Seferi

Nga Edison Ypi

Seferi lindi në Pacomit pranë Vjosës, përballë me Dhëmbelin dhe Nëmërçkën. Kur ishte fëmijë, Seferi, një ditë këqyrte larushinë e njerëzve, ditën tjetër shtrihej përmbys në tokë me orë të tëra shihte i mahnitur ecejaket e milingonave, strategjitë e tyre të mbijetesës. Seferi mahnitej gjithashtu me pyllin, fletët e dushqeve, të cilat, kur era i kthente mbrapsht, bëheshin të kuqërremta, dhe Seferit i dukej sikur pylli në faqe të malit merrte zjarr, shndërrohej në det i ndezur me dallgë të lehta, apo çarçaf kilometrik që e tundte dora e Zotit.

Një vëlla i Seferit doli partizan. U kthye nga partizanllëku pas tre ditësh. Kishte parë në Mokër disa partizanë që kishin shkuar në hell një ballist. Erdhi duke u dridhur. Ra përmbys mbi shtrat. Nuk u ngrit. As hëngri as piu. Ju shpif një sëmundje e panjohur. Vdiq brenda dhjetë ditësh.

Seferi, djalë Beu, thoshte i tmerruar; Kush ka, do. Kush nuk ka, urren. Partizanët që s’kanë nuk mund ta duan Shqipërinë më tepër se Bejlerët që kanë.

Një ditë, i tha Seferit një zengjin,

-Do dal partizan.

-Pse do dalësh partizan?

-Sepse më dhimbset fukaraja. Shqiptarët duhet të bëhen të barabartë.

-Mos u mundo zotrote deri në mal, ku edhe mund të gjesh belanë. Bëj një gjë më të kollajtë se dalja në mal. Fale pasurinë. Bëji shqiptarët të barabartë me shembull personal.

Fill pas “luftës”, i tmerruar nga yxhymi i partizanëve, Seferi e nuhati që po të rrinte në fshat do ta kishte pisk.

Në Tiranë Seferi bëri jetë të veçuar, pa vizita, pa qoka.

Fiksimi i përhershëm i Seferit ishte urrejtja e pafundme ndaj absurdit komunist. Seferi gdhihej, ngrysej, fliste, pyeste, përgjigjej, zgjohej, flinte, ëndërronte, me urrejtje të pafundme për regjimin dhe dreqërit që e mbanin gjallë.

Seferi jetoi i strukur në një qoshe të shtëpisë. Tymoste duhan të dredhur. Nën jastëk mbante gjithmonë një roman. E lexonte aq i përqendruar romanin e poshtë-jastëkut sa pas ca kohësh e dinte të gjithin përmendësh. Pastaj merrte romanin tjetër, e kështu me radhë. Seferi i mahniste mysafirët e besuar duke iu rrëfyer dromca nga jeta e vet dhe fragmente të zgjedhura nga romanet që lexonte. Sipas Seferit, shkrimtarët më të mëdhenj të botës ishin Shekspiri, Kadareja, Shollohovi, Balzaku, Turgenievi. Artistët më të shquar Fred Astaire dhe Ginger Rogers. Tema e bisedave së cilës Seferi nuk i ndahej asnjë çast, ishte natyra paradoksale e sistemit. Veçanërisht ligësitë, pabesitë, krimet e diktatorit. Për të cilin thoshte se ishte qenia më frikacake mbi fytyrë të dheut, egocentrist më i neveritshëm që nuk i interesonte asgjë. Shqiptarët jo e jo. As familjarët, dhe askush tjetër. Vetëm vetja. Vetëm 1 metër katror Shqipërie, sa katër pllakat e dyshemesë ku mbështeste këmbët.

Seferi e mbante veten antikomunistin më të madh të botës, pas Çurçillit.

Seferi thoshte se Shqipëria ishte, jo Ferri, por bërthama e zjarrtë inkandeshente e Ferrit, ku flakët e verdha të squfurit digjnin gjithçka.

Thoshte Seferi për diktatorin; Po të më bjerë në dorë një herë të vetme ai fëlliqësirë, do ia pres fytin me biçak, do ia nxjerr sytë me një gozhdë të skuqur në zjarr, do ia copëtoj mishin me sëpatë do ua hedh qenve. Do ta vras aty për aty. Një çast më vonë, ai plehër sajon një gënjeshtër dhe ma prish mendjen, më rrëshqet nga duart, më ikën.

Një variant i zgjeruar i masakrimit të diktatorit, për Seferin ishte ky; Do thërres dhjetë mjekët më të mirë të botës. Do t’i urdhëroj t’ia zhveshin lëkurën copa-copa me pinca. Nga koka te këmbët t’ia lyejnë mishin me kripë të imët. T’ia veshin përsëri lëkurën dhe t’ia qepin me gjylpëryer e spango. Do t’u jap mjekëve dhjetë tonelata flori shpërblim. Me kusht që pas zhveshjes së lëkurës dhe kriposjes së mishit, ndyrësira të mbetet gjallë dhe të vuajë torturën e merituar me brisk, zhveshje lëkure, kripë, spango, gjilpërë. Përndryshe, nëse pas kësaj kure shpëtimtare gjarpri do ngordhi, dhe rrjedhimisht nuk do vuaj më, të dhjetë mjekët do i var në litar.

Një ditë Seferi i tha gruas dhe dy djemve; Sot nuk do dal nga shtëpia. Do rri brenda. Nuk i shoh dot me sy surretërit e deformuar të shqiptarëve të sotëm, pamjen e tyre të mjerë, kokat e tyre të ulura si skllevër.

Seferi nuk doli nga shtëpia as të nesërmen, as të pasnesërmen, as pas një jave, e as pas një muaji. Familja, farefisi, miqtë, u bënë merak. Me këtë rast, një nip i Seferit kujtoi principin “lartësim përmes rrëzimit”. Seferi u lut të mos ia prishnin qefin e të ndenjurit brenda përderisa duke mos parë me sy turma, kënde të kuq, banderola, parakalime, brohorima, sytë dhe veshët i kishin rënë rehat, shikimi dhe dëgjimi i ishin përmirësuar, zemra i rrihte më mirë, dhe rrjedhimisht ndenjja brenda i ishte bërë e dashur. E mirëkuptuan.

Në kthinën ku Seferi gdhihej e ngrysej, rrëfente me gjallëri dhe stil ngjarje të pafundme plot me dromca të këndshme, gjithmonë me të njëjtën temë; Çudinë kriminale që e rrethonte.

Kur ngordhi diktatori dhe ishin bërë vite që Seferi nuk dilte nga shtëpia për shkak se nuk e shihte dot me sy lëvritjen e turmës, zbukurimet për festa, veçanërisht spiunat që trokisnin te dera për ta thirrur për punë vullnetare, për të votuar etj., pikërisht kur njerëzit prisnin që Seferi të qe mërzitur dhe të hiqte dorë nga vetëburgosja, Seferi arriti në përfundimin se qoshja ku ishte strukur nuk ishte mjaftueshëm e fshehtë dhe e thellë për të bërë jetën që i përshtatej, atë me romane, miq, biseda të rrezikshme, prandaj i duhej të zhvendosej në një kthinë të dytë më të thellë dhe më të fshehtë se kthina e parë. Edhe këtë herë e mirëkuptuan. Në kushtet e reja logjistike, bashkë me arsenalin e romaneve, Seferi tërhoqi edhe miqtë e bisedave, të cilët, pas fundosjes së dytë të Seferit u entuziazmuan dhe shprehën dëshirën për ta ndjekur Seferin ku të donte Seferi, edhe në fund të botës, edhe prapa diellit.

Seferi nuk u tund nga kthina e dytë edhe pse jashtë kërcisnin fitoret, gjëmonin kongreset, ulërinin mbledhjet, bënin kërdinë plenumet.

Shembjen e regjimit, shpalljen e pluralizmit, ndryshimet demokratike, që Seferi i kishte pritur me ankth gjithë jetën, Seferi nuk i pëlqeu, por as nuk i refuzoi. Pavarësisht nga ky qëndrim jo fort i kuptueshëm që u interpretua me kompleksitetin e karakterit të Seferit, familjarë e miq thanë se tashmë Seferi nuk kishte arsye të rrinte brenda. Mirëpo pikërisht atëherë, kur prej pothuaj 30 vitesh jetonte i mbyllur në shtëpi nga kthina në kthinë, daja im Seferi, bashkë me romanet seriozë, miqtë besnikë, bisedat e rrezikshme, u fut në një kthinë të tretë, edhe më të thellë edhe më të fshehtë se dy kthinat e para, prej nga nuk lëvizi më deri në frymën e fundit, kur Ylli i zi i vetëmohimit heroik u përpi nga qielli i ndritur i qesharakizmit demokratik shqiptaresk.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“In memorium” për 300 fëmijët e vdekur në kampin e Tepelenës

Nga Luljeta Progni - Ndreka kishte kullufitur me një frymë rracionin e...
Read More