Sekretet e largimit të shefit të shërbimit sekret

Pas pesë vitesh në drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika jep dorëheqjen. Pse u largua shefi i shërbimit sekret dhe propozimi që pasardhësi i tij të jetë Helidon Bendo. Ikja pa shumë bujë e kreut të SHISH dhe dyshimet se edhe partnerët ndërkombëtarë pranuan në heshtje largimin e tij. Basha: SHISH ishte halë në sy për Edi Ramën.

Nga Sebi Alla

E premtja ishte dita e fundit e qëndrimit në detyrë të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika. E kishte mirëmenduar dorëheqjen, por sekreti i largimit të tij do të qëndrojë pezull edhe për pak kohë, duke lënë pas një punë 5-vjeçare në këtë institucion, gjithnjë të sulmuar nga çdo drejtues qeverie. Paraditen e djeshme kryeministri Edi Rama pati takim me Presidentin e vendit Ilir Meta dhe nuk zgjati shumë pritja, pasi është propozuar emri i ri që do të zëvendësojë Likën. “Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim 30-minutësh me Presidentin e Republikës, ku paraqiti propozimin për lirim të Drejtorit të Shërbimit Informativ, Visho Ajazi, dhe emërim në këtë detyrë të zëvendësdrejtorit të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të kryeministrit. Para se të shkonte në këtë procedurë standarde burokratike zyrtare mes kryeministrit dhe presidentit, të vërtetat e dorëheqjes së Visho Ajazit Lika janë ende të mbuluara nga misteri. Prej pesë vitesh drejtoi SHISH mes përplasjeve, por edhe periudhave të paqta me kryeministrin, që një herë e sulmoi haptas (sidomos pas skandalit se SHISH kishte përgjuar opozitën) dhe më pas e vlerësoi për çështjen e luftës kundër terrorizmit.

Ikën Visha, vjen Bendo

Ndryshe nga paraardhësi, kryeministri aktual Edi Rama emrin e ri të propozuar për drejtimin e shërbimit sekret nuk e “qëmtoi” në radhët e partisë apo bashkëpunëtorëve të tij, por e kërkoi brenda institucionit. I propozuari për postin e numrit një të SHISH është Helidon Bendo, një teknicien që prej 21 vitesh ka qenë pjesë e strukturave të shërbimit informativ. Karriera e tij ka nisur që nga inspektori i terrenit dhe deri në drejtor drejtorie pranë SHISH dhe së fundmi, prej më shumë se një viti në detyrën e nëndrejtorit. Dorëheqja e Visho Ajazi Likës nuk është vetëm një tërheqje e tij për arsye personale, por përflitet se diçka nuk ka shkuar me punën e tij, jo vetëm në raport me qeverinë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë të shërbimit sekret. Deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga përfaqësitë diplomatike në vendin tonë, çka e shton dyshimin se një dorëheqje e “papritur” e Likës është aprovuar, qoftë edhe në heshtje nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe vendet e Europës Perëndimore. Kreu i qeverisë mësohet se sapo ka nisur mandatin e dytë qeverisës i ka kërkuar Visho Ajazi Likës në muajin shtator që të japë dorëheqjen, duke mos e dërguar çështjen në tentativë shkarkimi, çka do e pështjellonte këtë largim edhe në nivel politik. Edhe pse në katër vitet e qeverisjes së parë “Rama 1” marrëdhëniet duket sikur kanë qenë thjesht të ftohta, gjithnjë ka pasur ndarje, sidomos pas akuzave se SHISH ishte përfshirë edhe në përgjimin e opozitës. Visho Ajazi Lika erdhi në drejtimin e SHISH me propozim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në periudhën maj 1993- qershor 1997 Lika mbante postin e diplomatit dhe të drejtorit në Ministrinë e Jashtme. Që nga dhjetori i vitit 2009 ai u emërua në detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, ndërsa më 9 Gusht 2012, presidenti Bujar Nishani e dekretoi pa hezitim në postin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Reagimet politike

E vështirë që Edi Rama t’iu shmanget ndonjëherë komenteve për gjithçka ndodh në vend, por në rastin e dorëheqjes së kreut të SHISH duket se ka “folur” me shumë me heshtje. Ndoqi rrugën institucionale duke dërguar në presidencë emrin e kreut të ri të SHISH, për t’i dhënë rëndësi jo më shumë dorëheqjes së Likës, por për emërimin e pasardhësit. Për të kapërcyer përplasjet institucionale, disa vite më parë politikisht është përcaktuar që para se të bëhet emërimi i drejtuesit të SHISH apo të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, të ketë një periudhë negociatash mes kryeministrit dhe presidentit. Në këtë rast burimet shprehen se Rama nuk ka ndjekur procedurat konsultative, por ka dorëzuar mbi tavolinën e presidentit Meta emrin e Helidon Bendos. Ligji i jep kompetencë presidentit për të refuzuar propozimin e kryeministrit për emrin e shefit të shërbimit sekret, nëse nuk kanë konsensus. Gjithsesi fakti që emri vjen nga vetë radhët e SHISH, nuk i kanë lënë shumë mundësi presidentit për të treguar se nuk është në atë post si “noter” i qeverisë. Për rastin e Bendos çështja qëndron ndryshe, pasi mund të jetë një emër që më parë ka marrë aprovimin edhe të partnerëve të tjerë strategjik të Shqipërisë. Ndërkohë në lidhje me dorëheqjen e Visho Ajazit Lika ka reaguar kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. “Nuk kam informacione konkrete, por një gjë është e sigurt, një shërbim informativ që harton raporte për përfshirjen e policisë, e krerëve të policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës siç ka bërë SHISH prej 2 vitesh, është halë në sytë e narkoshtetit dhe të Edi Ramës, ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveç presionit politik”, -tha ai. Ndërsa janë thuajse në heshtje të plotë drejtuesit e LSI-së, duke shmangur çdo koment të mundshëm për këtë çështje mjaft të nxehtë që nisi që nga paraditja e djeshme dhe më gjasë do të vijojë edhe në ditët në vazhdim për të kuptuar të vërtetën e dorëheqjes së papritur të kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Klosi: Dorëheqja duhet të kishte ndodhur më parë…

Për ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, dorëheqja e Visho Ajazi Likës nuk përbën ndonjë surprizë, pasi sipas tij kjo duhet të kishte ndodhur më parë. “Kjo lëvizje duhet të ishte bërë me kohë. Kreu i SHISH është vartës direkt i kryeministrit dhe në një lloj forme ky i fundit është punëdhënësi i tij”, shprehet Klosi. Nuk ndalon për të diskutuar emrat konkretë, por e lidh me mbarëvajtjen e institucioneve dhe sipas tij për një funksionim më të mirë mes dy institucioneve si qeveria dhe shërbimi inteligjent duhet bashkëpunim. “Deri më tani kam parë marrëdhënie të mira mes kryeministrit dhe drejtuesit të SHISH, por lindin edhe shumë pyetje të tjera, pasi shumë gjëra nuk dihen. Përse nuk e dha më parë dorëheqjen kreu i SHISH, p.sh. para një muaji, por vendosi ta japë pikërisht tani?, ngre pikëpyetjen Klosi, ndërsa shton se: “për të kuptuar të vërtetën e dorëheqjes duhet të presim reagimet e kryeministrit dhe ish-drejtuesit të SHISH”. Ndërsa për propozimin që në krye të SHISH të jetë Helidon Bendo nuk ka ndonjë qëndrim, por shprehet se ka ardhur koha që nën drejtimin e shërbimit inteligjent të jenë persona të rinj. “Nuk e njoh, nuk e kam arritur në kohën kur drejtoja SHISH pasi janë të rinj dhe për mua kështu duhet të jetë, drejtimin e SHISH ta marrin të rinjtë”, -tha Klosi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si iu përgjigj Kadare, pyetjes fatale të gazetarit për diktaturën

Vjollca Hajdari, (gazetare, politologe, etnologe dhe përkthyese në Berlin), ka intervistuar shkrimtarin...
Read More