Ruçi drejton me dorë të hekurt: Basha përjashtohet nga seanca

Masa e parë që ka dhënë kreu i ri i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkoi për kreun e opozitës, Lulzim Basha

Në seancën e kësaj të enjteje, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka njoftuar ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore.

Komisioni do të jetë dypartiak, do të trajtojë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe propozimet e partive që kanë marrë në zgjedhjet e fundit jo më pak se 1 për qind të votave.

“Përbërja e komisionit do të jetë e barabartë mes shumicës dhe pakicës. Komisioni do drejtohet nga dy bashkëkryetarë të PD dhe PS, Blendi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Ndërkohë, ekspertë ndërkombëtarë janë të ftuar”, ka deklaruar Ruçi.

Kryetari i Kuvendit ka shtuar se vendimet do të quhen kur të votohen nga të gjithë anëtarët dhe të kenë marrë konsensusin e bashkëkryetarëve.

Ndër të tjera Ruçi ka bërë me dije se, ditën e djeshme Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e Kuvendit.

Njoftimi i Ruçit është pasuar nga një debat mes krerëve të grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Edmond Spaho. Ky i fundit ka kërkuar debat për çështjen, ndërsa Balla e ka refuzuar këtë kërkesë me argumentin se debati do të bëhet në komisionet parlamentare.

Në vijim të seancës fjalën e ka marrë kryetari i PD, Basha, i cili ka kërkuar nga kryetari të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të caktuar ditën e dabtit dhe i ka bërë thirrje atij që të mos vendosë me forcën e kartonëve.

“Jeni një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Mblidh Konferencën e Kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet debati për një javë. Shtyrja e debatit ka vetëm një qëllim, t’i mbyllësh gojën opozitës”, ka thënë Basha.

Nga ana e tij Ruçi ka sqaruar se, nuk ka sens të mblidhet Konferenca kur Parlamenti është mbledhur për rendin e ditës.

“Propozohet një votë pro dhe një kundër, qoftë për zgjedhje nga rendi i ditës. Një kryetar grupi ishte për debat, dy kryetarë grupesh ishin për diskutimin javën tjetër. Nuk mundet që Konferenca e Kryetarëve të marrë atributet që i ka seanca parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur”, ka thënë Ruçi, i cili i ka tërhequr vërejtje Bashës për faktin se ka bllokuar podiumin e Parlamentit.

“Për pushtimin e foltores të tërheq vërejten, pesë minuta pushim,” tha Ruçi.

Pas rinisjes së seancës, sërish deputetët demokratë ishin në këmbë pranë foltores.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi se kryetari demokrat, Lulzim Basha përjashtohet nga seanca.

“Nuk doja që masa e parë që do jepja të ishte për kreun e opozitës. Basha duhet të respektojë rregulloren,” tha Ruçi, duke e ndërprerë seancën sërish.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vetëm Harper Beckham mund të ketë një festë ditëlindjeje në Buckingham Palace!

Çdo vajzë gjashtë vjeçare do të vdiste për të pasur një ditëlindje...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.