Rudina Hajdari, jo vetëm si vajza e Azemit

Rrëfimi interesant i bijës së liderit të Lëvizjes Studentore dhe kryetar i parë i Partisë Demokratike. Si e ka projektuar rrugën e saj në partinë që themeloi i ati, kritika për lidershipin e PD-së dhe a do t’i thotë “jo” Bashës, siç i tha i ati “Jo” Berishës…

Bisedoi: Luljeta ProgniRevista Mapo

“Unë dua të flas hapur dhe do mbroj të vërtetën, edhe nëse kjo bie ndesh me më të fuqishmit në shoqëri”, është përgjigja e Rudina Hajdarit, kur e pyet në se do t’i ngjajë babait, kur ai kundërshtonte edhe Sali Berishën. Është një ndër deputetet më të reja të kuvendit të Shqipërisë, sapo ka mbushur 30 vjeç, vjen në PD si një e re e shkolluar në perëndim, me një përvojë interesante në institucione të rëndësishme në SHBA e Britani por vjen në radhët e grupit parlamentar të PD-së edhe si vajza e Azem Hajdarit. Nuk e ka fort për zemër ta theksosh se është sot deputete falë mbiemrit të saj. Kërkon të bindë se do të jetë vetvetja e do të krijojë profilin e saj politik. Është shumë e matur në përgjigje dhe e reflekton edukimin në shkollat e perëndimit dhe përvojën në institucionet e tyre. Nuk e ka për dëshirë të krahasohet me politikanet që kanë bërë karrierë e kanë lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit të 27 viteve të fundit. Madje refuzon të na thotë se cila grua është modeli i saj në politike, por shpreh respekt për kontributin e grave të politikës e veçanërisht ato të PD-së.

Ajo thotë se në PD ka luftë grupesh kundërshtare e se një ditë do t’i duhet të pozicionet. E mendon thjesht përplasje alternativash e debate konstruktive brenda PD-së.

Kur e pyet për të atin, ajo të përgjigjet “Për Azemin, kam shumë për të thënë”. E ka padyshim për krenari se është e bija. Kujton fillimet e tij kur thotë se ai u zgjodh të ishte udhëheqës i një momenti të madh në historinë e Shqipërisë dhe iu desh më pas të niste përpjekjet për t’u bërë politikan. Nuk harron të na kujtojë se Azemi ishte shumë larg me ambiciet për pasuri të politikanëve të kohëve të sotme. “Ai nuk ishte i interesuar në pëlhurat e pasurisë, fuqisë, patronazhit dhe prestigjit që zakonisht vijnë me karrigen e pushtetit… Në radhë të parë ai ishte njerëzor, dhe kujdesej për njerëzit e thjeshtë – dhe zgjodhi rrugën e politikës si mekanizmin e vetëm për të ndryshuar jetën e tyre”.

Rudina Hajdari e ka nisur rrugën e saj dhe është e bindur se do t’i kërkojë e do t’i gjejë shtigjet e duhura për t’ia dalë mbanë në këtë arenë të politikës shqiptare, përmes personazhesh që kanë shumë dritëhije në këto 27 vite të tranzicionit. Është kaq e sigurt se shpejt do të jetë një ndër zërat e rëndësishëm të PD-së e atëherë nuk do t’i thonë vetëm vajza e Azemit, por Rudina Hajdari. Përmes një rrëfimi për revistën Mapo, Rudina na tregon si e parasheh rrugën së saj në PD dhe si e ka të projektuar në mendjen e saj, PD-në e së nesërmes.

Fjala juaj e parë në parlament u mbajt në një ditë shumë të veçantë, pikërisht datën kur babi juaj u largua mizorisht nga kjo botë. Kur u drejtuat te foltorja, me siguri patët shumë emocione dhe padyshim peshën e rëndë të emrit që ka lënë pas ati juaj…sepse në atë sallë, Azem Hajdari ka lënë shumë gjurmë.. atje ka folur me shumë pasion për politikën por edhe është grindur shpesh me kundërshtarët si askush tjetër… atje ai edhe u plagos… duhet të ketë qenë jo fort e lehtë kjo pjesë e emocioneve të herës suaj të parë në atë sallë?

Fjala ime e parë në parlament rastisi në një ditë që ishte veçanërisht prekëse. Nuk kishte vend më të përshtatshëm se parlamenti për të kujtuar atë ditë, pasi babai im e shihte parlamentin si shtëpinë e tij të dytë. Prandaj, duke pasur këtë histori mbi supe, me të drejtë unë mund të them se përjetova vetëm të njëjtat ndjenja, të një deputeti të ri që flet për herë të parë, por gjithashtu një peshë krenarie dhe përgjegjësie personale.

Në prezantimin e parë në media pas zgjedhjes deputete, të jepni përshtypjen se aktiviteti juaj parlamentar do të jetë i matur dhe brenda kornizave të aksionit të dirigjuar nga grupi parlamentar, ndryshe nga babai juaj që shpeshherë, jo vetëm bëhej protagonist, por dilte hapur edhe kundër grupit të tij parlamentar. Si iu përgjigjesh atyre që duan të të shohin në vend të Azemit?

Që nga ajo kohë bota ka ndryshuar rrënjësisht. Politikëbërja nuk është e mbizotëruar nga një gjuhë partizane, konfrontuese dhe luftarake. Ju siguroj, qëndrimi im politik nuk ka të bëjë me të qenit e “kujdesshme’, është një qëndrim im i matur që shpreh një gjuhë pro kompromisit dhe ka konsideratë brenda. Pra, ky qëndrim pasqyron qartë ndryshimet themelore dhe kalimin e kohës që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit. Do të ishte gabim ta merrje këtë qëndrim si i kujdesshëm dhe i bindur verbërisht ne korniza partish. Unë vërtet qëndroj për Partinë Demokratike, por së pari vë përpara interesin e Shqipërisë – dhe unë do qëndroj në një linjë derisa PD-ja shkon paralelisht me besimin tim, që kjo parti i shërben interesit më të mirë të vendit. Unë gjithmonë do ta vë Shqipërinë në radhë të parë. Politika e heshtur, politika e kujdesit që i shërben ndërtimit të karrierës politike nuk është për mua. Unë kam studiuar në shkollat politike Britanike dhe Amerikane ku thelbi i suksesit politik është debati dhe idetë që shprehen në mënyrë të pavarur sipas mendimit të lirë. Rruga e suksesit politik e një Partie si PD është pikërisht për të qenë e hapur ndaj diskutimeve të cilat janë konstruktive. Nëse nuk ka debat, nuk ka as ide të reja dhe pa pasur strategji dhe ide të reja një parti shkon drejt një paralize e cila nuk i shërben askujt, aq më tepër në këto momente që jemi në opozitë duhet sa më shumë debat konstruktiv dhe ide të reja që të krijojmë sa më shumë besim te populli që ne si parti kemi forcën dhe kapacitetin e duhur për të nxjerrë vendin nga kriza e mosbesimit në të cilin është zhytur vendi. Dhe gjithashtu, të krijojmë dhe besimin e duhur te njerëzit tanë se ky vend mund të kthehet në një vend ku çdo i ri apo e re, ta shikojë të ardhmen e tij apo të saj këtu dhe jo jashtë kufijve. Unë do jem brenda kornizave të arsyes, moralit dhe modernitetit, e cila pasqyron ndryshimet e pazgjidhshme gjeopolitike dhe kulturore që ka ndodhur në vendin tonë.

Si do ta vlerësonit veprimtarinë parlamentare të babait tuaj në përgjithësi dhe cilin prej lëvizjeve politike të tij do ta veçonit?

Ka parlamentarë që ekzistojnë për të lexuar fjalime, për të sfiduar propozimet dhe për të përmbushur rolet bazë të kërkuara nga një deputet apo politikan. Babai im ishte një njeri i cili u zgjodh për të qenë udhëheqës, pastaj u bë një politikan. Babai im nuk zgjodhi të ishte një lider – ai u zgjodh. Si fillim studentët kishin besim tek ai që ai do të përfaqësonte interesat e tyre gjatë takimit me Ramiz Alian. Edhe pas protestave në Qytetin Studenti, lëvizja studentore vazhdoi t’i besonte babait tim për të krijuar një parti e cila kërkonte të ndërtonte një demokraci të brishtë, në hijen e një diktature të frenuar.

Që kur Azemi së bashku me studentet e dhjetorit filluan lëvizjen për të përmbysur diktaturën, ai e kuptoi se për të qenë parlamentar dhe politikan i suksesshëm, së pari, duhet të jesh njeri popullor dhe për asnjë moment të mos shkëputesh nga baza. Ai ishte konkret pasi lëvizjet e tij politike dhe ato parlamentare i bënte në përputhje me nevojat që kishin njerëzit si dhe me interesin kombëtar të vendit tonë. Ai ishte i afërt me çdo militant të PD. Unë do vlerësoja më së shumti lëvizjen politike që ndërmori për të ringritur në të gjithë Shqipërinë strukturat e PD, sidomos në Jug pasi PD doli në opozitë nga zgjedhjet e vitit të zi për Shqipërinë, 1997. Azemi bëri pikërisht ato çfarë kishte më shumë nevojë PD dhe Shqipëria që të ringrinte atë parti të cilën ai së bashku me studentët e dhjetorit e krijuan duke mposhtur diktaturën më të egër në Europën Juglindore, por fatkeqësisht nga ngjarjet e vitit 1997 në shumë qytete PD dhe strukturat e saj u shkatërruan nga njerëz të cilët çdo gjë mund të ishin por nuk mendonin qoftë dhe një sekondë për t’i shërbyer të mirës së vendin tonë, sepse krijuan grupe konfliktuale duke ju vënë emra nga më të çuditshmit, që nxisnin vetëm përçarje dhe frymë destabilizuese. Im atë me disa demokratë të tjerë të vërtetë në 1997 bënë lëvizjen që filloi ringjalljen e PD duke shkuar në çdo qytet, duke e filluar me takimin e parë në Vlorën e Ismail Qemalit, ku disa kriminelë nuk donin të linin më ringjalljen e PD dhe duke vazhduar në çdo qytet të vendit tonë. Ai shkonte në vende ku të tjerët nuk guxonin. Rezultatet e kësaj lëvizje ishin të shpejta sepse filluan të krijonin besim te njerëzit se PD mund dhe do të ngrihet. Kjo lëvizje i trembi shumë kundërshtaret e tij politik, dhe pikërisht në kohën e kësaj lëvizjeje ai iku nga kjo botë, duke lënë gjurmë që mbetën si motivim për mua si vajza e tij, dhe për çdo të ri apo të re që dëshiron që vendi ynë të ketë demokraci të vërtetë si çdo vend i botës moderne.

Nuk kam asnjë dyshim se politikanët e rinj që dolën nga fillimet e ‘90 e njihnin pak kapitalizmin, dhe Europën dhe atë që vendet demokratike përjetonin në atë kohë. Por kur kapitalizmi erdhi në Shqipëri brenda natës, mundësitë dhe paratë erdhën në një vend aq të varfër, shumë konflikte interesi u formuan midis biznesit dhe politikës. Pra këta të rinj, figura të sinqerta politike që fillimisht kishin protestuar me ideale të forta dhe një përulësi të patundur filluan t’i shtrëngonin duart me personalitete të huaja, diplomatë dhe njerëz të biznesit. Kjo shkaktoi që idealet e krijuara nga Lëvizja Studentore nuk u mbështetën ashtu siç duhet.

Im atë nuk u ndikua kurrë nga këto. Ai gjithmonë mbështeste dëshirën e tij për të ndërtuar një sistem demokratik në Shqipëri. Ai nuk ishte i interesuar në pëlhurat e pasurisë, fuqisë, patronazhit dhe prestigjit që zakonisht vinë me karrigen e pushtetit.

Dëgjohet shpesh nëpër ambientet e PD-së shprehja “sikur Azemi të ishte gjallë”… Nëse Azemi do të ishte gjallë, ju ndoshta do të ishit bashkëpunëtorja e tij më e afërt dhe do ta këshillonit për një politikë nga këndvështrimi i një brezi tjetër. Mund të na thoni ndonjë prej tyre?

Është krejtësisht e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Asnjë nuk e di si mund të ishte gjendja sot po të ishte ai gjallë – prandaj nuk mundet as unë të aludoj mbi këtë gjë. Unë vetëm mund të supozoj se parlamenti do të kishte qenë shumë më mirë. Mund të shpreh besimin tim të sigurt se po të ishte gjalle Azemi vlerat intelektuale në bazë të meritokracisë do ishin shumë herë më shumë të respektuara sepse ai ishte njeri i veprave konkrete dhe si i tillë ai nuk do kishte lejuar kurrë që niveli i parlamentarizmit në vendin tonë të binte në nivele që ishte parlamenti i kaluar, si në vlera intelektuale ashtu dhe në meritokraci. E them këtë në tërësi duke pasur parasysh të gjitha forcat politike, të cilat ishin pjesëmarrëse në parlament.

Pas një përvoje si staf i komitetit për politikën e jashtme në Amerikë, ju keni një tablo të qartë se si funksionon politika në perëndim dhe cila është gjuha e saj. S përkthehen njohuritë dhe përvoja juaj në parlamentin e një vendi të vogël dhe me specifika të veçanta, si Shqipëria?

Dallimi thelbësor midis një kuadri politik “perëndimor” dhe kornizës politike të një vendi si Shqipëria, është delikate dhe krahasime të tilla gjithmonë janë zhgënjyese.

Në një vend si Shtetet e Bashkuara ekziston një rrugë e qartë për të gjitha proceset politike, siç është miratimi i legjislacionit, zgjedhja e zyrtarëve dhe reforma kushtetuese. Institucionet i përmbahen rregullave në mënyrë strikte dhe respektojnë në mënyrë rigoroze protokollet dhe kuadret ligjore. Kushtetuta për ta është e shenjtë.

Një vend si Shqipëria – kushtetuta është një dokument i fragmentarizuar dhe ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme për t’i ngjarë sa më shumë kushtetutave të vendeve të tjera perëndimore. Pra në letër, të jep përshtypjen se ushtron të një njëjtin funksion dhe ndan pushtetet (check and balances) siç janë gjyqësori, ekzekutivi dhe legjislativi. Megjithëse ekziston një strukturë e tillë, këto janë institucione të paqëndrueshme dhe humbin kuptimin e tyre kur afatet nuk respektohen ose herë pas here ndryshohen, ose injorohen nga parlamentarët. Atje nuk ndodh që një President të zgjidhet jashtë afateve ose shembuj të tjerë që shkelin rregullat, sepse thjesht dalin të pavlefshme këto vendime. Edhe në rastet e komisioneve të Kongresit (në Shtetet e Bashkuara) ata shërbejnë për të ofruar këshilla të ekspertëve për organet e shtetit, kurse këtu komisionet edhe nëse duken sikur bëjnë të njëjtën gjë teknikisht, në të vërtetë veprojnë për të pasuruar ose favorizuar anëtarët e tyre.

Demokracia perëndimore është një gjë fisnike, por imponimi i shpejtë apo i ngurtë nga një vend si Shqipëria, të kujton poezinë satirike të Rudyard Kupling “barrën e njeriut të bardhë” ku përshkuan në mënyrë elokuente rolin e fuqive koloniale të botës gjatë Shekullit të 19-të kur po krijonin perandoritë e tyre. Duhet të gjejmë një mënyrë më pragmatike për të imponuar të njëjtat parime të demokracisë në një vend si Shqipëria – që lidhen edhe nuancat e kulturës sonë.

Ndaj nëse në vendin tonë nuk punojmë të gjithë së bashku për të sjellë një demokraci të vërtetë funksionale është e pamundur dhe thjesht krejt utopike dhe falsitet i neveritshëm që të bëhen krahasime mes politikës tonë dhe asaj të vendeve të botës së zhvilluar si USA, Britania e vende të tjera të perëndimit. Në vendin tonë, së pari, duhet të bëjmë hapat e parë realë dhe konkretë për një demokracia që vërtet funksion, duke zbatuar ligjin, kushtetutën dhe duke mos i shkelur ato kurrë për asnjë lloj arsyeje.

Si do të ishte një opozitë e suksesshme sipas jush? Jo teorikisht, por një opozitë të suksesshme në radhët e grupit parlamentar të PD-së këto 4 vitet e ardhshme.

Së pari, do të doja të theksoja se termi “opozitë”, sipas mendimit tim, është një term i keqkuptuar- si në rastin e Shqipërisë, por edhe kur zbatohet në vende të tjera perëndimore. Është një term që zakonisht shpjegohet edhe kuptohet në studimin e shkencave politike, por kur përdoret nga media apo nga organet jo politike ka konotacione negative.

E vë në dukje këtë, sepse të jesh një “parti opozitare” ose “opozitë parlamentare” në kontekstin e shkencave politike nënkupton se ne nuk ekzistojmë vetëm për të “kundërshtuar” qeverinë e zgjedhur ose partinë që ka shumicën e mandateve. Është shumë më konstruktive të mendosh se Partinë Demokratike është partia e dytë parlamentare në Shqipëri dhe nuk ekziston të themi e zezë kur PS thotë e bardhë. Patjetër që duhet të “kundërshtojmë” qeverinë nëse mendojmë se vendimet e tyre janë gabim- por kjo duhet të zërë rreth 10% të kohës që harxhojmë në parlament.

Në radhë të parë, Partia Demokratike duhet të merret me votuesit e saj në Shqipëri edhe të kalojë pjesën më të madhe të kohës duke shqyrtuar propozime apo mocione të PS-së, dhe mendojmë ndonjëherë për mënyrat për t’i bërë ato më mirë. Kështu ne mund të jemi një “opozitë e suksesshme” nëse pranojmë edhe idetë e mira të sjella nga qeveria e shumicës shqiptare dhe pastaj propozojmë mënyra për t’i bërë ato ide edhe më të mira – këto zgjidhje jo gjithmonë i shërbejmë profilit tonë politik, por janë më suksesshme kur ato zgjidhin problemet e qytetarëve.

Ne duhet të kemi një qeveri e cila në vende si Britania quhet “qeveri hije” ku çdo nismë të qeverisë ta shohim me kujdes dhe ta sfidojmë duke sjellë idetë bindëse dhe konkrete se si mund të bëhet më e suksesshme për t’u shërbyer qytetarëve dhe vendit tonë. Përveç kësaj ne duhet të propozojmë nisma në të gjitha fushat ku do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e mirëqenies së jetës së qytetarëve, në funksionimin e institucioneve, në shërbimet e përditshme që marrin qytetarët. Nëse qeveria bën vetëm show dhe tregon falsitet në duhet ta ndalojmë atë me ide konkrete duke propozuar se si bëhen vepra konkrete që ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë rritjes së vendeve të punës, dhe ndalimin e korrupsionit në administratë, që është një problem shumë shqetësues për qytetarët.

Disa zëra të simpatizantëve të figurave të vjetra të PD-së që tashmë nuk gjenden në sallën e Parlamentit, kanë hedhur dyshime për rolin tuaj në PD, e kam fjalën për rolin e të rinjve, krahasuar me profile të tjera si p.sh. Jozefina Topalli. Si ju përgjigjeni ju?

Zonja Topalli ka dhënë kontributin e saj në arenën politike prej 20 vitesh dhe ka mbajtur poste të cilat janë të lakmueshme. Krahasimi është kompliment por në të njëjtin kohë nuk e shikoj me vend si spekulim sepse unë sapo kam filluar veprimtarinë time politike, duhet t’ia lëmë kohës. Aq më tepër unë jam vetvetja dhe nuk më ka pëlqyer kurrë në jetë që të krahasohem me askënd pavarësisht simpative, respekteve që mund të kem për figura të ndryshme si në politikën botërore, ashtu dhe në atë kombëtare. Dua që çdo gjë ta arrij ndërmjet profilit tim duke punuar me përkushtim të palëkundur dhe duke vendosur gjithmonë interesat e vendit tim mbi ato të karrierës apo interesave të mia personale.

Do të vijë me siguri një moment kur do t’iu duhet të pozicionoheni qartësisht në këtë rrëmujë grupesh kundërshtare në PD… Me gjasë do të jeni me linjën zyrtare, por a keni ju vërejtje apo këshilla për lidershipin aktual të PD-së?

Nuk pajtohem me ketë që unë [I] “… do të duhet të pozicionohem më qartësisht në këtë përplasje të grupeve kundërshtare në PD”. Kjo nuk është loje, dhe nuk këtu nuk ka “përplasje”, janë opinione të ndryshme për lidershipin e PD-së. Unë vërtet nuk pajtohem me tonin e kritikave, dhe këto fyerje ose vërejtjet nuk janë të dobishme kur ata kritikojnë lidershipin e PD-së – por unë jam e sigurt se kur ka debate konstruktive pa emocione apo interesa personale të askujt ato i shërbejnë dhe lidershipit të PD dhe atyre që u iniciojnë ato. Unë jam gjithmonë për debate që i shërbejnë rritjes së vlerave të PD dhe rritjes së besimit të votuesve ndaj PD. Por gjithmonë në shërbim të interesit institucional të PD duke u kujdesur që këto debate dhe kritika të mos kthehen në bumerang dhe të dëmtojnë PD dhe imazhin e sajlidershipi i PD-së do të dalë më i fortë prej kësaj.

Ndërkohë që lideri historik i kësaj partie është sërish aty për të mbajtur një peshë me sa duket të fortë edhe për katër vitet që vijnë. Ju do të jeni në krah të Berishës si dikur ati juaj, por ai ka guxuar t’i thotë edhe “jo”, do ta bënit ju një gjë të tillë?

Azemi e kuptonte shumë se politika në atë kohë kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve në Shqipëri. Në radhë të parë ai ishte njerëzor, dhe kujdesej për njerëzit e thjeshtë – dhe zgjodhi rrugën e politikës si mekanizmi i vetëm për të ndryshuar jetën e tyre.

Unë dua të flas hapur dhe do mbroj të vërtetën, edhe nëse kjo bien ndesh me më të fuqishmit në shoqëri. Do të vendos interesat e Shqipërisë para meje dhe çdo interesi tjetër, sepse për këto aspirate, im atë dhe shumë të tjerë dhanë jetën e tyre, ndaj unë dhe çdokush që ka qoftë dhe një pikë ndjenje kombëtare nuk duhet të bëjë kurrë kompromis me asgjë që është e padrejtë dhe e dëmshme për Shqipërinë.

Ju keni edhe një sfidë… Do t’iu duhet të krijoni një profil tuajin politik ndoshta për t’u shkëputur pak nga tendenca që kanë e do të kenë të gjithë për të të quajtur “vajza e Azemit”. Padyshim që për ju është nder, por do të vijë një moment që ju do të doni të jeni thjesht politikania Rudina Hajdari. Si mendoni ta arrini këtë profil?

Jam krenare që jam vajza e Azemit dhe për rolin që ai luajti për sjelljen e pluralizmit në Shqipëri. Nuk mund të harrojmë kurrë ata shtruan rrugën në mënyrë qe ne të kemi një jetë më të lirë dhe më të mire, në çdo përpjekje tonën. Është e rëndësishme për ne t’i jemi mirënjohës atyre dhe ta mbajmë gjallë kujtimin e tyre duke respektuar dhe kontribuar për të njëjtat vlera dhe ideale. Kjo është për mua roli më i rëndësishëm për mua si politikanë, mbajtja gjallë e këtyre vlerave dhe jam e bindur që e ardhmja i takon atyre politikanëve që besojnë se Shqipëria është një vend që ka plot mundësi dhe trashëgon shumë pasuri për të qenë një vend i lakmuar për bukuritë e saj natyrore por edhe për potencialin që ka. Por sikur e theksova dhe me sipër unë jam lindur që të jem vetvetja dhe me përvojën që kam marrë në vendet ku kam studiuar dhe punuar, si dhe duke punuar çdo ditë që të përmirësohem në të gjitha aspektet e njohurive dhe aftësive politike jam e sigurt dhe e bindur se do kem profilin tim politik personal.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rezistenca e Bashës

Kuvendi shtyn votimin për reformën zgjedhore. PD bllokon punimet dhe mbledh grupin...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.