Levi, “Armëpushimi”, përkthimi nga Aida Baro, Pegi, f. 21)

“A është luftë përherë”? – thotë greku Nahum. Primo Levi përmes rrëfimit duket sikur thotë më shumë “po” lidhur me këtë arsyetim të grekut Mordo që e fton Levin që të gjejë rrugën për të mbijetuar e jo të besojë se gjithë bota tashmë ka sytë tek ai e të tjerë që kanë mbijetuar. Dhe ashtu siç nuk e ka zgjedhur fatin e tij, Levi nuk përpiqet as t’i kushtohet ndonjë heroizimi në rrëfimin e tij e as të jetë pjesë e atyre që përshkrujanë me gjuhën e tregimeve të stisura atë dhembje. Pikërisht ky qëndrim e kthen rrëfimin e Levit në një guidë të rëndësishme për të njohur anët e njeriut përballë jetës dhe përballë vdekjes. Në këtë përshkrim askush nuk mund të thotë me garanci se ngadhënimi mbi jetën është më i lehtë se ngadhënjimi mbi vdekjen.

Përshkrimet e Levit në rrugëtimin e tij nga Aushvici në Torino kalojnë duke përshkruar tregun në Krakovës dhe Katovicës, fushat e pafundme ruse, Odesën, Rumaninë, Hungarinë e Austrinë. Rrëfimi i tij është një njohje e rëndësishme, një zgjerim horizonti, një pikturë e paharrueshme dhe nevojë për të triumfuar mbi të rëndomtën, mbi kurthet e përditshme. Rrëfimi i Levit (i ardhur plot elegancë edhe në përkthimin e Aida Baros në shqip) mbetet një kult për jetën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zanat moderne të maleve

Dy shqiptare dhe një amerikane që kanë vendosur të jetojnë, mbrojnë dhe...
Read More