Sa aktual që janë!

Nga Ndriçim Kulla

Nga t’ia nisim? Cila është ajo atmosferë e veçantë psikologjike kombëtare që duhet krijuar për të pjekur një frut kaq të çmueshëm siç është zhvillimi i çështjes shoqërore shqiptare? Është një pyetje që e bën sot çdo njeri i interesuar për fatet e kombit, ashtu siç u përpoqën atëherë të gjenin përgjigje edhe mendimtarët e viteve të para të shtetit të konsoliduar shqiptar.

“Kah t’ia nisim, pra”, do të pyeste edhe Valentini, “nga përmirësimi moral apo ai material”. Në të vërtetë, kur s’ka moral, përmirësimi material është më fort i dëmshëm se sa i pavlefshëm; por nga ana tjetër, kur nuk ekziston një gjendje e mjaftueshme mirëqënie materiale, nuk mund të shpresohet në një moral të shëndoshë.

“Rruga e vërtetë nuk duhet të jetë përjashtimore”, do të përgjigjej ai, sidomos kur nuk kqyret e mira idividuale, por e përgjithshmja. Do të jetë si njëlloj shkalle: së pari shka lypet domosdo në pikëpamje morale; së dyti, shka lypet për një jetë mesatare dinjitoze; mandej, mund të flasim për një përmirësim më të madh, në të dyja pikëpamjet”. Është ky një përfundim që gjendja e posaçme e realitetit shqiptar e provoi të drejtë, ndaj do të qe i dobishëm që në parim dhe përparësi të përdoret edhe nga “Rilindja” e sotme që sot po drejton Shqipërinë .

Ciceroni, i quajtur dikur at i atdheut, me zemër të plasur pse politika e vendit të tij po shkonte kah një drejtimi te gabuar, ishte tërhequr të jetonte në një cep të largët. Por, teksa e parashihte të ardhmen veçse me hidhërim, atdhetari i madh bërtiste: “O filozofi, o prijëse e jetës! O kërkuesja e virtytit dhe shtegëtuesja e vesit! Ç’ka do të ishim ne pa ty, e për më tepër, ç’ka do të ishte dhe vetë jeta e njerëzve? Ti i ngrite qytetet, t’i njerëzit i bashkove në një shoqëri. Ti i diktove ligjet, ti ishe mësuesja e dokeve dhe e rregullave; na ty, o filozofi, ndër krah po të lëshohemi, prej teje po lypim ndihmë!”

Pse mos ta pranojmë, pse mos ta vlerësojmë këtë shpresë, këtë mjet, këtë dritë edhe ne”, pyeste atëherë Valentini, si të donte të na e jehonte oshëtimën e kësaj pyetje edhe në ditët tona. “Vetëm filozofët,njerëzit e kulturuar , intelektualët e vërtet mund të merren me punë idesh dhe vetëm sociologët mund t’i kuptojnë problemet shoqërore”, e mbështeste fortësisht një qyshk tjetër idhtar i filozofisë, Branko Merxhani me neo-shqiptarizmën e tij. “Politikanët vetëm sa spekullojnë mbi to, natyrisht kur i gjejnë. Dhe kur nuk i gjejnë siç ka ndodhur shpesh në klasën tonë drejtuese”, i bien daulles dhe bien nga gafa në gafë, duke u vërtitur midis panikut dhe dëshpërimit.

Që të marrim një qëndrim të zgjuar kundrejt problemeve të mëdha shoqërore të jetës sonë kombëtare, duhet të kemi pikë së pari një kulturë të shëndoshë  . Jo më kot, vëren Valentini, dy nga të diturit tanë të mëdhenj, të cilëve kombi do t’u jetë mirënjohës për formimin e jetës së tij shpirtërorë, Bogdani, kur Shqipëria po e bjerrte dita-ditës fizionominë e vet shekullore nën sundimin e pushtuesit, dhe Naimi, kur kërkoi ta ringjallte këtë komb, iu drejtuan jo aq veprimeve praktike se sa filozofisë dhe kulturore.

Po ku qëndrojnë vallë pengesat më kryesore në zhvillimin dhe brendësimin e dijeve   shoqërore në trupin dhe mendjen shqiptare? Matemi, epemi e dëshirojmë. E kaluara nuk na mjafton, e tashmja nuk na pëlqen, por e ardhmja na shfaqet me mjegullinë. Dëshirojmë, dëshirojmë përnjimend, por ende nuk e shohim të qartë atë shka duam! Ky do të qe një skicim me penelata të shpejta i portretit të njeriut të sotëm shoqëror shqiptar. Për ta kuptuar më mirë identitetin e tij, le ta lëmë të flasë përsëri Anton Harapi: “Ku e gjen sot atë njeri që me kjartësinë e kristalit dhe sigurinë e Arkimedit din shka ban dhe shka nuk ban për ne, për ta ngulë në një vend të mirë boshtin e jetës shqiptare! Jemi stërnipat e asaj plake, e cila si u dogj kungujsh, i fryn kosit. Është, pra, skeptik i thekur shqiptari? Sigurisht, por jo prej natyre; i lodhur tashmë nga aq shumë vuajtje, don ta vendosë njëherë këmbën dyst, por meqense nuk din çka i sjell e nesërmja, nuk din ku ta ngulë. Në lëm idesh mandej, sa shkon duke u hapë e shpështjellë lëmshi i jetës sonë në përparim e kulturë, aq ndërlikueshëm vjen e hollohet ai ndër fije të tjera e të ndryshme nga ideja themelore”.

Të habit dhe të hidhëron përkimi gati i njëllojtë i situatave dhe gjendjeve psikologjiko-shoqërore që paraqesin e trajtojnë këta mendimtarë të atëhershëm me gjendjen në të cilën ka arritur sot vetëdija shqiptare. Ajo është zhvilluar, vërtet, por udha që ata patën hapur me programin dhe parimet e tyre, ende nuk ka përfunduar, madje as nuk është shtruar e tëra, por ka mbetur copa-copa, plot zall e baltë. Të duket sikur një rregull i brendshëm ciklik i ka “shkrirë” sinoret jetësore të të dyja kohëve dhe shumë prej mos-realizimeve apo dështimeve të asaj kohe, na i ka përcjellë ashtu të fortë e të patundshëm, si shkëmbinj në rrugën tonë të modernizimit. Ja, përveç skepticizmit proverbial, si një shkëmb i tillë na shfaqet dhe “pazotësia për lëvizje morali dhe ndërgjegje”. “Kemi trashëguar deri vonë, dhe në liri, mistiçizmën e mendjes që kaliboç në vithe të fantazisë, e në hava të qetë të përtacisë dhe qejfit, ndihmuar nga tymi i duhanit dhe filxhani i kafesë, tretet në diskutime të mëdha për shtetin dhe politikën, për shkencën dhe akademikët… deri në atë pike sa të na qesë kryet befas ajo shprehja herë humoristike e herë satirike, por thelbësisht simbolike, që e bën tipologjinë mbizotëruese të shqiptarit si “një nastradin me 2 milionë krenash”. Përtej, kësaj anekdode, ajo çka kërkon të spikasë e të vendosë Valentini si dallimin themelor midis mentalitetit të Lindjes dhe Perëndimit, si rrënjën dhe modalitetit kryesor të kësaj mos-barazie të jetës sonë shoqërore, është pikërisht domethënia e mistikave të tyre përkatëse.

“Ash gjë e pamohueshme e që mund të shihet dashur pa dashur se Lindja jeton në një atmosferë mistike, se proçedimet e mendësisë së saj i ngjajnë më tepër procedimeve mistike se sa atyre logjike, se në thelb e zhvillim të çdo ngjarje idividuale dhe shoqërore, të vogël apo të madhe, të kufizuar apo të përhapur, ka një shkëndijë të parë që ndizet flakë, por si lëndë që më tepër e ushqen, si frymë që e rrit, e çon dhe e drejton. Vihen re, përkundrazi, flakë e zjarre të  shpërndarë nëpër Perëndim, por ata sapo mbërrijnë në kufij të Lindjes, sosen pa kuptuar, si të gjejnë aty një atmosferë inerte për shpërhapjen e tyre, apo si të brendësohen dhe shuhen brenda “shpellës së madhe, të lagësht e të errët të qënies njerëzore”. Është pikërisht kjo atmosferë inerte, e pandjeshme për flakët e Perëndimit, ai mentalitet i veçantë, ajo formë reagimi apo mos-reagimi, që Valentini e pat quajtur “mistike lindore” brenda nesh, por që duket të mos jetë shkulur dhe flakur dot, as pjesërisht, edhe në vetëdijen e sotme. Ndryshe nuk do të mund të shpjegohej gjithë ajo pandjeshmëri, shkujdesje deri amorale dhe indiferencë deri kriminale që ne paraqesim për çështje kyçe që dëmtojnë lirinë, demokracinë, deri dhe të drejtat tona njerëzore, por që nuk cënojnë apo ndalojnë të “rrokulliset” ajo bota e “vockël” rreth vetes dhe familjes sonë. Në të njëjtën rezonancë do të shprehej Merxhani, për një tjetër aspekt të prapambetjes që karakterizon shqiptarin. “Për më të shumtët nga ne shkencat dhe letrat diplomatike dhe titujt, janë sot për sot “një salltanet europian”, madje mjet që të krijojë një jetë të mirë dhe rrogë të “majme”, por jo nevoja të mendjes dhe zemrës. Shkaku? S’është vështirë ta shohim, mungesa e idealitetit”. Ç’përshkrim tronditës që të duket sikur pikturon mrekullisht portretin tipik të një shqiptari të ashtuquajtur të “klasës së mesme”, që duhet të përbënte motorin e jetës civile dhe pjesëmarrjes në jetën shoqërore.  Një shoqëri e tillë gjendet pa asnjë bazë të shëndoshë qenieje shoqërore, ndaj shumë shpejt mund të rrokulliset në greminë. Për këto arsye, s’kemi ndonjë shkak të madh që të na entuziazmojë gjendja e trumbetuar si “rilindje”, “reformizëm” apo “progres historik” kah Europës. Një entuziazëm i rremë dhe demogogjik, siç është ky i joni, që nuk merr parasysh bazën e shkulur shoqërore dhe sociale të qenies shqiptare, por lartëson skemat e gjenisë së saj aventuriere, mund të na shpjerë vetëm në një katandi të pështirë, të na verbojë mirë e mirë sytë dhe mendjen, që të mos mendojmë kurrë të zhvasim prej trupit tonë shoqëror “lakuramën e dallkaukllëkut” ose “turkun që ndodhet brenda nesh”, siç e pat perifrazuar edhe vetë kryeministri Rama tipologjinë mbizotëruese të administratës shqiptare.

Po cila është e vetmja rrugë shpëtimi që filozofët e vetëm shqiptarë të historisë sonë para viteve 90-të, projektuan për plagët tona të mavijosura politiko-sociale, shpirtërore e morale? Një dhe e vetme, shpjegonte Branko Merxhani: “Të mbulohemi nga shkenca dhe kultura. (Të ziej shkenca dhe kultura)!  Shkenca dhe Kultura në të gjithë përfaqësimet e saj, nuk jep shumë premtime. Por, ato që i jep, i jep me të vërtetë. Është besnike në fjalët e veta. Vetëm ajo di t’i shërojë sëmundjet tona mendore. Është arma më e mirë për të luftuar corientimin dhe skepticizmin e sotëm  dhe për të injektuar pak kurajo e shpresë, në zemrat tona të thyera. “Nuk duhet të dëshpërohemi, shpjegonte Valentini, nëse do të na duhet të mendojmë rindërtimin apo ndreqjen e aq shumë dëmeve që i janë shkaktuar ndërgjegjies dhe moralit tonë. Po as ti dorëzohemi optimizmit që na thotë se do të arrijmë t’i ndreqim të gjitha këto në kohë të shkurtër e me diktim nga lart. Jo. Arsyeja na mëson një rrugë të mesme, por të sigurtë: t’u bëjmë ballë nevojave të jetës sonë shoqërore    shqiptare kombëtare me masë dhe durim me metodë dhe qëndresë. “Duhet një urti e madhe, zemër e gjerë, marrëveshje e padame dhe taktikë e pashoqe”, do të nënvizonte Harapi, për të shtruar rrugën e vetme “për një punë të ndershme pozitive”, që sipas Merxhanit do ta bënte njeriun të kishte sukses dhe shpëtim, vetëm nëse më parë “trutë t’i nxinin dhe zemra të valonte nga vullneti, ndërgjegjia dhe mallëngjimi për të tashmen”.

Janë faqe të mrekullueshme, të gjitha këto që ata u përpoqëm ti ndërfusnim mesit të trupit të shqiptarizmës modernizuese, që nuk duhen lënë aty, vetëm si të strukturuara e të shprehura bukur. Përkundrazi, i gjithë ky impjant teorik dhe praktik, duhet të përbëjë “bazën” dhe “ngrehinën” e platformës së transformimit rrënjësor shqiptar, të vetmit që mund t’i shërbejë edhe transformimit real të gjithë strukturës-shtet të Shqipërisë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhjet në Gjermani konfirmuan projektin europian, por dhe rrezikun e tij

Nga Ervis Iljazaj Angela Merkel është rikonfirmuar për herë të katërt si...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.