Saga e Qiriazëve, misioni mes atdhetarisë dhe Protestantizmit

shkolla-vashaveE nisën me besimin në Zot, si themelues të Kishës Protestante Shqiptare dhe gjithë jetën u përballën me sulmet nga ortodoksia greke, pushteti otoman dhe mizoria e Enver Hoxhës. Historitë e Gjerasim, Parashqevi, Sevasti dhe Gjergji Qiriazit. Rrëmbimi nga kaçakët i Gjerasim Qiriazit dhe takimet e Parashqevisë me presidentin amerikan Uillson, në kohën kur luheshin fatet e vendit.

Nga Sebi Alla

Dy misione po lindnin brenda një oborri. Amerikanët në njërën anë po përhapnin fenë Protestante, ndërsa familja shqiptare e Qiriazëve, pak më tutje po mbillte edhe frymën e Rilindjes Kombëtare dhe atdhetarisë. Kohë e largët, pak vite po ndanin shekullin 19. Ishte periudhë ku i “Sëmuri i Bosforit” (Perandoria Osmane) po rrënohej nën vete dhe ndjenjat atdhetare të personaliteteve të Shqipërisë nisën të shtoheshin. E tillë është edhe familja Qiriazi, që zuri vend mes shumë personaliteteve për përhapjen e gjuhës shqipe dhe dhanë kontribuar edhe në Pavarësinë e Shqipërisë. Mes katër emrave të Qiriazëve, më i shquari ndër ta ishte Gjerasimi, djaloshi i shkolluar në Kolegjin Teologjik Amerikan në Samokovë në Bullgari, që vendosi të përhapë Protestantizmin në Shqipëri dhe bashkë me të edhe frymën e rritjes së identitetit kombëtar dhe gjuhën shqipe. Mbajti lidhje të forta me misionarë të protestantizmit amerikan dhe anglez, por kaloi shumë peripeci. Sulmet e nëndheshme i vinin nga kisha ortodokse greke, në anën tjetër zyrtarë të perandorisë lokale osmane nuk linin vend pa e penguar. Sikur të mos mjaftonin këta dy armiq ballorë, edhe kaçakëria shqiptare e mbajti peng për gjashtë muaj, për ca lira më shumë… Më vonë pushtuesit e rinj italianë dhe gjermanë burgosën dy motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi. Në fund, tentoi të shuajë “farën” e Qiriazëve edhe regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, që dy djemtë e Sevastisë, Aleksandrin dhe Gjergjin i burgosi e torturoi dhe mjeku kirurg Gjergji vrau veten ne qeli në vitin 1959, për shkak të torturave në hetuesinë e komunizmit. Pasi i internuan dhe degdisën në burgje, komunistët i “vranë” sërish, kësaj radhe duke i dekoruar, për kontribute në përhapjen e gjuhës shqipe…

Predikuesi i besimit dhe rilindjes

Fëmijëria e Gjerasimit nuk ishte si e gjithë të tjerëve. Kureshtar për gjithçka dhe i etur për të mësuar, kalonte shumë kohë pranë disa predikuesve të Protestantizmit, që nuk binin në sy si klerikë klasikë. Rastësia bëri që pranë banesës së familjes Qiriazi në Manastir (dikur një trevë e populluar nga shqiptarë, sot pjesë e Maqedonisë), ishin vendosur disa misionarë amerikanë të Kishës Protestante, që kishin për qëllim përhapjen e këtij besimi. Misionarët e huaj ishin të lirë, pasi “fermani” që mbanin nuk ishte vetëm i Perandorisë Osmane, por gëzonin mbështetje në Amerikë dhe Angli. Në një lloj mënyre Protestantizmi është “besimi” i iluministëve, kapitalit dhe një pjesë të filozofëve që ndryshuan epokat dhe i dhanë kuptim demokracisë liberale. Intelektuali tashmë i formuar Gjerasim Qiriazi, më i madhi i dhjetë fëmijëve të çiftit Maria dhe Dhimitri, nisi të predikonte në një zonë të ngushtë në Manastir dhe më vonë në Korçë besimin Protestant. Arriti kulmin në hapjen e parë të Kishës Protestante Shqiptare më 14 nëntor 1892, ku themelon Kishën Ungjillore të Korçës edhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë”. Në hulumtimin e Xhon Kuanrud thuhet se: “ardhja në Manastir e një të riu shqiptar të shkolluar, energjik dhe zemërmirë, i cili ishte vënë në shërbim të Shoqërisë Biblike Britanike dhe për “Vendet e Huaja”, u ra në sy menjëherë autoriteteve shtetërore dhe fetare. Meqenëse gëzonin mbrojtjen e Fuqive të Mëdha misionarët e huaj trajtoheshin më me tolerancë. Mirëpo kur një shtetas osman shpallte hapur besimin ungjillor, madje edhe në gjuhën shqipe, ai me siguri i hapte vetes telashe”. Për Gjerasimin telashet ishin afër. Ai synonte të përhapte jo vetëm Protestantizmin, por mbi gjithçka botimin e librave shqip dhe hapjen e shkollave. Kjo nuk mund të kalohej lehtë nga kisha ortodokse greke, e cila kundër Protestantizmit në Shqipëri nuk ishte për ideologji, por kuptonte se po përhapeshin shkolla shqipe dhe rritej ndjenja nacionale. Me mësimin e gjuhës shqipe, shqiptarët ortodoksë nuk do të konsideroheshin si grekë, apo ata myslimanë si turq dhe identiteti kombëtar i kishte rrënjët në arsim, kjo trembte më shumë ortodoksinë greke dhe sulmet ndaj Gjerasim Qiriazit nuk do të vononin. Në nëntor të vitit 1884 teksa Qiriazi kthehej drejt Pogradecit, i bëjnë pritë kaçakët dhe rrëmbehet prej tyre. Banda prej 22 vetash e drejtuar nga një kaçak famëkeq Shahin Matraku, arriti ta mbante gjashtë muaj peng, mes torturash dhe peripecish, pasi kërkonin 5000 lira turke për ta liruar. Dyshohet se persona të afërt të peshkopit ortodoks grek në Korçë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrëmbimin e Qiriazit. Në fund pas gjashtë muajsh peng, Qiriazi u la i lirë pasi kaçakët morën vetëm 300 lira turke. Këto të holla u siguruan nga qendra Protestante në Amerikë dhe Angli, e cila loboi fuqishëm që ai të lihej i lirë. Kjo ngjarje nuk e pengoi aspak, madje e nxiti më shumë që të ndërmerrte nisma të tjera, bashkë me dy motrat e tij Parashqevinë dhe Sevastinë, Gjerasimi u bë nismëtar i hapjes së Shkollës së Vashave në vitin 1891. Predikuesi dhe atdhetari Gjerasim Qiriazi vdiq në moshën 36-vjeçare, por me ikjen e tij nga bota e të gjallëve, misioni nuk do përfundonte. Tashmë ishte koha e dy motrave të tij, Parashqevia dhe Sevastia.

Trishtimi i zonjave Qiriazi

Kishin një amanet për të vazhduar dhe kjo lidhej me mbajtjen hapur dhe për të tërhequr sa më shumë nxënëse në Shkollën e Vashave në Korçë. Që të dyja Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi kanë qenë drejtueset dhe mësueset e kësaj shkolle. Por koha kalonte dhe ishte momenti që të shihej më shumë se një shkollë shqipe. Sevasti Qiriazi ishte e vetmja delegate femër në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Gjithashtu, edhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishte mjaft aktive, ku botoi një numër të konsideruar librash shkollorë. Më vonë me nisjen e Luftës së Parë Botërore emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëshortin Kristo Anastas Dako dhe motrën e saj Parashqevinë. Largimi nuk do të thoshte heqje dorë nga përhapja e kulturës dhe gjuhës shqipe. Që të dyja janë themelueset e gazetës “Yll’ i mëngjesit”, që botohej në SHBA. Jeta në Amerikë ishte edhe më aktive. Parashqevi Qiriazi mundi që të depërtonte deri në zyrën ovale të presidentit amerikan Uillson. U diskutua për fatet e Shqipërisë, pasi në fundin e Luftës së Parë Botërore rrezikohej të ricopëtohej dhe vihej në pikëpyetje e madhe integriteti territorial. Fqinjët sllavë dhe grek i kishin shprehur hapur qëndrimet e tyre për aneksimin e Shqipërisë dhe bashkë me këta dy shtete ishte edhe Italia. Për fatet e shumë kombeve do të vendosej në atë që njihet si Konferenca e Paqes së Parisit. Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris, si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj konference. Me ndikimin e fortë të Presidentit Amerikan Uillson, Shqipëria mundi që të mos ricopëtohej dhe të qëndronte në kufijtë e sotëm ekzistues. Padyshim në këtë vendim historik që mbajti Amerika, si një nga shtetet kryesore fituese e Luftës së Parë Botërore, kanë ndikuar edhe takimet e shpeshta të mërgatës shqiptare në Amerikë. Njëra prej tyre dhe jo pak e rëndësishme ishte Parashqevi Qiriazi.

Armiqtë e mëdhenj ishin komunistët

Për disa vite motrat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi u endën mes Amerikës dhe Shqipërisë, por sulmet për ta nuk kishin të ndaluar. Në vitin 1943 jeta e tyre do të merrte një kthesë të madhe. Gjermanët kishin pushtuar Shqipërinë dhe më 15 tetor 1943 mësyjnë pranë familjes Qiriazi, e vendosur në Kamëz të Tiranës, ku kishin hapur shkollë dhe predikonin edhe fenë Protestante. Ata u arrestuan për veprimtari anti-naziste së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen dhe dërgohen në Kampin e Përqendrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit në Serbi. Çlirimi i vendit duhet të ishte edhe një liri për familjen Qiriazi, por ndodhi e kundërta. Me ardhjen e komunistëve do kalonin në peripeci të tjera dhe kësaj radhe ishte “armiku i brendshëm” që do shkatërronte motrat Qiriazi dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në vitin 1947 dy djemtë e Sevastisë, Aleksandri dhe Gjergji arrestohen dhe akuzohen se kishin lidhje me agjentët amerikan dhe anglez. Një akuzë që nuk zinte vend mes kësaj familje. Teksa Sevastia endej në hetuesitë komuniste në Tiranë, merr lajmin më të keq të jetës së saj. Gjergji u tha se kishte vrarë veten pas torturave që kishin ushtruar punonjësit e sigurimit ndaj tij. Edhe Aleksandri po mbahej gjatë në burg, po për akuzën si bashkëpunëtor me “agjenturat e huaja”. Ndonëse në historinë e kombit kishin shënuar emrin e tyre si ndër patriotët më të njohur në vend, kjo nuk vlente aspak për sistemin e ri komunist, që nisi reprezalje ndaj personave që i konsideronte si kundërshtar të tyre. Dhimbja për ndarjen nga jeta të djalit e rrënoi edhe më tepër Sevasti Qiriazin dhe në vitin 1949 vdiq mes varfërisë dhe dhimbjes nga terrori i ri që kishte nisur në Shqipëri. Dhjetë vjet pasi i kishin vrarë dhe denigruar, motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë” ndërsa në vitin 1962 u dekoruan me “Urdhrin për veprimtari patriotike”. Parashqevi Qiriazi do të jetonte edhe më gjatë, për të përjetuar atë që kurrë nuk e kishte imagjinuar, që nga dhuna dhe terrori komunist, deri në shpalljen të paligjshme të fesë në vend. Ajo vdiq në Tiranë në vitin 1970 ndërsa më 1987 dekorohet “pas vdekjes” me titullin “Mësuese e Popullit”. Pasardhësit e familjes Qiriazi që jetuan në Shqipëri do të vijonin të kalonin në kalvarin e internimeve, ndërsa një pjesë tjetër e pinjollëve të Qiriazëve jeton ende në Amerikë. Familja Qiriazi përjetoi dy botë, mes Protestantizmit dhe atdhetarisë, ndonëse kosto që mbajtën ishte e madhe.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Studio virtuale UET: Fjala e fundit e Hollivudit në Shqipëri

Pedagogu Shpend Bengu dhe studentët e Dizajnit në UET ndërtojnë të parën...
Read More