Rusia e Putinit përballë gjeopolitikës së SHBA dhe BE për Shqipërinë

Nga Pirro Prifti

Fitorja për herë të katërt e Putin në zgjedhjet e Rusisë më 18 Mars, me një rezultat prej 77% ose me votë popullore prej 56,206,514 vota, në krahasim me votat e Pavël Grudinin të Partisë Komuniste me 11.77% ose 8.7 milionë vota popullore, dhe me votat e Zhirinvskit si përfaqësues i Partisë Liberal Demokrate me 5.6% ose 4.1 milionë vota, tregoi edhe njëherë se pavarësisht manipulimeve që mund të jenë bërë ashtu siç thonë mediat perëndimore, Putin gëzon popullaritet të madh midis Rusëve.

Interesant ishte fakti se votat e rusëve jashtë Rusisë ishin më shumë në përqindje se sa votat që mori vetë Putin në Rusi, ekzaktësisht ishin 86% e votuesve rusë jashtë Rusisë votuan Putin.

Kjo vlen për t’u diskutuar sepse një pjesë e kundërshtarëve të Putinit mund të thonë se votat janë të manipuluara.

Zgjedhja për herë të katërt nuk duhet të ngrejë ndonjë shqetësim po të marrim parasysh se edhe Merkel mori mandatin e katër; sidoqoftë gjithkush mund të thotë se demokracia në Gjermani është ndryshe nga Rusia sepse Putin sillet si diktator. Kjo gjithashtu mund të hajë debat, ne shikojmë gjithashtu se edhe demokracia më e madhe në botë si Kina arriti të ndryshojë Kushtetutën duke i dhënë mundësi Xi Jinping të bëhet president i përjetshëm.

Sidoqoftë presioni perëndimor është mbi Rusinë e Putinit se sa mbi Kinën e Xi Jinpingut. Përse ndodh kjo gjë?

Dihet nga historia e Rusisë se Revolucioni i Tetorit ndryshoi fatet e Rusisë e cila u bë superfuqi në sajë të masave drastike të Stalinit i cili nuk kurseu popullin e vet për të industrializuar vendin, madje edhe duke sakrifikuar miliona jetë njerëzish. Fitorja e Aleancës pas Luftë së Dytë Botërore e vuri BRSS në pozita dominuese pas marrëveshjes së Jaltës duke shkaktuar zilinë dhe mllefin e heshtur të Mbretërisë së Bashkuar të Churchillit për ndarjen e Europës dhe çuditërisht Stalini mori përkrahjen e SHBA për këtë përkrahje. Pas vdekjes së Stalinit politika komuniste e pasuesve tij vazhdoi me të njëjtin ritëm deri në 1989 kur pas marrëveshjes Gorbaçov- Reagan, BRSS me gjithë glasnostin dhe perestrojkën e përfundoi sundimin e vet mbi vendet e Europës qendrore dhe lindore duke pranuar se `loja e shahut e nisur pas Luftës së Dytë Botërore- përfundoi me humbje`. BRSS, mbylli Traktatin e Varhavës, la 15 republikat e saj të fitonin pavarësinë, la Gjermaninë Lindore; por gjithsesi BRSS e Gorbaçovit mori Garanci të forta se Perëndimi do ta ndihmonte të ndryshonte sistemin:

  • Gjermania Perëndimore do ta ndihmonte për të stabilizuar 1.2 milionë ushtarët rusë në Gjermaninë Lindore duke dhënë disa miliarda dollarë për të këtë qëllim për transferimin e tyre, gjetjen e shtëpive dhe asistencën e tyre;
  • Blloku perëndimor dhe NATO nuk do të vendoste baza ushtarake dhe ushtarë të NATO-s në ish-vendet e Europës Lindore;
  • BRSS do të bashkëpunonte ngushtë me NATO, do të përfshihej në G7 e cila u bë G10, dhe me SHBA për Hapësirën (Kozmos);
  • BRSS tërhoqi gjithashtu trupat nga Kuba dhe zona të tjera si Vietnami, Siria, Egjipti, dhe la aty vetëm punonjës civilë.

Me kalimin e viteve Rusia e Jelcinit kaloi një periudhe të vështirë tranzicioni, ku nuk munguan përplasjet, përleshjet dhe lufta çeçene.

Kërkohej një lider i ri, dhe Jelcini zgjodhi një njeri të panjohur nga politika e atëhershme ruse, një ish-oficer të KGB që punonte në Berlin, i cili njihej për patriotizmin e tij por edhe për inteligjencën e tij. Shumë shpejt arritën rezultat; Putin e fitoi luftën me Çeçenët duke vrarë liderin e tyre Dudaev dhe duke vendosur një Chechen pro rus Rrahman Kadirov.

Nga një vend i shkatërruar nga ndryshimi i sistemit me një GDP rreth 500 bilion dollarë sa GDP e Turqisë, Rusia arriti deri në 2011 në një GDB prej 2,1 trilion dollarë. Rritja ekonomike u pa me shqetësim në perëndim sidomos pas ndërhyrjes ruse në Gjeorgji në 2008, dhe përfshirjen e Rusisë në Siri në 2015, dhe aneksimin e Krimesë në 2014 duke ia marrë Ukrainës nëpërmjet një votimi duke shfrytëzuar kartën e OKB për të drejtën e vetëvendosjes të popujve.

Sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE ndaj Rusisë shumë shpejt dhanë efektet e veta. GDP e Rusisë u tkurr deri në 1.4 trilion dollar, pra praktikisht ekonomia ruse mori goditjen e fortë për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë dhe Gjeorgji, por Rusia e amortizoi këtë goditje duke bërë marrëveshje me Kinën e fuqishme dhe krijimin e BRICS, një marrëveshje ekonomike me Brazil-Rusi-Indi-Kina-Afrika e Jugut.

Gjithashtu marrëveshja e CIS apo siç quhet Komonuelthi i Shteteve të Pavarura në të cilën në fillim u futën pothuajse të gjitha Republikat e ish-BRSSS,  sot kanë ngelur vetëm Rusia-Kazakistani-Bjellorusia-Kirkizstan dhe Taxhikistan, kurse Uzbekistani nuk është futur, dhe Armenia dhe Moldova kanë status të observuesit.

Përplasja e Gjeopolitikës rusë në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri është shumë e ashpër.

Me thënë të drejtën BE, SHBA, dhe NATO, nuk e mbajtën fjalën në marrëveshjen e Rejkjavikut, dhe sipas Rusëve futja me forcë në Kosovë e NATO-s, ishte në shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe kjo sipas tyre u jepte të drejtën Rusisë që edhe ajo të vlerësonte Gjeopolitikën e saj.

Kjo shkaktoi përplasje të madhe midis perëndimit dhe lindjes sidomos në Ukrainë, Gjeorgji dhe Siri. Akuzat reciproke vetëm acaronin situatën dhe në asnjë rast nuk tregonte të vërtetën sepse nëse SHBA dhe BE me justifikimin e ndërhyrjes Ruse në Gjeorgji, krijuan një situatë ku Janukovic u largua nga pushteti, të cilët rusët e quajtën `grusht shteti`.

Problemet që kanë lindur pas 1991 me ndryshimin e sistemeve në të cilën në vend të dy superfuqive mbeti vetëm një Superfuqi, me kalimin e kohës u formua BE, Kina u fuqizua, India dhe Brazili u rritën ekonomikisht pavarësisht se GDP per capita e kanë të ulët, krijoi një luftë të fshehur ekonomike dhe SHBA me gjithë supremacinë e saj ekonomike, është gjendur faktikisht në vështirësi ekonomike sepse produktet e saj nuk shiten si më pare; i vetmi produkt që shitet janë armatimet dhe teknologjia e lartë, të cilat ajo u a shet miqve dhe armiqve. Rëndësi për SHBA kanë fitimet, e jo popujt. Kjo shkaktoi ardhjen e Presidentit Trump i cili hodhi parullën `Amerika e Para` por dhe një përplasje të hapur brenda SHBA e cila është e ndarë politikisht për shkak të politikës antiestablishment të Trump.

SHBA dhe BE gjatë luftës kundër terrorizmit janë bashkë, madje kërkuan dhe ndihmën e Rusisë. Bashkëpunimi dha rezultate: terrorizmi u mposht por lufta civile në Siri vazhdon pikërisht sepse aty po përplasën interesat e SHBA- Rusisë dhe Turqisë. Kjo po shkakton zgjatjen e luftës.

Dihet se SHBA dhe sidomos Mbretëria e Bashkuar gjithmonë kanë patur si synim mbajtjen e një Rusie nën kontroll dhe të dobët, madje gjatë intervalit midis luftës së parë dhe të dytë botërore u vendos i ashtuquajturi `kordon sanitar` me qëllim që të pengohej komunizmi. Tani që komunizmi ra, përsëri qarqet perëndimore përsëri qarqet amerikano angleze mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj Rusisë duke e justifikuar këtë qëndrim për shkak të ndërhyrjeve ruse në Ukrainë, Gjeorgji dhe Siri, por duke harruar se ndërhyrjet e NATOS, SHBA, disa vendeve të BE në Libi- Egjipt, Tunizi, Siri, Irak, Afganistan Jemen, kanë krijuar po aq, në mos më shumë probleme dhe katastrofa dhe luftë civile në emër të vendosjes së demokracisë perëndimore.

Për sa i përket Ballkanit dhe Shqipërisë në veçanti, rusët nuk kanë patur asnjëherë përplasje me shqiptarët.

Madje janë disa faktorë që kanë ndihmuar faktorin shqiptar nga ana e Rusisë:

-Lufta ruso-turke dhe Traktati i Shën Stefanit hapi rrugën për ngritjen e faktorit shqiptar duke nxitur Lidhjen e Prizrenit sidomos Lidhja e Dytë e Prizrenit;

-Fjala e Leninit po ashtu si edhe ajo e Presidentit amerikan Wilson, për të drejtat e vetëvendosjes së popujve të vegjël pati simpati në Shqipëri dhe në 4 shkurt 1924 me ngulmimin e Avni Rustemit u mbajt 5 min heshtje për të respektuar këtë udhëheqës;

– Traktati i Lozanës ku u shkëmbyen territore dhe popuj midis Turqisë dhe Greqisë në të cilën u larguan rreth 500.000 myslimanë nga Greqia për në Turqi ku pjesa më e madhe ishin çamë, dhe u sollën në Greqi deri në vitin 1927-1929 rreth 1 milion greqishtfolës të Anadollit, ky traktat u firmos nga Turqia-Greqia-Anglia-Franca-Italia Japonia. interesant është fakti se Rusia nuk e nënshkroi këtë traktat famëkeq;

-Ndihma që i dha BRSS në Konferencën e pas luftës në 1946 ku foli Enver Hoxha në mbrojtje të kufijve të jugut me Greqinë;

-Ndihma që i dha Rusia Shqipërisë që të mos bëhej Republike e shtatë Jugosllave dhe ndihma që i dha BRSS në luftën me grekët në 1949;

-Ndihmat ekonomike-ushtarake që i dha Rusia gjatë viteve 1950-1960 Shqipërisë duke bërë që Shqipëria të pësojë një ngritje të fortë ekonomikë dhe ato vite mbeten nga vitet më të mira të Shqipërisë si shtet deri në momentin kur ndërpriten marrëdhëniet me BRSS në 1961, daljen nga Traktati i Varshavës më 1968 dhe largimi nga Pasha Limani i bazës ruse, dhe vuajtja ekonomike deri në vitet 1990 në të cilën u ndërrua sistemi politik nga lart në Shqipëri, sistem në të cilën u vendosën ish drejtues komunistë në partë e reja të Pluralizmit.

Sot ka një përplasje të heshtur midis SHBA dhe BE për sa i përket Shqipërisë sepse, -nëse SHBA ka krijuar një bazë ushtarake në Kosovë-Ferizaj si një mjet kundër sllavëve në të ardhmen, bazë ushtarake e cila nuk ka patur ndonjëherë SHBA në Ballkan- BE nuk e sheh akoma faktorin shqiptar në rritje si një faktor që duhet integruar në BE kryesisht nga frika e popullsisë myslimane në Shqipëri. Kurse SHBA e sheh faktorin shqiptar në rritje si një mjet pengues ndaj shtrirjes gjeopolitike Ruse në Ballkan, dhe mendon në të ardhme që të përdoret ky faktor edhe në rast lufte të mundshme.

Deri në 2014 SHBA nuk kishte politika të qarta se si mund Shqipëria të ishte faktor kryesor në Ballkan duke menduar t`ia lërë Turqisë dominimin. Por sot me përplasjen e gjeopolitikës turke në Siri, përplasjen e interesave turke me BE e cila nuk e pranon në gjirin e saj pikërisht nga popullsia myslimane, për shkak të përplasjes turke me një vend anëtar të NATO-s në të cilën është dhe vetë- si Greqia, SHBA mendon të fuqizojë faktorin shqiptar-kosovar-maqedonas, vetëm duke përkrahur në disa elementë sensibël të shqiptarëve si nacionalizmi, por duke u përpjekur njësoj si BE për të krijuar urrejtje artificiale ndaj Rusëve, por duke luajtur politikën e kulaçit dhe kërbaçit për Serbinë e cila mbetet e dyzuar.

Shqipëria e korruptuar dhe kriminalizuar për 27 vjet e mirëpret ndihmën amerikanë dhe të BE në drejtim të integrimit dhe fuqizimit politik, por Shqipëria mbetet një vend pa ndonjë prioritet në objektivat e BE, vendet e të cilave njëlloj si në marrëveshjen e Jaltës e lanë Shqipërinë pa ndonjë perspektive de të lidhur më Jugosllavinë.

Për sa i përket përplasjes bizare të Anglisë me Rusinë për helmimin e Scippal dhe bijës së tij madje dhe të 22 ushtarëve që shkuan për të ndihmuar nga gazi LHL- Novichok (i ngjashëm me Sarinën), kjo armiqësi e hidhur ndoshta është mllefi që ka Anglia e lënë pas dore në garën ekonomike dhe ushtarake që ka filluar sepse praktikisht mbetet një fuqi rajonale dhe jo botërore.

Në përfundim mund të them se Rusia nuk e ka prioritet gjeopolitik Shqipërinë por, dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me faktorin shqiptar në Ballkan pavarësisht përpjekjeve për të quajtur rusët si armiq të Shqipërisë, gjë që për mendimin tim nuk është e vërtetë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Ubi bene, ibi patria”

Nga Dr. Mirela Oktrova Temperaturat e larta të të nxehtit afrikan dhe...
Read More