Sa më shumë shkolla të mbyllura, aq më shumë kulla të lartësuara!

Nga Gentian Kaprata

Fillim viti i ri shkollor solli edhe debatin partiak të radhës në këtë sistemin tonin partitokratik që nuk e di pse e quajmë demokraci. Kryebashkiaku i Republikës shpërndau libra “falas” për disa fëmijë, dhe kjo ngjarje u transmetua drejtpërdrejt në televizionin e tij privat. Mediat private e publike, që në çdo rast mund të na e kursenin këtë shëmtirë populiste, demagogjike e fasadiste, i bënë ‘share’ në hapësirat e tyre, dhe kështu, të gjithë shqiptarët u njohën me këtë vepër të lartë të qeverisë Rilindase. Halli është se këtë “kronikë” e ndoqën edhe drejtuesit e opozitës, të cilët nuk e injoruan për ta lokalizuar këtë shëmtirë socialiste vetëm në oborrin e qeverisë, por e kthyen në një debat partiak pa asnjë kuptim politik. Si përfundim, shoqërisë shqiptare i mbeti në derë halli i zakonshëm: të përcaktojë kush është më socialiste: PS, që po ju jep libra falas vetëm nxënësve të fillores; apo PD, që paska premtuar se do t’jua japi të gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar!

Të dyja kahet partiake shqiptare nuk perceptojnë dot një të vërtetë të thjeshtë: diskursi dhe veprimi i tyre politik nuk duhet t’iu drejtohet vullneteve partiake (votuesve) të cilët i kanë të përfshira brenda vetes, por atyre që janë të pavendosur dhe kërkojnë argument politik. Për këta është shumë e qartë se Qeveria shpërndan atë që i ka marrë taksapaguesit, pra nuk ka asgjë falas, thjeshtë: për atë që dikush merr falas ka paguar dikush tjetër. Dhe në këtë kuptim, i gjithë debati për librat falas, sikurse shumica e debateve ndërpartiake, jo vetëm nuk ndihmon partitë në interesin e tyre meskin për të grumbulluar sa më shumë votues të gënjyer, por dëmton rëndë edhe sektorin në të cilin bëhet ky debat. Sepse nuk janë librat falas që ju mungojnë nxënësve, prindërve dhe sistemit arsimor shqiptar, por mësuesit dhe shkollat. Dhe këtu erdhëm te ngjarja më e rëndë që i ka ndodhur arsimit shqiptar që nga fillesat e tij: po mbyllin shkollat që kemi!

Qeveria e Rilindjes Kombëtare, që po bën Shtet, po mbyll shkolla që janë ndërtuar në qeverisjet e tjera të 106 viteve që ka ekzistuar Shtet. Në Korçë u mbyllën 3 shkolla, në Fier 16-të, në Elbasan 9-të, Në Vlorë 8-të, në Lushnje 20-të, në Kukës 13-të, në Mat 14-të, e kështu me radhë. Tragjedi e përmasave kombëtare, që partitë e kthyen në debat furgonësh. ‘A do gjenden apo jo furgona për t’i çuar fëmijët në shkolla të tjera’, kjo është çështja në debat për partitë shqiptare! Totalisht në të kundërt, mbyllja e shkollave është një gjëmë e madhe që i ndodh Shqipërisë! Ajo është nga ato katastrofa që vë në rrezik ardhmërinë e kombit dhe duhet të detyrojë shoqërinë të përfshihet e gjitha për ta kuptuar, për ta analizuar dhe për të gjetur zgjidhjet e daljes nga ky fatalitet. Sepse ngjarja nuk është një event i izoluar as në territor dhe aq më pak në kohë. Mbyllja e shkollave sapo ka filluar, ajo do të vazhdojë dhe do të shoqërohet me të tjera dëme kombëtare.

Mbyllja e shkollave nuk është e papritur aksidentale, ajo është produkt i mënyrës sesi kemi lejuar dhe stimuluar zhvillimin e territorit kombëtar. Ajo është rezultat direkt i modelit urban të koncentruar të Durasanës që po shpopullon territoret periferike e kufitare të Atdheut dhe territoret periferike dhe kufitare të qyteteve shqiptare, për ti grumbulluar të gjithë shqiptarët në qendrat e 5-6 qyteteve kryesore të Shqipërisë. Nuk e kam vëzhguar, por gjithsesi jam i sigurt se këto shkolla që mbyllen nuk i përkasin bashkisë së vjetër Tiranë apo qyteteve kryesore të vendit. Jam i sigurt se të gjitha shkollat që mbyllen janë të periferive të qyteteve dytësore, qytezave apo fshatrave. Shprehem i bindur, sepse e tillë është edhe dinamika e shpërndarjes së popullsisë në territorin kombëtar. Boshatisja e periferive të qyteteve, apo të gjithë Atdheut, sjell në mënyrë të pashmangshme mbylljen e shkollave në këto territore dhe nevojën për shkolla të reja në Tiranë.

Modeli territorial i zhvillimit të koncentruar të popullsisë në zonën qendrore të Shqipërisë formëson dhe përforcon modelet ekonomike, social-politike dhe kulturore të shoqërisë së sotme shqiptare. Janë këto modele, të cilat prodhojnë këtë gjendje të papranueshme për shumicën e shqiptarëve. Dhe nëse duam të ndryshojmë këtë realitet, duhet të formulojmë një qëndrim të ndryshëm politik gjerësisht të pranuar, për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Kjo është rruga e vetme, që e gjithë elita e shoqërisë duhet të mbështesë, për të ndryshuar gjithçka bazamentale për zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Rruga tjetër është të kënaqemi me libra, legalizime, shëndetësi e shumëçka tjetër “falas”, që na premtojnë partitë e kryetarokracisë në të cilën jetojmë, dhe të lejojmë kastën të ndërtojë pallate dhe kulla në Tiranë derisa të gjithë shqiptarët, që nuk emigrojnë nëpër botë, të imigrojnë në qytet-shtetin Durasanë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fitues i Balkanika 2015, Bashkim Sehu: Një çmim i vështirë në Ballkan, garë e nxehtë

Një garë e vështirë për letrat në Ballkan, secili mendon se është...
Read More