Sa larg është Koreja e Veriut? Tre supozime për premisat e konfliktit

Çështja e Koresë së Veriut është sot pika më e ndezur e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkruan Kristaq Xharo dhe analistët ushtarakë mendojnë se përveç retorikës, faktori ndërkombëtar nuk mund të ndërmarrë një sulm fillestar. Politikanët në vijën e zjarrit. Retorika midis presidentit Trump dhe diktatorit koreano-verior ka kapërcyer me kohë ‘vijën e kuqe’. Edhe pak ditë më parë në OKB, presidenti Trump amplifikoi deklaratat për luftë. Më parë z. Trump është shprehur se “diplomacia ka dështuar dhe opsionet ushtarake janë në tryezë”, duke premtuar ‘zjarr dhe tërbim’, por lufta gjithsesi është ende një opsion i vakët.

Nga Kristaq Xharo*

Në vlerësim gjeografik, distanca midis Phenianit dhe Seulit është 195 km, Tokios 1 285 km, Pekinit 808 km, Los Anxhelos 9 500 km, Çikagos 10 200 km, Moskës 6407 km, Berlinit 7 927 km, Parisit 8 765 km dhe nga Tirana është 8 355 km. Rrezja e raketave koreano-veriore të testuar në qershor 2017 “Taepodong” është 10 000 km dhe e “KN-08” e testuar pak ditë më parë është 11 500 km. Pra, teknologjia po e qarkon largësinë gjithmonë e më shumë, si një koncept relativ. Tensioni i kohëve të fundit në deklaratat midis Kim Jong-un dhe Donald Trump ka shkaktuar një situatë të përshkallëzuar tensioni në të gjithë botën. Jo vetëm raportet e Koresë së Veriut-SHBA, por edhe me K. Jugut, Japoninë, Kinën dhe Rusinë kanë hyrë në krizë të thellë. Testet e pandërprera me raketa me rreze të gjatë, tashmë ndërkontinentale dhe testimi i bombës me hidrogjen janë alarmante jo vetëm për rajonin, por gjithë komunitetin ndërkombëtar. Vendimi unanim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vendosur sanksione të ashpra nuk po e frenon Korenë e Veriut për ndërprerjen e testeve bërthamore. Si do të vazhdojë kriza, a do të thellohet ajo në konflikt të armatosur dhe në rast të një konflikti të mundshëm a do të kthehet ajo në një luftë globale, janë pyetje që tashmë gjenden në tavolinën e politikanëve, në vlerësimet e analistëve e studiuesve të luftës, si dhe gjeneralëve – veteranë të luftës. Është interesante se për momentin, në pamje të parë këto tri grupe duket se janë vendosur në valë të ndryshme. Ndryshe nga çfarë kemi studiuar për çdo fillim lufte, ku ushtarakët do të duhej të ishin në bazën e nisjes – për në vijën e zjarrit, politikanët diku në prapavijë apo ndonjë ‘bunker-art’ dhe studiuesit e luftës duke pritur shifrat për t’i analizuar e interpretuar, aktualisht politikanët ndodhen në vijën e zjarrit, studiuesit në pararojë të parashikimeve dhe ushtarakët, që ende s’e kanë kapur bazën e nisjes. A është kjo një situatë ‘moderne’ parakonflikti apo lufte?

Politikanët në vijën e zjarrit. Retorika midis presidentit Trump dhe diktatorit koreano-verior ka kapërcyer me kohë ‘vijën e kuqe’. Edhe pak ditë më parë në OKB, presidenti Trump amplifikoi deklaratat për luftë. Më parë z. Trump është shprehur se “diplomacia ka dështuar dhe opsionet ushtarake janë në tryezë” duke premtuar ‘zjarr dhe tërbim’. Kim Jong-un i Koresë së Veriut nga ana tjetër ka kërcënuar me goditje bërthamore në çdo kënd të SHBA. A po shkon kriza drejt një niveli tjetër- luftës? Zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, si sekretari i Mbrojtjes Matis, këshilltari McMaster, përfaqësuesja në Kombet e Bashkuara Niki Hallei janë shprehur gjithashtu për ezaurimin e gjithë mjeteve diplomatike. Por kriza është më e gjerë se këto dy vende. Jo më pak të shqetësuar duken edhe presidenti rus Putin dhe ai kinez Xing, të cilët ndihen më pranë zonës dhe pasojave. Edhe Europa ndihet e tensionuar. Përpara një jave kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron, në mënyrë të përsëritur dhe me tone mjaft shqetësuese shprehën shqetësimin se edhe kontinenti i vjetër ndodhet brenda rrezes së goditjeve nukleare, pra zonës së konfliktit. Distancat gjeografike kanë humbur largësinë në këtë kohë. Fuqitë e mëdha që dikur përcaktonin fatin e botës ndiejnë që po humbasin monopolin e luftës. Ndërsa mjetet diplomatike po ezaurojnë Koreja e Veriut po vazhdon deri në ekstrem programin e vet bërthamor. Duke iu rikthyer çështjes shtrohet përsëri pyetja: nëse mund ta nisë presidenti amerikan luftën ndaj Koresë? Sipas “The Atlantic”, një opsion që vështirë se mund të ndodhet në tavolinë është që një goditje ushtarake “preventive” e SHBA kundër Koresë së Veriut do të kishte të nevojshme autorizimin e Kongresit, aprovimin e Këshillit të Sigurimit (OKB), dhe debatin publik.

Analistët dhe studiuesit e çështjeve të sigurisë. Ndoshta ata shprehin atë që të tjerët e fshehin midis deklaratave dhe veprimeve. Duke analizuar palët në krizë dhe objektivat e tyre, kontekstin politik, gjeopolitik dhe prirjet, studiuesit përpiqen të japin prognozat e tyre për mundësinë e tejkalimit të krizës në konflikt apo edhe në luftë. Gazeta prestigjioze The Guardian citon disa nga ekspertët më të shquar në çështjet e sigurisë dhe në Marrëdhëniet ndërkombëtare. Profesori Lee, një drejtues i rëndësishëm i Qendrës Wilson, dhe ish-shefi i Byrosë së vlerësimeve strategjike për Korenë e Veriut shprehet se “…askush në rajon, madje as Koreja e Veriut nuk besohet se dëshiron një luftë tjetër. Por, Kim Jong-un do të insistojë sa të jetë e mundur për të arritur atë që dëshiron: së pari, njohjen nga Shtetet e Bashkuara të faktit që Koreja e Veriut është një fuqi bërthamore dhe së dyti, legjitimitetin se ai është një udhëheqës, që mund të mbrojë popullin e tij kundër një fuqie të madhe dhe të keqe – SHBA…”. Por, ajo që shqetëson Li është pamundësia për të përllogaritur një ‘lëvizje e gabuar’ ose një ‘incident fatkeq’, që mund t’i detyrojë trupat e përqendruar në rajon të ndërmarrin veprime ushtarake. Ndaj testeve të raketave balistike, që kalojnë në ujërat territoriale japoneze, Japonia mund të ndihet e detyruar të veprojë e po ashtu edhe Koreja e Jugut.

Nuk është larg këtij vlerësimi edhe Andrei Lankov, profesor në Universitetin e Seulit, kur shprehet se “…pasi Koreja e Veriut të përfundojë implementimin e një force bërthamore të aftë për të goditur pjesën kontinentale të SHBA , ata do të ndihen të gatshëm për të biseduar ‘për një ngrirje’ bërthamore…”. Sipas profesorit Lankov ekziston një probabilitet i vogël i konfliktit. Deri në krijimin e kapaciteteve të plota për të qenë e aftë të godasë SHBA, Koreja e Veriut nuk do të jetë e interesuar për diplomaci. Vetëm pas kësaj mundësie që duket nuk do të jetë një kohë e gjatë, ata do të jenë të interesuar në zgjidhjet diplomatike.

Ndërsa Jiyoung Song, profesor nga Universiteti i Melburnit beson që do të vazhdojë retorika e kërcënimeve të ashpra edhe për një periudhë kohe, derisa Uashingtoni të bisedojë, fshehtas ose publikisht, me Phenianin. Por deri në atë kohë Kim Jong-un do të vazhdojë testet balistike. Është pjesë e llogaritjeve të mbijetesës së regjimit të Phenianit që t’i deklarojë botës dhe veçanërisht SHBA kapacitetet dhe aftësitë e tyre bërthamore. Ndërsa studiuesi Kelly, nga një tjetër Universitet në Korenë e Jugut, beson se “Koreja e Veriut nuk do të sulmojë asnjë bazë ushtarake apo qytet amerikan, e para, sepse ata janë aq të ndërgjegjshëm se kjo do të sillte hakmarrjen dërrmuese amerikane”. Armët koreano-veriore janë të destinuara për mbrojtje, e jo për sulm. Koreano-veriorët nuk harrojnë atë që ndodhi me Gadafin dhe Sadam Husein. Ata besojnë se armët bërthamore garantojnë që të mos ndodhë e njëjta situatë si në Irak apo Libi dhe për këtë ata nuk do të tërhiqen. Ata do të vazhdojnë me testimin e raketave deri në momentin që të sigurohen që të tjerët nuk do të mund t’i kërcënojnë ata.

Ndërsa Andre O’Neil, ekspert për testimin e raketave balistike, Universiteti Grifith, mendon se tejkalimi nga kriza në konflikt të armatosur nuk mund të jetë i menjëhershëm. SHBA do të vazhdojë të forcojë sanksionet ndërkombëtare për ta izoluar tërësisht Korenë e Veriut duke i shkëputur edhe aleatët kryesorë, Kinën dhe Rusinë. Kjo lidhet edhe me faktin që nuk ka shumë entuziazëm për suksesin e një goditjeje ushtarake të menjëhershme dhe neutralizuese ndaj instalimeve raketore koreane. Për pasojë, ekziston teknikisht mundësia e kundërpërgjigjes balistike koreane e më tej i përhapjes së konfliktit jo vetëm në gadishullin korean, por edhe më gjerë. SHBA nuk do të dëshironte të ndodhej përballë kundërpërgjigjes, qoftë edhe e pjesshme.

Megjithatë, analistët përmendin edhe një fakt tjetër jo pak të rëndësishëm. Në aspektin e brendshëm duket se regjimi i Koresë së Veriut nuk është ende një fryt i pjekur e gati për të rënë, pasi mbështetet në një ushtri, që konsiderohet e katërta në botë për personel aktivë me rreth 1.1 milion trupa, por edhe me një popullatë homogjene. Fuqia e dinastisë Kim bazohet në frikë, dhe indoktrinim në besim dhe krenari. Edhe pse njerëzit jetojnë nën frikë të vazhdueshme të regjimit, përsëri dominon kombinimi i frikës me besimin në “udhëheqësin e madh”. Koreja e Veriut është jashtëzakonisht e indoktrinuar për identitetin dhe historinë e saj. Së bashku këta faktorë sigurojnë një situatë jo optimiste për një përballje konvencionale. Lufta e parë e Koresë (1950-1953) që la mbi 5 milionë të vrarë demonstrojë gjithë sa më sipër dhe mbetet një rëndesë e përhershme e ndërgjegjes botërore për fillimin e një konflikti të ri.

Dhe së fundi, por jo të fundit gjeneralët – veteranë të luftës. Me gjithë retorikën e luftës që vjen nga të dy presidentët Donald Trump dhe Kim Jong-un, gjeneralët (veteranë të luftërave të mëparshme) mendojnë se nuk ka shenja serioze që SHBA po planifikon një goditje ‘preventive’ ndaj Koresë së Veriut, por edhe që Kim Jong do të guxojë të godasë territorin amerikan. Vetë ushtria amerikane nuk duket se është në ndonjë lloj situate alarmi luftarak për të goditur Korenë e Veriut, ose më së paku me llojin e fushatës (mësymje totale) që do të nevojitej për të sjellë suksesin e betejës. Për një fushatë të tillë mendojnë gjeneralët e luftërave të mëparshme do të duhej javë, nëse jo muaj, për të siguruar logjistikën e nevojshme. Lëvizje të tilla nuk dallohen nga pala amerikane.

Në konceptin ushtarak, Shtetet e Bashkuara do duhej gjithashtu të krijonin raportin e nevojshëm të forcave e të mjeteve ushtarake. Raportet i forcave janë baza e nisjes së një lufte të mundshme. Këto do të përfshijnë anijet e marinës amerikane dhe nëndetëset bërthamore, plus bombarduesit e Forcave Ajrore që mund të veprojnë jashtë Koresë së Jugut, nga bazat në Japoni apo Guam. “Ka mjaft prej tyre në rajon, por jo të mjaftueshme për të neutralizuar Koren e Veriut që në goditjen e parë, nëse do të kemi në konsideratë numrin e grykave të zjarrit të artilerisë të kundërshtarit”. Gjenerali amerikan Mark Hertling, njëkohësisht edhe analist i CNN, thotë që është mjaft i rëndësishëm fakti që rreth 300 mijë amerikanë ndodhen në territorin e Koresë së Jugut. Një numër i konsiderueshëm ndodhet edhe në Japoni. Ata nuk janë vetëm ushtarakë. Shumicën e përbëjnë civilë, ku ndjeshëm dallojnë familjarët e ushtarakëve që janë në bazat amerikane në Korenë e Jugut dhe qytetarë të tjerë amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Korenë e Jugut. Në këtë rast më së pari do të duhej të organizohej evakuimi i tyre nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Sipas përllogaritjeve koha e evakuimit të tyre kërkon disa muaj.

Megjithëse qendrat kryesore të armëve dhe qendrat e komandim-drejtimit të Koresë së Veriut mund të supozohet se shkatërrohen shpejt përmes bombardimeve të sakta të SHBA, struktura e komandës së Koresë së Veriut ka gjasa të funksionojë në fazën e hapjes së një lufte konvencionale, duke lejuar që Kim të nisë sulme të mëdha të artilerisë dhe raketave kundër Koresë së Jugut me objektiv Seulin, duke rrezikuar më shumë se dhjetë milionë banorë. Koreja e Veriut ka mijëra gryka zjarri të artilerisë konvencionale, që arrijnë rrezen e kryeqytetit të Koresë së Jugut – Seulit dhe që kanë përfunduar planifikimin e zjarrit. Studimet ushtarake kanë përllogaritur se viktimat e Koresë së Jugut nga zjarri i artilerisë do të jenë me dhjetëra-mijëra të vrarë që në ditën e parë të konfliktit. Në këtë rast, siç shprehet një tjetër gjeneral amerikan, do të nevojiten disa javë me sulme ajrore për të neutralizuar artilerinë kundërshtare, që në shumicën e tyre janë të vendosura në pozicione zjarri tepër të fortifikuara. SHBA do të kishin nevojë për shumë më tepër avionë, municione luftarake, karburante dhe personel mbështetës për të kryer këtë fushatë. Ashtu si më parë në operacionin “Desert Storm”, do të duheshin javë për të siguruar numrin e nevojshëm të trupave, tankeve, avionëve të ushtrisë amerikane që do të duhej të lëviznin nga bazat e tyre në SHBA për në portet në jug të Koresë së Jugut dhe madje edhe më gjatë për t’i çuar ata në veri, ku do të zhvillohej lufta me Korenë e Veriut.

Aktualisht pranë ujërave të Koresë ndodhen dy aeroplanmbajtëse. Carl Schuster, ish-drejtor i operacioneve në Qendrën e Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA, tani profesor në Universitetit të Paqësorit (Hawai) shprehet se duhet të ketë shumë më tepër fuqi zjarri të SHBA. Shtetet e Bashkuara do të duhet të siguronin mjaftueshëm bomba, raketa dhe aeroplanë luftarakë për të shkatërruar ose çaktivizuar mbrojtjen kundërajrore të Koresë së Veriut, përpara se të dërgoheshin bombarduesit e rëndë të vetmit të efektshëm për të goditur pozicionet e fortifikuara të armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Për sa i përket Koresë së Veriut, analistët ushtarakë mendojnë se përveç retorikës ata nuk mund të ndërmarrin një sulm fillestar. Së pari, testet e raketave të Koresë së Veriut, nuk janë të provuara në situatë reale luftarake dhe për pasojë saktësia e tyre nuk është e sigurt. Së dyti, Kim e di mirë që goditja e SHBA do të shoqërohet me një hakmarrje të tillë që ai dhe regjimi i tij nuk mund ta përballojë dhe që do të shënojë fundin e regjimit të Kim. Kim, shprehet Fared Zakaria i CNN, është një operator i zhdërvjellët dhe e di se çfarë mund të mbaj mbi vete, ndaj ai do vazhdojë të testojë raketat apo zhvillojë manovra me zjarr të artilerisë. Por, një test tjetër raketor mund t’i shërbejë Kim Jongut për të dërguar mesazhe brenda dhe jashtë vendit, por një tjetër provë që përsëri është shumë larg luftës.

Në këto kushte, tre skenarë që mund të parashikohen për krizën koreane vijnë jo më afër se vitin e ardhshëm: a) vazhdimi i një gjendje të përhershme të krizës; b) një marrëveshje e negociuar; dhe c) Konflikt i armatosur apo lufta. Secili prej skenarëve ka premisat e veta. Lufta është më pak e mundshme, një marrëveshje e sforcuar ka më shumë gjasa sesa lufta dhe vazhdimi i krizës ka më shumë të ngjarë sesa dy të parët. Një analizë për të tre skenarët….vijon.

* Profesor për Çështjet e Sigurisë në UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si e kam njohur Ramis Alinë

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo Ishte vjeshtë e vitit 1998. Kryeredaktorit të Shekullit,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.