Rusia paralajmëron: Pasoja serioze pas sulmit të SHBA-ve në Siri

sulm-ne-siri

Rusia paralajmëroi këtë të premte se sulmi me raketa i Shteteve të Bashkuara ndaj një baze ajrore siriane do të ketë “pasoja tejet serioze”, teksa përpjekja e parë madhore e presidentit Donald Trump në konfliktin sirian shkaktoi një grindje mes Moskës dhe Uashingtonit.

Luftanijet “USS Porter” dhe “USS Ross” të ndodhura në detin Mesdhe lëshuan dhjetëra raketa “Tomahaëk” që goditën pistën ajrore, avionët dhe stacionet e furnizimit me karburant në bazën e “Shayrat”-it, nga e cila Pentagoni thotë se janë ngritur avionët që kryen sulmin me armë kimike të kësaj jave.

Ky ishte vendimi më i madh i politikës së jashtme të Trumpit që prej marrjes së detyrës në janar, si dhe një lloj ndërhyrjeje e drejtpërdrejtë në luftën civile 6-vjeçare të Sirisë, të cilën paraardhësi i tij Barack Obama e kishte shmangur.

Sulmet ishin reagim ndaj asaj që Uashingtoni thotë se ishte një sulm me gaz vdekjeprurës nga qeveria e presidentit Bashar al-Assad, e që shkaktoi të paktën 70 viktima në territoret e kontrolluara nga rebelët.

Veprimi i fundit e katapultoi Uashingtonin në një kurs përballjeje me Rusinë, e cila ka këshilltarë ushtarakë në terren që ndihmojnë aleatin Assad.

“Ne e dënojmë ashpër veprimin e paligjshëm të Shteteve të Bashkuara. Pasojat për këtë destabiliteti rajonal dhe ndërkombëtar mund të jetë ekstremisht serioze”, tha i dërguari i Rusisë në OKB, Vladimir Safronkov, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit këtë të premte.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev akuzoi se sulmet e Shteteve të Bashkuara ishin vetëm një hap larg përplasjes me ushtrinë ruse. Zyrtarët amerikanë, megjithatë, i kishin informuar më herët forcat ruse për sulmin me raketa, teksa thanë se kishin shmangur goditjen e personelit rus.

Pamjet satelitore tregojnë se baza ajrore strehonte forcat speciale ruse dhe helikopterët, pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të ndihmuar Assadin në luftën ndaj Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera të militantëve.

Trump është shprehur vazhdimisht për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, të përkeqësuara gjatë presidencës “Obama” për shkak të Sirisë, Ukrainës dhe çështjeve të tjera, por ai tha se ndaj Assadit duheshin ndërmarrë veprime.

“Përpjekjet disavjeçare për të ndryshuar sjelljen e Assadit kanë dështuar të gjitha dhe dramatikisht madje”, tha Trump teksa njoftonte sulmin natën e së enjtes nga resorti i tij në Florida, “Mar-a-Lago”, ku ishte takuar me presidentin kinez, Xi Jinping.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley tha të premten se administrata “Trump” është e gatshme të ndërmarrë edhe hapa të mëtejshme nëse do të jetë e nevojshme.

“Jemi të përgatitur të bëjmë më shumë, por shpresojmë që të mos jetë nevoja”, tha ajo në Këshillin e Sigurimit. “Shtetet e Bashkuara nuk do të heshtin përballë përdorimit të armëve kimike. Është në interesin tonë jetik kombëtar të sigurisë, të parandalojmë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike”. Aleatët e Amerikës nga Azia, Europa dhe Lindja e Mesme shprehën mbështetjen, edhe pse ndonjëherë me maturi. Por zyrtarët amerikanë thanë se ndërhyrja ishte vetëm me objektivin për të parandaluar sulme të tjera me armë kimike, dhe jo një zgjerim i rolit të SHBA-ve në luftën siriane.

Veprimi, gjithsesi, mund të interpretohet si një sinjal ndaj Rusisë, sikurse edhe ndaj vendeve si Koreja e Veriut, Kina dhe Irani, ku Trump është përballur me teste të politikës së jashtme gjatë muajve të parë të presidencës së tij, pikërisht se ai edhe mund ta përdorë forcën. Por zyra e Assadit tha se Siria do t’i godasë edhe më ashpër armiqtë e saj. Kjo, sepse Damasku dhe Moska mohojnë që sulmi me gaz vdekjeprurës të jetë kryer nga forcat siriane, por vendet perëndimore i refuzuan shpjegimet e tyre se lëndët kimike rodhën nga depot e armatimeve të rebelëve, pas sulmit ajror të forcave siriane.

Ushtria siriane tha se sulmi amerikan vrau 6 persona dhe e quajti atë “një agresion të dukshëm” që i bën Shtetet e Bashkuara partnerë të “grupeve terroriste”, përfshi këtu Shtetin Islamik. Deri më tani nuk ka asnjë raport të pavarur për numrin e viktimave, e nëse ka edhe civilë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Kështjella 3.000-vjeçare gjendet në fund të liqenit

Një qytet i humbur tre mijë vjeçar është gjetur nga zhytësit në...
Read More