Sa mirë që nuk e kemi një lëvizje parakomuniste, si ajo e Pesë Yjeve në Itali

Nga Ervis Iljazaj

Rezultati i zgjedhjeve në Itali, përtej faktit që nuk nxori asnjë forcë politike, e cila të kishte mazhorancën e domosdoshme për të krijuar qeverinë, forcoi forcat politike populiste si Lega e Veriut dhe Lëvizjen Pesë Yje.

Në fakt fituesit e vërtetë në këto zgjedhje ishin Lëvizja Pesë Yje, me rreth 33% të votave, duke u shpallur forcë e parë. Një forcë Politike që u krijua nga një komik dhe arriti nëpërmjet aftësisë së tij komunikuese dhe rrjeteve sociale të rritej çdo vit e më shumë.

Është padyshim një meritë e Pepe Grillos dhe aftësive të tij retorike, që ndoshta i vijnë nga profesioni i aktorit, që kjo forcë politike arrit të dalë e para. Kush i ka dëgjuar ndonjëherë fjalimet e tij përpara masave, e kupton lehtësisht aftësinë e tij, pothuajse jonormale për të joshur njerëzit dhe për të krijuar marrëdhënie emocionale me ta, si ndoshta asnjë politikan tjetër. Sepse politika sot, ndër të tjera, është komunikim dhe emocion, është aftësia për t’i bërë njerëzit që të ëndërrojnë, pavarësisht nëse këto ëndrra janë të vërteta apo jo, pavarësisht faktit se premtime të tilla apo emocione të tilla mund të rrezikojnë të kthehen shpeshherë dhe historia e ka treguar këtë, në regjime politike që nuk i dihet fundit.

Pas suksesit të madh të kësaj lëvizjeje, u krijua një lloj entuziazmi edhe në opinionin publik shqiptar dhe në media të ndryshme, duke pyetur se përse nuk ekziston dhe një Pepe Grillo shqiptar apo një lëvizje e tillë që të rrezojë të gjithë ssitemin politik të korruptuar këtu, i cili ka shumë vite i pandryshuar.

Që klasa politike shqiptare ka të gjitha mëkatet e mundshme mbi supet e saj, kjo është e padiskutueshme dhe që ka nevojë për rinovim të saj, përsëri s’ka vend për diskutim. Por, nëse presim me padurim një forcë të tillë politike populiste për të na ndryshuar politikën tonë, atëherë sa mirë që nuk e kemi ne një si lëvizja Pesë Yje.

Lëvizje të tilla politike, të cilat bazohen tek emocione popullore, që më pas i kthejnë këto emocione në favor të interesave të tyre të pushtetit, e kanë provuar sa herë që kanë ardhur në krye të qeverisjes, sepse politika e tyre nuk ka fare të bëjë me realitetin ekonomik dhe shoqëror, por thjesht me ëndrrën dhe sloganin e tyre: “populli në politikë”.

Jo rastësisht Lëvizja Pesë Yje pati triumfin e saj në Jug të Italisë, pasi dihet varfëria në këto zona. Një nga premtimet e saj kryesore ishte të ardhurat minimale për çdo person që nuk ka një punë, të cilat shkojnë deri në 750 euro në muaj. Tashmë që e kanë bërë këtë premtim, nëse arrijnë të qeverisin duhet ta mbajnë me patjetër, sepse tjetër gjë është të jesh një forcë opozitare dhe të premtosh, dhe tjetër gjë është kur je në pushtet ku të duhet të kesh bilancin në rregull, apo të duhet të bësh “paktin me djallin”. Nëse Lëvizja Pesë Yje do të qeverisë Italianë në vitet e ardhshme, me patjetër i duhet të lërë mënjanë puritanizmin e saj me të cilin arriti të fitonte, dhe të “ndyjë” duart me pushtetin, i cili ka një logjikë totalisht të kundërt me atë të opozitës.

Receta ekonomike e kësaj Lëvizjeje është: më shumë shtet, kundër privatizimeve dhe më shumë politika sociale. Asgjë më shumë se kaq nuk ka një forcë politike komunistë. Ndërsa, për politikat e sigurisë diti mirë të zgjidhte populizmin e kundërt, atë të mbylljes së kufijve për emigrantët. Pra, një forcë politike e cila ka marrë politikat shtetërore të ekonomisë nga e majta, dhe nacionalizmin nga e djathta. Dy premtime të cilat janë aq populiste dhe të kërkuara nga shoqëria italiane, sa që askush nuk mund t’i refuzonte. Mirëpo, kur je në pushtet dhe në krye të qeverisë së vendit, realiteti është totalisht i kundërt.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Video: Shpejtësi dhe çmenduri në rrugën Tiranë-Durrës

Plot 13 drejtues mjetesh e kanë pësuar për shkak të neglizhencës së...
Read More