Sektori energjetik shqiptar, mungesa e diversifikimit sjell varësi të lartë

Shqipëria shfaqet si vendi me varësinë më të lartë nga importet, e llogaritur në rreth 65% dhe me normën më të ulët të konsumit të energjisë elektrike për frymë, e cila llogaritet në vetëm 1980 kwh. Së bashku me Maqedoninë, janë të vetmet shtete në rajonin e Ballkanit të cilat nuk janë eksportuese të energjisë elektrike.

Nga Fatri Morina dhe Përparim Fuga*

Energjia luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi, prandaj furnizimi i përballueshëm dhe i besueshëm me energji janë thelbësorë për këtë zhvillim. Bazuar në rëndësinë e sigurisë energjetike [disponueshmëria e qëndrueshme e burimeve energjetike me një çmim të favorshëm], ajo duhet të jetë pjesë e prioriteteve kryesore të një vendi. Vetëm një qasje e integruar, e cila kombinon të gjitha dimensionet e sigurisë energjetike, mund të jetë një mënyrë e efektshme për garantimin e sigurisë energjetike. Siguria energjetike është një koncept multidimensional, e cila përfshin dimensione të brendshme e të jashtme dhe mund të analizohet nga niveli kombëtar në atë rajonal dhe global. Qëllimi i këtij punimi është analizimi i sektorit të energjisë në Shqipëri, me fokus në dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe teknike të sigurisë energjetike. Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, elemente të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Të dhënat e përdorura në këtë punim bazohen në të dhënat e Bankës Botërore, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ERE dhe INSTAT. Fjalë kyç: Siguri energjetike; qasje multidimensionale; Shqipëri.

Sektori energjetik shqiptar

Zhvillimi dhe rritja ekonomike e një vendi është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji, e cila nevojitet të përdoret në mënyrë të efektshme, duke kufizuar emetimin e karbonit dhe mbrojtjen e mjedisit. Trashëgimia e një ekonomie të planifikuar dhe të centralizuar, me çmime të ulëta në mënyrë artificiale e kombinuar me një infrastrukturë jo efikase janë element të cilët kanë penguar vendet në tranzicion në rrugën e tyre drejtë garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji. Një sërë masash janë marrë për të kapërcyer këtë situatë, por mbetet akoma shumë punë për të bërë me qëllim përafrimin me standardet ndërkombëtare për një energji efikase, zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe politikave që adresojnë ndryshimet klimaterike. Faktori themelor për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji është ndryshimi sistemik, zëvendësimi i infrastrukturës së vjetër nuk është i mjaftueshëm. Efektiviteti i projekteve ose iniciativave specifike varen nga cilësia e institucioneve, kuadri ligjor dhe natyra e tregjeve (liberalizimi i tregut, taksa e karbonit, tarifa reflektuese të kostos etj.). Qëllimi i këtij punimi është analizimi i sektorit të energjisë në Shqipëri, me fokus në dimensionet ekonomike, sociale, mjedisore dhe teknike të sigurisë energjetike. Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, element të cilët kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Shqipëria, si një vend në tranzicion, karakterizohet nga të gjitha problematikat e mësipërme duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nivelin e sigurisë energjetike dhe implikimet e saj multisektoriale. Duke qenë se siguria energjetike është një çështje komplekse e cila përfshin shumë faktor, për të analizuar atë është e nevojshme përdorimi i një qasje multidimensionale, ku të përfshihen si dimensionet socio-ekonomike ashtu dhe ato politike dhe mjedisore. Fillimisht është e nevojshme të paraqesim një përmbledhje të shkurtër të literaturës lidhur me sigurinë energjetike.

Siguria energjetike

Ekziston një literaturë voluminoze lidhur me sigurinë energjetike, e cila trajton një sërë aspektesh, faktorësh, dimensionesh dhe implikimesh. Një ndër problematikat kryesore që vihet re gjatë shqyrtimit të literaturës është mungesa e një përkufizimi të gjithë pranuar lidhur me konceptin e sigurisë energjetike. Larmiteti i përkufizimeve lidhet me këndvështrimin dhe interesat e aktorëve të ndryshëm të cilët e trajtojnë këtë çështje, qofshin ato nga sfera akademike, politike apo teknike. Ebinger e thekson një fakt të tillë që në titullin e punimit të tij; ‘The Meaning of Energy Security Depends on Who You Are’, dhe e përkufizon sigurinë energjetike si “aksesin e sigurt në burimet e nevojshme të energjisë me një çmim të përballueshëm, akses i cili duhet të jetë indiferent ndaj ndërprerjeve – pasi burimet alternative të furnizimit duhet të jenë në dispozicion me një çmim të përballueshëm dhe në sasi të mjaftueshme” (Ebinger, 2011, Paragrafi I). Vendet, në bazë të raportit të tyre me burimet energjetike, klasifikohen në vende konsumatorë, prodhues dhe transit të energjisë. Kjo është një ndarje standarde, pasi shtete të caktuara mund të kombinojnë element të kategorive të ndryshme. Këto elemente përcaktojnë dhe kuptimin që aktorët kanë lidhur me sigurinë energjetike. Përtej kësaj problematike, ndër përkufizimet më të përhapura është ai i dhënë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila i referohet sigurisë energjetike si ‘disponueshmëria e pandërprerë e burimeve të energjisë me një çmim të volitshëm’ (IEA, 2011). Vendet e Ballkanit përgjithësisht dhe Shqipëria veçanërisht karakterizohen nga kombinimi i elementëve të ndryshme të kategorive të sipërcituara.

Metodologjia e këtij punimi, kombinon element të qasjes cilësore dhe asaj sasiore të kërkimit shkencor. Nëpërmjet përdorimit të të dhënave parësore dhe atyre dytësore, punimi mbështetet në një analizë multidimensionale të sigurisë energjetike. Fillimisht identifikohen dimensionet kryesore të sigurisë energjetike të cilat aplikohen më pas në kontekstin shqiptar. Dimensionet kryesore që trajtohen janë specifikisht: dimensioni ekonomik, social, mjedisor dhe teknik të sigurisë energjetike. Modeli kërkimor i përdorur në këtë punim është ai i një rasti studimor. Metodologjia lidhet në këtë mënyrë me qëllimin e punimit i cili është: analizimi i sektorit të energjisë në Shqipëri me fokus në dimensionet e sigurisë energjetike.

Siguria energjetike, rasti i Shqipërisë

Sektori i energjisë në Shqipëri karakterizohet nga një infrastrukturë problematike, eficiencë e ulët, varësi e lartë dhe nivel i ulët i diversifikimit të burimeve, element të cilët kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike. Kjo situatë shoqërohet me implikime multidimensionale, me efekt jo vetëm në nivelin e sigurisë energjetike por ndikon në perspektivën e zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik e social të Shqipërisë. Dimensioni ekonomik i sigurisë energjetike përbëhet nga element të shumtë të cilët variojnë që nga kostoja e blerjes/prodhimit të energjisë e deri te fatura financiare e konsumatorit fundor të këtij produkti. Duke qenë se Shqipëria karakterizohet nga një nivel i lartë i varësisë energjetike dhe humbje të shumta të natyrës teknike dhe jo teknike, kostoja sa vjen dhe rritet. Duke pasur në konsideratë nivelin e zhvillimit ekonomik në Shqipëri, atëherë rritja e kostove prek ekonominë si në nivel kombëtar ashtu dhe atë individual/familjar. Dimensioni social është ngushtësisht i lidhur me dimensionin ekonomik. Nëse aktorët ndikohen drejtpërdrejt nga rritja e kostove, atëherë kushtet e tyre sociale do të ndikohen njëkohësisht. Kanalizimi i të ardhurave drejt përballimit të kostove të rritura nënkupton kufizimin e shpenzimeve lidhur me aspektet sociale. Dimensioni mjedisor është një tjetër dimension i rëndësishëm kur analizohet niveli i sigurisë energjetike në Shqipëri. Duke qenë se burimi i prodhimit të energjisë bazohet te burimet hidrike, atëherë shfrytëzimi i lumenjve ndikon në balancat ekologjike të zonave ku ndërtohen hidrocentralet por dhe më tej. Ndërtimi i HEC-eve të vegjël në kaskadat e lumenjve ndikon në ekosistem. Për më tepër, duke qenë se prodhimi i energjisë bazohet në burimet hidrike, kjo nënkupton varësinë e lartë ndaj kushteve klimaterike. Periudhat e thatësirës shoqërohen me uljen e prodhimit vendas dhe rritjen e importit, e përkthyer në rritje të kostove të furnizimit me energji. Dimensioni teknik i sigurisë energjetike lidhet me kapacitetet infrastrukturore për prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e energjisë. Kapacitetet e kufizuara infrastrukturore në rastin e Shqipërisë ndikojnë në nivelin e ulët të sigurisë energjetike. Humbjet teknike zënë një vend të konsiderueshëm në humbjet totale në rrjet. Shpërdorimi i energjisë, mungesa e termoizolimit dhe linjat e vjetruara ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë energjetike.

Shqipëria shfaqet si vendi me varësinë më të lartë nga importet, e llogaritur në rreth 65 % dhe me normën më të ulët të konsumit të energjisë elektrike për frymë, e cila llogaritet në vetëm 1980 kwh. Së bashku me Maqedoninë, janë të vetmet shtete në rajonin e Ballkanit të cilët nuk janë eksportues të energjisë elektrike. Sistemi energjetik në Shqipëri është relativisht i vogël, me një prodhim të elektricitetit të bazuar në burimet hidrike. Për shkak të konsumit të lartë dhe në rritje, edhe importi i energjisë elektrike është i lartë si pasojë e mos plotësimit të kërkesës nga burimet e brendshme energjetike. Investimet e kufizuara në sektorin e energjisë dhe humbjet e mëdha në rrjet, bëjnë që garantimi i sigurisë energjetike për Shqipërinë të jetë i vështirë dhe i kushtueshëm. Në këtë situatë, është i domosdoshëm vazhdimi i reformimit të sektorit energjetik dhe përmirësimi i furnizimit me energji. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe reduktimi i varësisë nga elementët klimaterik janë çështje për të cilat duhet të tregohet një kujdes i veçantë. Një siguri energjetike e kërcënuar dhe nevoja për shtimin e importeve ka implikim të drejtpërdrejtë në çdo sektor të ekonomisë, pasi ndikon në buxhetin e shtetit në tërësi. Ndërtimi i HEC-ve të vegjël, përmirësimet në rrjetin e transmetimit dhe përpjekjet e vazhdueshme për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike janë disa elemente pozitive, por të cilët nuk kanë arritur të zgjidhin problematikën e energjisë në Shqipëri (Morina & Fuga, 2014).

Nëse ju referohemi statistikave që raporton Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Banka Botërore, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, por edhe INSTAT-i, Shqipëria ka një kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 1800 MW, nga të cilat rreth 1500 MW nga burimet hidrike, ndonëse në shfrytëzim realisht janë edhe më pak. Mbi këtë bazë, Shqipëria ka prodhimin e saj të energjisë elektrike, kryesisht nga burime hidrike, i cili në varësi të kushteve klimatike është luhatur nga vlera më e ulët prej 2.9 TWh në vitin 2007 në vlerën më të lartë prej 7.9 TWh në vitin 2010, duke dëshmuar qartë ndikimin e kushteve klimatike në prodhimin e energjisë në vend. Gjatë viti 2012 ky prodhim arriti në rreth 5.5 TWh, ndërkohë që kërkesa për konsum ka qenë atë vit rreth 7 TWh. Gjatë vitit 2012 kanë munguar rreth 2 TWh ndaj kërkesës për energji elektrike në vend, që është përballuar me import. Lidhur me konsumin e energjisë elektrike, dihet se ka një lidhje, një raport të drejtë mes energjisë së prodhuar, energjisë së konsumuar dhe prodhimit të përgjithshëm vendas (GDP). Nëse krahasojmë kapacitetet prodhuese, rezulton se vendet me zhvillim të ulët, me GDP rreth 3000 euro/banorë, kanë një fuqi të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 0.8 kW/banorë. Ndërkohë, vendet me GDP rreth 6000 euro/banorë, kanë një kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej rreth 1 kW/banorë. Vendet e rajonit të Europës Juglindore, GDP e të cilave luhaten nga 6000 deri në 9000 euro/banorë, kanë kapacitet të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike rreth 1 kW/banorë. Shqipëria ka një GDP përafërsisht të po këtij niveli, ndërsa referuar popullsisë së saj prej 3 milion banorësh, kapaciteti i instaluar i saj rezulton të jetë rreth 0.5 kW/banor, shumë më i ulët edhe se ai i vendeve të pazhvilluara.

Sistemi energjetik në Shqipëri, i cili bazohet kryesisht në burimet hidrike është relativisht i vogël por me problematika të mëdha, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e sigurisë energjetike, problematika të lidhura me kostot e larta, problemet infrastrukturore, mungesa e diversifikimit të burimeve dhe varësia e lartë. Të gjendur përballë kësaj situate, është e domosdoshme që aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë fillimisht të ndërgjegjësohen për rëndësinë e sigurisë energjetike për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, dhe të merren masa në këtë drejtim. Masat e marra së fundi janë kryesisht masa të natyrës afatshkurtër dhe afatmesme, por garantimi i sigurisë ka nevojë për marrjen e masave afatgjata nëpërmjet hartimit dhe implementimit të strategjive vizionare dhe realiste.

*Pedagogë në Fakultetin e Shkencave Sociale & Edukimit, UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse njerëzit e kanë më të lehtë të besojnë akuzat ndaj Tahirit

Të luftosh për të vërtetën në këto kohëra, po bëhet gjithmonë e...
Read More