Seks dhe para, pasojat e nepsit në “zooparkun” e Zija Çelës

Rezistenca e një shkrimtari, sidomos për një letërsi dyshuese si e jona, është sublime kur autorët që krijuan në diktaturë janë përcjellë edhe pas ‘90-s. Disa me vepra e të tjerë thjesht emër, klishe sa për të zënë vend. Kufijtë e kohës kanë bartësit e tyre. Rasti konkret është grupimi i krijuesve që patën “shkëlqimin” në vitet ‘80. Prej tyre, shkrimtari Zija Çela ka përcaktuar parametrat krijues duke sjellë librin e 12-të nga biblioteka e tij, së fundi me romanin “Ora në zoopark”, të promovuar dje në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Nga Violeta Murati

Rezistenca e një shkrimtari, sidomos për një letërsi dyshuese si e jona, është sublime kur autorët që krijuan në diktaturë janë përcjellë edhe pas ‘90-s. Disa me vepra e të tjerë thjesht emër, klishe sa për të zënë vend. Kufijtë e kohës kanë bartësit e tyre. Rasti konkret është grupimi i krijuesve që patën “shkëlqimin” në vitet ‘80.

Prej tyre, shkrimtari Zija Çela ka përcaktuar parametrat krijues duke sjellë librin e 12-të nga biblioteka e tij, së fundi me romanin “Ora në zoopark”, të promovuar dje në mjediset e Akademisë së Shkencave.

Kritikët e parë, ku është shpërndarë dorëshkrimi i librit, Mehmet Kraja dhe Rudolf Marku kanë folur për një letërsi “monument artistik” të ngritur në gjuhë e stil, për një roman bashkëkohor. “Me gjithë individualitetin e spikatur, nuk ndalet Zija Çela në kërkimet e tij. Ora e Zooparkut, romani më i fundit, është një vepër tjetër e shkëlqyer, madje duke ardhur me zhvillime të reja autoriale. Të ngjan sikur kjo ngjeshje, ky surpres narrativ, gjuhësor dhe emocional kanë një burim të përbashkët. Mund të hamendësoj se autori është ndodhur në një gjendje tjetërsoj, më të zymtë, më të trishtë, në një nga ato gjendjet e trishtim-kllapisë që e afrojnë njeriun me të Vërtetën e thelbit dhe me krijimtarinë e madhe. Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzage kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit”, ka vlerësuar Rudolf Marku.

“Ora në zoopark” pati shkëndijën para 7 viteve, kur Çela ka kujtuar lindjen e titullit kur ishte i ftuar nga një shoqatë për mbrojtjen e natyrës, në mbrojtje të lumit të Erzenit. Nga biseda të rastësishme mbi parkun zoologjik në Tiranë, shkrimtari ka reflektuar në një metaforë që shërbeu i lëndë për romanin.

Shkrimtari Besnik Mustafaj duke folur mbi këtë “skenë” thotë se Çela i ka shpëtuar kurthit të cinizmit, madje nuk kalon as në grotesk kur duhet të rrëfejë mbi dramën e njeriut të sotëm, të kohës. “Është një roman i nepsit për para dhe seks. Një roman mbi nepsin dhe pasojat e tij, përballjen me të…”. Në këtë gjuhë të mëkatarëve, Mustafaj thotë se gjithçka në libër shndërrohet në një “betejë” mes pafajësisë e fajësisë, duke shkruar një roman njerëzor, një roman pa kode, ku çdo lexues do të gjejë çfarë kërkon. “Për disa mund të jetë një roman dashurie. Për të tjerë një vepër e realizmit magjik ku ngjarjet rrëfehen në vetëm e parë apo një roman aventurash ku njeriu pa arsye jeton në kafaze kafshësh. Ndërsa një intelektual do të gjejë një roman postmodern, me strukturë narrative të fuqishme… Është një roman dashurie ku fshihen enigma të seksit dhe të pasionit”.

Më tej, Mustafaj qartëson se Çela e ka shndërruar në lëndë romaneske kakofoninë shqiptare të kohës së komunizmit, ku gjen individin shqiptar të papërgatitur për të jetuar në liri. Lazer Stani ka kujtuar se në vitet ‘80 leximi i tregimeve të Zija Çelës ishte befasi, duke marrë sot përgjigjen se ky autor vazhdon të shkruajë dhe pas ‘90-s me të njëjtën potencë artistike dhe se kemi të bëjmë me një talent unik krijues.

Është një libër që lexon shoqërinë tonë, thotë Stani, që me vërtetësi të frikshme rrëfen shoqërinë tonë dhe njeriun e kryqëzuar mes të shkuarës dhe së ardhmes.

Është një roman i mbushur me detaje dhe densitet personazhesh, detaje si jeton dhe vdes njeriu. Ndërsa vetë shkrimtari Zija Çela është ndalur në kujtesën kur lindën idetë e para për këtë roman duke e krahasuar me “embrionin që shpërthen farën”, erdhi titulli: ora në zoopark. Ndërsa vite më vonë, me një lehtësi që karakterizon procesin e shkrimit të Çelës, romani mbledh “lëndën”, duke u kujtuar nga shkrimtari se erdhi pas një operacioni ku përjetoi një mundësi vdekjeje. Duke lindur në domethënien e kësaj metafore, Çela tha se “ndodhet” në parkun ku shtohen kafazet po pakësohen kafshët, duke ardhur në idenë pse mos të “shkojmë vetë”; ca vullnetarë, ca të detyruar, ca veshur me gëzofë…Në shqetësimet e brendshme të shkrimtarit, pyetja alegorike ka mbërritur vetiu: pse shkojnë vetë dhe pse i çojnë?! Çela kalon në dallimin thelbësor, se duke mos patur ndërgjegje kafshët nuk bëjnë pyetjen: Pse? Pse njerëzit gjejnë “strehë” me sjelljet e tyre kafshërore, pse shohin purifikimin te kjo gjendje: “edhe pa shkuar në park të gjithë kafshërojmë, çdo përpjekje për t’i ikur vetes është e kotë”. Shkrimtari thotë se ka hedhur gjithë çka mundur që ky roman të marrë frymë bashkëkohore, ndërsa mbyllet me fjalët e një prej personazheve, që kurrë nuk kishte tentuar të ishte në krye, por as në turmë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama: Jo konsensus duke futur partitë në kontrollin e gjyqtarëve

Kryeministri ka përshëndetur miratimin e reformës nga Komisioni i Posaçëm. Ai ka...
Read More