Ryszard Kapuscinsky: Në shekullin e 21-të, do hasim “Tjetrin” e paimagjinuar

Nga fundi i jetës së tij, “Princi i reportazhit” Ryszard Kapuscinsky u përpoq t’u përgjigjej pyetjeve me të cilat ishte përballur gjatë udhëtimeve të tij, duke u mbështetur dhe kombinuar kërshërinë e gazetarit me nuhatjen e romancierit për të dalluar tendencat e epokës së tij. Njohja e “Identitetit” e përfshiu të gjithin, veçanërisht përkufizimi i “Tjetrit”, duke botuar një libër me disa leksione, të cilat janë sjellë edhe në shqip nga Astrit Beqiraj

Nga fundi i jetës së tij, “Princi i reportazhit” Ryszard Kapuscinsky u përpoq t’u përgjigjej pyetjeve me të cilat ishte përballur gjatë udhëtimeve të tij, duke u mbështetur dhe kombinuar kërshërinë e gazetarit me nuhatjen e romancierit për të dalluar tendencat e epokës së tij. Njohja e “Identitetit” e përfshiu të gjithin, veçanërisht përkufizimi i “Tjetrit”. Për këtë, në vitet 2003-2004 ai mbajti disa leksione mbi këtë temë në Krakov dhe Vjenë, dy qytete në zemër të Europës Qendrore, vende të përfshira në dramën e madhe të urrejtjes, krijimit dhe shkatërrimit në historinë e Europës në shekujt e 19-të dhe 20-të. Këto leksione vijnë të përmbledhura në librin “Tjetri”, të sapobotuar edhe në shqip, me përkthim të Astrit Beqirajt, botimet “Papirus”, ndërsa është promovuar në mjediset e librarisë Friend’s Books House.

Identiteti vazhdon të jetë një prej çështjeve më të rëndësishme në këtë 30-vjeçar, sa çka qenë në shekullin e 20-të, duke pasur në shtyllë nevojat kryesore njerëzore.

Kapuscinski e njeh këtë realitet. “Çdo person që takojmë përgjatë rrugës dhe nëpër botë është në një mënyrë të dyfishtë”, thotë ai. Së pari, ka “një person si ne të tjerët”, i cili ka “gëzimet dhe pikëllimet e tij, që nuk dëshiron të jetë i uritur, ose …të ketë të ftohtë, të ndiejë dhimbje si vuajtje dhe të ketë pasuri të kënaqshme dhe përmbushëse”. Por është personi i dytë, “i cili përputhet me të parin”. Ai është “bartës i karakteristikave racore dhe të një kulture besimi dhe bindjeje”. Këto dy entitete bashkekzistojnë dhe bashkëveprojnë pa ndërprerje, thotë Kapuscinsky dhe sipas tij kushdo që ka udhëtuar nëpër botën tonë gjoja të “rrafshuar” në vitet e fundit, mund ta konfirmojë këtë. Pak mund të mohojnë tërheqjen emocionale të fisit, kombit, komunitetit gjuhësor ose dallimin e popujve, racave, gjuhëve, kuzhinave, traditave dhe historive.

Këto janë leksione të vlerësuara të urta, por edhe të thella të Kapuscinsky që mbështetet shumë në Emmanuel Lévinas, filozof hebre-francez i cili këmbënguli se ne jemi të definuar si individë nga qëndrimi ynë ndaj “Tjetrit”. Por ai gjithashtu citon udhëtarin zviceran, mendimtarin dhe shkencëtarin Albrecht von Haller, Goethe, Upanishadët, Montesquieu, Conrad dhe shumë të tjerë. Ai mbështetet thellë në traditat polake dhe sekulare filozofike dhe letrare, duke na kujtuar origjinën e tij. Kritik i Eurocentrizmit, Kapucinski komenton me vëmendje se “të gjitha qytetërimet kanë një tendencë drejt narcizmit dhe sa më i fortë të jetë qytetërimi aq më të qartë e shfaq këtë tendencë”.

Leksioni i fundit është “Për multikulturalizmin”. Kapuscinsky e dorëzoi atë më pak se tre vjet para se të vdiste në vitin 2007. Ky vlerësohet një diskutim i habitshëm i freskët dhe perceptues i asaj që sot do të thotë identitet. Duke nxjerrë në pah një histori të shpejtë të vizioneve evropiane të pjesës tjetër të botës, Kapucinski thekson se “ideja e barazisë me të Tjerët i ndodhi vetëm mendjes njerëzore shumë vonë, shumë mijëra vjet pasi njeriu la gjurmët e pranisë së tij në Tokë”. Në shekullin e 21-të, thotë ai, ne do të hasim “Tjetrin” në mënyra dhe me një frekuencë që kurrë nuk do ishte imagjinuar.

Në këtë libër të shkurtër, të thjeshtë, mbushur me mençuri Kapuscinsky përpiqet të formulojë se çdo të thotë të jesh Europian, joeuropian, të jesh i pushtuar, të jesh pushtuesi, të kesh apo të imponosh një identitet. Në fillim të librit, ai citon një aksiomë të antropologut polak, Bronislav Malinovski: “Që të mund të gjykosh për diçka, duhet të jesh atje”. Kjo thënie duhet të qëndrojë varur mbi dyert e çdo dhome lajmesh, dhe fakulteti gazetarie. Kapuscinsky pati shkuar “atje”, kudo. Si gjykatës ai është i drejtë, human dhe i matur – dhe aq i rëndësishëm tani sa ç’ishte dhe do të jetë. V.M

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kush ia vrau qetësinë Timonierit tonë

Nga Armand Shkullaku Të shumtë ishin ata që u habitën nga shthurja...
Read More