Seanca për betimin e Metës, PS-LSI, debat juridik për “shkarkimin”

Kreu aktual i Shtetit, Bujar Nishani, ka dekretuar datën e mbajtjes së seancës për betimin e Metës si pasardhës. Manjani hedh poshtë mundësinë e bllokimit të betimin nëpërmjet mosbërjes së kuorumit të nevojshëm në parlament. Isaraj thekson se mosbërja e betimit mund të konsiderohet si pamundësi për të ushtruar detyrën

Nga Fejzi Braushi

Ilir Meta do të betohet si President i Republikës në Kuvendin e Shqipërisë më 24 Korrik, një ditë pasi presidentit aktual, Bujar Nishani, i mbaron mandati 5-vjeçar. Duke qenë se koha e betimit bie në një periudhë kohore kur Kuvendi është i shpërndarë, Presidentit Nishani i është dashur që të shpallë një dekret të veçantë, atë për thirrjen e Kuvendit të Shqipërisë në një seancë të jashtëzakonshme. Seanca do të ketë vetëm një pikë dhe do të shërbejë vetëm për të bërë ceremoninë e betimin nga Presidenti i ri i Republikës, çka do të shënojë në të njëjtën kohë edhe momentin e marrjes zyrtarisht të detyrës së re. “Në mbështetje të nenit 74, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Dekretoj: Thirrjen e Kuvendit, në sesion të jashtëzakonshëm, për bërjen e betimit të Presidentit të Republikës, më datë 24 korrik 2017”, thuhet në dekretin e Presidentit aktual, Bujar Nishani. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u zgjodh President më 28 prill me votën e socialistëve, në kohën e një krize politike në Shqipëri, ku opozita ishte në çadër duke protestuar, ndërsa nuk u përfshi në votimin për kreun e ri të shtetit. Por duket se marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës ndryshuan shumë gjëra dhe ndërmjet të tjerave nxorën edhe Metën në një fushatë të ashpër kundër të dyve, por ku fokusi kryesor ishte Partia Socialiste. Pikërisht fjalori i ashpër i përdorur nga Meta gjatë fushatës kundër PS-së dhe në mënyrë të veçantë kundër kreut të saj Edi Rama, sollën një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy aleatëve në qeverisje. Në kulmin e këtij debati Meta do të kërcënonte socialistët se si President i ardhshëm nuk do të dekretonte një qeveri të dalë nga vota e vjedhur. Kjo i hodhi “benzinë zjarrit” teksa socialistët me anë të Gramoz Ruçit do të kundërpërgjigjeshin duke kërcënuar Metën me shkarkim nga pozicioni i kreut të shtetit. Madje Ruçi do të deklaronte se ai do të ishte i pari që do të hidhte firmën për shkarkimin e tij. Por ndërsa Meta bëhet gati për të shkuar drejt Presidencës, socialistët nuk ia kanë falur ende sjelljen dhe fjalorin që ai përdori ndaj tyre në fushatë. Ndaj nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve ide që vijnë nga selia rozë për skenarë të ndryshëm se si mund të ndalet Meta të shkojë në Presidencë. Dhe një prej tyre është edhe ideja e hedhur për të bërë të pamundur zhvillimin e seancës së betimit në parlament. Sipas kësaj ideje deputetët aktual të PS-së mund të mos shkojnë në seancën e 24 korrikut, duke bërë të pamundur arritjen e kuorumit për zhvillimin e kësaj seance solemne. Një variant ky që ka pak bazë si për vetë faktin që socialistët nuk kanë shumicën në parlamentin aktual ashtu edhe për shkak të përcaktimeve ligjore në fuqi.

Manjani

Kështu, dy ditë më parë ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili militon në forumet drejtuese të LSI në një interpretim të tijin do të deklaronte se ky variant ishte i pamundur ligjërisht. “Kjo ide nuk ka fare terren kushtetues as ligjor. Thjesht duket si tym politik post fushatë!”, -tha Manjani. Ndërsa tregon hapat ligjorë që duhet të kalojë procesi i betimit, Manjani thekson se Kuvendi është i detyruar që të lejojë Presidentin e ri të marrë detyrën. Kështu, pyetjes se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk i ka 71 deputetë prezentë për të lejuar betimin e presidentit, Manjani i përgjigjet se mosbërja e betimit se Kuvendi nuk mblidhet, nuk e shkarkon nga detyra Presidentin e zgjedhur. Sipas tij refuzimi për të bërë betimin çon në mbarimin e detyrës por jo mosmbledhja e Kuvendit. “Presidenca nuk mbetet bosh, presidenti në detyrë vijon detyrën derisa të betohet i riu. Kuvendi është i detyruar, herët a vonë, të lejojë betimin e Presidentit. Praktikë e Gjykatës Kushtetuese kjo”, -tha Manjani. Sipas tij Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin (edhe atë të zgjedhur që nuk është betuar) vetëm nëse Ai (Presidenti) shkel rëndë Kushtetutën dhe kryen një krim të rëndë. “Vetëm për këto arsye e jo se “nuk më pëlqen” apo se “u bëra pishman”… Presidenti shkarkohet nga 93 vota deputetësh, kur provohet njeri nga kushtet. Vendimi i Kuvendit gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra vetëm kështu shkarkohet Presidenti. Edhe Ai i zgjedhuri. Nisur nga ky sqarim, besoj është e qartë se është kot gërdufja politike se nuk e duam Metën President”, mbyllte komentin e tij Manjani.

Isaraj

Por si për ta bërë këtë situatë edhe më konfuze dhe fatin e presidentit të ardhshëm më të paqartë, në këtë debat juridik ka ndërhyrë zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj. Isaraj duke iu përgjigjur Manjanit thotë se që të shkarkohesh nga President, më parë duhet të ngarkohesh si President duke sqaruar më tej se, që Meta të marrë postin e Kreut të Shtetit duhet që të betohet. “Procedura kushtetuese për zgjedhjen e shtetasit Ilir Meta si President i Republikës së Shqipërisë përfundon, me betimin e tij përpara Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i ri i Republikës Ilir Meta, e fillon detyrën si i tillë, vetëm pasi bën betimin përpara Kuvendit (pika 3, neni 88)” shkruan ai. Më tej ai sqaron se mosbërja e betimit përpara Kuvendit si “shërbëtor i interesit të përgjithshëm” e bën të pamundur ngarkimin e detyrës si president të Republikës, shtetasit Ilir Meta. Më tej Isaraj sqaron se kur vendi i Presidentit mbetet vakant për shkak të pamundësisë për t’u betuar, zbatohet procedura kushtetuese e lejuar nga neni 91 i saj. “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”, përcakton pika e parë e këtij neni. Pra, edhe në këtë rast ai që do të kryente përkohësisht detyrën e Presidentit do të ishte prapë Ilir Meta, i cili është aktualisht kryetar Kuvendi. Ndërkohë që pika e dytë e këtij neni përcakton se “Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”, përcakton Kushtetuta. Gjithsesi, nuk dihet nëse jemi në kushtet e këtij parashikimi pasi pamundësia e Presidentit të ri për të ushtruar mandatin e tij vjen jo për shkak të tij por për shkak të pamundësisë së Kuvendit për të lejuar betimin.

Çfarë parashikon Kushtetuta

Neni 88

  1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
  2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.

2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

  1. Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë betim: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Presidenti mund të shtojë edhe: “Zoti më ndihmoftë”.

Neni 90

  1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
  2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
  3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Neni 91

  1. Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
  2. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Domosdoshmëria për ndryshimin e sistemit zgjedhor lokal

Nga Ervis Iljazaj Përtej debatit mbi rritjen e çmimit të ujit, nga...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.