Sali Butka: Poeti i majave të Gramozit

kopertinaNë kuadër të 100-vjetorit të Republikës Autonome të Korçës (10 dhjetor 1916-10 dhjetor 2016) “Tirana Times” ka botuar librin e Sali Butkës “Ndjenja për atdheun”, një ribotim i plotësuar i botimit të parë të vitit 1920, ku siç dihet Butka ishte një nga figurat kryesore të arritjes së kësaj autonomie për qytetin juglindor

Nga Bardhyl Londo

Emrin e Sali Butkës, ashtu si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë, e kisha takuar shumë më parë se të kuptoja atë që marr vesh sot nga jeta, bota, letërsia, poezia, lufta dhe paqja, agresioni dhe mbrojtja kundër tij, atdheu dhe krahina, fqinjësia dhe shovinizmi, paqja dhe orekset grabitqare të pushtuesve. Sali Butka kishte ardhur tek unë ashtu siç vijnë gjithë luftëtarët zulmëmëdhenj: diçka midis realitetit dhe legjendës. Përfytyrimi im nuk besoj se ndryshonte nga përfytyrimi i të tjerëve: një burrë gjithmonë në lëvizje, të cilit nuk i zinte kurrë këmba dhé, siç thuhet. Një burrë me pushkën në krah, që nuk i ndahej kurrë dhe që i ishte bërë si gjymtyrë e re në trupin e tij. Një luftëtar që veshët i mbante ngrehur dhe sytë gjithmonë hapur nga kufijtë shqiptarë, sidomos nga kufijtë jugorë. Fati kishte dashur që Sali Butka të lindej pikërisht në skajin juglindor të kufijve tanë të sotëm, ku historia e marrëdhënieve tona me fqinjët grekë, në ato vite të turbullta të shpërbërjes së perandorisë otomane dhe të fillimit të luftës së parë botërore, jo vetëm që nuk ishte e paqtë dhe e qetë, por ishte tejskarisht e turbulluar, madje e përgjakur dhe e dhimbshme.

…Historia i kishte paracaktuar fatin e luftëtarit, fatin e Perëndisë mbrojtëse të truallit shqiptar, të zakoneve shqiptare, të qenies shqiptare. Dhe Sali Butka e kreu këtë si rrallëkush në historinë shqiptare. Ndërsa fati personal i Sali Butkës ishte gati fatalitet. Në luftë ai humbi dy djemtë, njërin kundër me xhonturqit në Frashër, tjetrin kundër haxhiqamilistëve në Pogradec, vetë humbi syrin në betejën e Nikolicës për t’u mbrojtur nga grekët. Por ky fatalitet vetjak (duket shumë cinike edhe sot kur e shkruan apo përmend) ishte vërtet fat i ndritur për shqiptarët, sidomos ata të Jugut dhe të Juglindjes që kishin një mbrojtës si Sali Butka. Kushedi si do të ishte fati i atyre trevave të bekuara në rast se nuk do të ishte Sali Butka dhe homologët e tij. Ndoshta duket pak jo njerëzore, madje edhe makabre, të pranosh se historia e lirisë dhe e pavarësisë së disa krahinave, por edhe e vetë Shqipërisë, është e lidhur ngushtë me sakrifikim jetësh njerëzore: dy djem të rinj vetëm nga një derë, nga dera e Butkajve, pa përmendur të afërmit e tjerë po nga kjo derë, që janë aq të shumtë, syri i humbur i Sali Butkës në betejën e Nikolicës, privimet dhe tensionet e pafundme shpirtërore të krejt familjes dhe fisit nëpër vite. E ndërsa ky imazh i Sali Butkës tashmë është tepër i njohur dhe familjar për gjithë njerëzit, që e duan vendin e tyre…mua, pak më vonë, kur botën fillova ta kuptoj dhe ta ndjej më mirë, më erdhi një imazh tjetër i Sali Butkës, një imazh që më habiti dhe më mrekulloi njëkohësisht. Nuk e dija fare se Plaku legjendar i Butkës ishte edhe poet, madje kishte lënë një numër të konsiderueshëm vjershash, të cilat po i paraqiten lexuesit sot. Cili ishte, pra, imazhi i ri i Sali Butkës që më shkreptiu në mendje “si nga i madhi Zot”, siç ka shkruar Naim Frashëri? Krejt rastësisht (rastësia shpeshherë është nënë e mrekullive dhe çudirave), nuk e mbaj mend se ku lexova vargjet e mëposhtme: Në kohë të pleqërisë,/ më erdhë plagë të rënda,/ për shkakun e Shqipërisë,/që s’u bë si ma kish ënda.

Është me të vërtetë një imazh sa befasues aq dhe tronditës. Një thjeshtësi depërtuese deri në shpirtrat më të ndërlikuar e më të sofistikuar. Po a nuk është arti i vërtetë një thjeshtësi e kulluar? Një humnerë zhgënjimi që të gëlltit brenda dhe s’të lë më mundësi veprimi? Po a nuk është zhgënjimi një mesazh i artit të vërtetë? Një dëshpërim njerëzor deri në kufijtë e vetëvrasjes, një dhembje e dëlirë, e pastër, që shfaqet pa asnjë pozë, pa asnjë pasthirrmë deklamuese nga ato që duan të tërheqin vëmendjen e opinionit dhe t’i thonë atij “shikomë mua sa po vuaj, vetëm për çështjen tuaj”. Një klithmë e thekshme për jetën e një njeriu, të një vendi, të një kombi, jetë që, për fat të keq, ka shkuar kot “është djegur si qiriri”, por e kanë shkelur pa mëshirë, me brutalitet të pashoq “ derbederët, mercenarët…”. Imazhi i këtyre vargjeve ka vite që më ndjek. Madje them se jo vetëm mua, por shumicën e shqiptarëve edhe ata që nuk i kanë lexuar dhe nuk e dinë fare se ekzistojnë katër vargje të tilla. Janë vargje që riprodhojnë artistikisht të njëjtën gjendje shpirtërore që provon Shqipëria sot, kur zhgënjimi dhe humbja e shpresës janë ngjyra kryesore e peizazhit hallemadh shqiptar. Aq shumë më pëlqyen këto vargje sa edhe sot e kësaj dite i citoj shpesh me vete për të ilustruar gjendjen time shpirtërore. Disa herë i kam cituar nëpër shkrime dhe ese të ndryshme. Sali Butka hyri tek unë me këto katër vargje. Deri atëherë as nuk e dija që ai kishte shkruar edhe poezi. Është fat i madh për një poet kur hyn në botën e tjetrit me vargjet më të mirë të tij, sepse e ka më të lehtë komunikimin, por edhe pranimin, e ka të sigurt ngrohtësinë e strehëzës ku troket.

Poeti i Butkës hyri tek unë nga porta kryesore e zemrës dhe jo nga dyert dytësore, apo deriçkat e parëndësishme dhe shpeshherë të rastësishme. Hyri përsëri ashtu siç kishte ardhur vite më parë: luftëtar, gjysmë njeri gjysmë legjendë, me gjysmën e poezive që vazhdojnë të jenë vazhdim i krismave dhe flakëve të pushkës së tij të paepur, dhe gjysmën tjetër që janë ofshama dhe dhimbje për zhgënjimin e madh dhe të pashoq shqiptar, për “malet e Gramozit që qajnë” dhe Tomorrin që oshtin. Po, ndërsa Sali Butka luftëtar besoj se njihet mirë, çfarë mund të themi për të si poet tani kur kanë kaluar shumë vite dhe historia është paqtuar, ndërsa gjykimi është i ftohtë nga emocionet dhe dobësitë e ndryshme njerëzore, që të bëjnë nganjëherë të gjykosh me anësi?

Jam i sigurt: Sali Butka është po aty, është po ai që ka qenë. Syri i shëndoshë i tij, i cili në të vërtetë shikon sa dhjetëra sy të zakonshëm njerëzorë, vrojton si gjithmonë kufijtë e shenjtë, ndërsa shpirti ofshan përsëri “malet e Gramozit qajnë në moshën e pleqërisë së thellë…”.

Natyrisht Sali Butka nuk është një poet elitar (në periudhën e letërsisë së Pavarësisë të tillë ka shumë pak). Ai nuk mund të studiohet as për “mrekullitë” artistike, dhe as për “personalitetin” e madh krijues. Por ai është, ekziston, frymë merr, jep e merr me lexuesin, shumë e dinë përmendesh, një shumicë edhe më e madhe këndojnë me ritmet kolonjare tekstet e tij patriotike, nganjëherë pa e ditur se ato vargje kanë rrjedhur nga qenia dhe shpirti i poetit të Butkës.

Çfarë ka më tepër, fjala vjen, Mihal Grameno, publicistikën e të cilit ne e kemi mësuar nëpër shkolla dhe kemi bërë shumë mirë? Ashtu siç është bërë shumë gabim që na është fshehur, mohuar dhe vjedhur Sali Butka. Për të respektuar të vërtetën dhe historinë duhet të themi se veç përhapjes spontane në popull që ishte për t’u konsideruar, përkundrazi, poezitë e Sali Butkës janë shkruar dhe përmbledhur edhe në një libër të veçantë me titullin “Ndjenja për atdheun” në vitin 1920 në Korçë nga shtypshkronja Dhori Koti. Bazë e kësaj përmbledhjeje është edhe libri që i japim sot lexuesit. Ndërsa Andrea Varfi ka botuar prej vjershëtorit të Butkës një libër me poezi të zgjedhura të marra nga libri i mësipërm por edhe nga shtypi i kohës.

Nuk është e vështirë të dallosh shqetësimin poetik të Sali Butkës, të identifikosh rrënjët e tij poetike, frymëzimin dhe tokën mbi të cilën ka hedhur rrënjë dhe ka rritur shtatin muza e tij poetike. I rritur në një familje dhe mjedis të lidhur ngushtë me Shqipërinë, hallet dhe problemet e saj, gëzimet dhe hidhërimet, shpresat dhe zhgënjimet, lotët dhe gëzimet, dasmat dhe vdekjet, fitoret dhe disfatat, Sali Butka qesh dhe qan bashkë me Shqipërinë, lind dhe vdes bashkë me të. Poezia e tij nga fillimi në fund ka vetëm një kryefjalë: Shqipërinë, atdheun të cilin jo rrallë herë e quan edhe mëmëdhe, shqiptarët, Kosovën e Çamërinë, por dhe vendlindjen, Kolonjën.

Nganjëherë më duket se Sali Butka luftëtar i bie në qafë Sali Butkës poet. Duket sikur i pari përpiqet ta zbehë apo ndoshta ta lërë edhe në harrim të dytin. Natyrisht, pushka e Sali Butkës flakëriti aq shumë sa iu tregoi edhe miqve dhe armiqve, por edhe atyre që nuk shihnin mirë apo që nuk donin të shihnin, se kush ishte Shqipëria dhe shqiptari, se kush ishin trojet dhe kufijtë shqiptarë. Por dihet edhe një diçka tjetër, saga heroike e Sali Butkës do të ishte më e varfër pa ditarin poetik. Them “ditarin poetik”, sepse kushdo i lexon këto poezi, e kupton se ato janë shkruar pas betejave. Poezia është ditari i jetës dhe betejave të Sali Butkës. Por është edhe një pjesë e mirë e historisë sonë, e ngjarjeve kryesore të saj, e heronjve dhe personaliteteve historike të saj. Nuk e di pse në mbyllje të këtyre shënimeve m’u kujtuan fjalët e Luigj Gurakuqit kur e vizitoi bashkë me Mihal Gramenon Sali Butkën në spitalin e Barit, pas operimit të syrit të dëmtuar në betejën e Nikolicës. Bejtes së Gurakuqit “ku je lulja në lëndinë”, butkalliu iu përgjigj po me bejte: “nuk jam lulja në lëndinë/ po guri në rrokullimë”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kadare: Enver Hoxha u acarua nga ‘duart e përgjakura’

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, flet pas publikimit të ditarit sekret të...
Read More