Saimir Tahiri kundër Frontit të së Keqes

Armand ShkullakuNga Armand Shkullaku

Shumë herë e kemi dëgjuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, me zë dhe figurë, të deklarojë për akuzat e shumta që i janë bërë: “drejtohuni në Prokurori, më hetoni, jam i gatshëm të përgjigjem përpara drejtësisë etj…”. Por kur hetimi troket në portën e tij, ministri transformohet papritur. Prokuroria dhe gjykatat qenkan të qelbura nga koka, ato u përdorkan politikisht nga opozita, edhe kjo e qelbur nga koka, prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar dhe shërbëtorë politikë. Ata janë të gjithë Fronti i së Keqes dhe Sa i Miri është Fronti i së Mirës. Po atëherë ndaj kujt është i hapur ministri që të hetohet, ndaj drejtësisë hyjnore?

Ministri Tahiri është në të drejtën e tij të dyshojë apo të ketë objeksione për hetimin e nisur nga Prokuroria. Ai mund të ketë edhe bindjen se vartësit e tij janë të pafajshëm dhe nuk kanë bërë asnjë shkelje. Madje, ka të drejtë të paragjykojë edhe se pas hetimit ka një sfond politik. Por ai nuk mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për të sulmuar drejtësinë, pikërisht në momentin kur po hetohet edhe vetë prej saj. Agresiviteti, gjuha e urrejtjes, epitetet denigruese, akuzat populiste, që ministri përdori dje përpara kamerave, janë sulm politik dhe jo mbrojtje e dinjitetshme, qoftë edhe ndaj një akuze të padrejtë.

Saimir Tahiri dha shembullin, se një segment i shtetit që i ka caktuar vetes pozitën e Frontit të së Mirës, mund t’i lejojë vetes të sillet si asgjësues ndaj një segmenti tjetër, pa përfillur asnjë parim dhe ligj formal të një vendi demokratik. Tahiri dhe kryeministri Rama nuk i thanë lavire prokurorisë dhe as horra gjyqtarëve, por hiç më pak se “killer me pagesë”, “të korruptuar”, “të qelbur”, “shërbëtorë”, “derdimenë pa din e pa iman”. A mund të flasë me një gjuhë të tillë qeveria, vetëm e vetëm sepse u prek direkt nga një hetim i prokurorisë? A mund të sillet në këtë mënyrë, një ekip që premtoi të rilindë një kulturë të re komunikimi mes institucioneve? A mund të kërcënojë ekzekutivi një pushtet tjetër, qoftë edhe kur ky i fundit ndërmerr veprime apo vendime që atij i duken të padrejta?

Padyshim që kjo sjellje e Tahirit dhe e Ramës është shpërthimi i pakontrolluar i një krize nervash, që prej më shumë se një viti i mban ata të mbërthyer. Ministri i Brendshëm nuk ka ditë që të mos korrë dështimet e rendit të Rilindjes. Nga bombat e dekriminalizimit e deri te shpërthimet e vërteta, që herë pas here na kujtojnë sa të pambrojtur jemi. Nga vrasjet mafioze në mes të Tiranës, deri te tonelatat e drogës që kapërcejnë Adriatikun. Nga krimet pa autor e deri tek ato ku autori dihet por nuk guxon kush ta arrestojë. Nga bandat që po shtohen e deri tek oficerët e policisë që korruptohen. Ndaj Tahirit i duhet të shpërthejë ndaj “Frontit të së Keqes”, për të mbuluar të keqen që shqiptarët e ndeshin çdo ditë.

Shpërthimi i pazakontë i Tahirit lidhet edhe me faktin që këtë herë hetimi i prokurorisë është shumë afër tij. Ai thotë se është i gatshëm të hetohet, por kur kjo mund të ndodhë, atëherë prokuroria është e qelbur dhe gjyqtarët janë shërbëtorë. Prokuroria dhe gjykatat në Shqipëri janë plot mëkate, edhe të korruptimit edhe të përdorimit, ndaj është e lehtë të mbrohesh duke i sulmuar ato. Por kjo nuk është e ndershme kur e bën një ministër, një njeri me pushtet aq të madh ekzekutiv.

Ministri dhe kryeministri nuk përdorën të njëjtën gjuhë kur prokuroria dhe gjykata vendosën arrestin në flagrancë për Fullanin, për Spiro Kserën apo ndonjë rast tjetër. Madje nuk cilësuan killer asnjë gjyqtar që liroi Arben Frrokun, por e çuan atë në fushatë në Pukë pas lirimit. Nuk janë ndjerë as kur janë mbyllur procese në favor të tyre e as kur janë dënuar pjesëtarë të opozitës. Prokuroria dhe gjykatat nuk janë të qelbura nga koka vetëm kur prekin Tahirin, prandaj përdorimi i një mëkati për të larë një tjetër, bëhet edhe më i madh.

Nevoja e sulmit politik të Tahirit ndaj drejtësisë, përveç se nga dështimet në rend dhe prekja direkt nga hetimi për përgjimet, mund të shpjegohet edhe nga pozitat e tij personale në qeveri. Gjetja e një përgjuesi në paradhomën e ministrit ia ka shtuar shqetësimin dhe paranojën se dikush brenda mazhorancës nuk ka hequr dorë nga mënjanimi i tij. Dhe hetimin e fundit të prokurorisë mund ta lexojë edhe në konturet e një lufte të fshehtë ndaj tij.

Prej disa kohësh, Tahiri po përpiqet të forcojë pozicionin, madje me shfaqje të çuditshme që nuk janë rroba e tij. Ai pak nga pak po bëhet kopja e kopjes, domethënë po imiton Veliajn, që nga ana e tij kopjon Ramën. Motori i Xhemilit, policët spajdermenë nëpër dritaret e pediatrisë dhe së fundi, kutia e zezë që ironizonte hetimin e prokurorisë për përgjimin, janë gjetjet alla Veliaj të Saimir Tahirit. Por që gjithsesi, nuk po ia japin qetësinë dhe sigurinë që po kërkon.

Kutia e zezë u kthye në ironinë e ironisë. Pas kësaj, Tahiri nuk rrethoi gjykatën si Erioni, por bërtiti edhe më fort kundër prokurorisë dhe gjykatave. Ata janë “Fronti i së Keqes”, që po e mundon dhe po e lodh ministrin e së Mirës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ligji i vettingut ra, reforma jo

Nga Fitim Zekthi Pezullimi i ligjit të vettingut nga Gjykata Kushtetuese ka...
Read More